Përdoruesi:Ikranjani/Kasëm Trebeshina

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Jump to navigation Jump to search
Kasëm Trebeshina
Skeda:Kasem Trebeshina.JPG
Kasëm Trebeshina
Lindi më 8 gusht 1926
Vendlindja Berat, Mbretëria Shqiptare 1928–1939
Vdiq më 6 nëntor 2017
Vendvdekja Ankara, Turqi
Profesioni Shkrimtar, poet, dramaturg
Vepra të njohura
Bashkëshortja Zydije
Fëmijë Tatjana, Artani
Çmime "Buzuku", Kosovë

Kasëm Trebeshina (Berat, 8 gusht 1926 - Ankara, 6 nëntor 2017) ka qenë veprimtar i Frontit Nacional-Çlirimtar gjatë Luftës së Dytë Botërore, dhe pas Çlirimit qe ushtarak, aktor teatri, shkrimtar. Për qëndrimet e tij kundër dogmave letrare të realizmit socialist u bë ndër disidentët e parë shqiptarë.[1][2]

Ka lënë rreth 170 dorëshkrime[3] duke lëvruar gati të gjithë zhanret e letërsisë. Studjuesit e letërsisë janë shprehur se Trebeshina qe nismëtar i surrealizmit në letërsinë shqipe.[4][5]

Biografia[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

U lind në lagjen "Murad Çelebi" të Beratit në shtëpinë e familjes së të ëmës. Ishte djali i dytë i Hysen Vinokashit dhe Hatixhe Sanxhaktarit. Sipas Trebeshinës, të parët e tij ishin me prejardhje nga Saruhani: Durasi me të birin Balin, u ngulitën si timarlinj në Vinokashkazasë së Përmetit më 1417 pasi ishin përzier në luftërat civile të kohës së Sulltan Bajazitit I dhe Sulltan Mehmetit I.[6]

Shkollimin fillor e kreu në vendlindje, fitoi bursë dhe nisi të mesmen e kohës në Normalen e Elbasanit. Gjatë kohës së shkollës, autoritetet e shkollës ia vunë mbiemrin Trebeshina, deri atëherë si llagëp mbante Vinokashi. Shkollimi i ndërpritet më 8 prill 1942, kur u arrestua si pjesëmarrës i një celule komuniste të Grupit të Shkodrës.[7]

Gjatë Luftës së Dytë Botërore ka qenë partizan me Lëvizjen Nacional-Çlirimtare, herë komandant e herë zv/komisar i Brigadës së XII. Ka luftuar në zonën Fier-Mallakastër edhe kundër Ballit Kombëtar, ndërsa më vonë veproi në Vlorë,[8] Himarë, Sarandë.[9] Pas vendosjes së regjimit komunist, një dokument i 1945 për organigramën e Drejtorisë së Mbrojtjes të Popullit e tregon si njërin prej drejtuesve të Seksionit të I-rë.[10] Më 1945-1946 shërbeu po ashtu si ndihmësgjyqtar i Bilbil Klosit.[11] Ndërsa Trebeshina në vëllimin e tij me kujtime Dafinat e thara pohon se ishte emëruar, por nuk shërbeu asnjëherë si oficer sigurimi, emërimin e refuzoi dhe vijoi si ushtar i përkohshëm.[12] Në dosjen përpunuese nga Sigurimi, pas luftës qe toger në ushtri.[13] I caktuar kursant pranë Ministrisë së Mbrojtjes Kombëtare pati shumë fërkime me ushtarakët jugosllavë, e degdisën në Gjirokastër dhe më 8 janar 1948 e dëbuan nga ushtria për qëndrimet e tij të përsëritura.[12]

Shkoi me studime në Institutin e Teatrit "Ostrovski" të Leningradit, po nuk i përfundoi studimet.[14] Sipas veprës autobiografike të Myftiut, Trebeshina e la shkollën, pasi lexoi deri në fund veprat e Bajronit.[15] Në fillim të viteve '50 punoi si aktor në Teatrin Popullor të Tiranës.[11][16]

Botimi i tij i parë është në vitin 1953, kur botoi dramën historike Kruja e çliruar.[17] Po atë vit, në Lidhjen e Shkrimtarëve u votua botimi i veprës Kënga e këngëve, sipas Trebeshinës votat kundër ishin vetëm tri: e Llazar Siliqit, Vehbi Balës dhe Ismail Kadaresë.[18]

