Përdoruesi:Zhanetapablo
AT FRANO KIRI ka lindur me 16 qershor 1901 dhe vdekur ne nentor te vitit 1980
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Ka kene nje nga Fretnit që porsa e ké pa me sy, jé topitë prej asaj pamje Burrnore, të paisun me të gjitha tiparet dhe të gjitha virtytet që personifikojnë Shqiptarin, tue fillue nga pervujtnia e françeskanit t’ Asizit, thjeshtësia, dhe deri tek trimnia e guximi i pashoq, që në emnuesin e perbashkët kishin inteligjencën e persosun. Ky ishte At Frano Kiri OFM. (1901–1980).
I biri i Tom e Gjyste lindur ne Shkoder. Në vitin 1912 mbaroi shkollen fillore, në vitin 1920 mbaroi Gjimnazin Françeskan Shkodër, në vitin 1924 shkollën e lartë për Mitologji e Filozofi në Romë dhe u kthye në Shqipëri me detyrë meshtar.Shërbej si drejtor bashke me At Gjergj Fishten dhe si profesor matematike në Gjimnazin Françeskan deri më 1941. Gjatë vitit 1938 deri më 1941 sherbej edhe si profesor i Normales sigmatinë. Nga viti 1941 deri më 1944 shkoi si famullitar në Kir. Nga 1945 deri në ditën e arrestimit (14 dhjetor 1946) ka qëndrue në Kuvendin Françeskan të Arrës së Madhe, në Shkodër,. Kur ka qenë nxënës në Gjimnazin Françeskan, ka pasë profesor Padër Ambas Marlaskaj, i cili në mësime e sipër i ka rrënjos dashurin për Gjermaninë dhe anglezët, e cila simpati ka ekzistue deri më fund.
Pamja e Kuvendit të Fretenëve në Gjuhadol të Shkodres, ka mangut në oborrin e vet një Kryq në të cilin asht Kryqzue dhe salvue në mënyren ma mizore çdo klerik që ka jetue në secilen dhomë, që shihni mbi këta harqe, mbas dates 16 nandor 1946, kur kuvendi u kthye në burg nga komunistët, tue dashtë me e njollosë, simbas metodes së tyne, me akuzen fallso, tashma të njohun, “futjen e armëve nën Elterët e Kishës së Tyne”. Një nder ma të torturuemit në këte burg asht kenë At Frano Kiri. E kam njohë në vitin 1961 kur kam shkue në spitalin ekstrapolmonar të Ujit të Ftohtë në Vlonë për arsye shndeti. Asht kenë dënue me 10 vjet burg, të cilat i ka kalue në Burgun e Burrelit dhe në kampet e punës. Kur ka përfundue dënimin, ka vazhdue me kenë i interrnuem në Gramsh të Elbasanit dhe në Kuq të Vlonës, deri në vitin 1964, që asht lirue nga spitali ku ishte i sëmurë me spondelit. Asht shugurue shumë i ri, sa ka mbarue studimet, mbasi pritej se vdes dhe mendohej nga eprorët të ishte i shuguruem për kënaqësi shpirtnore. Ka vdekë ndër të fundit fretën të kohës së tij. Një burrë me kulturë të gjanë, matematicien, profesor i Gjimnazit të Fretënve, teolog dhe njeri me humor të hollë, që mbulohej nga një fizionomi shumë tërheqëse, një portret i skalitun nga mjeshtrat e fiseve Ilire, shqiptar i vërtetë në dukje dhe në formim shpirtnor. Thonte se i përkiste fisit Kiri, por them se fisi Kiri i maleve të ashpra e të thella të Dukagjinit i përket At Franos. Trim, guximtar dhe jo vetem i vëndosun, po edhe i pathyeshem. Asht konsiderue miku ma i afërt i Provinçialit At Mati Prennushi, prandej edhe asht masakrue si rrallë njeri në hetuesi. Kërkohej me dëshmue se armët në Kishë i kemi futë bashkë me fretnit tjerë dhe se asht kenë në dijeni Provinçiali, mbasi akuzohej se edhe ka kenë krahu i djathtë besnik i At Matisë, gjoja në formimin e Partisë Demokristjane. “Kisha vendosë me e pa vedin copa copa e kurrë e në dynja mos me pranue një shpifje asisojit kundër Kishës dhe shokëve të pafajshëm!”, – më thonte, në një bisedë rreth asaj ngjarje në vitin 1961, kur po më fliste për At Matinë. Më tregonte se një natë shumë të ftohët dimni e kishin lidhë pranë një dritares dhe po ngrihej nga era që e rrahte në shpinë. Kalon andej krimineli Pjerin Kçira. Ky e shikon dhe i jep shenjë se do me i thanë dishka…Ai afrohet dhe ky, mbasi shikon gjoja mos me e ndigjue njeri, i thotë: “Pjerin, unë jam i pafajshem, po nuk mund të duroj ma torturat. Sonte kam vendosë me ra nga dritarja…e mos i mbetni kujt në qafë per këte që kam vendosë!” Pa kalue as dhjetë minuta, tregonte se erdhën dy polic me drrasa e gozhda dhe mbyllen dritaren, per me i evitue vetvrasjen…Qeshej kur e tregonte kujdesin e Pjerinit…që kush e di sa herë e kishte çue pa ndjenja në dhomë. Më tregonte z. Drita Kosturi sesi e lidhnin në një shtyllë druni dhe e linin gjithë diten në diell e naten të varun pa pi ujë…Kur e zbritnin, perplasej shtylla për tokë e gjakosej nё ftyrё At Frano, sa nuk njihej ma se kush ishte!
