Përdoruesi:Shalesi/Josif Filo

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Jump to navigation Jump to search

Jeteshkrimi i Josif Filos

Patriot i vjetër

Alt text
Josif Filo


Lindur në fshatin Shalës të rrethit Ersekë-Kolonjë në vitin 1890 nga prindërit Kristo dhe Elena Filo. Në shkollën e fshatit mbaroi 5 klasë të fillores në gjuhën greke. Në vitin 1915 emigron në Amerikë. Aty punoi në një shoqëri ndërtimi hekurudhash në Neu York. Josifi aktivizohet me disa shkrime publiçistike në Gazetën “Dielli” për rritjen e ndërgjegjes kombëtare të 70000 shqiptarëve të Amerikës n’atë kohë. Ka qënë sekretar i Degës nr. 38 të shoqërisë “Vatra” në Albany , Neu York dhe më pas kryetar i saj.


Disa nga titujt e artikujve të tij botuat në gazetën “Dielli” të shoqërisë “Vatra” në Amerikë nga vitet 1916 – 1920 janë:

03.02.1916 Mbledhje e degës së “Vatrës” nr. 38 në Albany N.Y. - Zëdhënie

27.03.1916 Meshë shqip në Albany N.Y. - Kollonia e pa të nevojshme një meshë në shqip nga i përndershmi At Stathi Melani.

08.08.1916 Të marrim për shëmbull luftonjësit. - T’a kuptojmë detyrën kundrejt atdheut dhe kombit, që është më e vlefshme se ç’do gjë në botë.

16.04.1918 Bismarku, Vashingtoni dhe Ismail Qemali. - Bëhet një krahasim ndërmjët udhëheqësve të shteteve përkatës.

03.10.1918 Rrënjët e çpifjeve qëndrojnë mbi ujë. - Le t’a dinë mirë njerëzit e Partisë Politike se Shoqëria jonë e madhe “Vatra” është një monument i florinjtë, që kurrë nuk do t’i zbritet vlera e saj, po do të harrijë shkallën më të lartër, si e vetmja organizatë shqiptare demokratike dhe shoqërore me rregulla.

03.10.1918 Arsye të ftohta. - Prishja e gozhdës për patkua. Qëndrimi që mban gazeta “Mprojtja shqiptare e St. Louis, Mo. për çështjen shqiptaare dhe Federatën “Vatra”

21.10.1918 Na mungon kthjelltësija. - Sot ne shqiptarët nuk kemi aspak nevojë për njerës të cilët na këshillojnë që të mos i bindemi votës së shumicës dhe të bëjmë gjithkush sipas mëndjes.

12.11.1918 Bariu nuk shikon ujkun po kërkon gjurmët! - Flitet për debatet politike që zhvillohen midis Shoqërisë “Vatra”, Partisë Politike, gazetës “Dielli” dhe “Mprojtja Shqiptare”.

08.12.1918 Frika i ka hije gruas – burri duhet të vdesë. - Shqipëria është nderi jonë, se me këtë emër jemi njohur në botë. Besnikëria ne kombi është faktori më i madh në jetën e njeriut, si dhe detyra e tij më e lartër.

14.12.1918 Shpresa, kuximi dhe kurajua. - Flitet për rrënjët e trimërisë njeriut, ku qëndrojnë ato.

21.12.1918 Mallkimi i mëmës. - Shëmbull për shqiptarërt që do të refuzojnë të marrin pjesë në ndihmën për shpëtimin e Shqipërisë.

26.12.1918 Veprimet kundrejt mëmës. - Flitet për shkrimet e Mihal Gramenos në Gazetën “Koha” dhe për diplomatin Ismail Qemali. Autori kërkon bashkim rreth Ferderatës “Vatra”.