Trebeshina me Mark Ndojën dhe Mehmet Myftiun[19] u përjashtuan më 24 shkurt 1954 nga Lidhja e Shkrimtarëve. Trebeshina u kritikua për: “qëndrim nihilist kundrejt letërsisë së realizmit socialist”.[17] Kjo situatë e jetës së tij (1953-1963) pasqyrohet te romani Shkrimtari i Mehmet Myftiut, ku autori i mvesh Trebeshinës në vepër emrin Hysen Shkreta.[15] Sipas studjueses Mullahi, Trebeshina kishte studiuar jashtë dhe e njihte mirë letërsinë klasike, duke qenë në gjendje ndërkaq të kuptonte fare mirë nivelin e ulët të letërsisë që po krijohej, dhe sado që ngrihej në piedestal, ai nuk mund të mos kuptonte se letërsisë i kishte humbur poetizmi. Shpesh i kishte kritikuar veprat e dobëta si “artikull gazete” apo “traktat”.

Në 1954 Trebeshina u dënua me 3 vjet burg me akuzën për agjitacion dhe propagandë kundër pushtetit, sepse në biseda me “persona të rrethit të tij shoqëror ose letrar ai ka folur se donte të largohej nga atdheu i tij dhe të shkonte në një shtet borgjez si në Zvicër ku të zhvillonte talentet e tij letrare më të mira. Këtë e shndërroi në një fakt letrar në veprën Odin Mondvalsen.[17] Në revistën letrare-artistike, shoqërore-politike “Nëntori”, të vitit 1954, për Trebeshinën i cili po vuante dënimin e parë, shkruhet:[17]

“Partia jonë zbuloi dhe demaskoi pikëpamjet antipatriotike në letërsi të Kasëm Trebeshinës me shokë, të cilët mohonin në mënyrë të hapët realizimet dhe sukseset e letërsisë sonë të re, fetishizonin të kaluarën, shtrembëronin vlerat edukuese të klasikëve, nënçmonin rëndësinë revolucionare të realizmit socialist dhe të letërsisë sovjetike dhe përpiqeshin në këtë mënyrë të godisnin në këtë mënyrë fuqinë krijuese të popullit tonë, mundësitë dhe besimin e tij në ndërtimin e të sotmes heroike dhe të së ardhmes së lumtur. Këto pikëpamje janë shprehur edhe në veprat e tyre, disa prej të cilave janë të ngjeshura me frymë kozmopolitizmi, subjektivizmi të theksuar, megalomanie dhe narcizizmi”.

Paragrafi i parafundit në dosjen e tij:[20]

I pandehuri Kasëm Trebeshina ka shkruar një seri veprash, në shumicën e tyre, gjërat janë parë me pesimizëm, nihilizëm, jashtë realitetit dhe kundër frymës së partisë, kundër realizmit socialist.

Gjatë burgimit është trajtuar mirë dhe është liruar më 1955 duke kryer vetëm 11 muaj dënim.[11] Tezes së tij, nënës së Fiqrete Shehut, i kishte premtuar Enver Hoxha se do t'ia amnistonin nipin. Iu ofruan disa punë që nuk kishin lidhje me artin, por nuk pranoi. Më vonë filloi punë pranë Lidhjes së Shkrimtarëve, atëherë tek rruga e Elbasanit; punonte në një gazetë, ku kushti i parë ishte që të mos merrte pjesë në mbledhjen e Bashkimeve Profesionale, si edhe në informacionet politike. Kësodore mund të merrte pjesë vetëm në mbledhjet e drejtorisë për organizimin e punës. Më pas hoqi dorë nga anëtarësia në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe nga pjesëmarrje të tjera në jetën shoqërore.[21] Porsa iu hap mundësia që t'ia botonin veprën "Artani dhe Minja", prej këmbënguljes që t'ia botonin pa recensë dhe përshkrimit të "të pasurve të fshatit", anëtarët e Lidhjes i ngritën akuzën si deviator dhe firmosën që t'ia çonin emrin në Komisionin e dëbim-internimeve.