Tri ditë e kishin lidhë me një të vdekun në tortura ftyrë per ftyrë, derisa ka fillue me kullue langje i vdekuni e At Frano kishte mbetë pa ndjenja…Ujë pinte nder rrasa të nevojtores kur kishte “fat” me mbetë nga urina që nuk e thithte vrima e nevojtores së burgut! Në gjyq kur e akuzojnë për krijimin e Partisë Demokristjane në Shqipni, At Franoja, i kishte kërkue gjyqtarit që me e botue në shtyp akuzën. Kur e pyeti ai: “Pse e kërkon botimin e kësaj që ke bërë për formimin e Partisë Demokristjane?”, – ky u ishte përgjigjë: -“Kishe me dashtë me e marrë vesht gjithë bota se një prift shqiptar, At Frano Kiri në Shkodër, ka formue Partinë Demokristjane Shqiptare 3 vjet para De Gasprit në Itali, pra, simbas jush, unë jam ma i madh se De Gaspri që njen bota!..”.
Nё gjyq, nё Burrel dhe kampe, bashkvuejtёsit e kujtonin pёr qendrimin burrnorё tё Tij e dashuninё e Françeskanit tё vertetё, qё nuk harrohej kurrё prej tyne nga sandalet dhe kambёt e zbathuna edhe pse nga gjendja shndetsore gjithnjё kishte probleme.
Luente shah dhe domino me kalue kohën. Tue lujtë domino, u bante ortak me një tiranas që quhej Beqir, ndërsa unë me Seitin, edhe ky tiranas.. Kur u ulëshin gurtë me u numërue pikët, aty ishte bukuria e lojes e sidomos kur At Franoja, i shihte pikёt e shumta në dorë të Beqirit. At Frano ishte frat matematicien e Beqiri ishte polic nё Tiranё…
Në vitin 1964 drejtori i spitalit të Vlonës, dr. Angjelis, njё mjek qё interesohej fort pёr At Franon, e kishte njoftue se duhej me dalë nga spitali… mbasi ashtu e kishin urdhnue dhe ai i kishte dhanё 15 ditë afat At Franos, me u interesue ku do të kalonte pak muej internim që i kishin mbetë, për të cilat, At Frano, kishte frikë se mund t’i persërisin edhe vite të tjera, si zakonisht vepronte ministria e mbrendshme me t’internuemit.
At Frano i shkruen një leter ministrit Kadri Hazbiu: Me kenë se kam edhe kater muej me plotsue denimin dhe jam i smurë në spitalin e Vlonës, po me që më duhet me dalë nga spitali, a ka mundësi këta pak muej me i kalue në degen e mbrendshme të Vlonës ose në kuvendin e motrave të Vlonës, që ishte i vetmi kuvend në Shqipni, për me kenë ma afer mjekëve… Mbas tri ditësh ministri i jep përgjegje: “Mund t’i kaloni ku të dishroni mbasi jeni i lirë…”. Kёshtu, At Frano u lirue.