12.04.1919 S’ka shqiptar atdhemohonjës. - Ky emërim “atdhemohonjës”na duket se nuk është i drejtë t’i thuhet një shqiptari, se shqiptari është ay patriot i cili mundi t’a mbajë të gjallë shpirtin dhe kombësinë e tij, në një periudhë të gjatë, ndënë zgjedhën që shkovi (Turqinë)

14.04.1910 Jo t’a ndezim, po t’a shuajmë - Flitet për situatën e grindjeve mes antarëve.

24.04.1919 Çdo shqiptar duhet të jetë vetë pajtimtar i “Diellit”, jo t’a marrë prej tjetrit. - Atë që bën fara kur mbillet në arë, atë bën dhe këndimi në mëndjen e njeriut. Gazeta “Dielli” në shqip është e domosdoshme për të rritur ndërgjegjen kombëtare të 70000 shqiptarëve t”amerikës

05.05.1919 Punë-punë dhe jo fjalë të thata. - Njeriu duhet të mendohet mirë për punën që bën, ndryshe kërkon rrezikun me këmbët e tija.

07.06.1919 Duhet studiuar puna, pastaj të flasësh. - Duhet studiuar puna pastaj të flasësh, apo, mendoje atë që flet.

08.05.1919 Dasma e arkëtarit të degës së “Vatrës” në Albany N.Y. - Zakonet shqiptare janë të njënjta për shqipëtarët.

20.05.1919 Gjithë antarët e “Vatrës duhet të jenë pajtimtarët e “Diellit”. - Ç’duhet të bëjë “Vatra” që të interesonjë shqiptarët? Një proponim: Kur njeriu rrëmon për pafille gjen flori!

22.05.1919 Nuk duhet të trëmbemi. - Kombëtarët janë gati të bëjnë sakrificën më të lartër për mbrojtjen e Atdheut.

09.06.1919 Pak fjalë mbi disa ankime dhe proponime. - Dëshira e shqiptarëve është që t’a shohin gazetën “Dielli” të përparuar.

31.05.1919 Fuqia është rivale e rrezikëshme e drejtësisë. - Nuk duhet të varemi vetëm në drejtësinë por duhet të përtrupësojmë në zëmërën t’onë shpirtin kombëtar dhe t’a mbrojmë Atdheun t’onë të shënjtë në çdo mënyrë.

20.06.1919 Populli ka të drejtë të çfaqnjë mendimin e tij. - Një udhëheqës është shërbëtor i popullit. Dhe, si ia do të mirën ati birit, ashtu ia do të mirën biri atit. Lumtëria e njerit është dhe lumturia e tjetrit.

24.06.1919 Një shëmbull mbi proponimet për “Diellin”. - Gazeta “Dielli” duhet të vejë jo vetëm ne antarët e “Vatrës”, por në gjithë shqiptarët e Amerikës që u dihet adresa.

02 – 03.07.1919 4-th 0f July. - Flitet si u shpall indipendenca e SHBA-së, përparimi i saj, rroli personaliteteve në themelimin e këtij shteti.

11.08.1919 Kollonitë shqipare i përgjigjen zërit të Peshkopatës sonë. - Flitet mbi shpalljen e fushatës për të ndihmuar materialisht Peshkopatën.

23,08.1919 Konferencë shtypi në Albany, Neu York. - Kryetari Josif Filo hapi mbledhjen dhe rekomandoi konferencierin e “Vatrës”.

25.11.1919 Duhet të studiojmë idenë e “shoqërimit”. - Shoqërimi i një grupi vetash në një korporatë mund të bëjë punëra të cilat nuk mund t’i bëjë një njeri i vetëm. Kjo ide do të përparojë tregtinë shqiptare.

25.04.1820 Duhet të përdorim mjetet e përparimit. “Ay që duron trashëgon”. - “Të mbjell sot dhe të korr sot, ose, Të punonj sot dhe të fitonj sot”. s’mund të drejtohet në udhën mbrothësore.

12 04.1920 Për degët e Federatës “Vatra’; Një proponim. - Të lidhet një marrëveshje midis degëve që: Dy degë të bashkohen në një trup dhe të dyja të dërgojnë në Kuvend një delegat. Kjo lidhje thjeshton anën e përfaqësimit.

21.07.1920 Aspiracia dhe ambicja - Kur fuqia e tyre është dobiprurëse, dhe, kur dëmprurëse?

15.10.1920 Pak komentim mbi shtypin shqip. - Le të mundohemi të përtrupësojmë në zemrën e çdo shqiptari shpirton e shqiptarizmës, që ashtu të mbretërojë midis nesh dashuri dhe armoni e plotë,

20.10.1920 Shuma e parë e huas kombëtare. - Vazhdon me një listë emrash dhe me shtetin përkatës, për shumën e parë të huas kombëtare.

