Ramiz Cërnica
Ky artikull ka probleme të shumta. Ju lutemi të ndihmoni ta përmirësojmë ose diskutoni këto probleme në faqen e diskutimit. (Mësoni si dhe kur ta hiqni këtë shabllon mesazhi)
|

Ramiz Ahmeti-Cërnica (25 maj 1903 në Cernicë të Gjilanit; 25 maj 1979 në Fshatin e Vjetër të Ferizajt).[1]
Jeta dhe veprimtaria
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Ramiz Ahmeti-Cërnica u lind në Cernicë të Gjilanit në një familje patriarkale, me tradita atdhetare, mikpritëse e bujare. Ishte djali i tretë i Mulla Halimit, bashkëluftëtarit të Idriz Seferit.[2]
Ramiz Cernica është dhe mbetet një nga figurat më të mëdha të historisë së popullit shqiptar e të luftës për çlirim e bashkim të kombit tonë të ndarë padrejtësisht. Ramiz Cernica me veprimin e tij dhe aktin e qëndrimit burrëror e heroik në Kuvendin e Prizrenit më 1945, dha shembullin e madh se si duhet të veprojë biri besnik për interesat e shenjta të popullit dhe Atdheut.[3]
Përfundimi i luftërave çlirimtare nga tri ushtritë tona kombëtare, përfundimisht i ka hapur udhë realizimit të qëndrimit të tij historik : "ME SHQIPËRINË PO, JO ME SERBINË".
Ramiz Cernica në Kuvendin e Prizrenit, të gjithë atdhetarëve, te të gjitha gjeneratave, na e ka mbajtur gjallë ëndrrën për bashkim të Kosovës me Shqipërinë. Ramiz Cernica frymëzuesi i qindra dhe mijëra atdhetarëve, që ishin bërë barrikada të gjalla para pushtuesve, kriminelëve e gjakpirësve serbë, ishte fanari ndriçues i rrugës së lavdishme për çlirim e pavarësi. Ishte udhërrëfyes për gjithë atdhetarët deri me vdekjen e tij.[4]
Edukimi dhe frymëzimi patriotik
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Ashtu sikur gjeneratat para tij, edhe Ramiz Cernica ndikohej nga rrethanat politike të kohës. Në formimin dhe zhvillimin e personalitetit të tij ndikoi në radhë të parë edukimi familjar, si dhe luftërat çlirimtare të lëvizjes kombëtare, të cilat si fëmijë i përjetoi. I ati i tij Halim Ahmeti-Mulla Halimi ishte luftëtar aktiv në luftërat e Drenogllavës e të Kaçanikut të vitit 1910. Në këtë kohë Ramiz Cernica ishte në moshën 7-8 vjeçare.[5]
Luftërat Ballkanike dhe Luftën e Dytë Botërore i përjetoi në moshën 12-15 vjeçare. Këto ngjarje historike, luftërat heroike të babait të tij, si dhe realiteti i hidhur i një varfërie totale që mbretëronte te popullata shqiptare u ngulitën në kujtesën e tij dhe lanë gjurmë të pashlyeshme në qenien e tij njerëzore dhe e ngritën moralin e tij njerëzor e patriotik.[6]
Mundësitë shkollimit në Cernicë dhe në rrethin e Gjilanit
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Mësimi në shkollën e Cernicës zhvillohej në gjuhën arabe dhe turke, i cili zgjati gjer më 1932. Më 1913 pushteti i Beogradit e zgjeroi objektin e mëparshëm shkollor të Cernicës edhe për dy dhoma mësimi, të ashtuquajtur shkollë shtetërore. Kosta Nikoliq, mbikqyrës i arsimimit të rrethit të Gjilanit e njofton Ministrinë e Arsimit të Serbisë në prill të vitit 1912, se në rrethin e Gjilanit ka fare pak shkolla muslimane, jo vetëm të ashtuquajtura zyrtare, por edhe aso private, mejtepe ku punonin hoxhollarët e fshatrave. Sipas tij në rrethin e Gjilanit punonin katër shkolla zyrtare shqiptare, në Hogosht, Koretin, Rogaçicë dhe Cernicë.
Në këtë kohë në shkollën e Cernicës ishin nxënësit e përzier serbë e shqiptarë. Mësuesi ishte serb. Në këtë shkollë jipte mësim në lëndën e fesë Shaip Rexhepi (Mulla Shaipi), nip i Mulla Halimit.[7]
Në atë kohë shkollimi ishte selektiv dhe për ketë arësye Ramiz Cernica nuk pati mundësi shkollimi. Shkrim-leximin e mësoi si autodidakt. Këtë e avancoi dhe e plotësoi gjatë viteve të shërbimit të tij ushtarak prej tetëmbëdhjetë muajve (1927-1928) në qytetin e Vukovarit. Falë avancimit shkollor, por edhe njohurive ushtarake, që i kishte përfituar gjatë shërbimit në ushtri, i besohet datyra e komandantit të togut.[8]
Shkrim-leximin e ushtroi dhe e persosi edhe gjatë shërbimit 7-8 muajsh në gjandarmëri më 1929 në Kumanovë.
Më 1933 kreu një kurs të makinerisë shirëse dhe bleu një makinë shirëse, me të cilën përmirësoi gjendjen ekonomike jo vetëm të familjes së madhe – Halimi, por edhe të xhaxhait të vet, Mulla Ilazit, vëllait të Mulla Halimit. Kështu në moshën tridhjetëvjeçare, Ramiz Cernica forcohet ekonomikisht.
Në këto rrethana ekonomike e politike, Ramizi formohej e piqej për ndërmarrje e aksione jo vetëm brenda familjes, por edhe jashtë saj në interes të shoqërisë e të kombit në përgjithësi.[9]
Veprimtaria politike dhe atdhetare
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Karriera politike dhe veprimtaria atdhetare e tribunit të dashur popullor - Ramiz Cernica shtrihet në tri periudha historike:
- Periudha e paraluftës
- Periudha e gjatë luftës dhe
- Periudha e pasluftës.[10]
Aktiviteti politik dhe patriotik në periudhën e para luftës
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Nga Mbretëria e SKS u nxor ligji se kryetarë komune nuk mund të mbesin edhe më tutje personat që nuk dinin shkrim-lexim. [11]
Para se të shpalleshin këto zgjedhje, pesë vjet përpara, domethënë gjatë viteve 1929-1934 kryetari komune ishte Adem Halim Ahmeti, të cilin më 1915-1918 e kishin marrë në punë angarie në gurishtat e Kërçovës, nga ku kishte ikur dhe ishte kthyer në shtëpi. Ishte fsheh në Cernicë, ishte burrë shumë i mençur me një intuitë të jashtëzakonshme, mirëpo nuk kishte shkollë, kurse më 1934, në kohën e Mbretërisë SKS, ishte aprovuar ligji që të mos lejoheshin të kryenin punën e kryetarit të komunës njerëzit që ishin analfabetë. Aso kohe ishin organizuar zgjedhjet elektorale për kryetar komune. [12]
Në zgjedhjet elektorale për kryetar të komunës së Parteshit më 1934, fitoi Ramiz Cernica dhe ajo fitore ishte bindëse. Është interesant se kundër-kandidat për kryetar të Parteshit, në ato zgjedhje, pati serbin Kërstiq, i cili humbi në saje të votave, natyrisht, sepse për Ramiz Cernicën kishin votuar kuptohet, pos shqiptarëve, edhe shumë serbë, të cilët ia kishin dhënë besimin duke pasur parasysh familjen e Ramizit, babanë e tij që kishte fituar simpati tek raja për shkak të qëndrimit shumë njerëzor ndaj tyre. Edhe në mandatin e dytë për kryetar komune, (më 1938) kur kundër-kandidat e kishte Daut Rexhepin, Ramiz Cernica fitoi bindshëm, me shumicën e votave. Përndryshe, komuna e Parteshit, kryetar i së cilës dy herë radhazi u zgjodh Ramizi, ngërthente nën juridiksionin e vet fshatrat: Partesh, Cernicë, Gumnishtë e Poshtme, Gumnishtë e Epërme, Livoç i Poshtëm, Budrikë e Poshtme, Budrikë e Epërme, Radivojc, Nasalë dhe Remnik. Për qatip kishte Musa Ilazin, kurse policë: Tafë Radivojcin, Sejdi Abazin, Fejzë Remnikun, Hasan Aliun – Remnikun, Hasan Agushin etj.
