Shko te përmbajtja

Plisi (lashtësi)

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Plisa të ndryshëm të antikitetit

Plisi, i interpretuar gabimisht si ekuivalent i fjalës qeleshe (një kësulë e bardhë prej shajaku), në lashtësi nuk nënkuptonte domosdoshmërisht këtë, por ka kuptimin e çdo lloj kësule apo rrobe të përbërë prej shajaku (stof leshi i trashë dhe i ngjeshur [1]), dhe një kësulë e përbërë nga plisi mund të kishte forma dhe ngjyra të ndryshme. Nuk duhet ngatërruar plisi kësulë me plisin e dheut që ngre plugu kur çan tokën; copë e tillë dheu me bar, e prerë me bel a me ndonjë mjet tjetër.

Në lashtësi plisi përdorej nga popuj të ndryshëm dhe kësula me përbërje të tillë kishin forma të ndryshme: gjysmë-veze, të shtypur, me maje, plisi frigjian etj. Te shqiptarët forma vezake e kësules me plis (shajak) paraqitet më shumë në 200 vitet e fundit, dhe mbahej kryesisht nga zona e Kosovës dhe Malsisë. Forma me maje paraqitet në zonën e Gjirokastër dhe krahinat përreth, ndërsa forma e shtypur më tepër në Shqipërinë e Mesme dhe lindore.

Deri vonë shqiptarët e veriut, veçanërisht zona e Kosovës, e shoqëronin atë me çallmë ose një shami të lidhur përreth kokës. Deri në vitet 1600, shqiptarët mbanin një kësulë që te francezët njihej si "Capelet" (kësulë apo kapele e gjatë). [2]

Gjatë regjimit komunist, kësula me plis të bardhë tek të rinjtë u eleminua krejtësisht dhe përdorej vetëm nga mosha e vjetër. Sot vazhdon të përdoret si pjesë e kostumit kombëtar gjatë festave kombëtare, koncerteve dhe festivaleve folklorike.

Autori Edward Lear me pikturat e tij për shqiptarët e shekullit XIX tregon se shqiptarët nuk mbanin vetëm plis të bardhë si kësulë tradicionale, por mbanin gjithashtu edhe kësulë të kuqe.[3] Kjo lloj kësule shfaqet tek të gjithë arvanitasit.

Statuja në malin Nemrut, Kurdistan
Odiseu, i njohur te romakët si Uliksi, i paraqitur me një kësulë në formë plisi.

Plisi përmendet nga autorët e lashtë grekë e latinë, jo vetëm në formën e kësulës, por edhe të një mbulese, shtrese apo rrobe tjetër, dhe nuk paraqitet masivisht te helenët. Në Greqinë e lashtë thuhet se e mbanin më shumë peshkatarët, marinarët dhe barinjtë.

Në mitologjinë greke, gjejmë gjithashtu disa figura me kësula të interpretuara si plis i bardhë, por ato janë shumë të pakta: Hefesti, Odiseu, binjakët Dioskuroi (Kastori dhe Poluksi) dhe motra e tyre Helena (e Trojës), megjithëse për këta të fundit thuhet se nuk kanë plis. Sipas mitologjisë, ato mbajnë në kokë lëvozhgën e vezës nga e cila dolën[4]. Nëna e tyre Leda u çiftua me Zeusin, kur ai mori formën e mjellmës, dhe prej kësaj marrëdhënieje ajo lindi dy vezë nga e cila dolën këta personazhe. Dioskuroi ka kuptimin "djemtë e Zeusit".

Gjithashtu edhe kësula e Odiseut (Uliksit) shpesh interpretohet gabimisht si plis, për shkak të formës. Në disa piktura ai duket se ka tjetër përbërje. Gjithsesi, Odiseu me këtë kësulë nuk përfaqëson popullin e tij, por shpesh ky stil veshjeje bëhet për ta dalluar atë nga personazhet e tjera mitologjike. Secili personazh ka diçka specifike që të dallohet nga tjetri. Shpesh herë edhe ushtarët grekë me helmeta bronzi interpretohen sikur kanë plis kur helmetat kanë formë të tillë gjysmë-vezake. Autorët e lashtë grek nuk i japin asnjë simbolikë të veçantë.

lagje turke në Kretë ku banorët shfaqen me plis

Në Romën e lashtë plisi përdorej nga skllevërit kur fitonin lirinë. Madje një monedhë që përkujton vrasjen e Jul Cesarit (në Idet e Marsit), paraqet dy thika me një plis në mes,[5] që ka kuptimin e çlirimit nga tirania. Plisi si qeleshe paraqitet gjithashtu në një statujë të Ertugrul Ghazit, babait të Osmanit, kur ishte fëmijë, i cili thuhet se ka vdekur në vitin 1280. [6]Në Turqinë e sotme përdoret ende, veçanërisht në zonën e Kurdistanit, te një fis që quhet Barak. Gjithashtu plisi-qeleshe paraqitet ende edhe te banorët e Lorestanit në Iran[7].

