Pedagogjia humaniste

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Jump to navigation Jump to search

Pedagogjia humaniste është një qëndrim dhe praktikë arsimore dhe edukative e cila i kushton rëndësi të madhe aspekteve të lirisë, vlerësimit, dinjitetit dhe integritetit të individëve. Pedagogjia humaniste i ka rrënjët e saj në pikëpamjet filozofike të periudhës së rilindjes (renesansës) të cilët theksuan studimin e shkencave humane: gramatika, retorika, historia, poezia dhe filozofia morale, të ngritura këto mbi modelet klasike të arsimit.[1] Themeli i teorisë pedagogjike humaniste është edukimi i njeriut si individ, duke përdorur interpretimet shkencor të përmbajtjes së mësimdhënies, me theks të veçantë në parimin e qartësisë dhe saktësisë, me shembuj nga natyra dhe jeta e përditshme.[2] Pedagogjia humaniste mbështetet mbi një traditë të vjetër mijëvjeçare, që nga kohët e lashta në karakteristikat evropiane duke kaluar nëpër shekullin XII e deri tek qasjet neohumaniste kah fundi i shekullit XIX dhe fillimi i shekullit XX.

Disa nga përfaqësuesit më të njohur të këtij drejtimi pedagogjik janë: Platoni (427–347 p.e.s.), Vitorino da Feltre (1378 - 1346), Erasmo Roterdami (1469–1536), Juan Luis Vives (1493 - 1540), François Rabelais (1494 - 1553), Jean-Jacques Rousseau (1712 - 1778), Johann Heinrich Pestalozzi (1746 - 1827), Rudolf Steiner (1861 - 1925), Maria Montesori (1870 - 1952), etj. [3] [4] [5] [6] Në zhvillimin e këtij drejtimi pedagogjik kontributin e tyre e kanë dhënë edhe personalitete shqiptare ose me origjinë shqiptare si p.sh. Jan Kukuzeli (1280 - 1370), Marin Barleti (1450 - 1512), Marin Beçikemi (1468 - 1526), Gjon Gazulli (1400 - 1465), Nikolla Leonik Tomeu (1456 - 1531), Mikel Maruli (1453 - 1500), Mihal Trivoli - Mihal Artioti (1455 - 1556), Gjon Muzaka (??- 1515),[7] Viktor Karpaçi (1455-1525), Dhimitër Frangu (1443 - 1525), Mark Bazaiti (1460-1530), Aleks Dyrrahu, Martin Segoni,[8] Elena Gjika,[9] etj.

Në vitet gjashtëdhjetë të shekullit XX u paraqitën lëvizje të ndryshme të pedagogjisë humaniste e neohumaniste si reagim ndaj sistemit arsimor autoritar. Të ashtuquajturat "Shkollat e lira" tërhoqën një vëmendje të konsiderueshme të publikut në atë kohë. Këtu mund të shihet një lidhje me "Shkollën e Konviktit Summerhill" në Angli themeluar nga Alexander Sutherland Neill në vitin 1921. Në përgjigje të kësaj lëvizjeje dhe qasjeve joadekuate shkencore, u krijua pedagogjia humaniste moderne (pedagogjia neohumaniste), duke adoptuar parimet themelore të saj nga pedagogjia humaniste e renesansës. Përfaqësuesit kryesor të këtij drejtimi në këtë kohë janë Carl Rogers, Charlotte Bühler, Abraham Maslow dhe Paul Goodman.

Qasja humaniste në procesin e arsimit është thellësisht e rrënjosur në kuptimin humanist të personalitetit. Çdo individ duhet të pranohet si një personalitet unik, sepse të gjithë njerëzit janë të mirë dhe kanë predispozitat e nevojshme për zhvillimin maksimal të personalitetit.[10] [11]

Shih edhe[redakto | përpunoni burim]

Referime[redakto | përpunoni burim]

  1. ^ Paul Oskar Kristeller, Renaissance Thought II: Papers on Humanism and the Arts (New York: Harper Torchbooks, 1965), p. 178.
  2. ^ Bushnell, Rebecca W. (1996). A Culture of Teaching: Early Modern Humanism in Theory and Practice. Cornell University Press.  978-0-8014-8356-1. 
  3. ^ Leon Zhlebnik: Histori e përgjithshme e shkollave dhe ideve pedagogjike. Prishtinë, 1964, fq. 42 - 46.
  4. ^ "The Waldorf Schools offer an approach to humanistic education which has stood the test of time." Sarah W. Foster, "An Introduction to Waldorf Education", The Clearing House, Vol. 57, No. 5 (Jan., 1984), pp. 228-230
  5. ^ Timothy Leonard, Pedagogies of the Imagination: Mythopoetic Curriculum in Educational Practice, Springer 2008, p. 232
  6. ^ R. C. S. Trahair, Utopias and Utopians: an historical dictionary, Greenwood Press, 1999, p. 348
  7. ^ Shefik Osmani: Fjalor i pedagogjisë. 8 Nëntori, Tiranë, 1983, fq. 353 - 354 dhe 505 - 507.
  8. ^ Jup Kastrati: Kontribut për historinë e arsimit shqip në Rrethin e Shkodrës, deri në vitin 1912. 100 vjetori i Shkollës Shqipe të Vashave në Prizren, Simpozium shkencor i mbajtur në Prishtinë më 13 nëntor 1992, Lidhja Demokratike e Kosovës, Prishtinë, 1993, fq. 54.
  9. ^ http://illyriapress.com/humanistet-tane-te-shekujve-xv-xvi-ne-drite-te-re/
  10. ^ Grendler, Paul F. (1991). Schooling in Renaissance Italy: Literacy and Learning, 1300-1600. Johns Hopkins University Press.  978-0-8018-4229-0. 
  11. ^ Turcu, Dionisie Vladimir (2015). "Humanists and pedagogues of the Renaissance, theoretician followers of physical education". Alma Mater University journal. 8 (2): 80–84. Marrë më 2018-10-01.