Ramiz Cernica si kryetar komune kishte ngritur autoritetin, si njeri i drejtë, parimor dhe mbrojtës i të gjithëve pa marrë parasysh nacionalitetin. Ai kishte një reputacion, një nderim në gjithë Anamoravën. Qëndrimi i tij ishte me orientim demokrat. Ishte mbrojtës i të drejtave të njeriut dhe përfaqësonte ekskluzivisht të drejtat e popullatës. Ai reagonte kundër çdo lloj diskriminimi, qoftë ndaj shqiptarëve, qoftë ndaj pakicës serbe. Shumëherë merrte pjesë në pleqësime të ndryshme për të zgjidhë konflikte e ngatërresa, për të bërë pajtime të njerëzve në mesveti. Për këtë çmohej si njeri i drejtë dhe fjala e tij kishte peshë. Ai karakterizohet me këto cilësi: guximi, vendosmëria, drejtësia, uniteti dhe humaniteti. Përmes këtyre cilësive zuri miq jo vetëm në Anamoravë, por gjithandej nga kishte shetitur e punuar. Si njeri i këtillë, ai ra së shpejti në konflikt me politikën hegjemoniste, kolonizuese e grabitqare të Mbretërisë SKS. [13]
Ramiz Cernica ishte me orientim demokrat, ishte mbrojtës i të drejtave të njeriut dhe si i këtillë së shpejti ra në konflikt me politikën hegjemoniste, kolonizuese e grabitqare të Mbretërisë serbe. [14]
- Konflikti i parë i Ramiz Cernicës ishte ai me inxhinierin Bozho Maksimoviq, i familjes së Kamenogllavëve të Gjilanit, i cili ishte caktuar të zbatonte Reformat Agrare, i cili duke i zbatuar këto reforma, uzurponte tokat shqiptare. Ramiz Cernica kundërshtoi ashpër këtë padrejtësi ndaj popullit shqiptar, të ashtuquajturën Reformë Agrare, kolonizimin e Kosovës si dhe shpërnguljen e dhunshme të shqiptarëve për në Turqi. Pushteti i atëhershëm në vend që të respektojë ligjin dhe të marrë masa ndaj Maksimoviqit, e burgosë Ramiz Cernicën. Popullata e komunës së Parteshit dhe e rrethit të Gjilanit e kundërshton në mënyrë të jashtëzakonshme këtë burgosje të padrejtë. Presioni ishte aq i madh saqë pushteti ishte i detyruar ta lirojë atë nga burgu. Ky konflikt i dha kurajë Ramiz Cernicës që të vazhdojë me qëndrime të tilla për mbrojtjen e interesave të popullit. Me këtë gjest dhe me këtë vepër në interes të popullit, Ramizi fitoi besim dhe autoritet edhe më të madh te popullata e Anamoravës. Përmes reagimeve publike përpiqej ta bind popullatën të mos shpërngulej për Turqi apo në vende tjera.[15]
- Konflikti i dytë i Ramiz Cernicës me pushtetin monarksit të Mbretërisë SKS ishte ai me banin e Banovinës së Vardarit të Shkupit. Shkaku i këtij konflikti ishte kaçaku i njohur i asaj kohe, Tafë Kabashi. Popullata shqiptare shtypej e keqtrajtohej nga kolonistët serbomalazezë. Ndihmë nga regjimi i kohës nuk kishte. Për këtë arësye, në mungesë të interesimit shtetëror, përgjegjësinë për mbrojtjen e popullatës së pafajshme në rajone të ndryshme e merrnin kaçakët përsipër. Kështu Tafë Kabashi, duke mbrojtur popullatën e shtypur e keqtrajtuar shqiptare kishte vrarë një kolon serbë. Kjo vrasje bëri bujë të madhe dhe krijoi një atmosferë tensionuese në Anamoravë. Për këtë qëllim bani i Shkupit erdhi në Viti më 1939. Ai urdhëroi të tubohen të gjithë kryetarët e komunave të rrethit të Gjilanit që të vinin në takim me të. Ai mbajti një fjalim arrogant e mospërfillës para të gjithë kryetarëve të komunave të Gjilanit, i cili më tepër ishte një kërcënim se sa fjalim. Qëllimi i tij ishte që t’i thyente kryetarët e pastaj të vepronte me ta sipas dëshirës së tij. Ai iu kërcënua kryetarëve se nëse nuk e zënë Tafë Kabashin, kaçakun e rrezikshëm brenda 24 orëve, atëherë do të vriten 100 shqiptarë për një serb. Te të pranishmit mbretëronte heshtja. Të gjithe mbanin kokat e ulura. Kjo heshtje i pëlqente banit të Banovinës së Shkupit, sepse në njërën anë e konsideronte si fitore psikologjike mbi ta dhe në anën tjetër kjo heshtje e kushtëzonte vetvetiu përgjegjësinë për faj kolektiv. Në ndërkohë reagon Ramiz Cernica, në cilësinë e kryetarit të Parteshit: “Mos u frikësoni vëllezër, sepse nuk ka ligj në botë që parasheh njëqind për një, por vetëm kokë për kokë, e kjo s’është detyra jonë, po juaja.” Pastaj i drejtohet banit, “Ju paguani xhandarë, ata marrin rroga për të mbajtur rendin dhe nëse keni guxim, urdhëroni e zini Tafën. Ja ku e kini, në mal, e mos i bini në qafë popullit të pafajshëm!” Ky ishte një guxim i madh i Ramiz Cernicës. Për këtë arësye xhandarët e naçallnikët serbë filluan ta përcillnin në çdo hap, duke i vënë prita për ta liquiduar. Truproje besnike kishte Fazli Myrtën e Ranatovcit, kryetarë në Zhegër, si dhe policët Hasan Remnikun e Sejdi Abazin. Një nga këto prita ishte edhe ajo prita e vënë te Kodra e Parteshit, por falë vigjilencës së truprojave të tij, Ramiz Cernica i shpëton vdekjes së sigurtë.[16]
Aktiviteti politik dhe patriotik gjatë luftës
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Më 6 prill 1941 sulmohet Mbretëria SKS, e cila brenda një jave okupohet. Pas kapitullimit të Jugosllavisë së vjetër, Kosova ndahet nga aleatët e boshtit , në tri zona okupuese: gjermane, italiane dhe bullgare. Këto zona kishin territor dhe kufinj të caktuar. Mirëpo, derisa të arrijnë në Kosovë forcat okupuese aleate të gjermanëve, siç ishin italianët, hungarezët,rumunët e bullgarët, në rrethin e Gjilanit serbët e shfrytëzojnë momentin historik për të mbizotëruar në këtë territor, duke e emëruar për kryetar të nënprefekturës çifutin farmacist Jan Tankosiq, edhe pse pjesa dërrmuese e popullatës kishin përkatësi kombëtare shqiptare. Isak Sherifi intervenon shpejtë te Xhafer Deva në Mitrovicë, i cili e shkarkon Jankun, duke e emëruar për nënperfekt Ramush Cvircën, kurse sekretar të tij e emëron Isak Sherifin. Më vonë nënperfekt i Gjilanit u emërua Rifat Berisha (1942-1943). Pas transferimit të tij në Rahovec, në Gjilan emërohet nënperfekt Miftar Spahia. Kështu Ramiz Cernica edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore ushtroi detyrën e kryetarit të komunës së Parteshit (1941-1944).
Ashtu sikur në periudhat e mëhershme, edhe brenda viteve 1934-1941 Kosova kolonizohej me serbë e malazezë, gjersa popullata shqiptare shpërngulej për në Turqi. Ramiz Cernica si kryetar komune, nuk mund të rrinte indiferent.
Në Anamoravë ishte i njohur rasti i shpërnguljes së popullatës shqiptare të fshatit Remnik nga zona okupuese bullgare në zonën italiane (shtator 1941). Ramiz Cernica e Hasan Remniku përgatitën një aksion, me ç’rast paralizuan në mënyrë të shpejtë e të rrufeshme forcat bullgare dhe patrullën kufitare të tyre. Kjo ngjarje u përjetësua edhe në këngën popullore:
Ky bullgari shka po maron,
zullum t’madh nër shqiptarë po ban
Hasan Remniku ni burrë azgan
Drejt te Ramizi ai po shkon
Ramiz Cernica ni burrë azgan
Meniherë ai besën ja ka dhanë
Krejt Remniku janë rehatue
Ramiz Cernicës rahmet i kan knue.[17]
Mirëpo, Ramiz Cernica ishte njeri modest, ndaj kur e njoftuan se po i këndohej kënga tha: "Nuk është mirë me ta këndue këngën për së gjalli, sepse njeriu tri ditë pa vdekë mund të koritet". E duke pasur parasysh këtë qëndrim ai nuk u korit kurrë, por duke mbajtur vijën patriotike e përfundoi jetën në mënyrë të denjë. Duke i konsideruar italianët okupatore, ndërsa aradhën partizane “Zenel Hajdini", të udhëhequr nga Fadil Hoxha, si aradhë etnikisht të pastër që luftonte për çlirimin nga okupatori i huaj, nga njëra anë, dhe nën sugjerimin e këshillimin e nënprefektit të Gjilanit, Rifat Berisha, nga ana tjetër, Ramiz Cernica luajti rol të rëndësishëm e vendimtar, duke krijuar kushte për çarjen e rrethimit nga italianët e kësaj aradhe në Livoç të Epërm, në prill të vitit 1943. Ndërsa, Ramadan Jusufi, kryetar i komunës së Bresalcit, e ndihmoi këtë aradhë me strehim dhe ushqim.[18]
Me autoritetin që kishte në popull, por edhe në strukturat politike të kohës, të atyre strukturave që mbanin përkujdesjen shtetërore të shtetit amë, Shqipërisë, Ramiz Cernica mbante lidhje të përhershme me ato struktura, prandaj e shohim edhe si delegat (më 1943) në formimin e Asamblesë së Qeverisë së Shtetit Shqiptar në Tiranë. Ishte ky një besim i madh ndaj tij, dhe ky besim, natyrisht kishte ardhur në bazë të biografisë familjare të tij, por gjithsesi në bazë të veprimtarisë aq të bujshme në interes të mbrojtjes kombëtare të shqiptarëve.[19]
Në prill të vitit 1943[20], Aradha Partizane Shqiptare “Emin Duraku” në krye me Fadil Hoxhën ishte rrethuar nga italianët në malet e katundit Livoç i Epërm. Duke i konsideruar italianët okupatorë, Ramiz Cernica nën sugjerimin e këshillimin e nënperfektit të Gjilanit, Rifat Berishës, çau rrethimin e italianëve, dhe në këtë mënyrë shpëtoi Aradhën Partizane Shqiptare. Ndërsa, Ramadan Jusufi, kryetar i komunës së Bresalcit, e ndihmoi këtë aradhë me strehim dhe ushqim.[21]
Në shtator të vitit 1943 kapitulloi Italia dhe filloi të tërhiqet me tërë potencialin luftarak. Në Gjilan ka qenë një regjiment i ushtrisë italiane. Ramiz Cernica, së bashku me Hasan Remnikun e Ismail Sherifin zunë pritën te ura e Cernicës, për t’ua ndërruar drejtimin forcave italiane të mos hynë në fshat për të bërë masakrime. Shqiptarët e prishën urën që të mos munden të kalojnë kamionë e mjete të tjera transportuese ushtarake në drejtim të Ferizajt. Nga ana e urës kishte mjaft shqiptarë, kurse nga ana e Cernicës kishin zënë pritën vetëm dy persona, Raif Halimi (i biri i Ramiz Cernicës) dhe një kushëri i tij. Ishin vetëm dy pushkë, kurse nga ana e italianëve gjuanin me mitralozë. Ramiz Cernica e Hasan Alia-Remniku informohen se ai front po mbrohet vetëm nga dy vetë dhe ju shkojnë në ndihmë. Në kodër të Gjilanit i dorëzuan italianët armët. Ramiz Cernica dhe Hasan Remniku shkojnë edhe te shtabi i italianëve në Gjilan dhe nëpërmjet dritareve futen brenda në shtab dhe i detyrojnë italianët të dorëzohen.[22]
Më 9 shtator të vitit 1944 kapitulloi Bullgaria. Pas tërheqjes së trupave bullgare nga vija kufitare e përkohshme e Moravës, fshatrat e Karadakut e të Preshevës u sulmuan natën e Bajramit (19 shtator të vitit 1944) nga aradhat serboçetnike. Ramiz Cernica mori pjesë aktive në luftë në frontin e Preshevës dhe me autoritetin e tij, bëri që të mobilizohen shumë vullnetarë të kësaj ane, të cilët ndihmuan vëllezërit e tyre në luftë, për mbrojtjen e kufirit të Kosovës Lindore. Ramiz Cernica mori pjesë në atë front lufte jo vetëm si luftëtar i thjeshtë, por si komandant i frontit në vijën e hekurudhës. Luftimet më të mëdha u zhvilluan te lumi i Raincës, nën udhëheqjen e trimit Ajet Rainca. Më vonë këtë lumë, për shkak të kufomave të shumta, populli e quajti “Reka e Gjakut”. Pas fitores së luftës kundër armiqëve, u vendos kufiri i përkohshëm përgjatë Udhës së Frengut. Për tre muaj rresht komandant dhe mbikqyrës i këtij kufiri ishte Ramiz Cernica.