Nuk ka të dhëna bindëse nëse plisi si qeleshe e bardhë përdorej para pushtimit osman në Shqipëri, edhe pse disa disa autorë janë përpjekur ta bëjnë element të pranishëm te ilirët. Gjithsesi ilirët nuk e përdornin në formën e gjysmë-vezës apo të bardhë (shikoni imazhin në fund). Gjatë sundimit osman plisi formë qelesheje përdorej më shumë nga shtresat e varfra; të pasurit dhe intelektualët përdornin më shumë fezin turk. Me sa duket nga pikturat më të hershme të shqiptarëve, as arvanitasit apo arbëreshët nuk e përdornin plisin e bardhë. Nuk paraqitet as te Skënderbeu, Ali Pasha, Ismail Qemali, etj. Madje edhe figura e Lekë Dukagjinit është pikturë moderne imagjinare e krijuar nga autori i saj Simon Rrota.

Në librin "Veshjet shqiptare ndër shekuj", akademikja Andromaqi Gjergji nuk e paraqet plisin e bardhë si traditë të hershme por shqiptarët e mesjetës i përshkruan më shumë me kësulën e kuqe (të ngjashme me atë arvanitase) dhe me fustanella.[8]

Nga ana etimologjike fjala plis është një fjalë që ka hyrë te shqiptarët nëpërmjet latinishtes apo italishtes venedikase. Vetë forma latine pilus, pileus apo ajo greke pileo (Πιλέω), pilos (πῖλος) rrjedhin nga rrënja indoeuropiane pilo që ka kuptimin e leshit. Prej fjalës latine pilus, vjen dhe fjala capillus (flokë). Këto fjalë latine në italishte janë bërë peli (qime) dhe cappelli (flokë, leshi i kokës). Prej të njëjtës rrënjë vijnë dhe fjalët pellush apo peliçe.[9]

Frang Bardhi emrin latin Pileus e përkthen thjesht "kësulë" në fjalorin e tij latinisht-shqip të 1635.[10]

Interpretuesit nacionalistë thonë që plisi ka kuptimin e vezës kozmike. Kjo nuk është e vërtetë sepse plisat paraqiten edhe në formë të shtypur, me maje, me ngjyrë tjetër. Autorë si Aleksander Stipçeviq kanë thënë se plisi ekzistonte edhe te ilirët. Në fakt ai i referohej plisit panonik që kishte formë tjetër. Shikoni imazhin më poshtë.[11]

  1. Herodoti. Historitë, 4.23.
  2. Pëllumb, Xhufi, Fotaq Andrea (Akademia e Shkencave të Shqipërisë). "Studia Albanica" (PDF). Akademia e Shkencave të Shqipërisë (në Frengjisht): 40–60. {{cite journal}}: Shiko vlerat e datave në: |date= (Ndihmë!)Mirëmbajtja CS1: Gjuhë e panjohur (lidhja)
  3. Lear, Edward (1848). "Albania in Painting" (në anglisht).
  4. Dioskuri. "Leda". https://www.greekmythology.com/ (në anglisht). Arkivuar nga origjinali më 17 qershor 2025. Marrë më 21 gusht 2025. {{cite web}}: Lidhje e jashtme në |website= (Ndihmë!)Mirëmbajtja CS1: BOT: Gjendja e adresës origjinale është e panjohur (lidhja)
  5. "Ides of March coin". Coloseo collection (në anglisht).
  6. "Tarihte Hayme Ana kimdir? Hayme Ana gerçekte ne zaman ölmüştür?" (në turqisht).
  7. Plisi qeleshe. "Lorestan pileus".
  8. Gjergji, Andromaqi. Veshjet shqiptare ndër shekuj. Akademia e Shkencave.
  9. "Origjina lindore e plisit".
  10. Bardhi, Frang (1635). Fjalor latinisht-shqip (në latinisht). Itali.
  11. Brixia Argyopennos, and Radeswinth Altdorfer (2021). "Pileus Pannonicus" (PDF).