Shko te përmbajtja

Përdoruesi:Fatma1184/Diana Culi nga Shefqet Saliu

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Shkrimtare, përkthyese dhe gazetare e njohur shqiptare, aktiviste e shquar për të drejtat e grave dhe deputete. Një romanciere tepër e lexuar dhe e ribotuar.


Diana Çuli u lind më 13 prill 1951 në Tiranë, nga një familje intelektuale dhe me tradita kulturore. I ati, Jorgo Çuli një antifashist në moshë fare i ri dhe partizan i Br 18 S, jurist, ishte me origjinë nga Lupcka e Përmetit, por ai dhe familja e tij u vendosën në Tiranë pas çlirimit të vendit, më 1944. Kur bie fjala për prirjen letrare, ajo thotë se frymëzimin e ka marrë nga familja e nënës, Ollga Lazrin, e cila ishte nga Vunoi i Bregut të Detit, por edhe nga familja e babait, që ishte familje artistësh. Nëna ndikoi se ishte një lexuese e paepur, kur ishte vogëlushe i lexonte vazhdimisht, ndërsa babai i blinte libra. U lind dhe u rrit në qendër të Tiranës, çka edhe ambienti ka luajtur rolin e tij. Me një fëmijëri të gëzuar, të lumtur, në çdo verë rritej e frymëzohej në kaltërsinë e Jonit dhe, edhe tani, “sa kaloj Vlorën më fillojnë emocionet, kujton Diana. Fëmijëria ime lidhet ngushtë me rrugicat te Shallvaret e te Parku Rina. Qëndronim gjithë ditën jashtë unë e motra, loznim me tërë fëmijët e lagjes. Familjet ishin më të lidhura, fëmijët më të lirë e më të sigurtë. Prindërit për mësimet nuk na falnin çka ndikoi të dilnim me rezultate shume te larta. Kemi lozur shumë me lojëra fizike....”. Mbrëmjeve kapnin xixëllonja dhe moshatarët i kërkonin t’u tregonte histori e përrallëza te sajuara: duket se kështu filloi letërsia te kjo shkrimtare. Në moshën 6-vjeçare prindërit e regjistruan në kursin e pianos (2-3 herë në jave, pasditeve) në Pallatin e Pionierit, për të marr kulturë muzikore. Megjithatë, që në klasën e parë, kur u tha mësuesja shkruani çfarë do bëheni kur të rriteni, ajo pat shkruar se do të bëhej shkrimtare. Tek pallati i Pionierëve bie në kontakt edhe me fëmijë e mësues të rrethit letrar dhe, me nismën e saj, në moshën dhjetëvjeçare u bashkua me ta, ku vazhdoi deri sa mbaroi 8-vjeçaren. Erdhi një kohë që i dorëzoi mësuesit një shkrim, i cili ia botoi te gazeta Pionieri dhe ky ishte botimi i parë, poezia “Atdheu”, emocioni i parë i madh i saj në udhën e letërsisë, në moshën 12-vjeçare. Shkollën e mesme e kreu në gjimnazin “Qemal Stafa”, në një kohë kur në Tiranë rritej një rini e bukur, që tentonte të dilte jashtë kornizave. Në gjimnaz nuk i ndahej më letërsisë, filloi skicat e vogla, që i afishonte edhe në gazetën e murit të shkollës, mësuesit e letërsisë pëlqenin hartimet e saj dhe i qëndronin pranë. Që në atë kohë arriti të bashkëpunonte edhe me revistën “Nëntori”. Kujton se redaktori S. Mato, vinte në gjimnaz dhe takonte gjimnazistët me prirje letrare. Filloi të dërgonte me dhjetëra shkrime në redaksi, shumë i ktheheshin, por nuk hoqi dorë dhe mundi të botonte edhe te “Nëntori” një pjesë të vogël letrare. Gjatë gjimnazit, si ishte rregulli i atëhershëm, punoi edhe në aksion, ku çoheshin me borie që në orën tre, lodheshin, flinin në baranga, po u mësuan me vështirësitë, ndërsa në kujtesë u mbetën mbrëmjet e bukura rinore të vallëzimit. Stërvitja ushtarake ishte më të vështira. Ajo kujton me nostalgji rininë e saj e të viteve ’70-80 që në shkumë drejtime ishte një rini e shkëlqyer, me