Shko te përmbajtja

Pushtimi gjerman i Kosovës

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Harta e Kosovës pas konferencës të Vjenës; pjesa me ngjyrë vjollce është territori nën pushtimin gjerman.

Pushtimi gjerman i Kosovës ishte një pushtim që ndodhi gjatë pushtimit te Jugosllavise, në Luftën e Dytë Botërore, kur ushtarët gjermanë marshuan nëpër rajon duke pushtuar edhe një pjesë të Kosovës.[1] Pas pushtimit, u mbajt një konferencë në Vjenë (21-24 prill 1941)[1] ku u vendos që shumica e territorit kosovar do ti jepej Shqipërisë të kontrolluar nga italianët ndërsa pjesa verore dhe verilindore e Kosovës ti jepet Gjermanisë dhe pjesa tjetër iu dha Bullgarisë.

Zona gjermane e pushtimit të Kosovës u formua pas prillit 1941, kur Mbretëria Jugosllave kapitulloi dhe territori i Kosovës u nda ndërmjet forcave italiane, gjermane dhe bullgare. Gjermanët morën nën kontroll veriun dhe verilindjen e Kosovës, duke përfshirë Mitrovicën, Vushtrrinë, Podujevën dhe Trepçën, për shkak të rëndësisë së madhe strategjike të minierave të Trepçës dhe pasurisë nëntokësore të rajonit. Administrata e tyre ishte më e militarizuar dhe e lidhur me strukturat e pushtimit në Serbi, duke e trajtuar Kosovën si burim ekonomik dhe territor tranzit. Politika gjermane ndaj shqiptarëve ishte e dyfishtë: nga njëra anë njihnin konceptin e “Shqipërisë së Madhe” duke premtuar edhe përfshirjen e rajonit të Mitrovicës në kuadër të saj, ndërsa nga ana tjetër lejonin çetnikët e Drazha Mihajlloviqit të kryenin mizori ndaj popullsisë shqiptare, duke synuar të ruanin ekuilibrin e tyre politik në rajon.

Pas kapitullimit të Italisë në vitin 1943, gjermanët pushtuan edhe pjesët tjera të Kosovës bashkë me Shqipërinë ashtu si edhe zonat e tjera që më parë ishin nën kontrollin italian, duke konsoliduar pushtetin e tyre në gjithë hapësirën shqiptare. Ata formuan Lidhjen e Dytë të Prizrenit më 16 shtator 1943, një organizatë politike që synonte mbrojtjen e kufijve të “Shqipërisë etnike”, si dhe Regjimentin e Kosovës, një strukturë ushtarake.

Në fund të vitit 1943 dhe fillim të vitit 1944 u mbajt Konferenca e Bujanit, ku Komiteti Nacionalçlirimtar i Kosovës vendosi për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Ky vendim, megjithatë, nuk u zbatua për shkak të kundërshtimit të udhëheqjes komuniste jugosllave, e cila ishte e dominuar nga serbë dhe malazezë.

Kështu, zona gjermane e pushtimit të Kosovës u shënjua nga tensioni mes premtimeve politike dhe realitetit të dhunës, nga shfrytëzimi ekonomik i resurseve dhe nga përpjekjet e shqiptarëve për të realizuar bashkimin kombëtar, të cilat u penguan nga faktorët ndërkombëtarë dhe rajonalë.[2]

  1. 1 2 Lorenzo Salimbeni. "L'occupazione italiana del Kosovo nella seconda guerra mondiale" (PDF) (në italisht).
  2. ↑ "Kosova dhe Shqipëria në ditarin e Komandës Supreme të Gjermanisë naziste". Epoka e Re (në anglishte amerikane). Marrë më 2026-02-13.