Namik Resuli
Namik Resuli (10 shtator 1908 - 12 shtator 1985) ka qenë intelektual e gjuhëtar shqiptar.
Jetëshkrimi[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
Lindi në Berat, pasi kreu mësimet fillore në Shqipëri, atë e dërguan të studionte në Itali, ku mbaroi Liceun dhe më pas studimet e larta, duke u laureuar në Glotologji, pranë Universitetit të Torinos. Doktoroi pranë romanistit të njohur Matteo Bartoli me tezën "Mbi shtresëzimet në gjuhën shqipe", ai u kthye në fillim të viteve ‘30 në Shqipëri e dha mësim në disa shkolla e qytete, Elbasan, Shkodër, Tiranë. Më 1939 në vitin 1939 emërohet asistent profesor i gjuhës shqipe në Universitetin e Romës, ku punoi dhjetë vjetë. Në vitët 1940– 44 Ai ka shërbye njëkohësisht si inspektor epror në Minisrinë e Arsimit, si dhe anëtar i Institutit të Studimeve Shqiptare në Tiranë. Vijoi aktivitetin e vet intelektual si pjesëtar i Qendrës Ndërkombëtare të Studimeve Shqiptare në Universitetin e Palermos (1948-1957). Në vitin 1955 Resuli mori gradën shkencore (“libera docenza”) në Gjuhën e Letërsinë Shqipe dhe u emërua si i ngarkuar i gjuhës shqipe në Institutin Universitar Oriental të Napolit (1958-1971). Në këtë institut ai u ngarkua edhe me studime të ndryshme në fushën e Filologjisë Ilirike. Në vitin 1954, botoi në Torino revistën "Shpirti Shqiptar".
Ndërroi jetë më 12 shtator të 1985 në Torino pranë zonjës së tij italiane dhe dy fëmijëve.
Vepra[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
Botimi i tij shkencor-kritik Il “Messale” di Giovanni Buzuku. Riproduzione e trascrizione (Città del Vaticano, 1958) është i pari i llojit të vet në historinë e albanologjisë dhe shënon si i tillë jo vetëm fillimet e filologjisë moderne shqiptare, por edhe fazën nismëtare të përpunimit kritik të përmendoreve të shkrimit shqip që gjëllijnë sot e gjithë ditën si bazë materiale për hulumtime ballore në matriksin e kulturës etnike të popullit shqiptar. Penda e Resulit nuk reshti së shkruari deri ditët e fundit të jetës së tij, kur pa dritën e botimit edhe vepra e tij madhore Grammatica della lingua albanese (Bologna, 1985).[1][2]