Përdoruesi:80.78.78.122/Kalatë digjitale në Shqipëri - Projekti NETCASTLEy

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Kalatë dixhitale në Shqipëri-Projekti NETCASTLE

1. Mbi projektin[1]


“Krijimi dhe Promovimi i Rrjetit të Kështjellave – NetCastle” është një iniciativë e Qendrës UET në bashkëpunim me Institucionin e Prefektit të Qarkut Gjirokastër, Qarkun e Ishujve Jonian / Njësia Rajonale e Korfuzit dhe Njësisë Rajonale të Thesprotisë. Janë pikërisht këta partnerë të konsorciumit që po zbatojnë projektin NETCASTLE për promovimin e trashëgimisë kulturore nëpërmjet teknologjive të reja të informacionit.

Në projekt janë të përfshira 12 kala Shqiptare të zonës së Gjirokastrës dhe Tepelenës të cilat janë dhë kalatë e para në Republikën e Shqipërisë që i nënshtrohen një procedure të tillë dixhitalizimi. “Virtualizmi është kryer në formatin 3D ku para se të vizitojnë kalanë në terren, turistët shqiptarë dhe të huaj do të kenë mundësinë të njihen nga afër me pamjen aktuale dhe historikun e kalasë në fjalë.”- shpjegon Znj. Kebjana Haka, Koordinatore Projektesh pranë Qendrës UET.

Projekti NetCastle, i bashkëfinancuar nga Programi IPA për Bashkëpunimin Ndërkufitar "Greqi – Shqipëri 2007-2013", synonte të zhvillonte trashëgiminë kulturore në rajonin ndërkufitar për të nxitur industrinë e turizmit me përdorimin e teknologjive të reja dhe e-turizmin. Projekti është financuar 75% nga fondet IPA të Bashkimit Europian dhe 25% nga burime lokale. Konferencën e përshëndeti dhe Znj. Entela, Sulka, Menaxhere Projekti në Delegacionin e BE-së në Shqipëri.

Konferenca u zhvillua më 14 Korrik 2016 në ambjentet e Universitetit Europian të Tiranës. Konferenca u përshëndet edhe nga Z. Ardit Çollaku Drejtor i Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Dr. Shpend Bengu Pedagog në Komunikim në UET, Prof. Ylljet Aliçka, i cili ka përgatitur raportin e projektit, z. Papadopulos Koordinator i SPT Selanik, si dhe z. Serdenis Ekspert i Jashtëm në njësinë rajonale të Thesprotisë.

Projekti mund të vizitohet në www.netcastle.eu

Profili në facebook: Net Castle

2. Kalatë e përfshira:[2]

Kalaja e Selos

E shpallur Monument Kulture I Kategorisë së Parë në vitin 1963, ndodhet rreth 500m në perëndim të fshatit Selo, në Bashkinë Dropull. Daton në shek V- IV para Krishtit. Ky fortifikim gjendet në një kodër krejtësisht shkëmbore, me përjashtim të një pllaje të vogël në brinjën verilindore, ku edhe gjenden gjurmë banesash e qeramikë dhe ka formën e një ylli tricepësh. Muret, rreth 3.30m të gjerë, janë të mbushur me gurë e çakëll, faqja e jashtme e tyre është e papërpunuar, si rrjedhim i formacioneve gëlqerore lokale. Muri përforcohet prej dy kullash. Kalaja ngrihet në një terren shumë të thyer malor dhe është pothuajse e paarritshme për vizitorët. Pjerrësia e madhe e kodrës dhe faktorë të tjerë, agjentë atmosferikë si reshjet e shiut apo erozioni kanë bërë që ndër vite, blloqe gurësh të murit të rrëzohen dhe thyhen.