ide dhe koncepte evropiane. Studimet e larta i kreu në Universitetin e Tiranës, në degën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, (1969-1973). Ishte koha që studentët nxiteshin për mësimin e gjuhëve të huaja, çka i shtynte të studionin edhe autorë të huaj, bile edhe ata që ishin të ndalur për lexuesin shqiptar. “Ishte një kohe e ethshme për të mësuar, kujton Diana. Ishte shoqëri e mbyllur, por u përkushtohej kujdes studimeve.” Në atë kohë ajo u aktivizua edhe te gazeta “Studenti”. Pas diplomimit filloi punë te gazeta “Kruja”. Më pas te gazeta “Drita”, ku punoi rreth 7 vjet, në të gjithë sektorët e saj, në rubrikën e teatrit dhe të kinematografisë, në atë të kronikave e reportazheve, më pas në sektorin e poezisë e të prozës, në atë të kritikës letrare etj. Më tej punoi zv. redaktore në revistën Les lettres albanaises, e cila drejtohej nga Ismail Kadareja, çka ajo e quan një privilegj, se punoi krah Agollit, Kadaresë, duke patur kontakte pune me Vedat Kokonën, Isuf Vrionin, Edmondt Tupen etj., ishte një shkollë falë edhe frëngjishtes që kishte mësuar. Me fillimin i viteve ’90, e përjetoi ankthin e ndryshimit si gjithë shqiptaret. Kishte shumë të panjohura po edhe shpresë, pa diktaturë, po nuk ishte e lehtë. “Ishte një kohë për të reflektuar me vetëveten”, thotë. U angazhua me shoqërinë civile (1991), me lëvizjen e gruas dhe zgjidhet Presidente e Forumit të Pavarur të Gruas Shqiptare, një organizatë e vlerësuar me çmimin e lartë të BE për Kontribute në fushën e të drejtave të grave. “Mund të them që kam patur gjithnjë një ndjesi të fortë se për të ndikuar në shoqëri me mendime dhe ide përmirësuese, nuk mjafton vetëm një veprimtari, prandaj iu kushtova lëvizjes së gruas, dëften shkrimtarja. Dëshiroja të përçoja diçka me anë të letërsisë. “Dreri i trotuareve”, p. sh., është një libër që trajton mes të tjerash edhe dhunën psikologjike ndaj gruas. Po kështu edhe futja në politikë, nuk mjafton të luftosh jashtë saj, duhet të ndikosh edhe nga brenda.” Diana Çuli zgjidhet deputete në Parlamentin shqiptar (2005-2009). Kujton se ishin rreth dhjetë gra, por përmirësuan dukshëm legjislaturën që lidhej me barazinë gjinore. Në ato vite ka qenë edhe përfaqësuese e Shqipërisë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Krijimtaria e saj letrare fillon në vitet ’80 dhe zgjatet deri në ditët e sotme. Të dilje një zë i ri, në ato vite, nuk ishte e lehtë, por kishte një atmosfere letrare shume prodhuese. Ishte dhe koha e çensurës dhe e autoçensurës. Çuli është një romanciere tepër e lexuar dhe e ribotuar. Ndër botimet kryesore të saj mund të përmenden: vëllimet me tregime e novela Jehonat e jetës, Ditët e Teutës, (1980, 1984); Zëri i largët, roman (1983), Rrethi i kujtesës, (1986); Dreri i trotuareve, roman, që është ribotuar disa herë (1989, 2001, 2004...) ; Rekuiem, roman (1992); Dhe nata u nda në mes, roman (1993); Diell në mesnatë, roman (2000); E fshehta e njeriut me varkë, novelë (2002); Sheshi i Spanjës, 1995, tregime, drama, novela (2003); Engjëj të armatosur, roman (2005); Gruaja në kafe, roman (2007); Hoteli i drunjtë, roman (2011); Vrasje në Kryeministri, roman, 2019 – i shpallur si romani më i mirë i vitit 2019 nga Çmimet KULT. Libra për fëmijë: Aventurat e Zozos, Aventurat e Zhuzhusë... Ka botuar edhe disa drama, mes tyre NEMESIS, vënë në skenë nga Teatri Aleksandër