Më 18 maj 1962 u arrestua dhe dënua me 5 vjet internim të izoluar, që mbaronte më 18 maj 1967. Nga kampi i Zvërnecit, gushtin e 1963 e shtrojnë me forcë në psikiatrinë e Vlorës dhe pas disa letra Byrosë Politike, ia shndërruan dënimin në gjysmëinternim si mësues në Gramsh,[22] ku jepte letërsi në shkollën 11 vjeçare,[23] por vetë donte të jepte histori.[22] Më 24 mars 1965 i ndërpritet dënimi për arsye shëndetësore. Qershorin e atij viti, Mehmet Shehu dënoi në mbledhjen e Pleniumit të XV të Komitetit Qendror romanin "Shkrimtari" të Myftiut ku sipas kryeministrit të kohës "heroi nuk është tjetër veçse Kasëm Trebeshina, shok i ngushtë mendimi i autorit, element antiparti i vendosur kundër pushtetit popullor, antisocialist...".[24] Nisi punë në Bibliotekë Kombëtare,[13] ndërsa më 1969 nis punë si përkthyes dhe më 1976 e zbresin në rangun e korrektorit.[24]

Në vendimin e Gjykatës së Lartë në prill të 1981, për dënimin tij merren parasysh “ekspertiza” e veprave të tij në dorëshkrim (rreth 120), të cilat i morën gjatë arrestimit në shtëpinë e tij, këto recenca shkruajnë që dorëshkrimet “pasqyrojnë rryma të ndryshme ultrareaksionare që karakterizojnë letërsinë dhe artin dekadent” në to u “gjenden pikëpamje armiqësore”.[17]

Pas rënies së komunizmit u proklamua si disident duke marrë për bazë një promemorie që thuhej t'ia kishte dërguar Enver Hoxhës në vitin 1953, ku e kritikonte metodën e realizmit socialist. Në një intervistë, përkthyesit e tij në anglisht dhe gjermanisht kanë përmendur se Trebeshina ka qenë 17 vjet në burg.[14][25] Trebeshina vetë në një intervistë ka pohuar se ka bërë trembëdhjetë vjet burg.[26]

Ndërroi jetë në Ankara, pranë së bijës, më 6 nëntor 2017.[27]

Vepra[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Nga veprat e shumta të Trebeshinës, në kohën e regjimit u botuan Artani dhe Min'ja ose hijet e fundit të maleve, një përkthim anonim i pjesëve teatrore të Lorkës,[14] një sërë poezish të tij të botuara në gazetën “Letrari ri” si dhe një sërë dramash “Heronjtë” në ’52 dhe “Shtrojnë malet” në ’53. Gjatë vitit 1953, në “Letërsia jonë”, organi i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë, në numrin 3, 5, 6, etj, u botuan nga Trebeshina, një sërë poezish, dhe në nr. 10 u botua një dramë me 5 akte, “Kruja e çliruar”. Botimet e krijimeve të tij në periodikët kryesorë letrarë të kohës, (prozë dhe poezi), tregojnë se kemi të bëjmë me një shkrimtar prodhimtar që ka nisur të njihet në radhët e shkrimtarëve dhe lexuesve.[17]

Tri prej pjesëve të tij prozaike u redaktuan nga Ardian Klosi në vëllimin Stina e stinëve, botuar në Prishtinë më 1991 kur dhe nisën t'i botoheshin pjesa më e madhe e veprave.[14] Botuesi i tij, Abdullah Zeneli ka deklaruar se ka qenë Martin Camaj që e ka mundësuar kontaktin mes shkrimtarit dhe botuesit.[28] Më 1992 do të botohej e "Legjenda e asaj që iku" në Tiranë. Trebeshina ka shkruar edhe romanin epope me 5 vëllime Kënga shqiptare. Vëllimi i I-rë i romanit, sipas shënimeve të shkrimtarit, përfundoi në vitin 1951, ndërsa i fundit më 1966. Sipas studjueses Mullahi, duke u kthyer pas në kohë dhe duke analizuar zhvillimin letrar të kësaj periudhe, bindemi plotësisht se vepra është shkruar në ato dhjetëvjeçar, sepse mban brenda vetes prirjen letrare të saj.[17]

Megjithatë pjesa më e madhe e veprës së tij është ende në dorëshkrim: 18 vëllime me poezi, 42 pjesë teatrore, 21 romane e vëllime me tregime etj.[14] Përkthyesi i Trebeshinës në gjermanisht, Hans Joachim Lanksch e sheh si një shkrimtar të papërkrahur dhe gjerësisht të panjohur,[29] ndërkohë që lexues të veprës së tij në gjermanisht kanë parë afëri me Eugène Ionesco.[25] Tregimi “Pse nuk u bë qytet fshati ynë” nga viti 1994 është i përfshirë në antologjinë “Maja e çelur”, tekst për shkollat e mesme, hartuar nga Gjergj Zheji (fq.187-191).[19] Më 2005 fitoi çmimin "Buzuku" në Kosovë me romanin Tregtari i Skeleteve.[28]