Erdhi në Shkoder dhe shkoi në Kuvendin e Arrës së Madhe…Ishte një gëzim i madh për të gjithë ata që e njihnin! Ishte edhe e papritun ardhja, po kur më tregonte se si kishte veprue, qesheshim se ku i kishte shkue mendja se çka me i shkrue ministrit…”sikur At Frano e kishte të sigurt lirimin, po kishte problem ku me kalue edhe muejt e fundit…”! Në vitin 1967 u rrezikue me u arrestue me “Revolucionin Kultural”…por shpetoi për mrekulli, mbasi siç më ka tregue Ai vetë, e ka shpetue ardhja e Pjeter Kostës në Shkoder, të cilin e kishte shpetue nga interrnimi në kampet gjermane në vitin 1944…Ashtu si kishte shpetue edhe Lef Nosin nga partizanët kur me urdhën të At Matisë e ka çue me njerëz deri në Milot, në nandor tё vitit 1944. Kalimi i Lefit asht kenё me rrezik koke sidomos nё Lezhё, mbasi kudo kalimi ishte veshtirsue nga permbytjet e mёdha rreth Shkodres.
Gegnishtja
Trupa mësimore në maturën e parë të gjimnazit Illyricum, Shkoder 1927-'28 Foto Kel Marubi
Tuj fillue nga e majta në kambë 1 - ? 2 - At Çiprian Nika 3 - At Frano Kiri 4 - At Bernardin Palaj 5 - Luigj Muzhani 6 - At Marin Sirdani 7 - Kolë Margjini 8 - ? 9 - Simon Prendi 10- At Ndoc Kiri
Ulun nga e majta 11 - Ndoc Rronkali 12 - At Martin Gjoka 13 - ? 14 - At Ambroz Marlaskaj 15 - At Gjergj Fishta 16 - Emilio Semini 17 - At ? 18 - Danjel Mozali 19 - At Justin Rrota
Procesverbali i pyetjes së Padër Frano Kirit
Më 30 nëntor 1947, në zyrën e seksionit të Sigurimit të Shtetit, në Shkodër, nga oficeri i këtij seksioni aspirant Ali Xhunga, u muar në pyetje i pandehuri Padër Frano Kiri, i biri i të ndjerit Tom dhe i Gjystes, 47 vjeç, lindur në lagjen 'Rus' dhe banues në Kuvendin Françeskan (Arra e Madhe) Shkodër, me kombësi dhe nënshtetësi shqiptare, i pamartuar, i padënuar ndonjëherë, i cili deklaroi sa vijon:
Kur u ktheva nga Italia, Padër Marlaskajn e gjeta drejtor të gjimnazit, e këtu bisedojsha edhe mâ hapët nga kur isha nxënës, i cili më fliste ngaherë për gjermanët tuj i paraqitë si popull të zot nga shpirti, mendimi etj. Kështu që mua m'u rrënjos dashurija për ta. Këtë simpathi për gjermanët jam mundue ta fus edhe ndër nxënës, kur kam qenë profesor.
Me politikë jam marrë qysh më 1924, ku kam simpathizue opozitën, për të cilën edhe kam punue duke bâ shokë që të votojshin në favor të saj, në marrëveshje me Luigj Gurakuqin, Bajram Currin etj.
Mbasi opozita humbi dhe fitoi Zogu, kleri po të thuash në përgjithësi ka qenë kundra tij e sidomos kur Zogu mbylli shkollat, të cilat u mbyllën për tri vjet (1933 - 1936). Mbas një kërkese që u bë në Lidhjen e Kombeve, e cila ndërhyni pranë qeverisë, shkollat u çelën përsëri, me gjithë se një pjesë e klerit qëndronte kundra Zogut.
Kleri katolik, para 1918-ës, ka simpathizue Austro- Hungarezët, mbasi këtej mvareshin financiarisht dhe merrshin drejtime prej andej si politike etj. Mbas vitit 1918 e këndej, kanë simpathizue Italinë mbasi këtu mësojshin në shkolla, na jepej ndihmë në të holla e shumë të tjera, të cilën e bânte me të vetmin qëllim politik për të ngallur simpathinë e saj në Shqipëri, ashtu sikundër është bâ që pjesa ma e madhe e klerit t'a simpathizojnë dhe t'a ndihmojnë në veprimet e saja në Shqipëri. Veprimi im fillon që në vitin 1933, në të cilën kohë, me mbylljen e shkollave kam themelue Shoqërinë Antoniane me urdhër të Arqipeshkvit të Shkodrës Imzot Mjedës, e cila u formue me të vetmin qëllim për t'u dhânë rinisë nji edukatë fetare. Në këtë kohë, në mos u gabofsha, është formuar edhe Shoqëria Dom Bosko me iniciativën e Padër Pjetër Meshkallës. Të dyja këto shoqëri kanë pasë për qëllim me e rritë rininë me një edukatë fetare për të qenë më afër klerit dhe t'i përdorte për nevojat e tij.
