Oxhaqet feudalë

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Oxhakët feudalë ishin familjet e mëdha pronare tokash, që përbënin oligarkinë sunduese feudale të Shqipërisë në shek. XVIII e deri në fillim të shek. XX.

Secili oxhak kishte vendosur pushtetin e vet politik e ushtarak dhe e përforconte atë duke krijuar lidhje familjare, aleanca e tarafe brenda e jashtë krahinës. Porta e Lartë mbështetej tek më të fuqishmit prej oxhakëve feudalë, të cilët i lidhi deri diku pas vetes, duke u besuar detyrat më të rëndësishme administrative e ushtarake dhe duke shfrytëzuar, nga ana tjetër, rivalitetin midis tyre. Ndër oxhakët feudalë më të përmendur në Shqipëri gjatë shek. XVIII kanë qenë: Toptanët në Krujë, Velabishtët në Berat, Vlorajt në Vlorë, etj.

Regjistrimet e para kadastrale osmane në Shqipëri[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Organizimi i Perandorisë Osmane dhe funksionimi i aparatit të saj shtetëror mbështetej mbi pronën feudale ushtarake, sistemin e timarit. Kjo lloj prone u vendos në Ballkan dhe në Shqipëri gradualisht, që me pushtimet e para osmane të shek. XIV. Por mungojnë burimet historike të shek. XIV për të pasqyruar dinamikën e shtrirjes në kohë e hapësirë të sistemit të timarit.

Dokumenti më i hershëm i zbuluar der tani, për të njohur sistemin agrar që vendosën pushtuesit osmanë në Shqipëri dhe në Ballkan, është një regjistër kadastral i vitit 835 h. (1431-1432), i emërtuar "Regjistri i Sanxhakut Shqiptar" (Defter-i Sancak-i Arvanid). Në të janë përfshirë një pjesë e viseve të Shqipërisë Perendimore, që shtriheshin nga Çamëria deri në lumin Mat. Krahas pasqyrimit të shpërndarjes së timareve në çastin e hartimit të regjistrit, në të ka edhe shënime që u referohen periudhave më të hershme, kohës së sulltan Bajazitit I (1389-1402) dhe të sulltan Mehmetit I (1413-1421).

Të dhënat e regjistrit të vitit 1431-1432 për praninë e sistemit të timarit në Shqipëri që në fund të shek. XIV janë fare të pakta dhe kanë të bëjnë me krahinën e Korçës e të Përmetit. Kurse për kohën e sulltan Mehmetit I janë më të shumta. Ato tregojnë se pas pushtimit prej osmanëve në vitet 1417 e 1418 të kështjellave të Gjirokastrës, të Beratit, të Kaninës etj., ishte bërë një regjistër kadastral dhe ishte formuar Sanxhaku Shqiptar po me atë shtrirje të përafërt që do të kishte edhe në regjistrimin e mëvonshëm të vitit 1431-1432.

Në kohën e sulltan Mehmetit I pushtuesit osmanë kryen regjistrimin themeltar të vendbanimeve, të shtëpive, të pronave tokësore, i grupuan ato nëpër timare të madhësive të ndryshme (sipas funksionit e influencës që kishin spahinjtë), caktuan llojet e taksave dhe sasinë e detyrimeve që familjet e regjistruara duhet t`i paguanin shtetit dhe spahiut të tyre.

Ata synonin të zbatonin sistemin e tyre feudal ushtarak dhe, në radhë të parë, të vendosnin pronësinë feudale osmane mbi tokën, e cila ishte mjeti kryesor i prodhimit. Të gjitha tokat e punueshme, arat, livadhet, kullotat, pyjet, korijet, pavarësisht në duart e kujt ndodheshin, konsideroheshin pronë mirie, d.m.th. pronë shtetërore (araz-i mirye) dhe vetëm një fond i kufizuar tokash u jepej si pronë private (araz-i mulk) komandantëve të shquar ushtarakë. Toka vakuf (erz-i vakfe-tokë e shenjtë) formonte një kategori të veçantë prone, atë të institucioneve fetare.