Kalaja e Jermës

E shpallur Monument Kulture i Kategorisë së Parë në vitin 1963 ndodhet në Parkun Artkeologjik të Antigonesë, Bashkia Gjirokastër. Ka tri periudha ndërtimi, Periudha Helenistike (shek. III para Krishtit), Antikiteti i vonë dhe Mesjeta. Në pjesën veriore ndodhet Kodra e Akropolit, e cila lidhet me një ngushticë me pjesën tjetër të kodrës ku shtrihet qyteti. Qyteti është themeluar nga Pirro i Epirit në nder të gruas së tij Antigonës në fillim të shek. III para Krishtit dhe mendohet të jetë djegur nga gjenerali romak Emilio Paolo në vitin 168 para Krishtit. Muri fortifikues i gjatë rreth 4000 m mbyll një sipërfaqe prej 45 ha. Trashësia e murit arrin rreth 3.5 m dhe pika më e lartë e konservuar arrin lartësinë 3 m. Teknika e ndërtimit të murit rrethues është emplecton, me dy faqe muri të lidhura me njëra- tjetrën nëpërmjet disa mureve trasversalë dhe hapësira mes tyre është e mbushur me dhe e gurë. Prej viteve 1960 e në vazhdim janë kryer një sërë ekspeditash arkeologjike. Zona mbrojtëse është një territor përreth gjithë qytetit me rreze 5 m, duke u nisur nga muri fortifikues., ndërsa sipërfaqja brenda murit rrethues është 45 ha.

Kalaja e Këlcyrës

E shpallur Monument Kulture i Kategorisë së Parë ndodhet në afërsi të qytetit Këlcyrë, Bashkia Këlcyrë. Është një fortifikim mesjetar, i ndërtuar në ekstremin jugor të malit Trebeshinë, në lartësinë mbi 300 metër. Daton në shekullin III para Krishtit dhe në muret e saj janë përdorur si spolje një shumë blloqesh antikë. Në anën veriore dhe lindore ruhen trake « In. Sita » të fortifikimit antik, të cilat tregojnë se fortifikimi ka pasur planimetri trekëndëshe me sipërfaqe rreth 0.8 ha. Muret e fortifikimit antik qarkojnë shkëmbin nga veriu dhe lindja, ku shpatet bien me pjerrësi, ndërsa në anën perëndimore mbrojtja i është besuar natyrës. Gjendja e konservimit të mureve është e pamatshme, me përjashtim të fragmentit të murit në anën e humnerës që arrijnë lartësinë deri në 2 metër. Deri më sot nuk është bërë asnjë ndërhyrje, as gërmime dhe as restaurime. Zë një sipërfaqe prej 0.8 hektarë.

Kalaja e Gjirokastrës

E shpallur Monument Kulture i Kategorisë së Parë në vitin 1948, ndodhet në qytetin e Gjirokastrës, pjesë e trashëgimisë kulturore botërore UNESCO. Kalaja është ndërtuar mbi një shkëmb që ka formë kurriz- peshku dhe sundon me lartësinë e saj gjithë qytetin. Ka planimetri të çrregullt dhe të përzgjatur, mbrohet nga 7 kulla që kanë forma poligonale dhe trapezoidale dhe përshkohet nga 4 hyrje, prej të cilave 3 janë kryesore dhe njëra e dorës së dytë. Hyrja veriore mbrohet nga krahu i djathtë prej kullës së përshkruar si dhe murit në vazhdim të saj, që është pajisur në këtë drejtim me frëngji të shumta për armë zjarri, ndërsa porta është trajtuar në mënyrë monumentale. Porta jugore është më pak e mbrojur, megjithëse dhe ajo është trajtuar në mënyrë monumentale, madje e punuar më me kujdes. Porta e tretë kryesore, e quajtur « Porta e Vezirit » ndodhet përballë portës jugore në anën tjetër të kalasë. Kalaja ka disa faza ndërtimi, Një fortifikim që zë një vend ndërmjetësor midis qytetit të fortifikuar dhe kështjellës është kalaja e Gjirokastrës, kështjellë nga përmasat dhe qytet i fortifikuar nga vendosja e shumë banesave brenda saj. Këta tipa fortifikimesh me zgjerimin e vazhdueshëm të qytetit të dalë jashtë mureve dhe spostimit të qendrës së pazarit, fillojnë të luajnë gradualisht rolin e një kështjelle për qëndrimin e sunduesit dhe garnizonit të qytetit. Nga kalaja mesjetare e Gjirokastrës para pushtimit të saj nga Ali Paasha ruhen vetëm pak gjurmë, pasi muret janë veshur deri në lartësi nga ndërtimet e reja, ndërsa kullat pjesërisht janë rrënuar dhe ripërshtatur. Kalaja e Gjirokastrës u pushtua nga Ali Pashë Tepelena më 1812 dhe menjëherë filloi rindërtimin e saj. Kalaja përmbante përveç barakacve për vendosjen e një garnizoni prej 5000 ushtarësh, magazina të shumta nëntokësore që ishin llogaritur mirë për sigurimin e municioneve dhe ushqimeve të nevohsghme, Kalesa nëntokësore të çonin në të gjitha drejtimet e kësaj kalaje, që komandohej nga një bastion pranë këndit juglindor, për ndërtimin e të cilit kishin punuar afro 1500 fshatarë. Një pjesë e mirë e këtyre kthinave si dhe e ndërtimeve të tjera mbitokësore ruhen edhe sot në gjendje mjaft të mirë. Nga ana arkitektonike ajo është trajtuar si dy hyrjet e tjera.

