Shko te përmbajtja

Reed Hastings

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Reed Hastings, viti 2015 në konferencën Re Publica

Wilmot Reed Hastings Jr. (Shqiptimi: Uilmot Rid Hejstings; lindur më 8 tetor 1960) është një afarist amerikan. Ai është bashkëthemelues dhe kryeshefi ekzekutiv i Netflix, Inc., që ofron shërbimin transmetues në internet Netflix. Hastings ulet në një numër bordesh dhe organizatash jofitimprurëse. Si një ish-anëtar i Bordit Shtetëror të Arsimit të Kalifornisë, Hastings avokon edhe për reformën e arsimit përmes shkollave themelore.

Që prej janar 2025[[Kategoria:Artikuj që përmbajnë deklarata potencialisht të vjetruara nga Gabim shprehjeje: Operator i papritur <]], Forbes llogariti vlerën neto të Hastings-it të jetë 5.5 miliardë Dollarë amerikanë.

Hastings lindi në Boston, Masaçusets në Shtetet e Bashkuara. Babai i tij, Wilmot Reed Hastings, Sr., ishte një avokat për Departamentin e Shëndetësisë, Arsimit dhe Mirëqenies gjatë pushtetit të Richard Nixon-it, dhe nëna e tij, Joan Amory Loomis, ishte debutante nga një familje e klasit Boston Brahmin që u gërdit nga bota e klasit të lartë dhe i ushtroi fëmijët e vet ta mohonin. Stërgjyshi i tij nga ana e nënës ishte Alfred Lee Loomis.

Hastings vijoi mësimet në Shkollën Buckingham Browne & Nichols në Kembrixh, Masaçusets, dhe kishte shitur fshesa me korrent derë-më-derë gjatë një viti pauzë para se të hynte në universitet. Në 1983, ai diplomoi nga Kolegji Bowdoin me një Bachelor të Arteve në Matematikë. Hastings-it iu duk Bowdoin-i një shkollë "e bukur dhe tërheqëse", dhe akoma qëndron i angazhuar me të.

Ai u kyç në trajnim për t'iu inkuadruar Trupave të Marinës së Shteteve të Bashkuara gjatë verërave. Ai nuk plotësoi trajnimin dhe nuk u inkuadrua fare, duke vendosur përndryshe të shërbente në Korpusin e Paqes "prej një kombinimi të shërbimit dhe aventurës". Me Korpusin e Paqes, ai dha mësim matematike në një gjimnaz prej afro 800 studentëve në Suazilandin rural veriperëndimor prej 1983 deri në 1985. Ai ia jep meritat për shpirtin e tij afarist kohës së tij atje, duke theksuar që, "Sa të kesh shtegtuar përtej Afrikës me dhjetë lekë në xhep, nuk duket kaq e frikshme të nisësh një biznes."

Pasi u kthye nga Korpusi i Paqes, Hastings vijoi mësimet universitare në Universitetin e Stanfordit pasi u refuzua nga përzgjedhja e tij e parë e MIT, duke diplomuar në 1988 me një Master në Shkenca Kompjuterike.

Themelimi i Pure Software

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Puna e parë e Hastings-it ishte në Adaptive Technology, ku krijoi një mjet për riparimin e softuerit. Ai takoi Audrey MacLean-in në 1990 kur ishte kryeshefe në Adaptive Corp. Në 2007, Hastings i tha CNN-it, "Mësova prej saj vlerën e përqëndrimit.. Mësova që është më mirë të bësh një produkt mirë sesa dy produkte mediokër."

Hastings e la Adaptive Technology në 1991 për të shtruar themelet për kompaninë e tij të parë, Pure Software, që prodhoi produkte të riparimit të softuerit. Rritja e kompanisë u duk sfiduese për Hastings-in, meqë nuk pati përvojë menaxheriale. Ai konstatoi që pati telashe me menaxhimin e një stafi në rritje. Prapavija e tij e inxhinierisë nuk e bëri gati për sfidat e një kryeshefi ekzekutiv, dhe i kërkoi bordit të tij që ta zëvendësonin, duke thënë që po humbte vetëbesimin. Bordi refuzoi, dhe Hastings tha që aty mësoi të bëhej një afarist. Pure Software u çua në aksione publike nga Morgan Stanley në 1995.

