Shko te përmbajtja

Protestat në Zvërnec, 2026

Protestat e Zvërnecit
Revolucioni i Flamingove
DatëMaj 2026 – në vazhdim
vendndodhjen
40°30′55″N 19°25′01″E / 40.51528°N 19.41694°E / 40.51528; 19.41694
shkaktuar nga
  • Kundërshtimi i një projekti të propozuar zhvillimi turistik në zonën e Portonovos
  • Shqetësime mjedisore
  • Mosmarrëveshje mbi pronësinë e tokës
qëllimet
  • Dorëheqje e qeverisë Rama
  • Pezullimi i aktiviteteve të ndërtimit
  • Rishikimi i procedurave të planifikimit, mjedisit dhe pronësisë
metodat
  • Demonstrata
  • Tubime publike
  • Bllokime rrugësh
StatusiNë vazhdim
partive

Protestuesit

  • Banorë të Zvërnecit dhe Nartës
  • Aktivistë mjedisorë
  • Organizata të shoqërisë civile

Mbështetësit e projektit

  • Zvërnec South Adriatic Development
  • Personel i sigurisë private
figurat kryesore
Udhëheqje e decentralizuar
viktimat
Arrestuar15 protestues nën procedim penal; 2 punonjës të sigurisë private nën hetim

Protestat e Zvërnecit quajtur ndryshe dhe si Revolucioni i Flamingove janë një seri demonstratash që filluan në maj 2026 në fshatrat Zvërnec dhe Nartë, në Qarkun Vlorë, Shqipëri dhe që prej 31 majit u zgjeruan në Tiranë. Protestat filluan nga banorë vendas, aktivistë mjedisorë dhe organizata të shoqërisë civile në kundërshtim të një projekti të propozuar zhvillimi turistik në zonën e Portonovos,[1] dhe mëpastaj evoluan me thirrje për dorëheqje të kryeministrit Rama dhe qeverisë.[2]

Ngjarja nxiti reagime nga autoritetet shqiptare dhe debat publik mbi projektin dhe menaxhimin e protestave.

Protestat pasuan njoftimin e planeve për një projekt zhvillimi turistik në zonën e Portonovos nga kompania Zvërnec South Adriatic Development.[3]

Sipas raportimeve të mediave shqiptare, projekti i propozuar do të shtrihej në rreth 2.6 milionë metra katrorë dhe do të përfshinte infrastrukturë turistike në zonën bregdetare pranë Zvërnecit dhe Nartës.[4]

Projekti u bë objekt debati publik. Kundërshtarët, përfshirë banorët vendas dhe organizatat mjedisore, shprehën shqetësime lidhur me ndikimin e mundshëm në mjedis dhe ngritën pikëpyetje mbi pronësinë e tokës në zonën e projektit.[1] Përfaqësuesit e projektit deklaruan se zhvillimi po ndiqej në përputhje me legjislacionin shqiptar dhe procedurat përkatëse të planifikimit.[3]

Më 30 maj 2026, demonstruesit u mblodhën pranë zonës së projektit në Portonovo. Gjatë protestës, nën sytë e policisë së shtetit, ndodhën përplasje ndërmjet protestuesve dhe personelit të sigurisë private të pranishëm në vendngjarje.[5]

Video dhe fotografi të publikuara nga mediat shqiptare treguan përleshje fizike dhe përdorimin e sprajit djegës gjatë incidentit.[1][5] Pas ngjarjes, autoritetet shqiptare njoftuan nisjen e hetimeve mbi sjelljen e personave të përfshirë.

Policia e Shtetit

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Pas incidentit, Policia e Shtetit njoftoi nisjen e hetimeve mbi ngjarjet në vendin e protestës. Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit pezulloi më pas Drejtorin e Policisë së Vlorës, duke deklaruar se informacioni i publikuar fillimisht mbi ngjarjen kishte qenë i pasaktë.[1]

Autoritetet policore njoftuan gjithashtu procedim penal ndaj 15 protestuesve, ndërsa dy punonjës të sigurisë private u vunë nën hetim.[1]

Qeveria dhe zhvilluesit

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Kryeministri Edi Rama deklaroi se toka e përfshirë në projekt ishte fituar ligjërisht nga pronarë privatë dhe hodhi poshtë pretendimet për transferim të paligjshëm të pronës publike.[6]

Në një deklaratë publike, zhvilluesi i projektit theksoi se ai po zbatohej në përputhje me legjislacionin shqiptar dhe procedurat përkatëse të planifikimit.[3]

Reagimet ndërkombëtare

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri kërkoi informacion nga autoritetet shqiptare mbi zhvillimet në zonë. Përfaqësues të delegacionit theksuan rëndësinë e mbrojtjes së mjedisit dhe respektimit të standardeve të ruajtjes së natyrës në kuadër të procesit të integrimit evropian të Shqipërisë.[4]

  1. 1 2 3 4 5 Karaj, Vladimir (30 maj 2026). ""Në spital pështynte gjak": Përplasje në Zvërnec gjatë protestës kundër resortit në zonë të mbrojtur". Reporter.al. Marrë më 31 maj 2026.
  2. Manjani, Klodi (2026-06-03). ""Resignation", "Rama in prison, Berisha in prison", "Opposition sold out" - Thousands of citizens gather in front of the Prime Minister's Office". Hashtag.al (në anglisht). Marrë më 2026-06-06.
  3. 1 2 3 "Kompania e projektit në Zvërnec reagon pas protestave: Investim mbi 4 miliardë euro, do hapen 10 mijë vende pune! Trualli është pronësi private". Panorama. 31 maj 2026. Marrë më 31 maj 2026.
  4. 1 2 "Debati për Zvërnecin, 2.6 milionë m² ndërtim pa leje mjedisore, Rama: S'po falim gjë, është pronë private". Faktoje.al. 29 maj 2026. Marrë më 31 maj 2026.
  5. 1 2 "Një i arrestuar/ Kush janë rojet e "Major Security" që dhunuan protestuesit në Zvërnec, hetim zinxhirit drejtues të policisë". Boldnews.al. 31 maj 2026. Marrë më 31 maj 2026.
  6. "Zvernec Investment, on Private Property; PM". Albanian Daily News (në anglisht). 30 maj 2026. Marrë më 31 maj 2026.