Moisiu në Durrës dhe nga Teatri Popullor. Sipas saj: ...romani është zhanri im, dashuria ime e përhershme, ku punoj më mirë dhe ku jam vetvetja. Po ashtu, pas romanit do të thosha drama.” Disa romane të saj janë përkthyer e botuar në Itali si Diell në mesnatë, Engjëj të armatosur, Vrasje në kryeministri. Romani Gruaja në kafe është botuar në gjuhën maqedonase në Maqedoninë e Veriut. Në Francë, Kanada, Kinë e Rusi është pjesë në antologji përfaqësuese të shkrimtarëve shqiptarë. Disa romane të saj janë bërë filma, si “Hije që mbeten pas” (1985), “Rrethi i kujtesës” (1987) dhe “Bregu i ashpër” (1988). Është autore e shumë artikujve dhe studimeve letrare. Me kohë Diana Çuli i është kushtuar edhe përkthimit nga frëngjishtja, anglishtja dhe italishtja të autorëve botërorë si Simone de Beauvoir; Jean Paul Sartre, Paul Lemaitre etj., ( nga frengjishtja); Umberto Eco, Alberto Bevilacqua, Carmine Abate, Federico Moccia, etj., (nga italishtja); Somerset Maugham, Raymond Carver, John Irving, Fareed Zaharia etj., Elisabeth Gilbert, Danielle Steel, (nga anglishtja) e mjaft të tjerë. Shoqata e Botuesve Shqiptarë në vitin 2017 e nderoi me çmimin “Përkthyesja më e mirë e vitit” për romanin Lumturia e pritjes, të autorit italo-arbëresh Carmine Abate. Ajo është një ndër autorët me të lexuar e të ribotuar në vendin tonë. Shoqata e Botuesve Shqiptarë e përzgjodhi me çmimin “Shkrimtarja e vitit 2007”. Ky vlerësim kishte lidhje me romanet “Engjëj të armatosur” dhe “Gruaja në kafé”. Çdo çmim ka vlerën e tij, por një çmim i dhënë nga Shoqata e Botuesve, pra nga njerëzit që janë më afër librit, që ndjekin çdo ditë ulje-ngritjet e tij, që njohin vlerat letrare në larminë dhe thellësinë e tyre, do të thotë shumë. Ky çmim nga ekspertët dhe profesionistët dhe, pas një kohe të gjatë që lëvroj fushën e letrave, ky është një vlerësim i lartë për mua. Diana Çuli ka qenë mjaft e përfshirë në veprimtaritë ndërkombëtare me shoqërinë civile. Në vitin 2012 Presidenti i Republikës së Italisë e nderon me urdhërin OMRI - Ordine al merito della Repubblica Italiana – “për kontributin e saj të rëndësishëm në shkëmbimet sociale dhe kulturore mes dy vendeve”. Në vitet 2014-2015 Diana Çuli ishte drejtore dhe moderatore e emisionit të përjavshëm letrar dhe kulturor Kronikë e Pambaruar në TV Ora NEWS ku ka ftuar autorë të njohur shqiptarë e të huaj. Mes këtyre të fundit mund të përmendim Mathias Enard, Georges Stassinakis, Noelle Barkshire, Eric Faye, Gianrico Carofiglio, Alki Zei... Ka bashkëpunuar me disa faqe kulturore revistash e gazetash me rubrikat e saj letrare. Shkrimtarja nga Përmeti ka arritur balancimin me tre realitetet kryesore : Krijimtarisë, familjes dhe aktivitetit shoqëror. Kam zgjedhur me shumë familjen, thotë. U martua menjëherë pas universitetit, këtu të çonte shoqëria e asaj kohe. I shoqi, Fatos Sinoimeri ka qenë inxhinier në Metalurgji, në gjeofizikë, në pajisjet elektronike të shëndetësisë etj. Japin e marrin dashuri, Kanë një vajzë, Lea dhe një djalë Enea. Të dy fituan bursa dhe studimet e larta i kryen në Romë, vajza për letërsi, djali për arkitekturë. Diana është bërë aktualisht tri herë gjyshe. Eshtë gjyshe nga vajza me dy vajza, nga djali me një djalë. Vajza me punë në Francë. Mbesat flasin edhe shqip. Djalin me nipin në Tiranë. Duket, mbesat dhe nipi e nxitën të botojë edhe libra për fëmijë.