Pas ripushtimit të Kosovës nga forcat partizane çetnike dhe pas “çlirimit” të Gjilanit më 16 nëntor 1944, nisë masakrat në trevën e Anamoravës, duke djegur shtëpi e fshatra, duke torturuar popullatën e pafajshme, duke burgosur e liquiduar. Vetëm në Gjilan e në rrethinë, u vranë rreth 8000 shqiptarë. Aradhat partizane, në këtë mënyrë mbillnin frikë e pasiguri te popullata shqiptare.
Ramiz Cernica përpiqej t’i këshillonte njerëzit që të mos humbnin durimin, sepse qëllimi ishte që shqiptarët ta ndjenin veten se ishin në “tokë të huaj”. Ky aktivitet ia prish planet partizano-çetnikëve, prandaj edhe e burgosin atë duke e dërguar fshehtas në Lagjen e Varoshit, të cilin rastësisht e me mjeshtëri e zbuloi i biri i tij, Raif Halimi. Me ndihmën dhe ndikimin autoritativ të Rifat Berishës lirohet nga burgu. Mirëpo Ramiz Cernica ndiqej dhe përcillej në çdo hap dhe çdo aksion nga partizano-çetnikët, duke inskenuar plane që ta privonin nga liria. Ata shpifnin në të gjitha anët se Ramiz Cernica na qenka një element shumë i rrezikshëm. Këtë e dëshmon edhe fakti, se kur arriti Aradha Shqiptare në Cernicë, me emërtimin regjimenti “Kosova” e arrestuan Ramiz Cernicën (1944), të cilin duarlidhur e dërguan nga Cernica në Gjilan. Pas intervenimit të shpejtë të Kadri Halimit dhe të Hasan Dylgjerit (Hasan mësuesit) lirohet nga aradha shqiptare, e cila edhe i kërkoi falje për këtë sjellje të vrazhdë, duke i thënë: “Ramiz, siç po shihet situata, ti këtu nuk paske vend, ndaj është më mirë për ty që të vish me ne.”
Në momentin kur ushtari shqiptar në mënyrë indirekte ia bën me dije se ai do të duhej të shpërngulej, Ramizi i përgjigjet shkurt: “Unë dua të jem pranë popullit tim, dhe të mirën e të keqen dua ta ndaj me të. Kurrë nuk do të ik nga vendi im, por këtu do të vdes.”[23]
Aktiviteti politik dhe atdhetar në periudhën e pas luftës
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Kuvendi i Prizrenit (8, 9 dhe 10 korrik të vitit 1945)
Kosova e dërrmuar nga Pushteti i Administrimit ushtarak, do të arrij në Kuvendin e Prizrenit që u mbajt, me 8-10 korrik 1945, në qytetin e Prizrenit. Ky kuvend, duhet theksuar se nuk ishte as i pari, e, as i fundit i cili solli vendime, që Kosova të aneksohej nga Serbia e Jugosllavia. Aneksimi nga kjo njësi federale kishte filluar qysh më herët, ndërsa nga ky Kuvend, pushtetarët jugosllav kërkonin formalisht vetëm një “verdikt të popullit”. Për të qenë “çdo gjë në rregull dhe e ligjshme”, Serbisë dhe Jugosllavisë iu nevojit edhe ana formale për të marrë “pëlqimin, e popullit në një Kuvend” sado formal që të jetë, meqë para opinionit të gjerë donte që ta justifikojë tradhtinë e menduar me aq dinakëri.
Kjo gjendje e saj, u legjitimua më 10 korrik 1945, në Kuvendin, që në popull më tepër njihej si Kuvendi i Prizrenit. “Kuvendi i Prizrenit”, ishte një tubim i një trupi jo të zgjedhur nga populli, dhe në të morën pjesë 137 delegat dhe të ftuar të tjerë, nga të cilët vetëm 32 ishin shqiptar. Në të nuk kishin marrë pjesë përfaqësuesit e Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Shqipërisë dhe të aleatëve të tjerë të luftës, që do ishin garantë, se, pas përfundimit të luftës, çështja e Kosovës do të zgjidhej në bazë të dëshirës dhe vullnetit të lirë të popullsisë shumicë.
Pas aneksimit të Kosovës, për popullin shqiptar filloi një etapë e errët, një kalvar i vërtetë. Filluan përsëri masakrat masive mbi popullatën e pafajshme, dhe likuidoheshin patriotët dhe intelektualët e paktë. Në Drenicë, në Gjilan, në Ferizaj dhe në shumë vende të tjera të Kosovës bëhej gjenocid i vërtetë. Fundja, të gjitha masakrat, që ua bënë shqiptarëve, ishin të legalizuara nga organet shtetërore, që si bazë u shërbenin “Naçertania“ e Garashaninit, elaboratet e I. Andriqit, I. Vukotiqit, të Vasa Çubrilloviqit, të cilat vazhduan të zbatohen me përpikëri si dhe projekte të tjera gjenocidale të mëvonshme.
Dhe krejt në fund, duhet theksuar se, viti 1945, tek populli shqiptar do të kujtohet si viti më i përgjakshëm në historinë e Kosovës. Sepse, do të pushkatohen disa dhjetëra mijëra veta; shumë të tjerë do të zhdukën pa gjurmë; mbi 30 mijë do të futën në burgje dhe do të vendosën në kampe; qindra mijëra të tjerë do të marrin botën në sy, e shumë të tjerë do të vriten jashtë Kosovës. Të gjitha këto do të bëhen nën maskën e njëfarë “Vëllazërim-bashkimit” iluzor, dhe të tëra këto padrejtësi, krijuan tek shqiptarët pakënaqësi dhe nën këtë trysni të vazhdueshme në mënyrë të organizuar, populli shqiptar artikuloi qëllimet e kërkesat e veta parësore e supreme të cilat ishin: Çlirimin e Kosovës dhe bashkimin me shtetin amë- Shqipërinë.[24]
Ata delegatë, që e kundërshtuan një vendim të tillë, më vonë e pësuan me kokë, apo me shumë vite burg. Kundërshtari më i zëshëm ishte Ramiz Cernica, i cili mori fjalën dhe, në mënyrën më të drejtpërdrejtë, refuzoi qëndrimet për bashkimin e Kosovës- Serbisë. Ai u mbështet në vullnetin e popullit shqiptar, në premtimet që forcat nacionalçlirimtare i kishin dhënë se, pas çlirimit, do të ndodhte sipas vullnetit të popullit. Ai, gjithashtu, kishte mbështetje Bujanin ku, në mënyrë të saktë, ishte thënë se çfarë duhej të ndodhte pas përfundimit të luftës. Ishte vendosur, në mënyrë unanime të pjesëmarrësve në Mbledhjen e Bujanit se Kosova e Shqipëria do të ishin një shtet, dhe kësisoji do t’i vinte fundi padrejtësisë që i ishte bërë Kosovës (dhe tokave tjera shqiptare) më 1912-tën.[25]
Në këtë konferencë kërkoi dhe e mori fjalën edhe Ramiz Cernica. Me këtë rast Ramizi pati guxim që haptas të deklarojë se është kundër aneksimit të Kosovës nga ana e Serbisë, duke shprehur njëkohësisht vullnetin e popullit të Kosovës për bashkim me Shqipërinë. Kjo paraqitje e Ramizit në këtë konferencë shkaktoi një tollovi dhe një tërbim të egër të udhëheqësve të Kosmetit, sidomos të Ali Shukriut, kështu që Ramizit ia ndërprenë fjalën dhe kryesia e punës dha një pushim, ndërprerje të shkurtër të punës, sepse u pa se pas Ramizit, të inkurajuar nga fjala e tij, i ngrenë duart për të marrë fjalën edhe ca delegatë të tjerë. Ky deklarim i hapur e i guximshëm i kushtoi shumë shtrenjtë Ramizit. Pas pak ditësh pushteti antishqiptar në Gjilan e dënoi me 20 vjet burg të rëndë.[26]
Më 25 maj 1993, Xhelal Ramadani këndoi këngën në Cernicë për këtë ngjarje “Ramiz Cernica flet n’kuvend”ː
“Priti e foli Ali Mitrovica
-Mos e ngoni shka flet Ramiz Cernica,
se me folë ky edhe ner vorre,
i shkojnë populli permas taborre.