Nga ana formale juridike pronari i tokave të shpallura mirie konsiderohej Zoti, por ajo administrohej prej sulltanit, i cili konsiderohej halif (mëkëmbës i profetit Muhamed).

Me shpalljen e tokave të regjistruara si pronë mirie, fshatarëve, që ishin pronarë tokash, iu kufizua e drejta në pronat e tyre, kurse fisnikët shqiptarë u zhveshën nga zotërimet e tyre dhe nga favoret që kishin në bazë të së drejtës feudale. Tani tokat e pushtuara hynë në fondin e përgjithshëm tokësor të shtetit osman. Në vartësi me madhësinë e të ardhurave që, sipas funksioneve, rëndësisë e njohjeve, u caktoheshin feudalëve të rinj osmanë, tokat u pjesëtuan në feude të vogla, të mesme dhe të mëdha, që administrata osmane i emërtonte timare, ziamete e hase. Këto prona u shpërndaheshin me kusht ushtarakëve të quajtur spahinj (d.m.th. kalorës), subashë e sanxhakbejlerë, si dhe funksionarëve civilë. Këta i mbanin pronat për aq kohë sa ishin në funksionet përkatëse dhe përmbushnin detyrimet e tyre.

Në fillim administrata osmane në Shqipëri, në pjesën më të madhe të saj, përbëhej nga të huaj. Krahas tyre kishte një numër të konsiderueshëm spahinjsh shqiptarë të islamizuar, të cilët përgjithësisht vinin nga radhët e fëmijëve të fisnikëve që sulltani i kishte marrë si pengje. Kishte edhe një numër të kufizuar spahinjsh shqiptarë të krishterë. Timaret e këtyre të fundit përgjithësisht ishin në zona të thella, mbi të cilat administrata osmane e kishte shumë të vështirë të vepronte.

Krahinat e pushtuara osmanët i ndanin në njësi të ndryshme administrativo-ushtarake. Këto njësi nuk ishin krijesa arbitrare, por mbështeteshin në lidhjet historike e traditën vendase të ndarjeve kishtare e administrative. Sanxhakët ishin njësitë më të rëndësishme administrativo-ushtarake të Perandorisë Osmane.

Sipas burimeve historike, që njihen deri tani, në tokat shqiptare u krijuan, në periudha të ndryshme të shek. XV, disa sanxhakë: pashasanxhaku i Shkupit, sanxhaku i Janinës, Sanxhaku Shqiptar (Sancak-i Arvanid) etj. Më i rëndësishmi prej tyre ishte pashasanxhaku i Shkupit, që kishte 22 nahije gjithsej dhe një shtrirje shumë të gjerë: nga Selaniku në lindje dhe arrinte në perëndim deri në Gostivar e Kërçovë. Burimet më të hershme historike për organizimin e tyre, që kanë arritur të ruhen deri në ditët tona, i përkasin Sanxhakut Shqiptar.

Sanxhaku Shqiptar pati si kryeqendër Gjirokastrën dhe shtrihej nga Çamëria deri në lumin Mat. Ai bënte pjesë në ejaletin e Rumelisë, ku përfshiheshin të gjithë sanxhakët e Ballkanit. Sanxhaku Shqiptar ishte i ndarë në njësi të vogla, në vilajete, ku përfshiheshin disa krahina (nahije).

Në krye të sanxhakut qëndronte sanxhakbeu, komandanti i ushtrisë së sanxhakut që formohej nga disa qindra spahinj. Në krye të vilajetit ishte subashi, komandanti i spahinjve që i kishin timaret në vilajetin përkatës. Subashët vareshin nga sanxhakbeu dhe kishin vetëm funksione ushtarake.

