Prodhimi i ferrokromit në Shqipëri

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Prodhimi i ferrokromit në Shqipëri ka filluar në vitin 1979 në Uzinën e Ferrokromit në Burrel. Më 1982 ky prodhim ishte rritur afro 2 herë, duke plotësuar nevojat e vendit me ferrokrom për prodhimin e çelikut dhe gizës dhe një pjesë e madhe e ferrokromit eksportohej. Për sqarim lexuesve ferrokromi është lidhje metalike e hekurit me krom, që përdoret kryesisht si ndërmjetës për të shtuar krom në përbërjen e çeliqeve dhe gizave të leguara, me qëllim që të përmirësohen vetitë e tyre mekanike. Përmban 60-70% krom, si dhe sasi të pakëta elementesh të tjera si karbon (0.03-10%), fosfor (0.06-0.1%), silicium (1-5%), squfur (deri 0.04%), pjesa mbetëse është hekur. Prodhohet nga reduktimi i drejtpërdrejtë i xeherorëve të kromit (kromit, magnokromit) me kok, në prani të silicës, në furra elektrike me hark, që ngarkohen nga sipër.