Po s’ja muert Ramizit fjalën,
Serbia e humbi sot Kosovën.
Si vetima ai Ramiz Cernica,
u çue n’kamë kah Ali Mitrovica:
-O Ali, Ali Mitrovica
ti gjithmonë ke folë me spica.
O Ali-o, ty t’vraftë buka!
ty t’vraftë buka e popullit shqiptar,
s’e kem ditë që je tradhtar,
ty t’vraftë uji edhe buka,
a kujton se t’u tuta,
që t’nimova sikur vlla,
po ti sot m’dole has shka.”[27]
Për reagimin e tij në Kuvendin e Prizrenit Ramiz Cernica, në detaje, i kishte treguar nipit të vet, prof. Kadri Halimit, etnologut të mirënjohur dhe vuajtësit të dënimit me burg për çështje kombëtare. Rrëfimi i Ramiz Cernicës, thënë Kadri Halimit, është në vijim:
“-Sot jemi mbledhur ne të deleguarit e popullit të Kosovës e të Rrafshit të Dukagjinit për të shprehur vullnetin dhe dëshirën e popullit (shqiptar) të kësaj Krahine. Unë jam i deleguar i popullatës së rrethit të Gjilanit. Këtu sot do të vendoset për fatin e Kosovës dhe të Rrafshit të Dukagjinit. Siç dëgjova nga referati i paraqitur pak më parë, Partia paska vendosur që Krahinën tonë t’ia bashkojë Serbisë pa e pyetur farë popullin e saj. Unë shpreh mospajtimin tim me këtë synim e prejudikim. Populli i Krahinës sonë është kundër bashkimit me Serbinë. Ai është për bashkim me Shqipërinë. Për ne Serbia është njerkë, kurse Shqipëria është nënë. Kush kujdeset më fort për evladin e vet – nëna apo njerka? U muar vesh se nëna kujdest me gjithë zemër e pa hile, kurse njerka gjithherë thjeshtrit i bën hile e padrejtësi. Pra, unë jam për t’iu bashkuar Kosmeti Shqipërisë, sepse me këtë po shpreh dëshirën e popullit. Kjo dëshirë e popullit për bashkim me Shqipërinë është shprehur e shkruar edhe në Rezolutën e Konferencës së Bujanit. Gjatë luftës në këtë drejtim e kuptim i kemi folur edhe popullit tonë. Domethënë fjalët i kemi pasur ndryshe, e sot na doli krejt e kundërta. Nuk dua që brezat e rinj të më mallkojnë përjetë, prandaj po them, me Serbinë –JO!, me Shqipërinë – PO! Kam shpresuar se Ushtria Partizane dhe pushteti i ri i vendosur do të jetë i drejtë. Mirëpo, nuk na doli ashtu. Partizanët të përzier me çetnikë dhe drejtuesit e këtij pushteti të quajtur popullor, brenda shtatë muajve treguan fytyrën e vet. Ju na vratë, na pretë, na masakruat, na burgosët e na gjykuat vend e pa vend e pa pikë faji, sepse gjatë okupacionit, shqiptarët nuk janë sjellë keq ndaj serbëve dhe nuk u kanë bërë zullum. Pra, unë nuk po shoh ndonjë dallim ndërmjet këtij pushteti popullor dhe atij jopopullor të paraluftës. Të gjitha të këqijat na i keni bërë, vetëm se hala nuk keni filluar të na shpërngulni për në Turqi si Jugosllavia e krajlave.”[28]
Kur dëgjoi Kryesia e Punës se ç’po fliste Ramiz Cernica, u ngre Ali Shukriu ia ndërpreu dhe ia mori fjalën këtij diskutuesi. U propozua një pushim e ndërprerje e shkurtër e konferencës, sepse pas Ramizit, ngrenë gishtat dhe kërkuan fjalë edhe disa delegatë të tjerë për ta mbështetur qëndrimin e Ramizit. Me të dalë nga salla e Konferencës, siç ka treguar xhaxhai im Ramizi, m’u afruan Fadil Hoxha dhe Xhavit Nimani dhe duke më marrë ndërmjet tyre, së bashku me ta morëm rrugën drejt Sheshit të Shadërvanit të Prizrenit. Këta dy në bisedë e sipër i kishin thënë Ramizit:
“-Ramiz, deri këtu e deri më tash sa kemi mundur të kemi ruajtur, kurse tash e mbas nuk mund të mbrojmë më. Ruaju se është droje që mund të vrasin serbomalazezët që tash në rrugë.”
Pasi shpëtoi nga vrasja e atypëratyshme, Ramizi udhëtoi për në Gjilan, pa përfunduar mbledhja. Mirëpo, në Gjilan menjëherë e burgosën dhe e dënuan me 20 vjet burg të rëndë, kurse prokurori Gorolub Popoviqi me këmbëngulje kërkonte dënim me vdekje. Nuk bëri para as deklarata e dhënë me shkrim për gjykatën nga ana e Fadil Hoxhës për ndihmë që Ramizi i kishte dhënë Aradhës Partizane me Fadilin në krye, të rrethuar nga italianët në malet e Livoçit të Epërm në pranverë të vitit 1943. Madje, Fadili me urdhër të Partisë e kishte tërhequr deklaratën e dhënë. Nuk bënë para as dëshmitë e serbëve të Komunës së Parteshit se në këtë komunë në saje të Ramizit si kryetar nuk ishin bërë zullume e dhunime kundër serbëve vendës. Ndërkaq Gjykata ushtarake e Shtabit Opertiv në Prishtinë ia dënoi me vdekje edhe djalin, Raifin, dënim të cilin më vonë ia zëvendësuan me 20 vjet burg të rëndë. Raifin e dënuan për arsye se si komisar i Batalonit Partizan të Rinisë në Drenicë, me tërë batalionin e vet kishte kaluar në anën e Shaban Polluzhës dhe përse kishte organizuar likuidimin e Shtabit të Brigadës në Prekaz.
Sa më kujtohet, në Konferencën e Prizrenit, të deleguar nga rrethi i Gjilanit ishin: Ramiz Cernica, Mehmet Krileva, Adem Stançiqi dhe Sinan Hasani. Ky i fundit nënshkroi edhe Rezolutën apo Vendimin e kësaj Konference të Prizrenit. Këta delegatë i kam parë vetë në Prizren, sepse asokohe isha nëpunës i thjeshtë në Këshillin Krahinor në Prizren, ku punoja në Seksionin e Bujqësisë dhe më vonë në atë të tregtisë. Kryeja zakonisht punë daktilografie dhe punë të tjera administrative.[29]
"Selim Selimi në “Bujkun” e datës 23.XII.1995 shkruan: "Pas Konferencës së Bujanit, më 31.XII.43 dhe 1 e 2.1.44 dhe Rezolutës së saj për vetëvendosje e bashkim të Kosovës me Shqipërinë, në radhët e luftëtarëve të Aleancës Antifashiste rreshtuan mbi 53.000 shqiptarë pjesëmarrës të LNÇ-së, të cilët në kushte shumë të vështira dhe në rrethana të pasigurisë jetike, u gjetën në luftë kundër okupatorëve në të gjitha anët e Jugosllavisë që nga Gjevgjelia e deri në Trieshtë. Kështu Kosova u zbraz nga luftëtarët e saj dhe Serbia e bëri aneksimin e Kosovës në korrik të vitit 1945 nën rrethana të administrimit ushtarak.
Për ta justifikuar e zyrtarizuar aneksimin e Kosovës, Serbia organizoi një Konferencë në korrik të vitit 1945 në Prizren për ku caktoi edhe delegatët nga të gjitha rrethet e Kosovës. Në këtë Konferencë mori pjesë edhe Ramiz Cernica, i cili gjatë mbledhjes pati guxim që në fjalën e vet ta thotë hapur e troç se është kundër aneksimit të Kosovës nga Serbia, duke shprehur vullnetin e popullit shqiptar për bashkim me nënën Shqipëri. Për këtë Jo të madhe pësoi pasoja – u dënua me 20 vjet burg të rëndë."[30]
Ja se ç'thotë 88 vjeçari Ilaz Hajdin Brahimni, anëtar i Rojës Partizane në Sojevë dhe korrier i Komitetit të Rrethit në Ferizaj:
- Pata fatin të llafos edhe me Ramiz Cernicën. Ramizi dy net ka fjetur në shtratin tim, në të shkuar dhe në të kthyer nga Prizreni (në korrik 1945).
