Shko te përmbajtja

Observatori i Kokinës

Checked
Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Observatori i Kokinës

Observatori parahistorik i Kokinës është një lokalitet arkeo-astronomik iliro-dardan me rëndësi të veçantë. Ky lokalitet ka shërbyer në parahistori si një vend i shenjtë, ku janë kryer vrojtime qiellore dhe rituale të kultit. Gjendet te kodra e fshatit Kokinë, 38 km në lindje të Kumanovës në Maqedoni. Si një observator megalitik parahistorik, është renditur i katërti në botë nga NASA në vitin 2005. Ky vend është shfrytëzuar për vrojtimin e lëvizjeve të diellit dhe të hënës që nga mijëvjeçari i dytë para erës së re. [1]

Observatori është pozicionuar në majë të një kodre neovullkanike, e cila arrin një lartësi prej 1013 metrash mbi nivelin e detit. Ka një gjatësi prej rreth 90 metrash dhe një gjerësi prej 50 metrash dhe shtrihet në dy nivele të ndara. Në të gjithë këtë hapësirë mbizotërojnë fronet e skalitura në shkëmb, të cilat janë të drejtuara kah lindja. Në këtë vend janë identifikuar një shënjues qendror guror dhe shënjues ndihmës, që kanë shënjuar pikat e lëvizjeve të diellit dhe të hënës në horizontin e lindjes, duke përfshirë solsticin veror dhe dimëror, si dhe ekuinoksin vjeshtor dhe pranveror. Përmes këtyre shënjuesve, banorët e asaj kohe kanë përcaktuar kohën e të korrave dhe datat e tjera të rëndësishme për jetën e tyre të përditshme.

Gjatë gërmimeve arkeologjike të kryera në vitin 2001, është zbuluar një shtresë që i përket epokës së bronzit. Në këtë shtresë janë gjetur fragmente qeramike me ornamente të diellit me rreze, të cilat dëshmojnë se në epokën e bronzit janë zhvilluar vrojtime qiellore të organizuara dhe dijet kozmologjike të avancuara. Kjo e bën observatorin një dëshmi të rëndësishme të zhvillimit kulturor dhe shkencor të dardanëve të lashtë.

Labirinti unik rrethor i qarkut të mbyllur i Smirës mund të shihet si një rezultat tejet i avancuar i dijeve të fituara nga dardanët, duke treguar një shkallë të lartë të njohurive astronomike dhe matematikore. Observatori parahistorik i Kokinos, me historinë dhe zbulimet e tij, ofron një pasqyrë të çmuar të kulturës dhe dijes së popullit dardan gjatë epokës së bronzit.

Zyra për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore të Ministrisë së Kulturës së Maqedonisë e shpalli këtë vend si "pronë nën mbrojtje të përkohshme" më 13 nëntor 2008 (Vendimi nr. 08-1935/6). Në vitin 2009, Ministrja e Kulturës Elizabeta Kançeska-Milevska e shpalli Kokinon "një nga prioritetet e programit të Ministrisë së Kulturës 2009". Në vitin 2009, Republika e Maqedonisë gjithashtu sugjeroi që vendi të futet në listën e vendeve të trashëgimisë botërore të UNESCO-s . [2] Pas nominimit të tij zyrtar në vitin 2011 për përfshirje në Listën e Trashëgimisë Botërore, dosja e nominimit të sitit Kokino u refuzua sepse numri i pikave të mundshme të vëzhgimit dhe shënuesve mund të tregonte një shtrirje astronomike rastësisht. [3]

  1. Kraja, Mehmet, red. (2018). "Fjalori Enciklopedik i Kosovës". (Encyclopedic Dictionary of Kosova). Vëll. 2. Prishtinë: Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës. fq. 1210. ISBN 9789951615846. OCLC 1080379844.
  2. Archaeo-astronomical Site Kokino, World Heritage Centre "Tentative List", Ref. 5413. Submitted by: Ministry of Culture of the Republic of Macedonia - Cultural Heritage Protection (30 January 2009).
  3. Ruggles, Clive (2015), "Establishing the credibility of archaeoastronomical sites", Proceedings of the International Astronomical Union (në anglisht), vëll. 11 no. A29A, fq. 97–99, doi:10.1017/S1743921316002477