Qazim Turdiu

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Jump to navigation Jump to search
Qazim Turdiu
Qazim Turdiu
Lindi me: 7 qershor 1917
Lindi në: Tiranë
Kombësia: Shqiptar
Profesioni: Matematikan


Qazim Turdiu (Tiranë, 7 qershor 1917 - 8 prill, 1989) ka qenë arsimtar, pedagog dhe autor i shquar shqiptar në fushën e matematikës. Për kontributin e tij në lëmin e arsimit si pjesë e plejadës së arsimtarëve të paspavarësisë si Eqrem Çabej e Arshi Pipa dhe në hullinë e teksteve akademike është nderuar me tituj të shumtë.

Biografia[redakto | përpunoni burim]

U lind në gjirin e një familjeje të dëgjuar tiranase, një ndër fëmijët e shumtë të Mahmud Turdiut dhe Nadires së Myslym Llagamit.[1] Pasi kreu Gjimnazin e Tiranës më 1937,[2] vazhdoi studimet e larta për matematikë në Universitetin e Montpellier të Francës, ku u diplomua më 1939, me rezultatet më të larta në kursin e tij. U kthye në Shqipëri pas okupacionit italian (1939) si i dyti shqiptar me shkollim të plotë në matematikë, ku u emërua si pedagog në Gjimnazin e Shkodrës (1940 -1942) dhe më vonë në Gjimnazin e Tiranës me detyrën e zëvendësdrejtorit (1943).

Si nacionalist apolitik kundërshtoi okupacionin italian dhe përkrahu idenë për Shqipërinë Etnike. U nderua me detyrën e mbartjes së eshtrave të Naim Frashërit në ceremonitë e rikthimit të tyre në Shqipëri. Ndërhyri te mëkëmbësi i mbretit, Jacomoni, për t'u shpëtuar jetën gjimnazistëve komunistë të kapur nga italianët. Si një nga intelektualët e njohur të kohës, u ftua (me ndërmjetësinë e Abdyl Këllezit) për të marrë pjesë në Lëvizjen Nacionalçlirimtare. Refuzoi për shkak të çështjes së Kosovës dhe aleancës së komunistëve shqiptarë me jugosllavët. Me hapjen e Institutit të Lartë Pedagogjik (1948) që ndër të parët pedagogë të tij dhe po kështu edhe me hapjen e Universitetit të Tiranës (1957), ku punoi deri më 1983. Në kushtet e mungesës së arsimit të lartë në Shqipëri, që themelues i mësimdhënies së matematikës në shkollat e larta. Në vitet 1958-1960 kreu studime pasuniversitare në Universitetin Lomonosov të Moskës, nën drejtimin e matematikanit të njohur Kollmogorov. Gjatë karrierës së tij 44 vjeçare edukoi me mijëra kuadro dhe fitoi famë për nivelin e komunikimit në auditor dhe objektivitetin në vlerësimin e studentëve. U shqua si didaktist e metodist i matematikës, duke dhënë ndihmesë të madhe në rritjen e nivelit shkencor dhe në kualifikimin profesional të mësuesve të lëndës së matematikës. Njihet si autor i shumë programeve shkollore, teksteve dhe monografive, duke përfshirë ato mbi metodikën e matematikës, gjeometrinë analitike, analizën matematike, trigonometrinë plane, historinë e matematikës, etj. U dallua si mbrojtës i traditës së shkollimit perëndimor dhe influencoi në ruajtjen e objektivitetit profesional të shkollës kundrejt tendencave të sistemit komunist për politizim ekstrem. Niveli i lartë i mësimdhënies në shkencat e sakta, e në përgjithësi profesionalizmi i shkollës shqipe, i detyrohet në një masë të konsiderueshme kontributit të Prof. Qazim Turdiut.

Gjatë periudhës së regjimit komunist punoi dhe jetoi në kushte politike të vështira, të përgjithshme dhe personale. Pësoi sulme të vazhdueshme nga hallkat e regjimit për shkak të origjinës së tij klasore prej ish-shtresave të larta dhe dy vëllezërve të tij të "arratisur" (Dr. Faik Turdiu dhe Dr. Ramazan Turdiu). Në dosjen e Sigurimit të Shtetit për Prof. Eqrem Çabejn figuron se agjenti me pseudonimin “Shigjeta”, më 20 tetor 1957, informonte se "Profesorët e Universitetit të Tiranës Eqrem Çabej, Qazim Turdiu, Minella Karajani e Rrok Zojzi flasin keq për regjimin në Shqipëri". Ish ministri i brendshëm Feçor Shehu, deponoi në hetuesi më 1982, se Qazim Turdiu ishte marrë disa herë nën survejim. Në vitet 1970 pati konflikte të ashpra me tendencat në universitet për të imituar revolucionin kulturor kinez e më pas me shthurjen e disiplinës dhe kërkimllogarisë në kuadrin e "liberalizmit", të cilat i mbijetoi kryesisht falë prestigjit personal që gëzonte me anëtarë të udhëheqjes së regjimit, që ishin të brezit të tij apo ish-nxënës të tij (si Ramiz Alia).

Më 1956 u martua me Asime Pipën (1931-1999), nga familja Pipa e Shkodrës dhe pati dy fëmije (Parid, 1958 dhe Silva, 1961). Fejesa (1981) e bijës së tij, Silva Turdiu, me birin e kryeministrit Mehmet Shehu u dënua nga udhëheqësi komunist Enver Hoxha për arsye të lidhjeve gjinore të familjes së vajzës me antikomunistë të njohur (Ramazan Turdiu, Myzafer dhe Arshi Pipa, etj.) dhe u bë preteksti për fundin tragjik të familjes Shehu. Hakmarrja e regjimit përfshiu edhe Prof. Qazim Turdiun e familjen e tij. Më 1983, pas botimit të librit të Enver Hoxhës "Titistët", ku sulmoheshin familjet Turdiu dhe Pipa si të lidhura me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, regjimi e nxori në pension të detyruar. Vdiq në Tiranë, më 8 prill 1989, nga kanceri i mushkërive. Mijëra vetë morën pjesë në varrimin e tij, duke sfiduar stigmën e regjimit.

Nderime[redakto | përpunoni burim]

Iu dha titulli Docent, që më 1957, grada e Kandidatit të Shkencave, më 1960; u bë Mësues i Merituar, më 1965; iu dha titulli Profesor, më 1972; u dekorua me urdhra dhe medalje etj. Në vitin 1992, me propozim të Fakultetit të Shkencave të Natyrës, që pati edhe mbështetjen e njëzëshme të instancave përkatëse, Presidenti i Republikës Sali Berisha i dha titullin e lartë "Mësues i Popullit". Këshilli Bashkiak i Tiranës më 1999 vendosi që shkolla e re 8-vjeçare (sot 9-vjeçare) në rrugën "Don Bosko" të mbante emrin e tij.[2] Më pas u laureaua me Urdhrin "Naim Frashëri" të Klasit të Parë dhe "Qytetar Nderi" i Tiranës.[3]

Referimet[redakto | përpunoni burim]

  1. ^ Belina Budina (12 dhjetor 2003). "Familja që po shkruan historinë e vet: [Familja Turdiu]". shkoder.net. Shekulli. - Nr. 343. 
  2. ^ a b A. Minga (2008). "Prof. Qazim Turdiu (1917 - 1989)" (PDF). 
  3. ^ "Në kujtim të profesorit Qazim Turdiu, babai i mësimdhënies së matematikës". faxweb.al. 19 shkurt 2018.