Dramaturgjia[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Pas viteve ’90, filloj dhe botimi e vënia në skenë e dramave të Trebeshinës. Dramaturgjia e Trebeshinës, duke u nisur nga struktura formale dhe tematike, shfaq elementë të qartë ngjashmërie me dramën e absurdit dhe paradoksit zhvilluar në Evropë veçanërisht në vitet 50-60 të shekullit XX me përfaqësues Beketin, Joneskon, Pirandelon, por që nuk njiheshin në Shqipëri gjer vonë. Është një nga themeluesit e dramës moderne shqiptare, duke u nisur jo vetëm për nga dallueshmëria me traditën shqiptare, por edhe krahasuar me përfaqësuesit kryesorë të dramës moderne botërore. Ndonëse mbetet akoma i parealizuar amaneti i shkrimtarit, botimi i plotë i dorëshkrimeve të tij, numri i madh i veprave kanë peshën e tyre në traditën e letrave shqipe.[17]

Polemika[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Çështja Trebeshina[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Në një editorial eksperti i medias dhe rolit të saj, Xhaferr Rakipllari shkruan:[30]

Me të drejtë shtrojmë pyetjen, a ekziston “Çështja Trebeshina”? A është dëgjuar ndonjëherë klithja e tij e brendshme që është më tepër se një këmbanë alarmi për hierarkinë e sotme të vlerave në letërsi? Komercialiteti i letërsisë, mbushja e faqeve të zvetënuara të gazetave me batuta dhe “sugjerime psikoterapike” e largojnë letërsinë nga e vërteta.

Në të gjallë të tij në përgjigjet e dhëna një interviste pohonte se e kishte të vështirë të botonte veprën e plotë, i mendimit se përgjegjësinë në kohën e regjimit e kishte Partia e Punës dhe pas '90 e kishte koncepti primitiv mesjetar shqiptar i qeveritarëve që kujtojnë se kushedi çfarë janë, përfshirë klanin i Gjirokastrës mbështetur prej tyre.[31]

Disidenca[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Diskutimet mbi disidencën nisën që në fillim të viteve '90 dhe kundërthënësit për disidencën e Trebeshinës duke dyshuar qenësinë e promemories mbi bazën e së cilës bëri jehonë disidenca e Trebeshinës, dhe është quajtur fabrikim.[19] Albanologu dhe përkthyesi i Trebeshinës në anglisht, Elsie nuk la ndonjë të dhënë nëse kishte dijeni për qenësinë e promemories, e paraqiti si disident.[14] Nga ana tjetër, mendohet se disidenca fabrikim i bërë pas rënies së komunizmit, me qëllimin e dëmtimit të imazhit të Ismail Kadaresë.[32] Kadare shpreh indinjatën për shpalljen e një "ish-oficeri të Sigurimit" si disident. Një pjesë të fajit për përhapjen e "mitit të disidencës" së Trebeshinës, ai ia hedh albanologut Elsie, i cili e kishte futur atë në veprën e tij mbi letërsinë shqipe.

Vetë Trebeshina nuk pëlqente ta quanin disident, sepse sipas tij disidencën donin ta shndërronin në monopol.[33][3] Roland Gjoza, nga hulumtimi i dosjes së Trebeshinës, përcjell se promemoriet janë dy dhe jo një, por asnjëra nuk është e vitit 1953 siç është divulguar.[20]

Me kolegët shkrimtarë[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Pas rënies së regjimit komunist dolën në pah fërkime që përgjatë diktaturës kishin qëndruar të fashitura. Si në rastin e debatit disavjeçar mes Ismail Kadaresë dhe Rexhep Qosjes, gjeti jehonë mediatike një dikotomi po e tillë mes Trebeshinës dhe Kadaresë.[34] Qëndrim ky që pohohet ndër veprat e Trebeshinës[35] më shumë se tek daljet e tij në media. Por aq sa ç'është servirur si eskluziviste kjo dikotomi, po aq kritikonte edhe Dhimitër Shuteriqin dhe Dritëro Agollin.[36]