04 – 05.11.1920 Duhet të vazhdojmë udhën që nisnë atërit e çështjes kombëtare. - “I pa besi”! “Goditmë dhe një herë po dëgjomë”; është fraza që njeriu kurrë s’duhet t’a ushtrojë si konditë, sepse tregon një shenjë përulësie dhe pazotësie, s’ka lidhje me punërat e përbashkëta të një populli.


Në vitin 1921 Josif Filo e le Amerikën ku: punoi, fitoi para dhe kulturë. Kthehet në atdhe në Shqipëri, paraqitet në shkollën Normale të Elbasanit jep provimet si kandidat i jashtëm, fiton të drejtën e mësimdhënies në shkollën fillore. Jep mësim në shkollën fillore të Shalësit me 4 klasa kolektive në vitet: 1921, 1922. Ish nxënësit e tij tregojnë: Kur erdhi në shkollën tonë mësues Filua, klasa e III-të dhe e IV-tërt bënin çdo javë nga 2 orë në gjuhën anglisht.

17.08.1921 Bisedime mi nomet (ligjet). Gazeta “Koha” e Korçës. - Duhet biseduar gjerësisht për të zhvilluar nevojat e vendit tonë. Fuqia e nomit është burimi i çdo mbrothësie.

05.11.1921 Tregëtia shqiptare. Gazeta “Koha”. - Këtu hidhen mendime se, për zhvillimin dhe përparimin e shtetit duhet të zhvillohet tregëtia.

30.031926 Gjuha e vet: Gazeta “Koha”. - Flitet mbi rëndësinë e gjuhës për kombin shqiptar.

Dy vëllezrit: Josif Filo dhe Vasil Filo ndërtuan në fshat shtëpinë dykatshe të rrethuar me mure guri dhe parmakë druri në pjesën e parparme, ndërsa në pjesën e pasme me mure të lartë rreth 2 metra. Hyrje-daljet bëheshin nga dy porta, respektivisht njera për njerëzit tjetra pët bagëtinë. Porta kryesore e ndërtuar me gurë të gdhëndur, me një konstruksion të veçantë, që ngjante si monument kulture, mbante mbishkrimin e gdhendur në gur: “Vëllazëria Filo, 1926”.


Shkrime të tjera të Josif Filos

Viti 1945, Fjalim për mbarëvajtjen e komunitetit në Shalës.

Pjesë nga Ditari i mësuesit.

Fjalorth me shpjegim termash në gjuhët: shqip, greqisht, frengjisht, anglisht.

Pjesë teatrale të shkruara nga mësuesi dhe të vëna në skenë prej tij me nxënësit e shkollës Shalësit, si:

Komedi: Lakmia, Bishti i dhelprës, (e lagu apo s’e lagu?) Ordinanca e gjeneralit, (me ngjarje nga lufta Nacional Çlirimtare).

Dramë: Çetat e punës. (pjesë e shkruar për dobinë e punës përbashkët).

Tragjedi: Mësimet e nënës.


Josif Filo ka qënë Sekretar i Këshillit Antifashist N.Çl. të Shalësit në vitet e luftës. Pa mbaruar akoma lufta nacional-çlirimtare, mësues Josifi më 24 tetor 1944, me inisiativë hap shkollën fillore të fshatit pa shpërblim. Aty grumbullon fëmijët e të gjitha moshave. Po kështu edhe të rriturit për në kursin kundër analfabetizmit. Ai ndihmon mësuesit e rinj nga ana didaktike në shkollat e fshatrave fqinjë. Më datën 09.11.1947 dërgohet nga seksioni arsimit Ersekë, për organizimin e kursit kundër analfabetizmit në fshatin fqinjë. Kthehet në darkë në shtëpi hipur në pelë. Thotë: Kam një shqetsim në gjoks. Nuk e gdhin dot të nesërmen, ndron jetë. Përcillet me nderime nga nxënësit, fshatarët, etj, në varrezat e kishës Shën’Kollit në Shalës.