- Votova për Tiranën, thoshte Ramizi. Veprova ashtu siç ishim marrë vesh dhe siç i kishim premtuar popullit. Kjo për mua dhe për djemtë e mi do të ketë pasoja. Isha dhe jam I vetëdijshëm për këtë, por pasojat e politikat janë të përkohshme, burrëria dhe atdhetaria janë të përhershme, të pavdekshme.[31]
Rexhep Bunjaku, delegat nga Shkupi, i burgosuri politik, anëtar i LNDSH, në tribunën kushtuar Ramiz Cernicës (2007) rrëfenë:
“-Për mua ka qenë diçka e jashtëzakonshme kur kam shkuar aty, ku mbahej Kuvendi. Në të vërtetë, kur qemë afruar te salla na bëri përshtypje ambienti: objekti i sallës, ku mbahej konferenca ishte e rrethuar me dy radhë ushtarësh dhe milicësh, të gjithë të armatosur. Ishte një situatë e çuditshme, dukej e tensionuar, ndonëse paraprakisht asgjë nuk kishin paralajmëruar. Gjithë ajo roje e kishte domethënien e vet e që ne, që futeshim në sallë pa ditë makinacionet, nuk e kuptonim. Kur kam hyrë brenda kam parë disa delegatë serbë nga Ferizaj, që i njihja. Ata ishin në sallë me plisa të bardhë në kokë. Natyrisht se, ata serbë, nuk njiheshin nga të tjerët, por ata si “delegat” i kishin zënë vendet në sallë. Më kujtohet se, në një moment, u bë një tollovi në podium që ishte ngritur si lloj skene. Kjo ndodhi para se të lexohej referati kryesor, dhe atë referat e lexoi Bllagoje Neshkoviq, që kishte ardhur nga Beogradi. Në referat në mënyrë të qartë u lexua aneksimi i Kosovës.
Folësi pas këtij referati, e hodhi poshtë atë që u lexua si vendim i komiteteve republikane dhe krahinore. Por, pa e kryer fjalën, atë me forcë e zbritën nga foltorja dhe e larguan nga salla. Unë, asokohe, nuk i nihja njerëzit, delegatët që ishin aty, dhe nuk arrita ta njihja njeriun që e nxorën me dhunë nga salla. I përcjellja reagimet e të tjerëve. Aty afër meje dhe babës tim, ishte Shukri Dogani, i cili i tha babës: “Rifat, na e shitën Kosovën. Na tradhtuan!” Kurse baba ia ktheu: “A je ne veti, ç’po flet? A nuk e pa se çka i ndodhi atij njeriu që reagoi?” Unë, vërtetë, si i ri – nuk kuptoja se ç’ndodhte, se ç’farë ishte përgatitur. -Domethënë, ai që u nxor me dhunë nga salla, ishte Ramiz Cernica? -Në burg e kam pyetur agën Ramiz: - A ishit ju i larguar me dhunë nga salla ku mbahej Kuvendi i Prizrenit? Ai pat qeshur, nuk qe përgjegjur, veç pat thënë: “Historia do ta dëshmojë!”[32]
Mulla Kamber Krasniqi, nga fshati Dajkoc i komunës së Dardanës, delegat në këtë Kuvend rrëfen për këtë ngjarje:
“Ramiz Cernica para foltores me zë të lartë tha se populli shqiptar andej dhe këndej Bjeshkëve të Nemuna u tradhtua nga Serbia dhe Jugosllavia. Ushtria partizane jugosllave vrau mizorisht disa dhjetëra mijë shqiptarësh të pafajshëm: fëmijë, gra, pleq, plaka; plaçkiti pasuritë e tyre, shtëpitë ua dogji, serbë e malazezë solli dhe po sjell çdo ditë si kolonizatorë në pasurinë e shqiptarëve në Kosovë. “Unë para kësaj foltore jam për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, e jo me Serbinë” - përfundoi fjalën e vet Ramiz Cernica. Në sallë filloi shamata. Disa delegatë shqiptarë në sallë i duartrokitën fjalëve të tij, ndërkaq Ali Shukriu kërkonte të ndërpriten duartrokitjet, t'i merrej fjala Ramiz Cernicës, andaj drejtuesi i mbledhjes ndërpreu mbledhjen, shpalli pushim për disa minuta. Por pushimi zgjati më se një orë. Fadil Hoxha dhe Xhavit Nimani bisedonin diç me Ramiz Cernicën, por ne nuk mund t'i dëgjonim, rreth çkafit bisedonin. Kur vazhdoi më tutje Kuvendi, Ali Shukriu e mori fjalën dhe në diskutimin e tij të ashpër dhe ofendues, Ramiz Cernicën e quajti tradhtar dhe kërkoi përgjegjësi nga ai për diskutimin e tij: “Shoku Ramiz mund të lahet para popullit vetëm në qoftë se e zë gjallë ose e vret Hasan Ali Remnikun...”Fjalët e Ali Shukriut e revoltuan Fadil Hoxhën. Ai u ngrit në këmbë dhe e qortoi ashpër Ali Shukriun: “Ramiz Cernica nuk është shef i milicisë e as milic, andaj ai nuk e ka për detyrë t'i zërë kaçakët e malit”. Mulla Kamber Krasniqi rrëfeu gjithashtu se – para Kuvendit filloi nga puna roja ushtarake dhe e milicisë, e cila qëndronte në hyrjen kryesore e përbërë nga dy ushtarë dhe dy milicë me armatim të lehtë. Gjatë ndërprerjes së punës së Kuvendit roja ishte katërfishuar me ushtarë dhe milicë; në hyrje dhe në tri anët e ndërtesës ishin vendosur edhe pushkë-mitraloza të rëndë të mbështetur në thasët e mbushur me rërë. Kur, pas pushimit filloi punën Kuvendi, në sallë ishin delegatët dhe mysafirët më të lartë të Kosmetit. Salla u mbush përplot me njerëz. Secili delegat u gjend në mes të dy personave civilë, që në të vërtetë ishin oficerë të OZN-ës, me revole në brez. Ata ishin serbë ose malazezë. Dy civilë të tillë ngadalë, si me pëshpërimë, më kërcënuan, në serbishte, me fjalët: “Hoxhë Krasniqi, nëse do të diskutosh, ke mendjen si diskuton dhe çka do të thuash për ardhmërinë e Kosmetit. Ti duhesh të kërkosh që Kosmeti t'i bashkohet vullnetarisht Serbisë”. Civilët e tillë i kërcënonin të gjithë delegatët njësoj. Në ato momente vjedhurazi e shikoja Ramiz Cernicën, i cili u ngrit nga ulësja dhe doli nga salla. Atë kurrë më nuk e pashë në sallë...E ne, nën presionin e armëve, votuam se, gjoja, me vullnetin tonë Kosovën ia aneksuam Serbisë!”. Kështu, pra, Ramiz Cernica ishte larguar nga salla, ku mbahej Kuvendi, kishte dalë i vetmuar në rrugët e Prizrenit dhe ishte gjendur te shatërvanit, me ç'rast i ishin afruar Fadil Hoxha me Xhavit Nimani. Ky i pari e njihte Ramizin, ishte borxhli ndaj tij meqë, në momentin më kritik kur kishte qenë i rrethuar nga italianët në Livoçin e Epërm, Ramizi i kishte dalë në ndihmë dhe e kishte shpëtuar. Fadili i thotë se, nga ai moment e tutje, Ramizi e kishte jetën e rrezikuar, dhe mund të vritet në çdo rast. Mbase Fadil Hoxha i njihte mirë rrethanat, por nuk kishte forcë t’i ndihmonte. E këshillon të ruhej. Aq, e asgjë tjetër.[33]
Mehmet Halimi, Ramiz Cernica në kujtesën e popullit:
Ramiz Cernica hyri në historinë tonë kombëtare, me diskutimin e tij të zjarrtë e të guximshëm në Kuvendin e Prizrenit, në korrik të vitit 1945. Kjo ngjarje pati jehonë edhe në krijimtarinë gojore me titull: "Ramiz Cernica flet n'kuven", ku ndër të tjera poetët popullorë, shquajnë veçanërisht guximin e tij dhe gatishmërinë për sakrificë, qoftë edhe me jetë, këtë më besnikërisht e dëshmojnë vargjet e këngës në fjalë, të vëna në gojën e kryepersonazhit:
'- Ramiz Cemica delegat i Gjilanit, Sun ja kthej un shpinën vatanit. Ramiz Cernicës i shkrepka nuri, Fjala e burrit ma e fortë se guri. Sod do t'jap gjithshka prej vetit, Se sun ja kthej shpinën miletit. Sod do t'bahna kurban i flamurit, Se nuk shkilet fjala e burrit. Për flamur e për atdhe E baj deken si me le...[34]
Ramadan Rexha, Ramizi ishte këshilltar i mirë e shok i jashtëzakonshëm:
„Ramiz Cernica ishte personalitet i rrallë. Asi njeri vështirë mund të gjendej. Ai i përkiste një garniture të veçantë. Ishte fshatar, udhëheqës popullor. Kishte një karakter të fortë. Emri i tij kishte ndikim të madh tek të burgosurit. Ishte shumë i pjekur, shumë i qëndrueshëm. Ka ditë të çmojë situatën politike të kohës. Ishte këshilltar i mirë e shok i jashtëzakonshëm, i paluhatur. Ai, duke qenë besnik i idesë për atdhedashuri, nuk i dhimbej as jeta. Ramizi ka ditë në çdo rrethanë të gjej rrugëdalje, dhe është nderuar dhe respektuar nga të gjithë. Ramizi ishte asi tipi që ua mbyllte gojën hetuesve me mënyrën si bisedonte me anë të filozofisë së popullit dhe me alegori. Filozofia e tij ishte se të gjitha kërkesat e arsyeshme ishin të zbatueshme, por duhet ditur si bëhen ato kërkesa. Në këtë temë e merrte shembullin e njeriut, i cili troket në një derë për të kërkuar ushqim. Me atë rast nga i zoti i shtëpisë kërkon bukë dhe qumësht, por ai ia kthen se nuk mund t'i jepte të dyja, ndërkaq kërkuesi i thotë: -Po mirë, atëherë nëse keni mundësi ma jepni një përshesh. Dhe i zoti i shtëpisë ia ofron një enë me përsheshë dhe kështu, kërkuesi e realizon kërkesën e tij fillestare, në këtë mënyrë përfiton edhe bukën, edhe qumështin. Shkurt, Ramiz Cernica ishte shumë i mençur.“[35]
Ndërkaq, Fazli Seferi, një burrë i urtë, në një kallëzim të tij për Ramiz Cernicën shprehet kështu:
„Ramizi ku ka hi, kurr s'ka menu m'u kthy. Ma trim se ky s'ka, se trimi e ka me nja. Po-ja po, Jo-ja, jo. Ky s'ka punue kurr n'dy mene, po gjithmonë a konë i vendosun edhe me dekë. Edhe n'mledhje t'Prizrenit kur ka dalë Ramizi me folë, ka thanë se Kosova duhet me u lidhë me Shipni, e jo me Serbi, se njerka s'bahet kurrë nanë. Shipninë e kemi nanë, e Serbinë e kemi njerkë. Ai e ka ba njet me dekë. Për qata po thom qi Ramiz Cernica ku ka hi, ka hi me ni mene, mos me u kthye te prap. Trimit duhet me ja pranue, e mos me ja hangër hakun, se Ramiz ma nana s'ban!“[36]
Tre muaj para se të mbahej Kuvendi i Prizrenit, më 25 Prill 1945 u mbajt Gjyqi Ushtarak i Shtabit Operativ në Prishtinë, i kryesuar nga Fadil Hoxha, i cili dënoi 5 veta me pushkatim dhe dy të tjerë me nga 2 vjet burgim të rëndë. Ata që u denuan me pushkatim ishin:
1. Komandanti Isuf Ibrahimi nga Gjilani;
2. Xhafer Lladova nga Lladova;
3. Abdyl Hyseni,
4. Shaban Cernica dhe
5. Raif Halimi (djali i Ramiz Cernicës), që të tre nga Cërnica.
Ekzekutimi i tyre u bë në burgun e Pejës, ndërsa nga pushkatimi shpëtoi vetëm Raif Halim - Cërnica, të cilit dënimi iu shndërrua në 20 vjet burg të rëndë, prej të cilave pothuaj 18 vjet burg të rëndë i mbajti në kazametën e Mitrovicës së Sremit.[37]
Gjatë këtij pushimi të dhunshëm, ndër të tjera Fadil Hoxha i thotë Ramiz Cernicës: „Ramiz, e kam një sihariç për ty. Djalit tënd, Raifit, iu ka falur jeta, por është në gjendje shumë të rëndë shëndetësore. Ai është i sëmurë nga tifoja e morrit dhe gjendet në spital të Pejës. Edhe pse Fadil Hoxha e këshillon të mos shkojë në Pejë se mund ta vrasin ata të Brigadës së Gjashtë Malazeze, Ramiz Cernica e lëshon Kuvendin para kohës dhe niset për në Pejë që ta shohë djalin e tij Raif Halimin.[38]
Për diskutimin e tij të guximshëm dhe të vendosur në Kuvend të Prizrenit, pushtetarët e asaj kohe, reaguan shpejtë, të cilët i kishin vënë menjëherë pusi Ramiz Cernicës te Qafa e Dulës për ta vrarë në kthim nga Prizreni. Me shkuarjen e tij në drejtim të Pejës, i shpëtoi likuidimit të sigurtë.[39]
Në këtë atmosferë u krijuan kushtet që serbët të bënin çfarë të donin me personalitetet shqiptare, pavarësisht veprimeve të tyre parimore e demokratike. Sado që Ramiz Cernica ishte shpallur i pafajshëm, në këtë klimë të krijuar kur serbët ngrenë kokat, Ramizi u burgos, edhe për shkak të presionit të kolonëve të Pozheranit. Kërkesën për burgosjen e tij e bënë Nikolla Nedari, Lluka Vllahoviqi e kolonë të tjerë të fshatit: “Pa burgosjen e Ramizit, serbët nuk mund të jenë të qetë!”- thanë ata, në prani të Dushan Mugoshës. Në shtatorin e vitit 1946, pra, burgoset përsëri, ndërkaq gjyqi civil e dënoi me 20 vjet burgim të rëndë, duke inskenuar e ngarkuar me faje të pa bëra. Bile, kërkesa e prokurorit Gorolub Popoviq ishte që Ramiz Cernica të dënohej me pushkatim. Sipas mendimit të këtij prokurori, po të mbetej gjallë Ramiz Cernica do të jetë tepër i rrezikshëm për pushtetin. Gjykimi vazhdoi më 11, 12, 13 dhe 14 dhjetor 1946. Pas këtij dënimi vazhdojnë ndjekjet e pushtetit ndaj familjes Halimi. Ramiz Cernicën së pari e çojnë në Nish, mandej në Ajdovqevc në punë fizike për ndërtimin e rrugës magjistrale prej jugut deri në Lubjanë. Prej aty e sjellin në Mitrovicë të Sremit. Së pari rri tre muaj në izolim, mandej i mban dhjetë vjet burg prej të cilave shumicën në Mitrovicë të Sremit.[40]
Në burgun e Nishit
Ramiz Cernicën, pasi e dënuan, e qojnë së pari në burgun e Nishit.
I burgosuri politik, anëtar i LNDSH, Rexhep Bunjaku rrëfenë për Ramiz Cernicën:
„Burgu i Nishit për së jashtmi i përngjante Kullës së Babilonit, por, kur hyra brenda, m'u duk se hyra në një prej varreve të piramidave të faraonëve; në një labirint pa shtegdalje, të një humnerë të pafund, në një kazan gjiganit ku të burgosurit, rreth 3000, si një masë e paformësuar, amorfe, silleshin rreth e rrotull pa kurrfarë qëllimi e orientimi, sikur në skëterrën e Dante Aligerit. Sillej një masë pa individualitet, pa vullnet e dinjitet, e humbur e pa shpresë; në apati dhe e dorëzuar fatit dhe stuhisë së jetës: “Le të bëhet ç'ka për t'u bërë!” Ishte një pamje trishtuese, rrëqethëse. Në një ambient kësisoju u njoha me bacën Ramiz.
Ditën e parë të daljes sime në të ashtuquajturin shëtitje e lirë, më ra në sy një burrë rreth të dyzetepestave, me shtat të mesëm. Në dukje të parë nuk lente përshtypjen e ndonjë personi markant, mirëpo sikur tërë qenia e tij ishte e rrethuar me një oreol të shenjtërisë dhe rreziste me një urtësi, mençuri, dashuri, mirëkuptim e durim. I përngjante me moshë e shtat babait tim (te dytë ishin të lindur më 1903). I përmalluar për babanë, e shikoja bacën Ramiz me admirim dhe më mbushej mendja të vrapoja drejt tij që ta përqafoja fortë e fortë... Me mua ishte Abdullah Musliu, poashtu një patriot dhe militant i paepur, gati tërë jetën e kishte kaluar nëpër burgje italiane, gjermane e tash edhe serbo-jugosllave, në shëtitje dhe, duke shikuar bacin Ramiz, e pyeta Abdullah Musliun se kush ishte ky burrë i pashëm e hijerëndë. Më tha se është Ramiz Cernica, dhe me vija të shkurta ma përshkroi jetën, veprimtarinë patriotike dhe qëndrimin e tij të paluhatshëm kur ishte çështje interesi kombëtar, duke shtuar se edhe djalin, Raifin, e kishte në burgun e Mitrrovicës së Sremit.
Pas disa ditësh, në burgun e Nishit, e prunë edhe Hamdi Berishën, nipin e bacës Ramiz, e shokun tim. Një ditë, gjatë shëtitjes në oborrin e burgut, Hamdiu më njoftoi me bacën Ramiz dhe i tregoi se kush isha. Më dukej se isha në ëndërr. Kur u përshëndetëm, i tëri u skuqa nga respekti i jashtëzakonshëm që kisha ndaj tij dhe fillova të belbëzoja diçka pa lidhje. Mirëpo, fytyra e tij simpatike, ai shikim i butë dhe i ëmbël i tij, mandej edhe zëri qetësues, më trimëruan dhe, së shpejti, u lirova nga ajo psikozë inferioriteti. Aty përaty formova një bindje të thellë se sjellja, buzëqeshja dhe mençuria e këtij burri, kishte për ta çarmatosur çdo bashkëbisedues, qoftë si mik apo armik.