Sadik Bejko në veprën "Disidentët e rremë" mëton të sqarojë disa episode të thëna nga Trebeshina për periudhën e regjimit: situata e votimit të veprës "Kënga e Këngëve", që sipas Trebeshinës nuk u votua nga Kadare. Bejko argumenton se në atë kohë Kadareja ishte gjimnazist 17-vjeçar në Gjirokastër. I ballafaquar me këtë fakt Trebeshina ka pretenduar se Kadare me siguri e ka ndërruar moshën.[19]

Në sprovën "Mosmarrëveshja", Ismail Kadare, bazuar në të dhënat e veprës "Disidentët e rremë", e akuzon Trebeshinën si "një themelues i Sigurimit" dhe "vrasës". Shkas për këtë të fundit merr vrasjen e një bashkëluftëtari të ri me plumb pas koke, që partizani Kasëm Trebeshina kishte bërë gjatë Luftës së Dytë Botërore me urdhër të eprorëve.[37] Ndërsa mëtimi për ta paraqitur si themelues i Sigurimit, organ që sipas Bejkos u themelua më 1943, u saktësua nga historiani Kastriot Dervishi më pas se shërbimi sekret pati datë themelimi 10-14 dhjetorin e 1944.[38]

Për Trebeshinën Kadareja është diçka tjetër përveçse një njeri, aq sa tek vëllimi autobiografik "Dafinat e thara" e shkruan ismailkadaretë sikur të jetë një sindromë[35] dhe në një intervistë kumtonte se në qoftë se do t'u jepej "Dimri i madh" gjimnazistëve, duhet t'u jepej edhe "Mein Kampf". Për ta përforcuar këtë qëndrim shton "Letërsia e shërbesës nuk është letërsi."[3]

Origjina[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

- Kjo tregon se nuk jam tamam përmetar, - ma ktheu Kasëmi. Se unë kam një damar turk. Kur isha një herë në Romë, në Itali, ku më kishin ftuar për letërsinë, u thashë miqve të mi:
- Përse më kini thirrur, unë nuk vlej ndonjë gjë.
-Ti, Kasëm, sikur ke diçka të veçantë nga shqiptarët e tjerë. Se unë e njoh psikologjinë e njerëzve të vendit tuaj, - më thanjë profesor i fushës së letrave.
- Ndryshoj, ia ktheva, se jam me origjinë turke. Ne kemi bërë një perandori që u shtri në tri kontinente dhe përfshiu tërë detet e Mesdheut që janë në prag të një oqeani...
Kasem Trebeshina duke folur për origjinën turke[39]

Me botimin e Mekamit, kushtimin e kësaj vepre të parëve të tij, këtë narrativë mbi origjinën e vet e pohonte edhe në komunikim publik si dhe në veprën "Dafinat e thara". Njohësit e veprës së tij këtë tëhuajsim e kanë vërejtur edhe te Odin Mondvalsen, ku personazhi kryesor pohon se është danez, duke e parë si trill letrar.[40] Por kjo nuk e shpëton prej leximit nga biografia.[41] Biografi i tij, ilustron si origjinën shqiptare e lidhte me konformizmin. Në periudhën komuniste, gjatë marrjes në pyetje nga një Komision Mjekësor në spitalin psikiatrik, Trebeshina u thotë mjekëve:[18]

''Origjina ime është turke. Madje kjo është arsyeja që unë jam ndryshe nga ju, në të kundërt do të isha si ju, konformist.

Ndërsa gjuhëtari dhe poeti Agim Morina përcjell se qëndrimet kundrejt origjinës i kishte prejse kënaqej duke provokuar bashkëbiseduesit.[42] Dragoj sjell edhe një përsiatje tjetër mbi këtë pohim shumë të debatuar:[18]

Shkrimtari flet lidhur me origjinën e largët turke të të parëve të tij. Për këtë çështje Trebeshina ka folur herë me mllefin e njeriut që e ka pirë deri në fund kupën e vuajtjes, herë me sensin disi grotesk të individit kozmopolit. Për të nuk ka rëndësi përkatësia etnike. Mjaft kritikë e studiues të veprës së tij, më shumë se një fakt, kanë parë këtu një trill të shkrimtarit, për të komplikuar dhe këtë detaj të jetës së tij, siç ishte e komplikuar dhe plot dyzime gjithë pjesa tjetër e kësaj jete, e cila i kaloi në buzë të humnerës tragjike.