Çifti Josif-Kleanthe Filo, celebruar në vitin 1923


Alt text
Çifti Josif-Kleanthe Filo

Fëmijët e Josif Filos:

Ndër fëmijët e Josif Filos shkëlqejnë më tepër dy yje:

- I pari është: Ylli i Kuq Partizan i dëshmorit internacionalist Vangjel Josif Filo, rënë në luftë kundër okupatorëve gjermanë për çlirimin e popujve të Jugosllavisë, në moshën më të re vetëm 21 vjeç. Ai ra më datën 12 Prill 1945 në Kroaci.

- I dyti: është Ylli i Artë i Heroit të Punës socialiste Anastas Josif Filo, me profesion mekanik, i cili shkëlqeu në profesionin e tij. Mbaroi Shkollën e Lartë të Partisë. 1975 Drejtor i ndërmarrjes ORMN. Deputet në një legjislaturë të Kuvendit Popullor.

- Më tej janë dy kuadrot e lartë: Inxhinier Spiro Josif Filo, dhe Inxhinier Petro Josif Filo, të cilët mbaruan Universitetin Shtetëror të Tiranës, fakultetin e inxhinierisë mekanike në vitin 1965. Inxhinier Spiro Filo emërohet me punë në ndërmarrjen: Kombinati i Mishit Tiranë, kryemekanik. Më pas në 1971 kryeinxhinier i Uzinës “Tirana”, më pas 1981 specialist për mekanikën në hartimin e Standardeve Shtetërore, pranë kryeministrisë Tiranë. Ndërsa inxhinier Petro Josif Filo emërohet me punë në një ministri ekspert për anën mekanike. Më pas Kryemekanik në Ndërmarrjen e Përpunimit të Gomës dhe Plastikës në Durrës.

Përmendet i paharruari, pasardhës i denjë i të jatit, i cili ishte një kopje e tij në muhabetet shtruar. Shprehej plot pjekuri e mençuri popullore, me këngët karakteristike të shoqëruara me muzikën e tij legjendare, virtuozi në klarinetë Kristo Josif Filo. Fëmijët e tjerë puntore dhe puntorë të aftë.





Pleqësia e Degës Nr. 38 ALBANY, N.Y.


Alt text
Varri i Josif Filos në Kishën e Shënkollit, Shalës.


Alt text
Përmbledhje e shkrimeve të Josif Filos.



Vasil Kristo Filo 1894-1953.

Lindi në Shalës të Ersekë-Kolonjës. Martohet me Theodhora Tane (1900-1981) nga Arrza në vitin 1920. Vasili emigron në Amerikë në 1936. Adresa: 21 Vaterford St. Boston Mass U.S. of America. Ka punuar në një restorant atje. Shpjegojmë: si shkoi më tej, apo si përfundoi fati i shqiptaro-amerikanit Vasil K. Filo në Amerikë?

Rastësisht në autobuzin e linjës Korçë- Ersekë ndodhej edhe një turist, shqiptaro-amerikan. Ai kthehej në vendlindje pas shumë vitesh në mërgim.


- A e keni njohur apo kini dëgjuar diçka për Vasil Filon atje në Amerikë, zotëri?

- Po e kam njohur Vasil Filon si kolonjar, por atë e vrau dhe e grabiti një bashkëfshatari i tij nga Fisi i Ruçove. E gjetëm të asfiksuar nga helmimi, nxirrte shkumë nga goja!

Pas çlirimit vendit në nëndor 1944, bashkëpuntorët e armikut u larguan nga Shqipëria bashkë me pushtuesin gjerman. Ata përfunduan nëpër botë, deri në Amerikë me “Mërgatën e Qyqeve”.

Gjatë luftës N. Çlirimtare familja Filo harriti t’ë mbijetojë nga të këqiat dhe tmerret luftës. Vasil Filo ndodhej n’Amerikë, larg këtyre skenave trishtuese. Por atij i vajti e keqia nga Shqipëria në Amerikë dhe krimineli i mori jetën të ngratit, në vitin 1953. Të njejtin fat pati edhe Vangjel Zheku e ndonjë tjetër atje. Çifti Vasil-Theodhora nuk patën fëmijë.


Alt text
Përmendore e ngritur në përkujtim të Familjes FILO.


