Shko te përmbajtja

Roza Anagnosti

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Roza Anagnosti (Xhuxha), (Tiranë, 27 tetor 1943) është aktore e shquar e Teatrit Kombëtar dhe kinematografisë, bashkëshorte e regjisorit po ashtu mjaft të njohur Dhimitër Anagnosti.[1]

Roza Anagnosti ka lindur në Tiranë, por origjinën e ka nga Mirdita dhe në fëmijëri mbante mbiemrin Xhuxha.[2] I ati ka qenë oficer karriere, kurse nëna shtëpiake. Pas çlirimit të vendit më 1944, familja u shpërngul në qytetin e Shkodrës ku jetonte edhe familja e gjyshit nga nëna. Aty përfundoi shkollën fillore dhe të mesme. Qëkur ishte në kopsht ka treguar prirje artistike(muzikë dhe balet), që u bënë më të dukshme e më të qëndrueshme me ecurinë e viteve. Nën drejtimin e pedagogëve L.Deda, H.Shahini, Tonin Harapi në Shtëpinë e Pionierit dhe Preng Jakova në Shtëpinë e Kulturës, kur për tre vjet bëri kurse baleti me balet maestro profesionist, do të startonte edhe rrugën e bukur të artit. Por sikurse shkruan artistja në kujtimet e saj, megjithëse u cilësua si një vajzë me talent në të ardhmen, ëndrra e saj nuk e pati të lehtë.

Roza kthehet në Shkodër ku vazhdoi gjimnazin “29 Nëntori”. Por në të njëjtën kohë dha provimet me korrespodencë në Liceun Artistik dega e artit dramatik. Në vitin 1965 u diplomua në degën e dëshiruar, duke çelur njëherësh dritën jeshile për t’iu futur rrugës së artit.

E filloi karrierën ne Teatrin “Migjeni” të Shkodrës. Vetëm 20 vjeç, hyri në kinematografi me rolin e mësueses në filmin “Detyrë e posaçme” (K. Dhamo, 1963). Një vit më pas luajti Filen në filmin “Toka jone” (H. Hakani, 1964). Viti 1966 ishte viti i bashkëpunimit të suksesshëm me regjisorët debutues Dhimitër Anagnosti e Viktor Gjika, ne filmin “Komisari i drites”. Pas këtij filmi Roza dhe Dhimitri martohen dhe jetojnë në Tiranë. Për Rozën fillon periudha më e shkëlqyer e karrierës, me role të shumta në Teatrin Kombetar në Tiranës dhe në kinematografi. Roza Anagnosti bëhet një aktore shumë e kërkuar nga regjisorët. Luan mbi 20 filma dhe fiton disa çmimet të rëndësishme kombëtare. Çifti Anagnosti bëhet simbol i suksesit në art. Disa nga filmat më të suksesshëm janë tek “Plagë të vjetra” (Dh. Anagnosti, 1969), ”Fije që priten” (M. Fejzo, 1976) me të cilin fitoi Medalionin e Festivalit të vitit 1977, “Mesonjëtorja” (M. Fejzo, 1979) me të cilin u shpall aktorja më e mirë dhe fitoi Kupën e Festivalit më 1981. Me filmin “Rruga e lirisë” fitoi Medalionin e dytë. Filmat e tjere janë “Ndergjegja” 1972, “Qyteti me i ri ne bote” 1974, “Ne shtepine tone” 1979, “Dita e parë e emërimit” 1981, “Besa e kuqe” 1982, “Taulanti kerkon nje motër” 1984, “Hije që mbeten pas” 1985, “Bote e padukshme” 1987, “Familja ime” 1987, “Vrasje në gjueti” 1987, “Rikonstruksioni” 1987, “Kthimi i ushtrisë së vdekur” 1989, “Vetmi” 1990. Përveç shumë vlerësimeve e çmimeve për karrierën, Roza Anagnosti mban titullin “Artiste e Merituar” dhe "Mjeshtre e Madhe e Punës".

  1. Dibra, Zenepe (2009). Fjalor enciklopedik i gruas shqiptare. Shkodër: Camaj-Pipa. fq. 19–20. ISBN 9789995602673. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  2. Anagnosti, Roza (2013). "Roza Anagnosti: Si ma dënuan babanë në 1950 me 15 vjet burg politik". shqiptarja.com. {{cite web}}: Shiko vlerën e |archive-url= (Ndihmë!)