Rrok Gera

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Jump to navigation Jump to search
Rrok Gera
Ministër i Financave
21 tetor, 1935 – 7 nëntor, 1936
Paraardhësi: Abdurrahman Dibra
Pasardhësi: Kolë Thaçi
18 korrik – 28 gusht, 1944
Paraardhësi: Sokrat Dodbiba
Pasardhësi: Et'hem Cara
Ministër i Ekonomisë Kombëtare
31 maj, 1938 – 7 prill, 1939
Paraardhësi: Terenc Toçi
Pasardhësi: Llambi Aleksi
Të dhënat personale
Lindi më: 15 gusht, 1901
Lindi në: Shkodër, Perandoria Osmane
Vdiq më: 28 janar, 1969
Vdiq në: Shkodër, Republika Popullore e Shqipërisë
Kombësia: Shqiptar
Profesioni: ekonomist, nëpunës
Shkolla e kryer: Universiteti i Vienës
Grada shkencore: doktor në ekonomi
Bashkëshortja Gjyljeta (v. 1955)
Feja: i krishter katolik

Rrok Gera (Shkodër, 15 gusht 1901? - 28 janar 1969) ishte nëpunës dhe dy herë ministër i Financave i Shqipërisë.

Jeta[redakto | përpunoni burim]

Leu në familjen e Zefit të Nikollë Gerës dhe Luçie Vasës. Më 1917 përfundoi Kolegjin Ksaverian të Jezuitëve dhe po atë vit merr bursë nga administrata austro-hungareze për në akademinë tregtare të Linz-it në Austri.

Më 1924 me nxitjen e Stefë Curanit, kur Luigj Gurakuqi ishte ministër i Financave, Rrokut i akordohet një bursë për të vazhduar studimet e larta pranë Fakultetit të Marrëdhënieve Ekonomike Ndërkombëtare në Universitetin e Vienës. Ku dhe mbrojti doktoraturën më 1928. Pasi kryen praktikën në Vienë, kthehet në atdhe dhe më 19 maj 1929 emërohet Shef i Seksionit Financiar në Ministrinë e Ekonomisë Kombëtare dhe Zëvendëskomisar për Shoqëritë Anonime (me ministër Milto Tutulanin dhe kryeministër K. Kottën)[1]. Më pas punoi në Bankën Kombëtare të Shqipërisë të sapo krijuar[2].

U caktua për të shoqëruar shkrimtarin austriak Friedrich Wallisch në udhëtimin e tij më 1930-31. Emërohet zëvendëskomisar në Bankën Kombëtare të Shqipërisë dhe më 18 qershor 1930 emërohet sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Financave, kur ministër ishte Kolë Thaçi der më 1935. Përgatiti mbi 70 projektligje të rëndësishme për çështje të sistemit tatimor dhe për të themeluar të parën revistë shkencore, me titull “Ekonomisti Shqiptar”[1]. Lidhja e Kombëve në Gjenevë zgjedh Gerën si anëtar korrespodent të komisionit financiar të saj[2].

Emërohet ministër i Financave në kabinetin e Mehdi Frashërit më 25 tetor 1935. Në qeverisjen e shkurtër të quajtur "e të rinjve" kishte liri të kufizuar për të bërë reformat e dëshiruara[1]. Më 1937 emërohet kryetar i Këshillit Kontrollues të Financave deri më 1938[3].

Në qeverinë Kotta emërohet ministër i Ekonomisë Kombëtare më 31 maj 1938. Më 7 prill është i ngarkuari i Mbretit Zog për bisedime me gjeneralin Guzzoni[3], komandanti i përgjithshëm i ushtrisë italiane. Me situatën e pushtimit Gera vendosi të largohej së bashku me familjen në LarisaGreqisë. Pastaj kërkoi të kthehej në atdhe, por autoritetet fashiste nuk e lejuan. Madje edhe e internuan në Itali, ashtu si edhe familjarë të tjerë të tij. U kthye në atdhe vetëm pas deklaratave se nuk do të merrej me çështje politike[1].

Më 1944 dekretohet ministër në Berlin, por nuk e ushtron këtë detyrë[3]. Emërohet ministër i Financave në qeverinë Dine në korrikun e 1944, periudhë që lidhet me përpjekjet e tij për kombëtarizimin e Bankës Shqiptare[1].

Pas Luftës së Dytë Botërore arrestohet, gjykohet në Gjyqin Special më 13 prill 1945 dhe dënohet me 10 vjet burg dhe punë të detyrueshme. Pas disa amnistive lirohet në dhjetor 1949. Për 3 muaj punoi si llogaritar në ndërmarrjen e lëndëve djegëse, Shkodër. Arrestohet më 24 prill 1951 dhe dënohet për të njëjtat akuza si herën e parë, "bashkëpunim me pushtuesin" dhe u burgos në Burrel[1]. Për këtë shkak më 8 maj 1958 Gjykata e Lartë i jep pafajësinë, pasi nuk mund të dënohej dy herë për të njëjtën akuzë.

Vdes në Shkodër më 28 janar 1969[3].

Pikëpyetje[redakto | përpunoni burim]

? - Sipas të dhënave të ish-të përndjekurve ditëlindja është 15 gusht 1898[4]

Referencat[redakto | përpunoni burim]

  1. ^ a b c d e f Misja V., Rrok Gera (1901-1969) jeta dhe vepra, Tiranë: Ilar, 2008.
  2. ^ a b Ministrat e financave 1912- 2005: album historik kushtuar Ministrave të Financave në vite. Tiranë : Ministria e Financave, 2005. ISBN 999-27-857-2-1.
  3. ^ a b c d Dervishi K., Kryeministrat dhe ministrat e shtetit shqiptar në 100 vjet, Tiranë: "55", 2012. fq. 128. ISBN 9789994356225
  4. ^ Rryçi L., "Ish-të përndjekurit, bankat ku do të tërhiqen paratë", 18 Mars 2009.