Projektuar dhe ndërtuar nga Inxh. Petro Filo në vitin 2005. Vendosur në gradinën pranë ish shtëpisë Filove në Shalës-Ersekë.


Më poshtë jepen dy artikuj të nxjerrë nga gazeta “Dielli”:



Gazeta “Dielli”, datë 31 Maj 1919.


FUQIA ËSHTË RIVALE E RREZIKËSHME E DREJTËSISË

Nuk duhet të varemi vetëm në drejtësinë, por duhet të përtrupësojmë në zemrën tonë shpirtin kombëtar dhe t’a mbrojmë Atdheun tonë të shenjtë në çdo mënyrë.


Një herë në Alaska një njeri duke gërmuar për të gjetur flori, fati i tij e hasi në një rrëzë mali të pa zotëruar prej njeriu, ku pas pak së rrëmuari, mbushi disa torba me flori dhe arrivi në një qytet të madh që t’i shiste. Kur muarrë vesh kujunxhinjtë për ato torba me florinj, që gjëndëshin në duart e atij njeriu të vobegtë dhe të pa fuqishëm, deshnë që t’ia rrëmbenin, domethënë se ay e pat' gjetur atë florin në mallin e tyre, për të mbushur dëshirën e tyre lakmonjëse që kishin.

Tashti, fatmiri njeri por i pa fuqishëm, nukë mundi t'u bëjë ballë gënjeshtrave lakmonjëse dhe e la fatin e tij që t’a zgjidhte gjykatorja, ku besovi se fuqia e drejtësisë do t’i ç’prapste lakmonjësit dhe do t’ua ndalonte grabitjen që deshnë të bënin kundër tija. Dhe që të vërtetonte drejtësinë që kish per vehte për atë flori, mori gjykatësin e lartër e shpuri dhe i tregoi vëndin ku e pat gjetur floririn. Nga gjykatësi pastaj u vërtetua faktërisht që floriri ishte i tij. Tashti që u hap gjykatorja që të gjëndej e drejta mbi atë çështje, lakmonjësit pra po mundoheshin dhe thërrisnin që cili të rrëmbente ndonjë torbë me flori më shumë. Natyrisht parimi i gjykatores është drejtësia dhe me që gjykatësi e kish vërtetuar se i kujt ishte floriri në të vërtetë, gjyqi po vazhdonte në favor të të zotit të floririt. Mirëpo me qënë se lakmonjësit e shkelën parimin drejtësor mbi atë çështje, nisnë të përdorin mburimin e pasurisë dhe influencën e tyre që të luftonin jashtë nomit për të rrëmbyer floririn prej njeriut të pa përkrahëshëm, të cilit fati ja dhuroj.

Njeri prej lakmonjësve i cili e kish fuqinë dhe influencën më të gjerë në atë qytet, nguli këmbë që të merrte torbën me flori më të vyejtur. Gjykatësi për të mbyllur atë çështje që po përhapte degë të kritikëshme nga influenca që kish lakmonjësi në rrethin e gjykatores, u shtrëngua e vepëroj kundër parimit drejtësor – gjëra që fatkeqësisht ngjasin në këtë botë – duke i dhënë të drejtë lakmonjësit që të merrte torbën të cilën po kërkonte.

Tashti, i zoti i floririt kur pa atë padrejtësi aqë të keqe që desh të bënte gjykatësi, u protestua me gjithë fuqitë e tij për atë padrejtësi aqë të zezë, e cila ishte kundër parimit drejtësor të njerëzimit. Mirëpo gykatësi që të mbyllte sherrë, nuk’ e mori ndër sy protestimin e njeriut të pa-fuqishëm dhe desh t’a përfundonte atë gjyq në favorin e lakmonjësit. Atëhere fatkeqi njeri, mblodhi familjen e tij dhe për së bashku ngritnë zënë, duke i përmendur gjykatësit padrejtësinë që desh të bënte për t’a, dhe me një guxim të pa tundur insistuan duke i thënë gjykatësit se po të mos kishte fuqi drejtësore për të drejtën e tyre, ata preferonin vdekjen dhe kurrën e kurrës nuk do t’a pranonin lakmonjësin t’u rrëmbente gjënë e cila ishte e tyrja.