Më kujtohet se në vitin 1936, me urdhër të Papës u formue Veprimi Katolik nëpërmjet delegatit apostolik dhe ky në marrëveshje me Arqipeshkvin Thaçi formoj veprimin në të gjithë Shqipërinë.
Qysh në fillim u ngrit Rrethi i Zojës Dhimbshme (vajzat) dhe Rrethi i Veprimit Katolik (djemtë) etj. Në këtë kohë Arqipeshkvi Thaçi bani një mbledhje ku thirri të gjithë drejtuesat e shoqërive të ndryshme si p.sh. Dom Mikelin, Bumçin, Vinçens Prendushin, delegatin e Papës Nigrit etj. Mbas kësaj mbledhjeje, të gjitha shoqëritë u futen në Veprimin Katolik simbas urdhrit të Papës, vetëm se nuk u shkrinë në të, por qëndronin në këmbë si shoqëri dhe punonin si mbas nji direktive të veprimit katolik.
Di se Dom Mikel Koliqi ka qenë drejtor i Veprimit Katolik për qarkun e Shkodrës e kshtu çdo ipeshkvi në Shqipëri ka pasë një të ngarkuar si drejtor të Veprimit Katolik si p.sh. Durrësi, Lezha, Dukagjini, Mirdita, Zadrima, por që nuk di të përcaktoj emrat e tyre se kush ka qenë drejtor. Për të gjitha këto ka qenë Arqipeshkvi Thaçi, nga i cili mvareshin të gjithë.
Drejtuesat e shoqërive bënin mbledhje të ndryshme, ku bisedonin mbi mbarëvajtjen e Veprimit Katolik, merrshin udhëzime që të luftonin komunizmin dhe raportonin çdo të metë.
Veprimi Katolik figurën e jashtme e paraqiste shoqëri fetare, por në të vërtetë ka qenë një organizatë politike që është formuar më të vetmin qëllim për të luftuar komunizmin në Shqipëri si dhe çdo rrymë që ishte në kundërshtim me doktrinën katolike, mandej kishte për qëllim grumbullimin e të gjithë katolikve që të nxirrshin delegatët e tyre në parlament për të kërkuar të drejtat e tyre (katolike) nga çdo regjim që do të vinte në Shqipëri.
Kleri ka simpathizue fashizmin qysh mâ parë, ku në një mënyrë ose tjetër e kanë ngjallur këtë simpathi edhe në popull, e mandej qe përgatitë terreni në mënyrë indirekte për ardhjen e fashizmit.
Kjo vinte mâ tepër nga Veprimi Katolik që bënte një punë në këtë drejtim, mandej qeveria italiane na ka ndihmuar me të holla, si p.sh. ndihma me të holla për shkollat klerike, profesorët italian, librat që tërhiqeshin me anën e konsullatës etj., të cilat kanë influencuar në vendin tonë.
Marrëdhënie me konsullatën italiane kan pasur At Gjergj Fishta (vdekur), Padër Pal Doda (burg), Padër Bernardin Palaj, Padër Çiprian Nika, Padër Anton Harapi etj., por se çfarë marrëdhënie e se si i kanë mbajtur këto nuk di ta shpjegoj.
Veprimi Katolik vrullin mâ të madhë e mori në vitin 1937 dhe 1938, ku në atë kohë pranojshin të merrshin pjesë të gjithë populli pa përjashtim, mbasi në këtë kohë janë ngritur edhe shoqëri të tjera si Zonja e Dhimshe etj., që vareshin nga Veprimi Katolik.
Ardhjen e fashizmit në Shqipëri e kam pritë me keqardhje, mbasi unë edhe mâ parë nuk e kam simpathizue si shokët e tjerë klerikë. Mbas ardhjes së fashizmit, kleri ka pasë një miqësi edhe mâ të ngushtë, për të cilën ka ndihmuar me shtyp ku ngrenin në qiell fashizmin dhe ulnin poshtë komunizmin.
