Përdoruesi:Bukurie rama

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Liria dhe kufizimet e të shprehurit në Internet

Nuk ekzistojnë më barriera mes jetës virtuale dhe asaj reale. Ajo që ndodh on-line, gjithnjë e më tepër po ndikon në botën jashtë internetit, në jetën e përditshme dhe në marrëdhëniet me të tjerët. Pikërisht për këtë arsye është e nevojshme të tregohet kujdes për një raport korrekt mes formave të reja të komunikimit social dhe dinjitetit personal dhe të të tjerëve.

Shqipëria dhe shqiptarët gjatë sistemit diktatorial vuajtën nga mungesa e theksuar e lirisë në të gjitha dimensionet e saj. Për këtë arsye, në fillim të viteve ‘90, krahas pluralizmit dhe ndryshimit të modelit ekonomik, një rëndësi të veçantë morën të drejtat e liritë e individit deri atëherë jo vetëm të mohuara, por më keq akoma, sepse në të gjitha rastet liria e fjalës apo shprehjes ka qenë shkak për shumë dënime dhe penalitete nga më çnjerëzoret. Kjo ka qenë dhe arsyeja sepse ne, të uritur nga kjo mungesë, e gëzuam lirinë, të drejtën e fjalës dhe të shprehjes deri në ekstremitetet e tyre, pa pyetur për cenimin që u shkaktojmë të tjerëve gjatë ushtrimit të tyre, për faktin se nuk dinim dhe nuk dimë ende që ekzistojnë hapësirat dhe kufijtë që ndajnë të drejtën nga detyrimi.

Liria e shprehjes pa dyshim është arritja më e madhe në një shoqëri demokratike, sepse nëpërmjet saj mundësohet shkëmbim idesh, pluralizëm mendimesh dhe opinionesh dhe, në këtë mënyrë, realizohet pasuria e mendimit dhe komunikimit, pasurohet vetë demokracia dhe diskursi politik në veçanti,dhe mbi të gjitha është e sanksionuar me nene të veçanta në Kushtetutat e çdo shteti dhe në një sërë aktesh të rëndësishme ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, si Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut, Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Konventa Amerikane e të Drejtave të Njeriut dhe Karta Afrikane e të Drejtave të Njeriut dhe të Njerëzve.  Megjithëse, Kushtetuta nuk jep një përkufizim dhe kuptim të përgjithshëm të kësaj lirie themelore, në Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, kjo çështje rregullohet në paragrafin e parë të nenit 10, ku ndër të tjera thuhet se; “Çdokush ka të drejtën e lirisë së shprehjes. Kjo e drejtë përfshin lirinë e mendimit dhe lirinë për të marrë ose për të dhënë informacione dhe ide, pa ndërhyrjen e autoriteteve publike dhe pa marrë parasysh kufijtë”. Në këtë kuptim, liria për të dhënë informacion dhe mendime është një komponent shumë i rëndësishëm i lirisë së shprehjes, për jetën politike dhe strukturën demokratike të një vendi, që sidoqoftë njeh kufizime të cilat bazohen në censurën paraprake të publikimit të informacioneve që cënojnë të drejta të tjera të njeriut.

Avokati i Popullit,Igli Totozani,shprehet duke vënë veten në pozitën e një qytetari të thjeshtë,si avokat I popullit  por edhe si jurist në profesion, se ka qënë pikërisht informimi on line, mjeti që ka ndihmuar identifikimin e situatave që kërkojnë ndërhyrje për respektimin e të drejtave të njeriut. Ky dimension i pazëvendësueshëm i pushtetit të informacionit në internet është rritur dhe fuqizuar së tepërmi tashmë me shtimin e përduesve të rrjeteve të shumëllojshme sociale. Por a ndodh gjithmonë që përdoruesit e internetit të gëzojnë lirinë e shprehjes, pa cënuar dinjitetin e tjetrit?