Gjykatësi pra, kur kish në duar vetëm protestimin e të zotit të floririt, po mateshe për të nënëshkruar “fermanë” dhe t’i jepte të drejtë lakmonjësit; mirëpo kur ju mbushnë duart me qarjet dhe protentimet e familjes së tërë, atëhere ndërgjegja e tij ja ndalovi punën e pa drejtë që deshte të bënte. Duke menduar fjalën e besës që i pat dhënë popullit kur pat marrë kurorën e atij ofiqi, ku ay u kish deklaruar formalisht se punërat e tija do të ishin lidhur shumë ngushtë me parimet drejtësore dhe, vetsm për atë parim do të përdorte squarësinë e tij. Ahere gjykatësi këtheu mejtimin e tij dhe nisi të punonte mi pikat e drejtësisë dhe me atë mënyrë përdori fuqinë e tij dhe përfundimi i atij gjyqi ishte së fatmiri njeri trashëgoj të gjitha torbat me florid dhe ashtu lumëroj jetën e shtëpisë së tij. Dhe, si i pasur që u bë, lakmonjësit ja patnë nevojën dhe ashtu u formua një shoqëri e ngushtë e përjetëshme midis tyre.

Kupëtimi i këtij paraboli, është një shëmbull i mirë ku duhet besuar, që vepërat e njerëzimit shumë rral lidhen me parimet e drejtësisë, megjithse drejtësia është dora e Perëndisë, fuqia në shumë pika del mundëse përpara saj. Dhe kjo vjen vetëm prej anës së lakmonjësit. Po është e vërtetë se, ndjenja dhe ndërgjegja e njeriut e kanë rrënjën të vendosur mbi altar’ e drejtësisë. Dhe vetëm atëhere njeriu mund të punonjë drejtësisht, kur t’i tronditet ajo rrënjë dhe t’a ndalonjë ndjenja dhe ndërgjegja e tij, për të punuar të kundërtën.

Presidenti Voodrou Villson kur çfaqi të 14 Nyjet e tij, të famëshme dhe të bazuara mbi drejtësinë për paqen e e përbotëshme, ay u lavdërua prej gjithë botës, si i vetmi kampion i demokratizmës dhe apostull i drejtësisë. Mirëpo sot që duhej t’i vinte në vepërim në tryezën e paqes, ay i la më nj’anë parimet drejtësore që pat deklaruar dhe, për të mbushur dëshirën e të fuqishmit, dha lejë që të sakrifikohet gjëja e atij të pa fuqishmit. Dhë kështu bëri proponimin që t’i jepej Vlora Italisë!

Ky proponim i Presidentit është aqë i padrejtë sa të propononje që t’i jepej Pireja Shqipërisë.

Ahere neve Shqipëtarët ç’duhet të bënim ose të bëjmë, për këtë padretësi të zezë që maten të na bëjnë?

Duhet të mbyllim gojën vetëm me një protestë që i dërgoj Qendra e “VATRËS” konferencës, dhe me ato që i ka dhënë dërgata jonë në Paris; apo duhet të venin protestimet si breshër nga gjithë Populli Shqiptar?

Neve çfaqmë mendimin tonë mbi këtë çështje ku thamë që duhet vënë në vëprim fraza e fundit. Po ajo e cila na ngut që të shkruajmë këto sërë, është që shikojmë në një kryeartikull të “Diellit”, me titull: “Shpjegimi ynë”, ku thotë se: Me që Konferenca e Paqes, i vendos punërat me parimet drejtësore, është e tepërt që të protestonjë edhe populli prej anës së tij.

Tashti, këtu nuk duam aspak të kundërshtojmë zyrtarët e Qendrës për këtë çështje, se mendimi i tyre nuk është se është kundër protestimevet. Por e vetëmja pikë e cila nuk na duket e arësyeshme, përsa thotë “Dielli” në atë artikull, është fraza se: “Neve çfaqim një mentim të cilin po të mos e pëlqenjë populli, bën atë që i pëlqen më mirë”. Kjo frazë na duket se ngjet sikur Guverna e Francës t’i thotë popullit që mejtimi i saj është që Franca nuk duhet t’a akseptojë Ligën e Shteteve dhe populli të bëjë ashtu si i pëlqen më mirë.