Në çdo vilajet, pranë subashëve ishin kadilerët, kryetarët e zyrës së Sheriatit (Ligji i Shenjtë), të cilët kryenin funksione administrative, civile, gjyqësore dhe fetare. Ata si kryetarë gjyqi, vendosnin jo vetëm në proceset juridike, por edhe ndërhynin në çështjet e shfrytëzimit dhe të ndarjes së timareve. Pranë kadilerëve kishte edhe funksionarë të tjerë të administratës shtetërore osmane. Këta ishin naibët, zëvendësit e kadilerëve, dhe imamët, funksionarët e kultit osman. Në çdo qytet ishte edhe dizdari, komandanti i rojeve të kështjellës. Të gjithë ata ishin të pajisur me timare. Popullsia jo myslimane (e krishterë, etj.) cilësohej raja (e nënshtruar).

Regjistrimi kadastral i vitit 835 h. (1431-1432)[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Aparati shtetëror qendror e lokal i Perandorisë Osmane kujdesej për zbatimin e sistemit të timarit, mbi bazën e të cilit ishte ngritur e funksiononte tërë ngrehina politike, ushtarake e administrative e Perandorisë Osmane. Të ardhurat që vileshin nga tatimet e sistemit të timarit mbanin në këmbë gjithë aparatin shtetëror dhe mbulonin shpenzimet e tij. Gjithashtu ushtria e spahinjve, e zotëruesve të timareve, ishte pjesa më e rëndësishme e forcave ushtarake osmane që zbatonte sistemin e timarit, që mbante në këmbë Perandorinë Osmane dhe që, nëpërmjet luftërave pushtuese, zgjeronte kufijtë e saj.

Kujdesin e veçantë, që kishte aparati shtetëror për zbatimin e sistemit të timarit, e tregojnë më së miri procesi i regjistrimeve kadastrale të herëpashershme dhe shënimet e shumta anësore me të cilat janë pajisur regjistrat përkatës. Hartuesit e kadastrave (eminët) dërgoheshin nga kryeqyteti për të bërë regjistrimet. Në bazë të dekreteve (berateve), që sulltani u kishte lëshuar spahinjve, eminët shkonin fshat më fshat për të regjistruar shtëpitë, pronat e tatimet që duhej të vileshin. Në përfundim të këtij procesi eminët hartonin regjistrat e hollësishëm (mufasal defteri). Gjithashtu ata bënin edhe kopje të përmbledhura të tyre, siç është edhe regjistri kadastral i vitit 835 h. (1431-1432), që është zbuluar në arkivat turke. Ai është i pajisur me shënime anësore që janë bërë vazhdimisht, deri në vitin 1455, për të pasqyruar zëvendësimin e spahinjve të mëparshëm me të rinj, ndryshimet që pësonin timaret, duke i zmadhuar ose zvogëluar ato, si dhe krijimin e timareve të reja me fshatra e grupe familjesh që zbuloheshin si të paregjistruara e të fshehura etj. Prandaj herë pas here ndërmerreshin regjistrime të reja, nëpërmjet të cilave administrata qendrore e ajo lokale siguronte pasqyra më të plota e të sakta për funksionimin e sistemit të timarit. Në këtë kuadër u ndërmor edhe regjistrimi i vitit 835 h. (1431-1432), nga i cili është zbuluar një kopje e përmbledhur e tij. Ai është regjistri kadastral më i hershëm për Ballkanin i hartuar nga administrata osmane dhe i zbuluar deri më tani. Kjo kopje është e ndarë rastësisht në dy pjesë, nga të cilat vetëm njëra është botuar në vitin 1954 prej historianit turk Halil Inalçik. Në të janë shënuar emrat e ndarjeve administrative e të qendrave të banimit, emrat e spahinjve, llojet e tatimeve që paguheshin e madhësia e tyre e shënuar në akçe (monedhë osmane) etj.

Ashtu si gjatë regjistrimit të kohës së sulltan Mehmetit I, edhe me regjistrimin e ri të vitit 835 h. (1431-1432), Gjirokastra vazhdoi të ishte kryeqendra e Sanxhakut Shqiptar dhe në këtë sanxhak ishin përfshirë krahinat nga Çamëria deri në lumin Mat. Ai ishte i ndarë në 11 vilajete, të cilat më vonë do të quhen kaza: vilajeti i Gjirokastrës, i Këlcyrës, i Kaninës, i Beratit, i Tomoricës, i Skraparit, i Pavël-Kurtikut, i Çartallozit, i Krujës, i Përmetit dhe i Korçës. Dy vilajetet e fundit janë përfshirë në pjesën e pabotuar të regjistrit osman të vitit 835 h. Si sanxhakbe i Sanxhakut Shqiptar u caktua Ali bej Evrenozi.