Botime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Prozë[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  • Stina e Stinëve, 1991;
  • Odin Mondvalsen, 1991;
  • Fshati mbi shtatë kodrina, 1991;
  • Koha tani, vendi këtu, 1992;
  • Qezari niset për luftë, 1993;
  • Rruga e Golgotës, 1993;
  • Mekami, melodi turke, 1994;
  • Hijet e shekujve", 1996;
  • Nata para apokalipsit, 1998;
  • Ku bie Iliria, 2000;
  • Kënga Shqiptare, 1-5, 2001;
  • Më përtej kohërave, 2004;
  • Tregtari i skeleteve, 2006;
  • Shtigjet e shekujve, 2007;
  • Një ditë në natën pa fund (Dafinat e thara), 2016;

Dramë[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  • Kruja e çliruar, 1953;
  • Legjenda e asaj që iku, 1992;
  • Historia e atyre që s'janë, 1994;
  • Ëndrra dhe hije, 1996;
  • Drama, 2006;

Poezi[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  • Artani dhe Min'ja, 1961;
  • Lirika dhe satira, 1994;
  • Polimnia dhe Melpomena, 1-2, 2006;
  • Këngë për Kosovën, 2007;

Të pabotuara[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  • Planetiada (roman në 8 vëllime)

Përkthime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  • Allori secchi, përkthyer në italisht nga Edmond Çali dhe N. Tonziello. Romë, 2007;[35].