Kurse Guverna duhet t’a studiojë punën në të katër anët, ku do të kupëtonjë këthjelltë se Liga e Shteteve do jetë pëllumbi i paqes së përbotëshme në kohërat e pritme, dhe duhet t’a këshillonjë popullin për askeptimin e saj dhe jo për refuzim.

Pastaj ne jemi të mëndjes që çdo protestë që bëjnë Kollonitë duhet të merren vesh me Qendrën, që ashtu t’i bëjnë punërat në rregull dhe jo “shume e për lumë”, si thotë një proverb shqip. po sido që të jetë sot për sot, nuk duhet që të hapen të tilla kundërshtime midis nesh, që të kundërshtojmë njeri tjetrin dhe duhet të bëjmë atë që është më mbrothësore për çështjen dhe të bëjmë që dërgata e jonë në Paris, të na ketë si dorën e djathtë.

Josif Filo

ALBANY N.Y.



Gazeta “Dielli” datë 20.VI.1919.


POPULLI KA TË DREJTË TË ÇFAQNJË MENDIMIN E TIJ


Pamë në Nr, 1594 të “Diellit” të na kritikojnë sepse neve çfaqëm mentimin tonë mbi çështjen e Vlorës, që thamë të dërgoheshin protestime prej gjithë popullit shqiptar. Pikësëpari po tregojmë që për cilën arsye e çfaqmë atë mentim. Kur Presidenti Villson bëri proponimin për Vlorën, neve e humbëm shpresën drejtësore për fatin e qytetit më të vjetër të Shqipërisë, dhe kupëtuam se vetëm protestimet e udhëheqësve tanë që t’i përmentnin Konferencës padrejtësinë që do t’i bëjnë Shqipërisë. nukë ishin të mjafta dhe duheshe përgjithësisht zëri i popullit të Shqipërisë që t’i thesh Konferencës dhe Presidentit Villson që kurrë nuk do të “eksplojnë” një vendim të atillë aqë padrejtësor për vëndin tonë. Tani, sido që të jetë, neve çfaqim vetëm një mentim mbi atë çështje. Dhe s’ka kritikë për një njeri i cili çfaq një mentim dhe në përfundim i bindet vetos, se populli ka të drejtë të çfaqnjë mentimin e tij.

Bashkohemi plotësisht me Z. Stefan Lesho, ku thotë se populli duhet të jetë besnik dhe i bindur ne udhëheqësit.

Natyrisht besimërija dhe bindja e një populli është lirija e Kombit. Dhe ay popull i cili refuzon ato dy fjalë, meriton zgjedhë dhe jo liri, sindëkur meriton turpin dhe arratinë një mëmë neveritëse. Po nuk pajtohemi aspak me Z. Lesho ku thotë se populli duhet të mbyllë gojën me që udhëheqësit e tij dinë më shumë se ay. Ajo e drejtë i merret vetëm një populli, prej dorës së një governe autokrate dhe kurrë në qeverimin demokratik.

Për shembull, Presidenti Villson në mbledhjen e funtme i tha popullit që të zgjidhet një kongres me shumicë demokratike. Mirëpo populli bëri të kundërtën dhe zgjodhi shumicën republikane, dhe gjene Presidenti në shumicë pikash kërkon këshillat e popullit se, një udhëheqës është shërbëtor i popullit. Dhe, si i do të mirën ati birit, ashtu i a do të mirën biri atit. Se lumturia e njerit është dhe lumturija e tjetrit. Prandaj del nevoja, që biri duhet të jetë besniku i atit, kur ay punon për të përhapur lumturinë në fëmijën e tij. Si dhe ati s’duhet të japë vërejtje në fjalët e birit, kur ay çfaq mentimin për të mirën e shtëpisë.

Sot atdhetarët e rrethit nacionalist kanë nevojë për këshillat e njeri tjetrit. Prandaj nukë duhet të mbyllim gojën, por duhet të çfaqim mentimin të cilin e kupëtojmë që është për të mirën e çështjes. Kritika e ka udhën në çështje të tjera dhe aspak në çështjen që na kritikojnë neve.


Josif Filo

ALBANY N.Y.