Piro Xëci

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Piro Xëci aktor shqiptar, lindi në Pogradec në vitin 1927. Që në moshë të re, bien ndër sy prirjet e tij artisitke. Mbas çlirimit të vendit, tek të rinjtë fillon një lëvizje e gjerë amatore artistike dhe sportive. Në qytet u ngritën grupet teatrale ku Piroja filloi të merrte pjesë duke kontribuar në përgatitjen e skenave, por edhe si figurant. Duke parë aftësitë e tij si interpretues, u dërgua në një kurs afatgjatë pranë Teatrit Popullor për regjizurë të trupave animatore, ku dhe diplomohet në vitin 1948. Dëshira dhe pasioni për aktrim ishte ende tek Pirua ndaj ai fillon dhe aktivizohet edhe si aktor pranë Teatrit Amator të qytetit. Në vitin 1962 formohet Estrada Profesioniste e Pogradecit ku Piro Xëci do të ishte regjisori i saj. Estrada e qytetit për shumë vite do të kishte emër në gjithë vendit duke marrë çmime dhe vlerësime maksimale. Një meritë dhe kontribut shumë të rëndësishëm Piro Xëci ka edhe në ngritjen e Teatrit të Kukullave ne Pogradec. Ndonëse kishte angazhimet e tij në estradë dhe teatër, Pirua kishte edhe pasionin e kukullave. Në vitin 1952 në Pogradec një grup i vogël i artit skenik, krijojnë bërthamën e Teatrit të Kukullave. Piroja ishte regjisori, aktori, skenografi dhe krijuesi i kukullave duke patur sukses jo vetëm në qytet por edhe jashtë tij. Në vitet 1970 Ministria e Arsimit vendos që Teatri i Kukullave të Pogradecit të krijohet si institucion me vete dhe për këtë emëron regjizor Piro Xëcin, i cili ishte njëkohësisht, skenografi, krijuesi i kukullave dhe shpesh herë libretisti i tij. Piroja qëndroi në Teatrin e Kukullave deri kur doli në pension por u angazhua edhe më pas. Për meritat dhe kontributin e tij, mban titullin “Artist i merituar” si dhe është dekoruar disa herë duke u shpallur edhe “Qytetar Nderi”. Piro Xëcin e kemi parë të angazhuar edhe në disa filma artistike si “Kur xhirohej një film”, “Pas Vdekjes”, etj. Sot, Teatri i Kukullave në qytetin e Pogradecit mban emrin e nderuar të Piro Xëcit. [1] [2]


Referime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  1. ^ "Kopje e arkivuar". Arkivuar nga origjinali më 1 qershor 2019. Marrë më 15 tetor 2020. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)Mirëmbajtja CS1: Archived copy si titull (lidhja)
  2. ^ https://aktoretshqiptare.info/2018/03/26/ne-kujtim-te-aktorit-dhe-regjisorit-pogradecar-piro-xeci-video-nga-aktoret-shqiptare/[lidhje e vdekur]