Prej kohësh vërehet se liria e shprehjes e ushtruar përmes mjeteve të komunikimit global, po kthehet shpesh në një mjet abuzimi dhe cënimi të të drejtave dhe lirive të ligjshme të qytetarëve. Janë jo të pakta rastet kur përmes internetit, përdoruesit e tij, po keqpërdorin lirinë e shprehjes dhe lehtësinë që të jep e drejta për akses në internet, për të denigruar individë publikë ose jo, duke cënuar rëndë dhe në mënyrë të pariparueshme privatësinë dhe të drejta të tyre, themelore. Të gjithë janë dëshmitarë të këtij realiteti që edhe ditët e fundit ka patur “viktimat” e tij të radhës. Në rolin e Avokatit të Popullit, si mbrojtës dhe garant kushtetues i të drejtave dhe lirive themelore të njeriut dhe në kohën kur interneti sipas studiuesit të komunikimit Marshall McLuhan, e ka kthyer botën në një fshat global, pyetja që ngre është nëse, ky i fundit ndihmon realizimin e plotë të lirisë së shprehjes dhe në ç’masë ndikon në cënimin e të drejtave të tjera të njeriut?

Aksesi në internet tashmë konsiderohet si një e drejtë themelore e njeriut, e lidhur ngushtë me lirinë e shprehjes, ndaj edhe në këto kushte, vendi ynë ka garantuar me ligj aksesin në internet. Por edhe ky akses mund të kufizohet, për të mbrojtur sigurinë kombëtare, nxitjen e terrorizmit, shëndetin publik, apo në gjendjet e emergjencave civile, për ndalimin e materialeve me përmbajtje kriminale (pornografia jo adulte), raciste, ksenofobike dhe të gjuhës së urrejtjes, mbrojtjen e të dhënave e personale, privatësisë etj. Kufizimi i aksesit, do të thotë kufizim i përdorimit të internetit nga ana e përdoruesve të tij, si në kuptim të marrjes së informacionit që mund të gjendet i ruajtur në të, ashtu edhe të publikimit të informacionit individual përmes tij. Në Kinë, qeveria e censuron përmbajtjen dhe i ridrejton kërkesat për kërkim në faqet me gabim. Në Birmani, sajtet e pavarura të lajmeve janë mbyllur. Në Kubë, qeveria po përpiqet ta krijojë një intranet kombëtar, duke mos u lejuar qytetarëve të vet qasje në internetet botërore. Në Vietnam, blogerët që e kritikojnë qeverinë arrestohen dhe keqtrajtohen. Në Iran, autoritetet i bllokojnë uebsajtet e opozitës dhe të medieve, i synojnë mediat sociale, dhe i vjedhin informacionet identifikuese për njerëzit e tyre në mënyrë që t’i zbulojnë.

Konteksti i kufizimit diskutohet ndër të tjera,kur në plan të parë vjen respektimi i jetës private dhe familjare si një e drejtë themelore e njeriut, e afirmuar fuqishëm në kohët moderne dhe e lidhur ngushtë me konceptet e privatësisë, autonomisë individuale, dinjitetit, individualitetit dhe integritetit. E drejta për jetë private dhe familjare, sikurse liria e shprehjes, mbrohet nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisëdhe një sërë aktesh ndërkombëtare, si Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut, Konventa Ndërkombëtare mbi të Drejtat Civile dhe Politike, etj. Padyshim një rol të pazëvendësueshëm në kuptimin dhe mbrojtjen e kësaj të drejte, ka luajtur dhe luan Gjykata e Strasburgut, që megjithëse nuk ka ofruar një përkufizim të qartë dhe të saktë të asaj që nënkuptohet me jetën private, mban qëndrimin se nocioni i jetës private është shumë i gjerë dhe përfshin një sferë në të cilën çdo individ mund të zhvillohet lirisht dhe të përmbushë personalitetin e tij, si në raport me të tjerët dhe me botën e jashtme.

Gjetja e mekanizmave teknikë për bllokimin, apo filtrimin e materialeve “online” është një proces komplementar, i cili detyrimisht duhet të paraprihet nga një bazë e mirë ligjore për kufizimin e lirisë së shprehjes në internet. Në portalet online gjen një “pasurim fjalori ordiner”, i cili, përveç cenimit të nderit, dinjitetit dhe personalitetit të individëve të tjerë privatë apo publikë, nuk sjell asnjë të mirë publikë dhe, për më tepër, modelon një sjellje aspak të tolerueshme. Shoqëria shqiptare është duke vuajtur nga mungesa e vlerave dhe është ende duke u ristrukturuar në kërkim të vetvetes. Në këtë sens, kujt i shërben kjo liri e shprehjes pa asnjë kufizim, e reflektuar me një gjuhë urrejtjeje dhe fyese? Sa universale janë liria e mendimit dhe liria e shprehjes?