Isha djalë i ri 18 vjeç dhe nuk ishte kurrfarë habie që personaliteti i bacës Ramiz ndikoi aq thellë në psikën time. Po, e parafytyroja si babanë tim, por më shumë i përngjante Plakut të Maleve, Bajram Currit legjendar. Dhe, me të vërtetë, jeta dhe veprat e bacës Ramiz tregonin e vërtetonin se nuk isha mashtruar me imagjinatën time rinore. Baca Ramiz, vërtetë, nuk ishte Plaku i Maleve, por legjendë e qëndresës dhe rezistencës kundër armikut; legjendë e qëndrueshmërisë dhe të luftës për të drejtat kombëtare dhe të papërkulshmërisë para armikut.
Baca Ramiz në dukje të parë të jepte përshtypjen e një burri hijerëndë, por në realitet, ishte një burrë tejet modest; në bisedë i urtë, racional, objektiv dhe i arsyeshëm, njëkohësisht këmbëngulës dhe i vendosur. Fjalët e tij ishin ngushëlluese, prindore, qetësuese dhe shpirt-shëruese.
Buzëqeshja e tij pak diskrete, për miqtë, ishte ngazëlluese, joshëse, afruese dhe plot dashuri e bujari, e sa për armiqtë - kjo buzëqeshje sakaq shndërrohej në akull dhe përplot urrejtje dhe përbuzje. Tërë qenia e tij rrezatonte një vetëbesim dhe bindje të thellë për sendërtimin e idealeve të tija të mishëruara me idealet mijëvjeçare të popullit shqiptar.
JO-ja e bacës Ramiz, e përplasur në surrat të Titos, më 1945, kundër bashkimit të Kosovës me Serbinë, e ka pasur, e ka dhe do të ketë peshën dhe rëndësinë historike kombëtare, pse jo edhe botërore. Kurrsesi nuk mund të krahasohet me JO-në e Titos Stalinit në vitin 1948 dhe me JO-në e Enver Hoxhës Hrushqovit më 1961. Nuk mundet se baca Ramiz në atë kohë kur tërë Kosova ishte në plojë e përgjakur dhe kur sundonte terrori i egër sllavo-komunist, me vete dhe prapa vetes e kishte vetëm moralin, idealin dhe bindjen e paepur kundër tërë një aparati totalitar, militarist e policor; kundër një aparati ndëshkimor të Titos. Po ashtu, edhe Enver Hoxha e ka pasur tërë aparatin ndëshkimor shtetëror. Prandaj, JO-ja e bacës Ramiz ka qenë, është dhe do të jetë simbol i trimërisë, guximit dhe heroizmit të pakrahasueshëm në analet e historisë të së kaluarës dhe bashkëkohëses kur kundërshtoi tendencat shfarosëse të armikut.
Duke ia ditur rëndësinë dhe peshën e autoritetit të bacës Ramiz, armiku nuk e lente të qetë as në burg. Ia kishte frikën. Prandaj edhe e mori dhe e largoi nga rrethi admirues i bashkëmendimtarëve dhe ithtarëve të tij. E izoloi larg Kosovës së dashur, në Mitrovicën e Sremit. Por, frymën e bacës Ramiz plot entuziazëm, vetëbesim e bindje të thellë për luftën e shenjtë e për çlirim e bashkim kombëtar të tokave shqiptare, armiku nuk mundi të shkul dhe të izoloj nga mendja dhe shpirti i popullit shqiptar. Baca Ramiz mbeti të jetojë e veprojë me popullin e vet të dashur, duke i prirë gjithmonë atij.[41]
Në burgun e Mitrovicës së Sremit
Ramiz Cernicën e largojnë prej burgut të Nishit me pretekst se kinse ai ishte shumë i rrezikshëm dhe s’duhej të kishte kontakt me të burgosurit e tjerë. Atë e qojnë prej burgut të Nishit në Ajdovqevc të ndërtojë rrugën magjistrale prej Jugut deri në Lubljanë. Prej aty e sjellin në Mitrovicë të Sremit.[42]
Prej Ajdovqevcit e sjellin në Mitrovicë të Sremit, ku tre muajt e parë i kaloi në izolim. Gjatë bisedave me disa të burgosur, Ramiz Cernica e kupton që i biri i tij Raifi ishte po në këtë burg, por në Pavijonin tjetër. Ramizi kërkon të kalojë në Pavijonin tjetër, kërkesë kjo që edhe iu miratua. Në fillim takohen ata dy (babë e bir) në zdrukthtari. Pastaj rastësisht bien së bashku në një dhomë, në një shtrat. Për tri vite rresht rrinë së bashku në një dhomë, pa e ditur pushteti se janë baba e bir. Së bashku i kanë ndarë netët dhe ditët. Së bashku e kanë ndarë të mirën dhe të keqen. Pas tri vitesh shkon dikush dhe i spiunon se Ramizi dhe Raifi janë baba e bir. Menjëherë i ndajnë. Raif Halimi tregon: „Më vështirë m’u ka dukur kur ma kanë larguar babën, sesa kur më kanë burgosur!“[43]
Jeta dhe veprimtaria e pas burgut
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Më 1956 lirohet nga burgu. Në mars të vitit 1961 Ramiz Cernica arrestohet përsëri. Një vit më parë, më 1960 ishte formuar një organizatë ilegale, e cila në programin e saj kishte synimet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe bashkimin e trevave shqiptare nën Jugosllavi me Republikën e Shqipërisë. Këtë organizatë e udhëhiqnin Ali Aliu, nga Presheva dhe dy nipat e Ramizit: Ramadan e Kadri Halimi. Pasi që Ramiz Cernica ishte në dijeni të kësaj organizate u arrestua dhe u dënua me 18 muaj burg të rëndë, të cilat i mbajti përsëri në Nish.[44]
Ramiz Cernica i ka mbajtur gjithsejt 13 vjetë burg.
Vdes më 25 maj 1979 në moshën 76 vjeçare.
„Atdhetari Ramiz Cernica ndërroi jetë në vitin 1979 duke u bërë, me veprimtarinë e tij, gurthemel i rrugëtimit drejt kauzës së madhe të bashkimit kombëtar për rininë shqiptare në trojet e tyre stërgjyshore.“[45]
Ramiz Cernica vdes rreth orës 08:00 të mëngjesit. Varrimi i bëhet në mesditë, rreth orës 14:00. Qëllimi i varrimit brenda një kohe të shkurtër pas vdekjes ishte që pushteti totalitar komunist të mos ketë shumë mundësi dhe hapësirë për t’i dërguar spiunët e tij. Megjithatë, brenda kësaj kohe të shkurtër arritën diku rreth 10.000 persona të marrin pjesë në varrim.[46]
Me rastin e ceremonialit të varrimit të tribunit të popullit, Kadri Halimi tha: “Ju që jeni tubuar këtu me numër kaq të madh, jeni dëshmi se sot po shkon prej mesit tonë një njeri i dashur, i madh, i qetë, i urtë, i drejtpërdrejtë, për të rinjtë këshillëdhënës; jeni dëshmi se ne në këtë pikëllim të thellë nuk jemi të vetmuar. Ai po shkon, por veprat e tij do të mbesin... Fjala e tij është dëgjuar kudo në Kosovë...” Ky funeral u shpall armiqësor nga Komiteti i Ferizajt, madje shovinisti Dushan Ristiq kishte propozuar që Kadri Halimi të arrestohet, por Fadil Hoxha kishte ndërhyrë se ky ishte vetëm një ceremonial familjar, prandaj nuk duhet të politizohet deri në atë masë.[47]
„Ramiz Cërnica, është simbol i shkrirjes së vullnetit deri në flijim, i guximit dhe urtësisë që haptas të deklarojë me çmimin e jetës, edhe pse i rrethuar nga aparati i dhunës shtetërore jugosllave. Ai është kundër aneksimit të Kosovës nga ana e Serbisë, duke shprehur njëkohësisht vullnetin e popullit të Kosovës për bashkim me Nënë Shqipërinë, që ishte premtuar në Konferencën e Bujanit.“[48]
Ramiz Cernica nuk ishte historian, por me veprën dhe angazhimin e tij atdhetar, krijoi histori dhe hyri në të për të mbetur përgjithmonë në mesin e figurave të mëdha të atdheut. Ai radhitet në mesin e atyre burrave të mëdhenj të kombit që qindvjeqarët dhe epokat me shumë vështirësi ia falin njerëzimit. Figura e Ramizit dhe meritat e tij karshi atdheut e bëjnë atë të pavdekshëm duke i rezervuar vend nderi në altarin e lirisë. Respekti i brezave të rinj nda Ramizit dhe veprës së tij ishte dhe do të jetë frymëzim i përhershëm. Andaj, gjithë përpjekjet që bëhen për vlerësimin e kësaj figure madhore të kombit, është vetëm një kontribut modest yni krahasuar me borxhin që kemi ndaj tij dhe ndaj veprës madhore të tij.[49]
