Shko te përmbajtja

Petro Zheji

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Petro Zheji
Lindi(1929-10-16)tetor 16, 1929
Gjirokastër, Shqipëri
Vdiq15 mars 2015 (85 vjeç)
Tiranë, Shqipëri
Profesionetpërkthyes, studiues, autor, pedagog
Veprat e njohuraShqipja dhe Sanskritishtja, Roli mesianik i Shqipes, Libri i Aforizmave
Bashkëshorti/jaBesa Imami
FëmijëArtur Zheji
Çmimet"Nderi i Kombit"

Petro Zheji (16 tetor 1929 - 14 Mars 2015)[1] ka qenë ndër plejadën e përkthyesve shqiptarë përgjatë regjimit komunist, mes Dhimitër Paskos, Jusuf Vrionit, Klio Evangjelit dhe Vedat Kokonës.[2] Ka qenë vëllai i vogël i pedagogut, studjuesit dhe njeriut të letrave Gjergj Zheji. Sipas Elsie-t përveçse përkthyes i admiruar i Aragonit, Asturiasit, Servantesit, Gonçarovit dhe Shashës, ai ka lënë dorëshkrim romanesh me temë të burgosur në spitalet psikiatrike në Shqipëri, një autobiografie dhe një monografie në gjuhën shqipe.[3]

Për kontributet e tij u nderua nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë me titullin "Nderi i Kombit" si dhe njëra nga bibliotekat e lagjeve të Tiranës mban emrin e tij.

Pas rënies së regjimit komunist, Zheji u mor me hulumtime vetjake duke kultivuar teori alternative gjuhësore. Rezultati i kësaj pune ishin veprat e tij për të provuar se si shqipja është «Roli mesianik i Shqipes»,[4] «Shqipja dhe Sanskritishtja[5] si dhe përmes "algoritmeve simbolike" si mjet për të kuptuar të menduarin mitologjik të shkencave humane.[6]

U lind në Gjirokastër, i biri Spiro Ballos (Zheji i Zagorisë, 1903 - Tiranë, 1989) dhe i Theodorës, gjirokastritë. Familja pati dy djem dhe tri vajza: Gjergji, Petro, Vera, Amalia dhe Liljana.[7] I ati pasi punoi në një hotel-restorant, bëri kërkesë dhe iu pranua që të ndiqte shkollimin ushtarak në Modena në vitet e monarkisë, u gradua më vonë si major me shërbim dhe jetesë në Tiranë. Në një bibliografi që pasqyron një libër që ka qenë i të atit të Petros, jepet grada dhe banesa, Ajutanti i Kumandës fuqisë Armate Tiranë. Ndë rrugë të Durrësit.[8] I ati u internua njëherë u burgos në Bari dhe më pas u internua në Gazzoldo degli Ippoliti. Nuk e përfilli thirrjen për t'iu bashkuar LNÇ, arsye për të cilën e burgosën te burgu i Selvisë shkurtimisht,[9] ia sekuestruan shtëpinë dhe e larguan nga Tirana drejt Zhejit, fshtatit të prejardhjes. Ndërsa i ati i tij, Kolo Ballo kishte qenë Kryetar i Këshillit Popullor të fshatit Zhej, si dhe anëtar i Këshillit Antifashist  Nacionalçlirimtar të krahinës së Zagorisë.[7]

Petrua studjoi për Matematikë-Fizikë në nivel dy vjeçar në Tiranë, mirëpo u diferencua për të bërë shërbimin e detyrueshëm ushtarak në Ersekë ku dhe u jepte mësim kuadrove matematikë dhe rusisht.[10] si dhe dha mësim në gjimnazin "Qemal Stafa",[11] dhe dikur më vonë në atë e Gjirokastrës. Punoi po ashtu si përkthyes me normë dhe redaktor pranë shtëpive botuese "8 nëntori" dhe "Naim Frashëri" në kryeqytet. U martua me aktoren gjakovare Besa Imami, martesë nga e cila më 1961 u lind djali i vetëm, Arturi.[10] Megjithë përndjekjen që rregjimi komunist u bëri besimeve fetare, Petro Zheji ndiqte në mënyrë të fshehtë ritet fetare të besimit të tij në një bashkësi të fshehtë të drejtuar nga Atë Kozma Qirjo, një nga priftërinjtë e paktë ortodoksë që vazhdonte të ushtronte riret fetare, në kundërshtim me ligjet e kohës, të cilat i ndalonin të gjitha format e praktikimit të fesë.[12] Pas 15 vjetësh martesë, Petro dhe Besa u ndanë.[10][13] Në nëntor 1990 emigroi në Romë me të birin dhe më pas u zhvendos drejt ShBA-së, ku u vendos në Detroit.[1] Me kthimin e tij vendoset në Tiranë, ku duke iu çmuar kontributi i tij në lëmijtë e përkthimit.[10]

Kur ndërroi jetë u nderua nga kryeministri, kryetari i parlamentit si dhe kryetari i bashkisë Tiranë.[6]

Botuesi i përkthimit të tij Jeta e Galileit e Brehtit, Mehmet Gëzhilli ka kumtuar se Zheji mund të ketë "13 mijë faqe përkthim të botuara". Përkthimi i tij i parë i botuar daton më 1958 dhe ka qenë vëllimi i parë i romanit Bruski të Fedor Panferov - përkthyer së bashku me të vëllanë, Gjergjin.[14] Titujt të tjerë të shquar qenë Vuajtjet e djaloshit Verter i Gëtes, Sojliu mendjemprehtë - Don Kishoti i Mançës i Servantesit, Nipi i Ramonit i Dideroit, Vilet e zemërimit i Stajnbekut, Njeriu i padukshëm i Uellsit; si dhe shumë e shumë tituj tjerë nga letërsia gjermane, spanjole, australiane, estoneze, rumune, ruse, kineze, nordike. Duke u radhitur me emrat e tjerë elitarë të përkthimit si Dhimitër Pasko, Klio Evangjeli, Jusuf Vrioni, Vedat Kokona, Gjon Shllaku, Pashk Gjeçi, etj.[10]