Një bazë normuese adekuate, si kufizimligjor, për rregullimin e përmbajtjes përkatëse në internet, është e nevojshme në Shqipëri dhe duhet përcaktuar në përputhje me nenin 17, të Kushtetutës, por edhe me nenin 10, të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut, duke respektuar kriteret e vendosura në to. Shumë vende e kanë rregulluar këtë aspekt, duke bllokuar me ligj aksesin në “website” që përmbajnë informacione të kundërligjshme, apo të dëmshme, por megjithatë vendi ynë nuk bën pjesë në to. Duke treguar kujdesin maksimal në rregullimin e raportit të brishtë mes lirisë së shprehjes në internet dhe mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të tjera të njeriut, është e nevojshme që të evitohet fryma e politikave bllokuese shtetërore për informacionin e gjendur në internet, me impakt serioz mbi lirinë e shprehjes, dhe respektimin thelbësisht të kritereve të kufizimit të të drejtave themelore të njeriut, të përcaktuara në Kushtetutë dhe në Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut.

Liria e shprehjes pa dyshim është arritja më e madhe në një shoqëri demokratike, sepse nëpërmjet saj mundësohet shkëmbim idesh, pluralizëm mendimesh dhe opinionesh dhe, në këtë mënyrë, realizohet pasuria e mendimit dhe komunikimit, pasurohet vetë demokracia dhe diskursi politik në veçanti.Por a është liria e shprehjes një e drejtë absolute? A është shoqëria jonë e zhvilluar kulturalisht mjaftueshëm për të qenë korrekt dhe për të përdorur këtë liri me pjekuri dhe në mënyrë të kujdesshme? Besoj se të gjithë jemi në një mendim, se në të shumtën e rasteve gjuha e urrejtjes dhe fyerjet janë ato që dominojnë në ushtrimin e lirisë së shprehjes, sidomos në komentet online? Koncepti i të drejtave të njeriut në përgjithësi dhe i të drejtës dhe lirisë së shprehjes në veçanti ka qenë dhe është në dinamikë të vazhdueshme zhvillimi, sepse është i lidhur ngushtë me llojin e shoqërisë në të cilën zhvillohet dhe, për këtë arsye, shpesh kuptimi dhe zbatimi i saj është i ndryshëm në vende të ndryshme.

Shoqëritë tona kanë ndryshuar në mënyrë radikale dhe, së bashku me to, edhe konceptimet teorike dhe zbatimet praktike të së drejtës. Ky koncept është një produkt i zhvillimit historik, i lidhur ngushtë me kushtet specifike shoqërore, politike e ekonomike, si dhe me historinë, kulturën dhe vlerat e një vendi të veçantë. Kjo për faktin se në etapa te ndryshme historike ekzistojnë kërkesa të ndryshme për të drejtat e njeriut. Vende në nivele të ndryshme zhvillimi ose me tradita historike, kulturore jo të njëjta kanë gjithmonë të ndryshme mënyrën e të kuptuarit dhe zbatimin mbi të drejtat e mendimit të lirë dhe të drejtës së shprehjes së lirë të fjalës. Ne këtë mënyrë, nuk mund të ekzistojë një standard i të drejtave të njeriut dhe nuk mund të sugjerohet për një model të njëjtë për të gjitha vendet. Megjithëse e drejta e lirisë së mendimit, ndërgjegjes dhe besimit është e garantuar nga ligji ndërkombëtar, organizmat të cilat sugjerojnë dhe monitorojnë zbatimin e normave të drejtave të njeriut, japin hapësirë për interpretime dhe zbatime të ndryshme në nivel nacional, ne bazë të diferencave që vendet kanë. Fillesat e bazës juridike për lirinë e shprehjes i hasim pas Luftës se Dytë Botërore, në aktet themelore të OKB-së, respektivisht në Deklaratën Universale për të Drejtat e Njeriut, që konsiderohet si dokument themeltar juridik-ndërkombëtar për standardet e të drejtave të njeriut. Në nenin 29 të kësaj Deklarate përcaktohet se: “Ushtrimi i të drejtave dhe lirive të çdonjërit është subjekt i kufizimeve siç është e përcaktuar me ligj, me qëllim që të sigurohet njohja dhe respektimi i nevojshëm i të drejtave dhe lirive të të tjerëve.