Në 1996, Pure Software njoftoi një bashkim me Atria Software. Bashkimi i të dy kompanive integroi programet për gjetjen e defekteve softuerike nga ana e Pure Software-it dhe mjetet e menaxhimit të softuerit kompleks nga ana e Atria-s. Wall Street Journal njoftoi që pati probleme me integrimin e forcave shitëse të të dyja kompanive pasi të dy kryeshitësit i braktisën pas bashkimit.

Në 1997, kompania e kombinuar, Pure Atria, u ble nga Rational Software, që nxiti një rënie prej 42% të aksioneve të të dyja kompanive pasi u njoftua marrëveshja. Hastings u caktua kryeshef teknik i kompanive të bashkuara dhe e braktisi atë pak pas blerjes.

Themelimi i Netflix

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
Logoja e Netflix-it
Në 1997, Reed Hastings bashkëthemeloi Netflix-in, duke ofruar qira për filma përmes postës me tarifa fikse për klientët në SHBA

Në 1997, Hastings dhe ish-punonjësi i Pure Software-it Marc Randolph bashkëthemeluan Netflix-in, duke ofruar qira me tarifa fikse për filma të dërguar me postë drejt klientëve në Shtetet e Bashkuara, duke bashkuar dy teknologji në rritje: DVD-të, që ishin më të lehta të dërgoheshin me postë sesa kasetat VHS; dhe një uebfaqe prej nga mund të porositeshin, sesa një katalog në letër. Me seli në Los Gatos, Kaliforni, Netflix fitoi një koleksion prej 100,000 titujve dhe më shumë se 100 milionë abonentëve. Hastings pati idenë për Netflix pasi la Pure Software-in. "Më duhet të paguaja një komision për vonesën e Apollo 13. U vonua që gjashtë javë dhe i pata borxh videodyqanit 40 Dollarë. E humba kasetën. Ishte faji im. Nuk desha t'i thosha gruas time. Dhe i thashë vetes, 'A do ta sakrifikoj integritetin e martesës sime për një komision vonese?' Më vonë, rrugës për në palestër, kuptova që ata e kishin një model më të mirë biznesi. Mund të paguash 30 apo 40 Dollarë në muaj dhe të ushtrosh sa të duash." (Randolph tha më vonë që këtë anekdotë e kishte shpikur Hastings për ta shpjeguar modelin e abonimit të Netflix-it; Blockbuster thuhet që i kërkoi Hastings-it mos ta përçojë më këtë rrëfim, pasi nuk mund ta gjente këtë transaksion në regjistrat e vet.)

Hastings tha që kur e themeloi Netflix-in, nuk pati idenë nëse klientët do ta përdornin shërbimin. Ai është ithtar i televizionit në internet dhe e sheh si të ardhmen. Ai ia jep meritat YouTube-it për ndryshimin e tij të strategjisë për zhvillimin e një shërbimi të videotransmetimit. Netflix lansoi një shërbim në 2007 për të përçuar filma dhe seriale televizive në kompjuter.

Kultura e Netflix-it

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Teksa rritej po Netflix, kompania po vërehej për praktikat inovatore të menaxhimit—rezultat i kulturës që po zbulonte Hastings—të quajtur "liria dhe përgjegjësia". Raportohet që Netflix-i i ofron punëtorëve mediokër paketa të mëdha të shkëputjes për të siguruar që punëtorët punojnë vazhdimisht për ta përçuar mjedisin e tij inovativ. Netflix ka eliminuar pushimin mjekësor dhe ditët e caktuara të pushimit që t'i lejojë punëtorëve ta caktojnë veç e veç kohën e tyre të pushimit.

Hastings krijoi një udhëzues të brendshëm kulturor për Netflix duke u takuar me punëtorët që ta diskutojnë kulturën e kompanisë. Në gusht 2009, Hastings e postoi këtë udhëzues të brendshëm në internet, dhe u bë në fund një mjet i ekzaminimit paraprak të punëtorëve që dekurajonte njerëzit e papërshtatshëm prej aplikimit.

Në shtator 2020, Hastings dhe Erin Meyer bashkëshkruan një libër rreth kulturës dhe parimeve menaxheriale të Netflix-it me intervista prej punëtorëve aktualë dhe të dikurshëm. No Rules Rules: Netflix and the Culture of Reinvention (Regjohet Pa Rregulla: Netflix dhe Kultura e Rishpikjes) ishte një libër bestseller i gazetës New York Times dhe u spikat në listat e fundvitit për botimet si NPR dhe The Economist. Ai ia doli në listën e ngushtë për Çmimin e Librit Biznesor të Vitit të gazetës Financial Times.