Referime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  1. ^ Shkrimtari i përplasjeve të mëdha, Prishtinë: Koha Ditore, 11 nëntor 2017.
  2. ^ Perikli Jorgoni (maj 1992). Intervistuar nga Ursula Ruston. "Dead poets translation society". Index on Censorship (në anglisht). 21 (9): 17–18.
  3. ^ a b c Dragoi N., A do të botohet vepra e Trebeshinës pas vdekjes?, Koha Jone, 9 nëntor 2017.
  4. ^ Mullahi, Anila (15 gusht 2016). "Vendi i Trebeshinës në letërsinë shqipe". balkanweb.com. Marrë më 1 prill 2021.
  5. ^ Gjoka, Behar (13 gusht 2013). "Përplasja Kadare-Trebeshina s'ka lidhje me veprat letrare". Shqiptarja.com. Intervistuar nga Dhurata Hamzai. Marrë më 1 prill 2021.
  6. ^ Dragoj 2007, p. 28. "Sipas Trebeshinës, të parët e tij, Durasi dhe djali i tij Bali, ishin turq nga Sarukani. Njerëz të përzier në luftërat civile të epokës së Bajazit Jillderëmit dhe të Mehmetit të Parë. Ata u internuan në Shqipëri më 1417-ën dhe u vendosën në Vinokash të Kazasë së Përmetit. Në këtë vis të bukur të Jugut, u ndien të plotë dhe u përshtatën aq mirë, sa për pesëqind vjet u ndryshuan në mënyrë të atillë, saqë asnjë nuk mund t’i dallonje më nga shqiptarët e tjerë."
  7. ^ Trebeshina, Kasëm (2016). "Një ditë në natën pa fund" (Dafinat e thara). Prishtinë: Buzuku. fq. 49–53. ISBN 978-9951-08-240-2.
  8. ^ Kasëm Trebeshina (22 nëntor 2016) [2007]. Intervistuar nga Kastriot Kotoni. "Ju tregoj për Luftën Civile dhe Ballin Kombëtar". Shekulli.
  9. ^ Demo, Elsa (8 gusht 2012). "Kasëm Trebeshina, mbi mistikën personale". Mapo. Marrë më 27 shkurt 2018.
  10. ^ Dervishi, Kastriot (22 gusht 2017). "Drejtuesit e parë të shërbimit sekret komunist në vitin 1945". njekomb.com. Marrë më 26 shkurt 2018.
  11. ^ a b c Dervishi, Kastriot (24 mars 2009). "Bilbil Klosi, gjykatësi komunist që dha shekuj burg dhe u mori jetën qindra antikomunistëve: krimet e komunizmit". 55 (73): 2–3.
  12. ^ a b Trebeshina 2016, pp. 204-207.
  13. ^ a b "Biografi e Kasëm Trebeshinës në dosjen 1338 e Sigurimit të Shtetit". radiandradi.com. 31 tetor 2018.
  14. ^ a b c d e f Elsie, Robert. "Kasem Trebeshina". Robert Elsie: Albanian Literature (në anglisht). Marrë më 7 nëntor 2017.
  15. ^ a b "Trebeshina, gjyqi që iu bë në Lidhjen e Shkrimtarëve, Shekulli, 23 nëntor 2017". Shekulli. 23 nëntor 2017.
  16. ^ Agolli, Esma (26 qershor 2015). "Trebeshina më ndaloi në rrugë para arrestimit, ja ç'më tha". Shqiptarja.com.
  17. ^ a b c d e f g h Mullahi, Anila (21 nëntor 2017). "Dosja gjyqësore e Trebeshinës u akuzua për pikëpamje armiqësore". Gazeta shqiptare.
  18. ^ a b c Dragoj 2007, pp. 139-141.
  19. ^ a b c d Bejko 2007, pp. 27-28.
  20. ^ a b Gjoza R., Dinjiteti i Kasëm Trebeshinës, marrë nga vëllimi me ese "Satirikon", Tiranë: Uegen.
  21. ^ Dragoj 2007, pp. 207-209.
  22. ^ a b Dragoj 2007, pp. 220-224.
  23. ^ Bejko, fq 83
  24. ^ a b Dragoj 2007, pp. 227-234.
  25. ^ a b Lanksch H. J., Kasëm Trebeshina në kërkim të së tashmes së përjetshme (titull redaksional, shkrimi është i 1996), Shekulli, 8 gusht 2016.
  26. ^ Lanksch, Hans-Joachim (20 maj 1994). "Intervistë-bisedë me shkrim me Kasëm Trebeshinën". Marrë më 26 shkurt 2018.
  27. ^ Hamzai, Dhurata (7 nëntor 2017). "Ndërron jetë në moshën 92-vjeçare Kasëm Trebeshina". Marrë më 7 nëntor 2017.
  28. ^ a b Zeneli, Abdullah (9 gusht 2016). "Kur Martin Camaj më propozoi veprën e Trebeshinës". Mapo (Intervistë). Intervistuar nga Violeta Murati.
  29. ^ Guma A., Bisedë me Hans Joachim Lanksch, politiko.al, 20 shtator 2017.
  30. ^ Rakipllari Xh., A ekziston një “çështje Trebeshina”?, Start, 1 nëntor 2008.
  31. ^ In memoriam Kasëm Trebeshina, intervistuar nga Renato Kalemi, botuar në Klan, nr. 495, marrë nga fax.al më 22 dhjetor 2017.
  32. ^ Apolloni, Ag (25 maj 2015). "Disidenca e Don Kishotit". Panorama Online. Marrë më 7 nëntor 2017.
  33. ^ Kasëm Trebeshina (22 maj 2006). "Disidenca dhe debati Kadare - Qosja". Intervistuar nga Alfred Beka. Prishtinë: Express.
  34. ^ Kasëm Trebeshina, shkrimtari me jetën e vet dhe veprën e rivalit, politiko.al, 26 nëntor 2017.
  35. ^ a b c Stampa:It Trebeshina K, Allori secchi, përkthyer nga E. Çali & N. Tonziello, Romë: Aracne, 2007. ISBN 8854812447
  36. ^ Shehu Xh., Lamtumirë "noprani" dhe rebeli Trebeshina, Dita, 8 nëntor 2017.
  37. ^ Kadare, Ismail (2012). Mosmarrëveshja : Shqipëria përballë vetvetes (bot. 3)). Tiranë: Onufri. fq. 270–271. ISBN 978-9928-186-54-6.
  38. ^ Dervishi, Kastriot (19 janar 2018). "Telegramet me udhëzime dërguar nga Beogradi" (PDF). Gazeta 55. Marrë më 19 shkurt 2018.
  39. ^ Dragoj 2007, p. 378
  40. ^ Gjoka B., Pamundësia e leximit të letërsisë si histori, Tirana observer, 2 maj 2012.
  41. ^ Gjoka B., Një qenie që endet midis legjendës dhe realitetit, Sot, 10 gusht 2011.
  42. ^ Morina A., Kasëm Trebeshina - Mjeshtri i sendërgjimeve rrëfimore dhe pronari i befasive të ëmbla, dialogplus.ch, 7 nëntor 2017.

Bibliografia[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]