Psikologjia pedagogjike

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Jump to navigation Jump to search

Psikologjia pedagogjike është një disiplinë e psikologjisë e cila merret me studimin e aspekteve psikologjike të edukatës dhe arsimit. [1] [2] Në kuptim të ngushtë psikologjia pedagogjike merret me studimin e natyrës së të mësuarit të njeriut dhe me ndryshimin progresiv të tij, përkatësisht me ndryshimin e qëndrueshëm dhe progresiv të sjelljeve dhe të veprimtarisë së njeriut nën ndikimin sistematik të procesit të të mësuarit. [3] [4]

Historiku[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Ndonëse psikologjia pedagogjike është një fushë mjaft e re e studimit shkencor fillet e saj vërehen qysh në antikitet. Edhe pse asokohe ajo nuk ishte identifikuar si një praktikë specifike, me disa nga problemet aktuale të saj janë marrë Platoni dhe Aristoteli. Mes tjerash ata i trajtuan dallimet individuale në fushën e të nxënit, stërvitjet fizike trupore dhe kultivimin e aftësive psiko-motorike, formimin e karakterit të mirë, mundësitë dhe kufijtë e edukimit moral. Disa tema të tjera arsimore për të cilat folën ata ishin efektet e muzikës, poezisë dhe arteve të tjera në zhvillimin e individual, rolin e mësuesit dhe marrëdhëniet mes mësuesit dhe nxënësit. Platoni e shihte diturinë si një aftësi të lindur, e cila evoluon nëpërmjet përvojës dhe të kuptuarit të botës. Aristoteli vërejti fenomenin e "asociacioneve". Katër ligjet e tij të asocimit përfshinin vazhdimësinë, kontinuitetin, ngjashmërinë dhe kontrastin.

Më vonë, zhvillimit të psikologjisë pedagogjike i kontriboi edhe John Locke i cili ndryshe quhet edhe "Babai i psikologjisë angleze" (Father of English Psychology). Xhon Lloku konsiderohet themelues i doktrinës asociacioniste. Sipas tij shpirti i njeriut është "Tabulae rasae" (Tabelë e zbrazët) duke shtuar se "Asgjë nuk është në intelekt pa qenë më parë në shqisa." [5] Pedagogët dhe filozofët e mëvonshëm të arsimit si Juan Luis Vives, Johann Heinrich Pestalozzi, Friedrich Fröbeli dhe Johann Friedrich Herbarti kishin shqyrtuar, klasifikuar dhe gjykuar metodat e edukimit shekuj para fillimit të psikologjisë në fund të shekullit XIX.

Në fund të shekullit XIX dhe fillim të shekullit XX me kontributin e tyre në fushën e psikologjisë pedagogjike janë dalluar William James (1842 – 1910), Alfred Binet (1857 - 1911), Stanley Hall (1846 – 1924), Ivan Pavlov (1849 – 1936), Rudolf Steiner (1861 – 1925), Charles Spearman (1863 – 1945), John Dewey (1859 – 1952), Edward Thorndike (1874 – 1949), Lev Vigotsky (1896 – 1934), John Watson (1878 – 1958), ndërsa më vonë edhe Jean Piaget (1896 – 1980), Burrhus Skinner (1904 – 1990), Benjamin Bloom (1903 – 1999), Lawrence Kohlberg (1927 – 1987), Nathaniel Gage (1917 – 2008), Jerome Bruner (1915 – 2016), Howard Gardner (1943), Albert Bandura (1925), etj.

Psikologjia pedagogjike gjatë dekadave të fundit ka shënuar një zhvillim të hovshëm jo vetëm si një disiplinë e psikologjisë por edhe si një profesion i veçantë. Kështu p.sh. psikologjia shkollore e cila në fillim të shekullit XX kishte nisur me aplikimin e konceptit të testeve të inteligjencës rezultoi me dispozita të veçanta për nxënësit e arsimit special, të cilët nuk mund të ndiqnin kurrikulën mësimore në klasa të rregullta. Sot, kjo disiplinë e psikologjisë së aplikuar është zhvilluar si një fushë mjaft e re e studimit profesional duke u bazuar edhe në rezultatet e hulumtimeve më të reja shkencore psikologjike dhe pedagogjike. Psikologët e arsimit aktualisht punojnë krah për krah me specialistë të ndryshëm si p.sh. pedagogë, psikiatër, punonjës socialë, mësues, terapistë të të folurit dhe të gjuhës dhe këshilltarë të tjerë, në përpjekje për të kuptuar çështjet që ngrihen kur kombinohen psikologjia e sjelljes, njohjes dhe ajo sociale në mjedisin mësimor të klasës. [6]

Subdisiplinat[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Subdisiplinat më të zhvilluara të psikologjisë pedagogjike janë:

Shih edhe[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Referime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  1. ^ Stevanoviq, B.(1958). Psikologjia pedagogjike (për Akademi Pedagogjike). Enti i Teksteve dhe i Mjeteve Mësimore i Kosovës, Prishtinë, OCLC 216220393
  2. ^ Osmani, Shefik (1983), Fjalor i pedagogjisë, Tiranë: Shtëpia Botuese "8 Nëntori", f. 564, OCLC 17442147,  2978079M
  3. ^ Nushi, Pajazit:(1987). Fjalor i psikologjisë. Instituti Albanologjik i Prishtinës, Prishtinë, fq. 205. OCLC 959830434
  4. ^ Zimmerman, B.J. & Schunk, D.H. (Eds.) (2003). Educational psychology: A century of contributions. Mahwah, NJ, US: Erlbaum.
  5. ^ Nushi, Pajazit (2014). Leksikon i psikologjisë (në Albanian). Prishtinë: Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës. f. 1112.  9789951615389.Mirëmbajtje CS1: gjuhë e panjohur (link)
  6. ^ Farrell, P. (2010). School psychology: Learning lessons from history and moving forward. School Psychology International, 31(6), 581-598.