Me daljen në shesh të Lëvizjes Nacionalçlirimtare, kleri katolik ka mbajtë një qëndrim armiqësor kundra saj dhe është mundue me çdo mënyrë të ndaloj përhapjen e saj, mbasi dihej se në të bënte pjesë edhe Partia Komuniste të cilën e kishte luftuar qysh mâ parë, për arsye se e quajshin antife dhe në kundërshtim me doktrinën katolike. Në këtë kohë kam qenë famullitarë në Kir, Dukagjin, të cilën (LNÇ) e kam luftuar si të pafe etj., por si luftëtar kundra të huajit i kam admirue.
Me daljen në skenë të Ballit Kombëtar, Legalitetit, Nacional Indipendentëve kleri katolik i ka furnizuar dhe ka punuar me to, si p.sh. Dom Zef Shestani me Ballin Kombëtar, Padër Lek Luli me Legalitetin e shumë të tjerë që kanë dalë publikisht. Në këtë kohë Veprimi Katolik ka punuar edhe mâ tepër dhe shumë anëtarë të saj kanë marrë pjesë në tri partitë e sipërme, duke luftuar edhe mâ mirë LNÇ me pjesëmarrjen në këto parti.
Në vitin 1941, kam marrë pjesë në mbledhjen e ipeshkëve ku merrshin pjesë delegati apostolik Nigris, Monsinjor Thaçi, Imzot Volaj, Dom Mikeli, dy jezuitë italian, Dom Tom Laca e ndonjë tjetër që s'më kujtohet. Këtu u shtrue çështja e presidentave të shoqërive të ndryshme që banin pjesë në Veprimin Katolik, se cilës shoqëri i takon parija në funksion fetar.
Di se fashizmi, që në ditët e para që erdhi në Shqipëri, i ka dhânë shuma të mëdha në të holla klerit katolik, të cilat i jepte nëpërmjet delegatit Nigris. Këto të holla, pasi i merrte në dorëzim, ipeshkvi ua shpërndante famullitarëve.
Fashizmi edhe para se të vinte në Shqipëri i ka dhënë ndihma në të holla klerit, përveç atyre që ishin të përvitshme. Këto të holla ua jepte konsullata disa priftërinjve për kishat si p.sh. Padër Bernardin Palajt, Padër Gjergj Fishtës etj. Fashizmi, qysh para ardhjes, kishte çelur spitale, shkolla industriale, instruktora etj., të cilat ngriheshin në Çelë nga Veprimi Katolik; prandaj këta shtrojshin që fashizmi në qarkun tonë të mos luftohej, si me ardhjen e tij, ashtu edhe më vonë kur luftohej në të gjithë Shqipërinë, ngaqë ishte bâ në masë mendimi për t'u koordinue se ishin katolikë duke mos mendue se ishte një okupacion.
Në pranverën e vitit 1943, në Dukagjin ka ardhur Pjetër Daragjati, i cili ka mbledhë bajraktarët e Shalës dhe të Shoshit për të mbledhë vullnetarë në ato bajraqe. Ai regjistroi një numër prej tre - katërqind vetash, tuj u caktue edhe rrogë, armatim etj., dhe i shpërndau nëpër shtëpijat e tyre dhe kur të shihej nevoja, me anën e bajraktarëve të tyre, të mblidheshin menjëherë. Pjetër Daragjati në këtë kohë nuk u ka folur për asnjë parti, përveç se u thoshte se duhet të organizohemi për qetësin e vendit dhe për kurrë kundra komunizmit. Në këtë kohë, bajraktarët vendosën që në të gjithë Dukagjinin të mos qaset brenda asnjë parti për të mos hy grindja në mes njëri-tjetrit.
Në shtator të vitit 1943, jam ulë në Shkodër e këtu jam takue me Padër Anton Harapin, i cili më tha se duhet të interesohesh me bajraktarët që t'u çelet rruga ballistave në Dukagjin. Kështu që kur u ktheva u mora vesh me to, por në këtë kohë ka ardhur edhe i biri i Sulço Begut me disa ballista në Cukal, i cili ka bisedue vetë me Lulash Gjeloshin. Pas bisedës u kthye i biri i Sulços, e mbas pak kohe Dukagjini filloj të shkruaj ballista në Shkodër. Kështu që u prish vendimi që kishte marrë Dukagjini për mos të qasur [forca] me përjashtim të partive që vazhdoj të mos i qasi deri në fund që erdhi me luftë.