Kalaja e Paleokastrës

E shpallur Monument Kulture i Kategorisë së Parë në vitin 1973, ndodhet pranë fshatit Paleokastër, Bashkia Gjirokastër. Është ndërtuar në terren fushor, në këndin e bashkimit të lumit Drino me atë të Kardhiqit. Kështjella ka formë katërkëndëshe me gjatësi brinjësh rreth 100 m. Njëri nga muret nuk ndodhet më larg se 3- 4 m nga shtrati i lumit Drino. Për këtë arsye nuk është parë e nevojshme që ai të pajisej me kulla, ndërsa në muret e katërkëndëshit dhe në muret e tjerë ndodhen 14 kulla katërkëndëshe. Kështjella kishte 3 hyrje, nga të cilat hyrja kryesore, që ndodhhej nga perëndimi mbrohej nga dy kulla katërkëndëshe. Muret, të ndërtuara me gurë të lidhur me llaç ndërpriten nga breza tullash prej 4- 5 rreshtash. Zë një sipërfaqe rreth 0.915 ha.

Kalaja e Libohovës

E shpallur Monument Kulture i Kategorisë së Parë në vitin 1963, ndodhet në lindje të qytetit të Libohovës. E ndërtuar në fillim të shek. XIX, është dhurata që Ali Pashë Tepelena i bëri motrës së tij, Shanishasë për dasmën e saj. Kalaja ka planimetri thuajse katërkëndëshe 70 x 80m. Ajo mbrohet nga 3 kulla poligonale në qoshet dhe me një bastion me formë poligonale në qoshet dhe me një bastion me formë të çrregullt gjeometrike në qoshen tjetër. Fortifikimi është i pajisur me tri hyrje.

Kalaja e Labovës së Kryqit

E shpallur Monument Kulture i Kategorisë së Parë në vitin 1963, ndodhet pranë fshatit Labovë e Kryqit, Bashkia Libohovë. Fortifikimi është ndërtuar në një masë shkëmbore të shkëputur prej malit Bureto në perëndim të Labovës. Ky vendbanim identifikohet nga studiuesit edhe me emrin Paleokastër, pasi kodra mban këtë emër. Gjatësia mesatare e konservuar e mureve është rreth 160 m. Në anën jugore ndodhet një kullë në formë trapezoidale, ndërsa në anën perëndimore një hyrje e përforcuar me kullë gjysmë rrethore. Brenda perimetrit të murit dallohen ndërtime shtëpish. Informacionet për kohën e ndërtimit janë sporadike, por mendohet që faza e parë e ndërtimit i përket shek. V para Krishtit. Zë një sipërfaqe 78 ha.