Krahas krahinave që ishin përfshirë në Sanxhakun Shqiptar, shënimet anësore të regjistrit të vitit 835 h. (1431-1432) tregojnë se ndërkohë osmanët kishin regjistruar edhe rajone të tjera shqiptare. Sipas tyre, në një regjistër të veçantë e të panjohur deri tani ishin shënuar zotërimet e Gjon Kastriotit. Në këto regjistra nuk u përfshinë zotërimet veneciane në Shqipëri.

Sipas regjistrit të vitit 835 h. në Sanxhakun Shqiptar ishin rreth 475 timare, duke përfshirë edhe shtesat e bëra gjatë viteve të mëvonshme. Shumica e timareve, afro 80% e tyre, u ishte dhënë spahinjve myslimanë të huaj, midis të cilëve kishte edhe osmanë. Pjesa tjetër ishin spahinj shqiptarë myslimanë apo të krishterë. Këta, veçanërisht spahinjtë e krishterë, ishin caktuar në rajone të thella, ku administrata osmane e kishte vështirë të vepronte. Në raste të tilla eminët nuk shkelnin fare nëpër fshatra dhe i regjistronin banorët e tyre formalisht, sipas regjistrit të mëparshëm ose deklarimit të spahinjve. Kështu u veprua për fshatrat e rajonit të Këlcyrës, për fshatrat e viseve përgjatë rrjedhjes së lumit Shkumbin etj.

Rrjedhimet e sistemit të timarit[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Vendosja e sistemit të timarit ndryshonte raportet e pronësisë mbi tokën, që ishte çështja themelore për jetën ekonomike, shoqërore e politike të vendit dhe që përcaktonte shkallën e zhvillimit të marrëdhënieve feudale.

Si trashëgim nga e drejta bizantine, për shekuj të tërë toka në tërësi konsiderohej se i përkiste sovranit (perandorit, mbretit etj.). Në këtë mënyrë ishin motivuar detyrimet që popullsia kishte ndaj pushtetit shtetëror qendror për prodhimet e tokës dhe që përbënte atë pjesë të rentës që merrte shteti bizantin (renta qendrore). Pjesa tjetër e rentës u përkiste individëve të veçantë, përfaqësuesve të shtresës së pasur, që ishte në krye të jetës ushtarake, politike e ekonomike në provinca. Një rentë e tillë, e ndarë në dy pjesë, krijonte marrëdhënie që në njërën apo tjetrën formë kufizonin të drejtat e pronësisë private mbi tokën. Mbi këtë formë të rentës qe ngritur e kishte vepruar institucioni feudal bizantin i pronies. Me kalimin e kohës kornizat kufizuese mbi të drejtat e pronësisë mbi tokën erdhën duke u shkelur gjithnjë e më shumë, derisa institucioni i pronies në fakt pushoi së vepruari dhe përgjithësisht toka kishte kaluar në pronësi private të plotë deri në shitblerjen e saj.

Me zbatimin e sistemit të timarit, pushtuesit osmanë realisht rivendosën pronien bizantine dhe prekën shtresat e ndryshme shoqërore, sidomos fisnikërinë shqiptare, e cila përgjithësisht u zhvesh nga pronat e veta. Vetëm një pjesë e përfaqësuesve të saj u integruan në radhët e spahinjve e të drejtuesve të shtetit osman. Këta, si dhe individë nga shtresat e tjera, qofshin edhe të ulëta, që futeshin në radhët e luftëtarëve osmanë dhe dalloheshin në luftime, merrnin timare dhe poste të ndryshme, madje edhe në viset shqiptare. Si vendas ata duhej të zbusnin pakënaqësinë e shqiptarëve ndaj pushtuesve të huaj dhe të ndihmonin në vendosjen e sistemit të timarit. Edhe disa familje që ishin caktuar për ruajtjen e mirëmbajtjen e kështjellave e të ngushticave nga kalonin rrugët, osmanët i lironin nga një pjesë e detyrimeve për t`i lidhur me pushtetin e tyre. Elementë të tjerë nga radhët e fisnikërisë shqiptare u përfshinë në shtresën e spahinjve e të funksionarëve osmanë nëpërmjet institucionit të iç-ogllanit (pazhë) dhe të gulamit (djalë i rritur).