Lidhje të jashtme
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- Dr. Jakup Krasniqi, Fjalim në Akademinë Kombëtare për Tribunin e Kombit Ramiz Cernica
- Rexhep Bunjaku tregon se si e takon Ramiz Cernicën në burg
- Hashim Shala & Sevdi Malsia - Ramiz Cernica
- Këngë për Ramiz Cernicën
- Nusret Pllana - Fjalim për Ramiz Cernicën
- Abdyl Hoxha - Djali i Ramiz Cernicës
- Ndue Dodaj - Fjalim për Ramiz Cernicën
- Ismet Sylejmani - Fjalim për Ramiz Cernicën 2011
- Fjalim në Akademinë Kombëtare për Tribunin e Kombit Ramiz Cernica
- Ambasadori i Shqipërisë flet në tribunën mbajtur për Ramiz Cernicën, më 10 janar 2007 në Prishtinë
Referenca
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- ↑ HISTORIA E POPULLIT SHQIPTAR :: ARKIVI HISTORIK
- ↑ EmigrantiBuch: “Shpalime historike - Pjesa 6, Familjarët për Ramiz Cernicën-1”
- ↑ Cërnica
- ↑ Ramiz Cërnica
- ↑ [Me Serbinë JO, Me Shqypnin PO!”, Prishtinë, GRAFOPRINT 2011, f. 37 Ibrahim Kadriu: “Ramiz Cernica, simbol i bashkimit kombëtar ]
- ↑ [Me Serbinë JO, Me Shqypnin PO!”, Prishtinë, GRAFOPRINT 2011, f. 39 Ibrahim Kadriu: “Ramiz Cernica, simbol i bashkimit kombëtar ]
- ↑ [Me Serbinë JO, Me Shqypnin PO!”, Prishtinë, GRAFOPRINT 2011, f. 39)Ibrahim Kadriu: “Ramiz Cernica, simbol i bashkimit kombëtar ]
- ↑ [Me Serbinë JO, Me Shqypnin PO!”, Prishtinë, GRAFOPRINT 2011, f. 40 Ibrahim Kadriu: “Ramiz Cernica, simbol i bashkimit kombëtar ]
- ↑ Mehmet Halimi; „Tribun i dashur i popullit“, Rilindja, 28 dhe 29.05.1993
- ↑ Mehmet Halimi; „Tribun i dashur i popullit“, Rilindja, 28 dhe 29.05.1993
- ↑ Mehmet Halimi; „Tribun i dashur i popullit“, Rilindja, 28 dhe 29.05.1993
- ↑ [Me Serbinë JO, Me Shqypnin PO!”, Prishtinë, GRAFOPRINT 2011, f. 52 Ibrahim Kadriu: “Ramiz Cernica, simbol i bashkimit kombëtar ]
- ↑ Me Serbinë JO, Me Shqypnin PO!”, Prishtinë, GRAFOPRINT 2011, f. 53 Ibrahim Kadriu: “Ramiz Cernica, simbol i bashkimit kombëtar]
- ↑ Mehmet Halimi; „Tribun i dashur i popullit“, Rilindja, 28 dhe 29.05.1993
- ↑ Mehmet Halimi; „Tribun i dashur i popullit“, Rilindja, 28 dhe 29.05.1993
- ↑ Mehmet Halimi; „Burgosja e parë e Ramiz Cernicës“, Zëri, 04.01.2007
- ↑ (Tahir Berisha „Troje që nuk shuhen, shënime nga Vërbani dhe Anamorava“, Prishtinë 1993, faqe 196-197)
- ↑ Mehmet Halimi; „Tribun i dashur i popullit“, Rilindja, 28 dhe 29.05.1993
- ↑ Ibrahim Kadriu: “Ramiz Cernica, simbol i bashkimit kombëtar / Me Serbinë JO, Me Shqypnin PO!”, Prishtinë, GRAFOPRINT 2011, f. 85
- ↑ ^Ramiz Cernica me gjasë nën ndikimin e Rifat Berishës, Iljaz Agushit, etj, në njëfarë mase e në disa raste ka ndihmuar Lëvizjen Nacionalçlirimtare.
- ↑ (Mehmet Halimi; „Tribun i dashur i popullit“, Rilindja, 28 dhe 29.05.1993)
- ↑ Afërdita Halimi: „Raif Halimi-Cernica, veteran i luftës dhe demokracisë në Kosovë“, Eurorilindja, Tiranë, 2000, f. 41
- ↑ Mehmet Halimi; „Tribun i dashur i popullit“, Rilindja, 28 dhe 29.05.1993
- ↑ http://www.pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=4593 Prof. dr. Sabile Keçmezi - Basha: KUVENDI I PRIZRENIT (08-10 KORRIK 1945) DHE VENDIMET E TIJ, Prishtinë, 04. 11. 2015
- ↑ Ibrahim Kadriu: “Ramiz Cernica, simbol i bashkimit kombëtar / Me Serbinë JO, Me Shqypnin PO!”, Prishtinë, GRAFOPRINT 2011, f. 125
- ↑ Ramiz Cërnica // https://www.academia.edu/15013626/Ramiz_Cernica
- ↑ YouTube/ https://www.youtube.com/watch?v=uUuZ5zkQMRo&t=1331s EmigrantiBuch: Shpalime historike - Pjesa 15, Manifestim i ditës së shkollës Ramiz Cernica – 2
- ↑ Ibrahim Kadriu: “Ramiz Cernica, simbol i bashkimit kombëtar / Me Serbinë JO, Me Shqypnin PO!”, Prishtinë, GRAFOPRINT 2011, f. 125-126
- ↑ Ibrahim Kadriu: “Ramiz Cernica, simbol i bashkimit kombëtar / Me Serbinë JO, Me Shqypnin PO!”, Prishtinë, GRAFOPRINT 2011, f. 249-252
- ↑ Gazeta “Bujku”, 23.XII.1995
- ↑ Gazeta “Bujku”, 23.XII.1995
- ↑ Ibrahim Kadriu: “Ramiz Cernica, simbol i bashkimit kombëtar / Me Serbinë JO, Me Shqypnin PO!”, Prishtinë, GRAFOPRINT 2011, f. 195-196
- ↑ Ibrahim Kadriu: “Ramiz Cernica, simbol i bashkimit kombëtar / Me Serbinë JO, Me Shqypnin PO!”, Prishtinë, GRAFOPRINT 2011, f. 127-129
- ↑ Ibrahim Kadriu: “Ramiz Cernica, simbol i bashkimit kombëtar / Me Serbinë JO, Me Shqypnin PO!”, Prishtinë, GRAFOPRINT 2011, f. 277
- ↑ Ibrahim Kadriu: “Ramiz Cernica, simbol i bashkimit kombëtar / Me Serbinë JO, Me Shqypnin PO!”, Prishtinë, GRAFOPRINT 2011, f. 181
- ↑ Ibrahim Kadriu: “Ramiz Cernica, simbol i bashkimit kombëtar / Me Serbinë JO, Me Shqypnin PO!”, Prishtinë, GRAFOPRINT 2011, f. 278
- ↑ Ramiz Fazliu, Nuk ndërtohet perandoria në toka të huaja, Rilindja, 17 korrik 1995
- ↑ Afërdita Halimi: „Raif Halimi-Cernica, veteran i luftës dhe demokracisë në Kosovë“, Eurorilindja, Tiranë, 2000, f. 72-73
- ↑ YouTube/ https://www.youtube.com/watch?v=1mSXz884Pds&t=5s EmigrantiBuch: Shpalime historike - Pjesa 1, Kujtime të Ymer Halimit për Mulla Halimin dhe Ramiz Ahmetin – Cernicën
- ↑ Ibrahim Kadriu: “Ramiz Cernica, simbol i bashkimit kombëtar / Me Serbinë JO, Me Shqypnin PO!”, Prishtinë, GRAFOPRINT 2011, f. 142-143
- ↑ Ibrahim Kadriu: “Ramiz Cernica, simbol i bashkimit kombëtar / Me Serbinë JO, Me Shqypnin PO!”, Prishtinë, GRAFOPRINT 2011, f. 143-146
- ↑ Afërdita Halimi: „Raif Halimi-Cernica, veteran i luftës dhe demokracisë në Kosovë“, Eurorilindja, Tiranë, 2000, f. 75
- ↑ Afërdita Halimi: „Raif Halimi-Cernica, veteran i luftës dhe demokracisë në Kosovë“, Eurorilindja, Tiranë, 2000, f. 77
- ↑ Ibrahim Kadriu: “Ramiz Cernica, simbol i bashkimit kombëtar / Me Serbinë JO, Me Shqypnin PO!”, Prishtinë, GRAFOPRINT 2011, f. 257
- ↑ https://inforculture.info Sami Arifi, Atdhetari Ramiz Cernica, me guximin e tij, demaskoi planet djallëzore aneksioniste të kulçedrës serbe, 13 nëntor 2024
- ↑ YouTube/ https://www.youtube.com/watch?v=kZODjzEsQu0&t=2048s EmigrantiBuch: Shpalime historike - Pjesa 3, Kujtime të Veli Hoxhës për Ramiz Cernicën & Hasan Remnikun
- ↑ Ibrahim Kadriu: “Ramiz Cernica, simbol i bashkimit kombëtar / Me Serbinë JO, Me Shqypnin PO!”, Prishtinë, GRAFOPRINT 2011, f. 280
- ↑ https://www.epokaere.com/kthimi-i-ramiz-cernices-ne-gjilan Xhevat Xh. Latifi, Kthimi i Ramiz Cërnicës në Gjilan, 18 dhjetor 2022
- ↑ Ibrahim Kadriu: “Ramiz Cernica, simbol i bashkimit kombëtar / Me Serbinë JO, Me Shqypnin PO!”, Prishtinë, GRAFOPRINT 2011, f. 267-268
- Artikuj që mund të jenë tepër të gjatë
- Dyshime të pikëpamjes neutrale në Wikipedia
- Artikuj të Wikipedisë me probleme stili
- Artikuj të Wikipedisë me probleme stili sipas muajit
- Pastrim i referimeve të Wikipedisë
- Artikuj që kanë nevojë për pastrim referimesh
- Artikuj me probleme të shumta të mirëmbajtjes
- Atdhetarë shqiptarë
- Lindje 1903
- Njerëz nga Gjilani