Kalaja e Tepelenës

E shpallur Monument Kulture i Kategorisë së Parë në vitin 1963, ndodhet në veri të qytetit Tepelenë, Bashkia Tepelenë, në një pozicion gjeografik që ndihmonte në mbrojtejen e kalasë. Nga burimet historike, kalaja është vizonuar nga vetë Ali Pashë Tepelena, i cili ka inspektuar etapat e ndërtimit të kësaj perle të rajonit. Kalaja aktuale u rindërtua prej tij më 1819 me një sipėrfaqe 4-5 ha, me tre hyrje dhe 3 kulla. Deri mė 1820 ka qėnė rezidenca e dytė e Ali Pashë Tepelenës. Muret e kalasë ndjekin formën natyrore të terrenit dhe nuk ka formë të rregullt gjeometrike. Përveç tri kullave poligonale që janë vendosur në kthesat kryesore të mureve, për të kontrolluar më mirë këto të fundit janë përdorur shpeshherë edhe dalje me kënd të drejtë të kurtinave. Kalaja ka tri porta, njëra prej të cilave (lindorja) mban mbishkrimin “Porta e Vezirit”.

Kështjella e Shën Triadhës E shpallur Monument Kulture i Kategorisë së Parë në vitin 1963, ndodhet në afërsi të fshatit Valare, Bashkia Gjirokastër. U ndërtua rreth viteve 1809-1810 mbi një nga lartësitë e vargut të kodrave që shtrihen në lindje të Luginës së Drinosit. Kështjella ka formë katërkëndëshe, me katër kulla poligonale në qoshet, ndërsa hyrja e vetme hapej nga veriu. Ajo zë një sipërfaqe prej 824 m2. Brenda saj ndodhet edhe një kishë me të njëjtin emër.

Kalaja e Shtëpëzës

E shpallur Monument Kulture i Kategorisë së Parë në vitin 1963, ndodhet në fshatin Shtëpëzë, Bashkia Gjirokastër. Sipas studiuesve përmasat e kësaj kalaje janë 10 x 5 m gjë që në terren sipas përshkrimit të pozicionit gjendet nje ndërtesë në nivele të themeleve, por me planimetri dhe përmasa më komplekse. Banorët e zonës e quajnë “Kalaja e Tole” nga fisi Tola dhe nga të dhënat e tyre thuhet që ky fis e përdorte si kullë fortifikimi.

Kalaja e Melanit

E shpallur Monument Kulture i Kategorisë së Parë në vitin 1963, ndodhet në fshatin Nepravishtë, prenë Teqesë së Melanit, Bashkia Libohovë. Ajo shtrihet në syprinën e një pllaje trekëndëshe, me kulmin e orientuar drejt lindjes. Në veri e në jug, anët e saj bien thikë mbi dy platforma ndërmjetëse, ndërsa në perëndim ulen në drejtim të fushës me rënie thuajse vertikale. Muret rrethuese paraqiten me dy stile. I pari poligonal dhe i dyti drejtkëndor me faqe të rrafshëta. Ndërtimi i saj daton para viteve 1900 e zë një sipërfaqe prej 87.224 m2.

Kështjella e Kardhiqit

E shpallur Monument Kulture i Kategorisë së Parë në vitin 1963, ndodhet pranë fshatit Kardhiq, Bashkia Gjirokastër. Është një fortesë tipike garnizoni. Në kulmet e pesëkëndëshit që formojnë muret me perimetër 80 m ndodhet nga një kullë. Tri nga kullat kanë formë katërkëndëshe, ndërsa dy të tjera nga ana perëndimore janë poligonale. Kështjella konsiderohet e njëkohshme dhe datohet në gjysmën e dytë të shek. XII deri në gjysmën e parë të shek. XIV. Ajo përmendet për herë të parë në regjistrin turk të vitit 1431- 1432, ndërsa koha më e mundshme e ndërtimit të saj është gjysma e dytë e shek. XIV ose fillimi i shek. XV, kur kjo krahinë ishte nën sundimin e feudalëve Zenevisë dhe kërcënohej nga pushtimi turk.


Mbulimi mediatik i projektit:

Edicioni i lajmeve, Top-Channel BalkanWeb Wake Up Morning Show, Top-Channel (min 16’) Agjencia Kombëtare e Turizmit Portali online Pasqyrë.al MAPO gazeta MAPO gazeta Libohova online Gazeta Shqiptare Gazeta Dita Delegacioni i BE-së në Shqipëri (faqja zyrtare facebook) UET Centre

  1. ^ NetCastle. "NETCASTLE" (në anglisht).
  2. ^ Net, Castle. "NETCASTLE facebook" (në anglisht).