Dokumentet dëshmojnë se, qysh kur nisën sulmet për pushtimin e tokave shqiptare, osmanët i kushtuan vëmendje shtresës së fisnikëve. Krahas prirjes për mënjanimin e përfaqësuesve të pabindur të kësaj shtrese, aty ku qëndresa ishte e dobët, në rajonet ku vendosja e pushtetit osman ishte e vështirë, pushtuesit u përpoqën të përdornin elementë nga radhët e fisnikërisë shqiptare për të neutralizuar pakënaqësinë dhe qëndresën e tyre. Për këtë ata përdorën marrëdhëniet e vasalitetit dhe i detyronin fisnikët shqiptarë të dërgonin bijtë e tyre të vegjël si pengje në oborrin e sulltanit, si iç-ogllanë (pazhë). Këtu ata konvertoheshin në fenë islame dhe edukoheshin me frymën e besnikërisë ndaj sulltanit. Pas një dekade, kur mendohej se ishin formuar si osmanllinj të vërtetë, ata pajiseshin me timare të mëdha dhe ofiqe të larta, sipas aftësive që tregonin. Nëpër institucionin e iç-ogllanit kaluan i biri i Gjon Kastriotit, Skënderbeu, i biri i Teodor Muzakës, Jakup Beu, i biri i Gjon Zenebishit, Hamza Beu etj.

Elementë të tjerë nga radhët e fisnikëve shqiptarë qëndronin pranë bejlerbeve e sanxhakbejlerëve si gulamë (djalë i rritur), jetonin e shërbenin pranë tyre që të përgatiteshin për karrierën e feudalit osman. Pas kësaj, gulamëve të islamizuar mund t`u jepeshin si timare dhe pronat e baballarëve ose të afërmve të tyre. Institucioni i gulamit u zbatua edhe në Shqipëri. Iç-ogllanë e gulamë me origjinë shqiptare morën timare e poste jo vetëm në Shqipëri, por edhe në rajone të tjera të Perandorisë Osmane.

Këto masa nuk e dobësuan pakënaqësinë dhe qëndrimin e fisnikëve shqiptarë, të cilët përgjithësisht pushtimi osman i shkatërroi si shtresë shoqërore, duke u marrë pronat dhe të drejtat ekonomike, politike, gjyqësore e administrative që rridhnin nga e drejta feudale.

Sistemi i timarit preku thellë edhe shtresën e gjerë të fshatarësisë pronare tokash, së cilës deri diku iu kufizua shitblerja e tokës si e drejtë thelbësore e pronësisë reale mbi të. Nën sistemin e timarit toka konsiderohej pronë e shtetit dhe fshatari nuk mund ta braktiste atë. Vetëm me lejen e spahiut ai mund t`ia shiste atë një personi tjetër me kusht që blerësi të punonte tokën, të përmbushte të gjitha detyrimet ndaj shtetit e spahiut dhe t`i paguante këtij të fundit një taksë të veçantë, atë të tapisë, që lidhej me aktin e blerjes. Sistemi i timarit e përkeqësoi gjendjen e fshatarësisë si pronare tokash, e vendosi atë nën detyrime të shumta dhe nën varësinë e feudalëve të huaj osmanë. Duke u shpallur të gjitha tokat si pronë shtetërore (mirie), fshatarët ish-pronarë ndiheshin si të zhveshur nga pronat e tyre.

