Policia e Rendit (Shqipëri)

Policia e Rendit është një nga strukturat kryesore operacionale të Policisë së Shqipërisë, e ngarkuar me ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Ajo përbën shtyllën bazë të shërbimeve të uniformuara të policisë dhe vepron në bazë të Kushtetutës, ligjeve përkatëse dhe akteve nënligjore në fuqi.[1]
Policia e Rendit është pjesë e Drejtorisë së Përgjithshme, dhe organizohet në nivel qëndror, rajonal dhe vendor. Në çdo qark funksionon një drejtori rajonale e policisë, nën të cilën ndodhen komisariatet e policisë, që kanë seksione të posaçme për rendin publik.
Efektivët e saj janë të pajisur me uniforma standarde, pajisje personale, automjete dhe mjete të tjera logjistike që u mundësojnë përmbushjen e detyrave.
Historiku
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Në fillimet e shtetit shqiptar e deri në fund të vitit 1944 organi kryesor i ruajtjes së rendit ishte xhandarmëria. Krahas saj ka funksionuar jo rregullisht edhe Policia, e cila më tepër kishte detyra administrative dhe gjurmuese.
Pak javë pasi ishte shpallur shteti shqiptar nga Kuvendi i Vlorës, më 13 janar 1913, qeveria e Ismail Qemalit vendosi krijimin e forcave të rendit dhe ngarkoi Halim Gostivarin si drejtor të parë të Policisë, e cila ndihmonte xhandarmërinë me funksionet e saj administrative. Për nevoja të qeverisë, hynë në këtë shërbim rreth 70 oficerë të larguar nga ish-ushtria perandorake.
Deri në mbarim të Luftës së Dytë Botërore, rendi publik ruhej nga xhandarmëria, ndërsa pas përfundimit të saj de gjatë regjimit komunist, Policia u organizua në formën e një force policore popullore.[2]
Pas vitit 1990
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Më 30 korrik 1991 Kuvendi Popullor miratoi ligjin nr.7504 “Mbi policinë e rendit”. Ky ishte hapi i parë drejt shkëputjes nga tradita e Policisë Popullore. Sipas këtij ligji Policia e rendit u organizua si strukturë ekzekutive e armatosur, pjesë përbërëse e Ministrisë së Rendit Publik. Detyrë kryesore përcaktohej ruajtja e rendin publik, parandalimi e zbulimi i veprimtarive kriminale që cenonin të drejtat e ligjshme të individëve dhe të mbronte pronën shtetërore e private dhe interesat e organizatave ekonomike, politike e shoqërore nga veprimet e kundërligjshme.[2]
Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave nr.548, datë 29 dhjetor 1992, data 13 janar 1913 u caktua Dita e Krijimit të Forcave të Ruajtjes së Rendit.
Pas trazirave të vitit 1997, forca policore u reformua sërish me miratimin e ligjit “Për Policinë e Shtetit” nr.8553, datë 25 nëntor 1999.
Sipas këtij ligji Policia e Shtetit është institucion i administratës shtetërore të Republikës së Shqipërisë, në varësi të Ministrisë së Brendshme, që ka për mision të mbrojë rendin dhe sigurinë publike, si dhe të garantojë zbatimin e ligjit.
Organizimi
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Policia e Rendit është një ndër strukturat më të hershme të Policisë së Shqipërisë, e formuar menjëherë pas krijimit të institucioneve të para shtetërore shqiptare. Ajo ka kaluar nëpër disa faza organizimi dhe reformimi, në përputhje me zhvillimet politike, shoqërore dhe ligjore të vendit. Pas viteve '90, me kalimin nga një sistem totalitar në një demokraci pluraliste, struktura dhe funksionet e policisë së rendit janë përmirësuar ndjeshëm me mbështetje të gjerë nga partnerë ndërkombëtarë.
Shiko edhe
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Referime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- ↑ "Policia e Shtetit" (në anglishte amerikane). 2025-07-30. Marrë më 2025-07-31.
- 1 2 "Historiku i Policisë së Shtetit". www.panorama.com.al. 2025-08-13. Marrë më 2025-08-15.