Përkthyesja amerikane e veprës Rrno vetëm për me tregue, Kathleen Schank, e ka falënderuar për ndihmën që i ka dhënë për prurjen në anglisht të dëshmisë së Atë Zef Pllumit.[15] Përpjekje kjo që Zheji e kishte ndërmarrë qysh në të gjallë të fratit.[16]

Zheji ishte autor i disa veprave studimore, njëri prej të cilëve me temë të burgosurit në spitalet psikiatrike në Shqipëri, një autobiografi dhe i një monografie mbi gjuhën shqipe.[1] Nga punimet e tij mbi shqipen kemi Shqipja dhe Sanskritishtja (në dy vëll.; 1996, rib. i rishikuar 2005, 2011), Libri i Aforizmave (2012) dhe Roli mesianik i shqipes (2015). Këto punime kanë frymëzuar edhe të tjerë që shpesh herë bien në një sërë teorish konspirative.[6]

Shumë rrallë të refuzuara nga politika, mediat dhe elita akademike shqiptare,[6] së fundmi gjuhëtari dhe shkrimtari Ardian Vehbiu i cilëson teoritë e Zhejit "jashtë diskursit linguistik", të pambështetura tek asnjë gjuhëtar tjetër, qoftë albanolog, komparativist apo indoeuropeist; por sipas tij teoritë kanë lidhje me misticizmin, simbolizmin mistik dhe filozofi alternative.[17]

  1. 1 2 3 Elsie, Robert (1997) [1995]. Histori e letërsisë shqiptare [History of Albanian Literature] (PDF). Përkthyer nga Myftiu, Abdurrahim. Pejë: Dukagjini. fq. 287.
  2. "Ndërron jetë në moshën 85 vjeçare studiuesi Petro Zheji". cna.al. 15 mars 2015.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)
  3. Elsie, Robert (1994). Një fund dhe një fillim - Vëzhgime mbi letërsinë dhe kulturën shqiptare bashkëkohore. Globus R. fq. 8.
  4. Endresen, Cecile (2018). "A Fantastic People and Its Enemies: An Analysis of an Emerging Albanian Mythology". Handbook Of Conspiracy Theory And Contemporary Religion (në anglisht). Brill. fq. 334. ISBN 9789004382022.
  5. Andresen, Cecilie (2021). ""Mystical and Mythical Thinking": Myth-Making as a Compensatory Mechanism". Remitting, Restoring and Building Contemporary Albania (në anglisht). Palgrave Macmillan. fq. 219.
  6. 1 2 3 4 Endresen, Cecilie (2020). "Yoga, Meditation, and Guru Movements in Albania". Handbook of Hinduism in Europe (në anglisht). Brill. fq. 799. ISBN 9789004432284.
  7. 1 2 Kapetani, Kiço (11 shkurt 2020). "Petro Zheji, përkthyesi i pashoq". gazetadita.al. Arkivuar nga origjinali më 25 gusht 2023. Marrë më 25 gusht 2023.
  8. Vozga, Ramazan (2010). Libri shqip 1555-1912 në fondet e Bibliotekës Kombëtare (PDF). Tiranë: Biblioteka Kombëtare. fq. 318. ISBN 978-99927-731-7-8. Togger Spiro Zheji, Ajutanti i Kumandës fuqisë Armate Tiranë. Ndë rrugë të Durrësit. Shtëpija e tij mbë krahë të shtëpisë Kristo Luarasit.
  9. Qafëzezi, Robert (12 mars 2013). "Persekutimi i Petro Zhejit në Tiranën e diktaturës". voal-online.ch.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)
  10. 1 2 3 4 5 Çipi, Luan. "Si e njoha unë Petro Zhejin?". fjalaelire.com.
  11. Këlliçi, Skifter (2022) [2012]. ""Don Kishoti" i Petro Zhejit, pasurim i mëtejshëm i gjuhës shqipe". botasot.info.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)
  12. Llukani, Andrea (2020). Mitropolia e Korçës (PDF). Tiranë. fq. 37.{{cite book}}: Mirëmbajtja CS1: Mungon shtëpia botuese te vendodhja (lidhja)
  13. Imami, Besa (3 gusht 2008). "Si po e pres 80 vjetorin tim të lindjes". Panorama (2099). Intervistuar nga Arlinda Canaj: 18–19. Marrë më 10 shtator 2023.{{cite journal}}: Mirëmbajtja CS1: Shërbim arkivimi i vjetruar (lidhja)
  14. Demo, Elsa (24 nëntor 2008). "Galilei i Petro Zhejit". Shekulli. Arkivuar nga origjinali më 17 gusht 2023. Marrë më 17 gusht 2023.
  15. Schank, Kathleen (24 gusht 2008). "Ç'na mëson miku ynë, at Zefi". Shekulli (2387). Intervistuar nga Elsa Demo: 11.
  16. Demo, Elsa (27 shtator 2007). "Kurrgjë më shumë se liria: [intervista e fundit e At Zef Pllumit]". Shekulli (2061): 14–15.
  17. Vehbiu, Ardian (17 gusht 2023). "Ta flasësh mirë dijen". Peizazhe të fjalës.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)