Para pushtimit osman fshatarët përgjithësisht i paguanin kryezotit të tyre të dhjetën e prodhimeve bujqësore, një dukat dhe obrokun (që ishte 4 grosh = 2/9 e dukatit) për çdo shtëpi. Kurse tani nën sistemin e timarit u rrit llojshmëria dhe madhësia e detyrimeve ndaj shtetit dhe timarlinjve (spahinjve). Këta të fundit u merrnin për vete fshatarëve yshyrin (e dhjeta), si taksë në natyrë për të gjitha prodhimet bujqësore e çdo aktivitet tjetër ekonomik, ispenxhën, taksë në të holla që ishte 25 akçe për familje fshatare jomyslimane (të krishterë etj.), 22 akçe për familje myslimane (e njohur me emrin resmi-çift) dhe ishte më e vogël për beqarët e moshës madhore, si dhe për familjet e drejtuara nga gra që u kishin vdekur burrat. Gjithashtu spahinjtë merrnin taksën e tapisë së tokës, kur ajo shitej apo trashëgohej nga fëmijët, taksën e martesës, gjoba të ndryshme etj. Kurse shteti merrte xhizjen, taksë që e paguanin për familje popullsitë jomyslimane (rajatë) që ishte në masën e 45 akçeve në vit, xhelepin, taksë e blegtorisë, të dhjetën e gjakut, që ishte një tribut vjetor me djem të vegjël, të cilin ishte e detyruar ta jepte çdo qendërbanim për të mbushur radhët e ushtrisë së jeniçerëve. Çdo familje, pavarësisht nga besimi, paguante avarizin e divanit, që ishte detyrim në të holla për Këshillin e Lartë të shtetit turk. Gjithashtu ato kishin edhe një varg detyrimesh specifike, si p.sh. mbulimin e shpenzimeve të ushtrisë kur ajo shkonte në luftë etj.

Pesha e detyrimeve të mësipërme rëndohej edhe më shumë prej abuzimeve që bëheshin gjatë vjeljes së tyre me dhunë nga aparati i fuqishëm ushtarako-administrativ i Perandorisë Osmane që, për nga ashpërsia, ishte i pakrahasueshëm me atë të sundimtarëve vendas të mëparshëm. Sa kohë që Perandoria Osmane vazhdonte të zgjeronte kufijtë e saj, spahinjtë nuk i kushtonin vëmendjen e duhur mbarëvajtjes së timareve, sepse të ardhurat që vilnin prej tyre ishin më të vogla nga ato që siguronin nëpërmjet grabitjeve gjatë luftërave pushtuese apo shtypjes së kryengritjeve e revoltave të ndryshme. Kur dalloheshin nëpër luftime, spahinjtë e ushtarët e tjerë osmanë në viset e sapopushtuara merrnin timare më të mëdha nga ato që kishin pasur më parë. Sipas së drejtës feudale osmane, spahiu e mbante timarin për aq kohë sa përmbushte detyrimin e pjesëmarrjes në luftë bashkë me pajisjet personale luftarake sa herë ta thërrisnin eprorët e tij. Kur timari i siguronte spahiut deri në 5 mijë akçe të ardhura në vit, duhej të shkonte në luftë vetëm dhe, për çdo 5 mijë akçe të ardhura më tepër, ai duhej të merrte me vete nga një ushtarak të armatosur (xhebeli).

Pozita e spahinjve, si zotërues timaresh, konsiderohej e përkohshme dhe e pasigurtë, prandaj veprimtaria e tyre karakterizohej nga abuzimet, grabitjet e krime të shumta, po ashtu siç vepronin edhe gjatë fushatave ushtarake. Vetë kronistët osmanë bashkëkohës me ngjarjet e mësipërme dëshmojnë për dhunën e spahinjve, për shkretimin e krahinave të tëra gjatë fushatave ushtarake të tyre, për grabitjen e pasurive të tundshme e të patundshme të banorëve të viseve që sulmoheshin, të gjësë së gjallë, si dhe të fëmijëve e të të rriturve, të cilët shiteshin si skllevër.

Shih edhe[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]