Plazhi i Jalës

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Plazhi i Jalës
Plazhi i Jalës
Plazhi i Jalës

Plazhi i Jalës ose Plazhi i Jalit është një plazh i cili ndodhet në Gjirin e Jalit, pak minuta nga fshati Vuno, një nga vendet më të bukura dhe të veçanta për ujin, rërën, klimën dhe jodin e detit. Një parajsë natyrore e vizatuar si nga dora e njeriut, paraqet karakteristika shumë të dobishme për shëndetin. Nëse keni vizituar Dhërmiun, Himarën apo plazhe të tjera të bregdetin Jonian mos humbi mundësinë për të parë qoftë edhe për pak orë këtë plazh të Vunoit. [1] [2]

Gjeografia[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Sipas shënimeve nga revista "Shqip" rruga e re që është bërë një vit më parë e bën mbërritjen edhe më tërheqse nga peizazhi mahnitës që shikon. Gabimisht i thona "Jala" në zhargonin e përditshëm, por në të vërtetë e ka JALI.Nuk të mbetet asgjë tjetër, pasi ke kaluar pesë kilometrat e rrugës tashmë të asfaltuar, kur para teje shfaqet gjiri i magjishëm, veçse të mrekullohesh. Çdokush prej jush që e ka prekur një herë atmosferën e këtij plazhi, e ka pasur të pamundur të mos mendojë për të sapo troket vera.

Turizmi[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Gjiri i Jalit; Vuno Gjiri i Jalit; Vunoi Është e habitshme, tërheqja e këtij vendi kur dihet se aty nuk ka ndër të tjera, as infrastrukturë të zhvilluar hotelesh, siç ofrohet për shembull në Dhërmi, e megjithatë, forca e bukurisë së gjirit ka rolin e magnetit, ajo vetëm tërheq, dhe ju do të ktheheni këtu vit pas viti, pa shpëtim.

Përshkrimi[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Vunoi Jali, është një nga plazhet më të bukur të të gjithë bregdetit jonian, i strukur thellë, mes kodrinave me ullinj e me shtëpitë e bukura të Vunoit mbi kokë, gjelbërimit të përhershëm të shkurreve, i rrethuar me shkëmbinj të lartë, që krijojnë gjire të vegjël e të mahnitshëm, tepër joshës për të rinjtë dhe adhuruesit e vetmisë dyshe.Ngjyrat e papërsëritshme të ujit, që thyejnë kontraste smeraldi, bluje të thellë, portokallije të ndezur në perëndim, janë një spektakël i vërtetë, para të cilit edhe vetullngrysuri më i pandjeshëm do të dorëzohej.Plazhi ndodhet rreth pesë kilometra larg nga rruga kombëtare Vlorë - Sarandë , në dalje të fshatit Vuno.Me të kaluar kanionin e Gjipesë ju do të hasni bokërrimat e Vunoit, monument natyror, të krijuara nga gërryerja e shtresave të tokës nga ujrat sipërfaqësore të cilat kanë krijuar kanale gjigante, buzët e të cilëve ngrihen pothuajse pingul për t’u bashkuar me majat e mbuluara me shkurre të dendura. Ky është treguesi i parë që tregon se jeni afruar në Jal.Plazhi i Jalit, është një nga atraksionet kryesore të të gjithë krahinës, falë peisazhit mahnitës, plazheve të pastra me rërë të bardhë dhe ujrave të kristalta. Famën dhe emrin Jali e krijoi që kur u zgjodh nga elita ushtarake gjatë viteve 70-të, për t’u ndërtuar qendra e pushimeve për ushtarakët, e cila vazhdon të funksionojë edhe sot si e tillë.Bukuria e gjirit do t’ju bëjë për vete që lart në kodër, vend i cili i bën të gjithë të ndalojnë për të shkrepur foto. Kjo është edhe arsyeja se pse në internet fotot më popullore të Jalit, janë pikërisht ato të gjirit nga maja e kodrës.

Pritja[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Jali është zgjedhur që në fillim prej pothuaj të gjithë adhuruesve të natyrës e të aventurës, si një vend i përshtatshëm për kampingje. Që në fillimet e viteve 2000, kur frekuentimi i pushimeve po bëhej masiv, vizitorët e parë kishin zbritur në Jal dhe kishin ngulur çadrat e tyre.Sot aty janë ngritur pjesa më e madhe e kampingjeve të bregdetit. Të strehuar nën ullishte, por edhe fare pranë detit, aventurierët, por edhe shumë familjarë që nuk duan të shpenzojnë për pushime luksoze, gjejnë një parajsë të vogël në Jal, ku çdo gjë është në harmoni me natyrën.Sepse në fakt, shumë në harmoni me natyrën janë edhe ata që e duan atë. Ened Mato, është një prej nismëtarëve të grupit Ekolëvizja, bashkë me të atin, të mirënjohurin Xhemal Mato. Të dy atë e bir, secili më vete, kanë bërë përpjekje serioze për të ndërtuar vendpushime që nuk ndotin ambientin.Nëse babai, me shpenzime kolosale që shpeshherë shkojnë edhe prej të ardhurave personale, ka ngritur në Porto Palermo, një kompleks pushimi që furnizohet me energji diellore, Enedi, përveç nismës me biçikletat Ecovolis, ka ngritur në Jal një strukturë kampingu krejtësisht të intonuar me natyrën.Eco Camping, është kthyer tashmë në qendrën e argëtimit të të rinjve, dhe jo vetëm atyre, duke ofruar çdo shërbim që ka të bëjë me argëtimin. Akomodim, kuzhinë e mirë, produkte të freskëta, shëtitje në natyrë, ture përgjatë bregdetit … [3]

Shih edhe[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Referime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Një kategori në Wikimedia Commons përmban dokumente multimediale për Plazhi i Jalës.
  1. ^ Lafe, Emil, red. (2008). "Fjalor enciklopedik shqiptar". (Encyclopedic Dictionary of Albania). Vëll. 2. Tiranë: Akademia e Shkencave e Shqipërisë. fq. 1061. ISBN 9789995610272. OCLC 426069353.
  2. ^ Lafe, Emil, red. (2009). "Fjalor enciklopedik shqiptar". (Encyclopedic Dictionary of Albania). Vëll. 3. Tiranë: Akademia e Shkencave e Shqipërisë. fq. 2038. ISBN 9789995610326. OCLC 426069353.
  3. ^ "The best beaches in Albania, Jala and Gjipe. (Albanian Riviera), Part 2". www.adventurous-travels.com (në anglisht). Marrë më 6 qershor 2020.