Në korrik të vitit 1944, kam qenë në Tiranë e këtu kanë ardhur dy vetë prej Dukagjinit, Vat Gjoni e Mark Sadiku, të cilët m'u lutën për t'u nxjerrë municion nga gjermanët. Atëherë unë u mora vesh me Padër Anton Harapin, i cili më dha nji letër për komandën gjermane për të tërhequr njëzet arka me fishekë, nga të cilat nëntë do t'i merrte Lik Marashi dhe një e mora unë të cilën ua shpërndava fshatarëve të Kirit.
Unë kam punuar kundra Lëvizjes NÇ si individ, por punë të organizueme nuk kam bâ kurrë dhe nuk është e vërtetë se në Dukagjin jam dërgue me mision nga kleri për të organizue popullin kundra Lëvizjes NÇ.
Çlirimin e Shqipërisë kombëtarisht e kam pritë mirë, por si regjim e kam pritë keq, mbasi dihej se ishte një parti komuniste brenda.
Padër Gjon Shllaku më ka thënë në tetor të vitit 1945 se ka ardhur një autoritet i lartë nga Tirana, i cili ka folur për votimet e lira, prandaj duhet të formojmë Demokristianen. Unë në këtë rast i thashë mos u pengo me këtë punë dhe u ndamë e nuk biseduem asnjëherë, deri sa u arrestova.
Pak ditë para zgjedhjeve, ka ardhur Gjelosh Luli me një nga Tirana që s'ia di emrin. E lamë në Kuvend të Arrës së Madhe me u takue me mue. Ai më foli për Bashkimin Shqiptar e mandej më tregoi se e kanë zgjedhur kryetar të saj, si dhe një ose dy mbledhje që kishin bâ në Seminarin Jezuit me disa xhokojë si p.sh. me Mark Çunin, Gjon Shllakun etj. Mbas këtyre fjalëve i thashë se duhet të largohesh se do të të diktojë qeveria e do marrësh veten më qafë.
Me Gjenarin Topallin dhe Ndrek Kakariqin kam bisedue mbi Demokristianen në Shqipëri e që të përdoret për kundra zgjedhjevet. Atëherë unë u thashë se kjo nuk bëhet, por vetëm ideja duhet të vazhdoj, mbasi është e mirë.
Në tetor 1945 kam shkue tek ipeshkvi Monsinjor Thaçi ku kemi bisedue rreth Demokristianes, i cili nuk më dha pëlqimin as po dhe as jo.
Simbas mendimit t'em, Demokristiania është pjella e Veprimit Katolik, mbasi Veprimi Katolik s'mund të paraqitej haptas si parti politike prandej u formue Demokristiania.
I arratisuri Mark Mala më ka shkrue dy herë dhe unë i jam përgjigj letrave të tij. Letrat m'i ka dërgue në Shkodër me një djalë nga Dukagjini që nuk ia di emrin. Në letra më ankohej se ishte tuj hjekë keq, e mandej më pyeste në se kishte ndonjë lajm të ri. Në këtë rast, unë i kam shkrue rreth Konferencës së Paqes si dhe për atë të U.N.O.S. Mandej i kam shkrue që mos të dëshpërohet, se kush e di si sillet puna dhe e kam porositë të mos merrte në qafë popullin etj. I kam dërguar katërqind franga shqiptare, në Berat, mbasi këtu qëndronin në internim.
Me anën e malësorit që thashë më lartë, Markut i kam dërgue një pallto të madhe dhe as di t'i kem dhënë ndonjë ndihmë tjetër, si Markut ashtu dhe familjes së tij. Nuk është e vërtetë që unë t'i kam shkrue Markut që të qëndronte në mal dhe të organizonte shokë të tjerë, po ashtu nuk është e vërtetë t'u kam dërguar ndihma të arratisurve të tjerë, siç akuzohem.
Për lëvizjen e Postribës nuk kam ditë gjë përveç se, kur kanë ra pushkët, kam marrë vesh dhe as di të jetë organizue një punë e tillë mbas daljes në shesh të organizatës Bashkimi Shqiptar.
Nga Zhaneta kiri