Sadije Gjilani

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Sadije Gjilani (Brestovci) është një mësuese shqiptare.

Jeta[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Sadije Gjilani lindi në Gjilan, më 5 mars 1920, nga babai Ramadan Brestovci dhe nëna Hanumshahe Fetahu nga Letovica e Bujanocit. Prindërit e Sadijes më 1922 u shpërngulën në Shqipëri. Ata atje e fituan nënshtetësinë shqiptare dhe jetonin në Tiranë. Sadije Gjilani, shkollën filllore V-klasëshe e kreu në Shijak. Në vitin 1936 e kreu Shkollën e mesme amerikane në Kavajë. Po të njëjtin vit ia filloi punës si mësuese e Shkollës fillore "Hasan Prishtina" në Durrës. Më vonë një vit në Berat dhe dy vjet në Lushnjë.

Në vitin 1939 transferohet përsëri në Durrës ku punon si mësuese deri në shtator të vitit 1941, kur niset për Kosovë.

Në të vërtetë, më 25.10.1941, Drejtoria e Shkollës "Hasan Prishtina" në Durrës e njoftonte me Shkresën nr. 32, Sadije Gjilanin se ajo ishte caktuar (transferohej) si drejtoreshë prej Durrësit në Shkollën fillore të Gjakovës. Mirëpo, mësuesja Sadije Gjilani e përmalluar për vendlindje - për Gjilanin e refuzoi urdhëresën dhe gradimin e Ministrisë s' Arsimit, që si drejtoreshë të punonte në Shkollën fillore të Gjakovës. Prandaj, ajo nga Ministria e Arsimit ishte konsideruar si dorëheqëse nga puna e mësuesisë deri më 5 prill 1943.

Ministria e Arsimit me telegram nr. 4009/253 të dt. 9.1.1942 e informonte Inspektorinë e Arsimit në Durrës se mësuesja Sadije Gjilani, në bazë të vendimit nr.1431 të Këshillit Ministror të nisej për Gjilan pa vonesë. Gjithashtu "urdhëri i përparshëm pë lënien e saj në dispozicion të Inspektorisë s'Arsimit në Durrës anulohej".

Inspektoria Arsimit duke shqyrtuar kërkesën e saj për riemërim si mësuese, ngase ajo e kishte refuzuar urdhëresën që të punonte si drejtoreshë e Shkollës fillore në Gjakovë, por me shkresën nr.812 dt 5 prill 1943 e njoftoi Inspektorinë e Arsimit në Prishtinë se Sadije Gjilanin e ngarkonte si mësuese të punëdorës në kursin e grave në Gjilan, me shpërblim mujor 140 fr.shq., për atë kohë kur punon. Zëvendësinspektori i Arsimit e njoftonte Ministrinë e Arsimit në Tiranë se Sadije Gjilani ishte paraqitur në detyrë me 5.11.1943. Ajo në muajin nëntor 1943 ishte në listën e pagave si mësuese e ngarkuar për luftimin e analfabetizmit.

Sadije Gjilani - Brestovci, si mësuese punoi deri në fund të vitit shkollor 1943/44. Pas Luftës së Gjilanit, në dhjetor 1944, bashkë me babanë Ramadan Brestovcin, në këmbë iku për Tiranë. Në Durrës Komiteti Ekzekutiv i Prefekturës - seksioni për arsim e emëroi mësuese në Peshkopi, ku punoi dy vjet (1945-1947).

Në vitin 1947 kthehet në Durrës dhe punon si mësuese e Shkollës fillore "Bajram Curri" të Plazhit të Durrësit. Pas disa muajsh ajo caktohet për ta vijuar kursin për aftësimin e edukatoreve parashkollore në Tiranë, të cilin e kreu me sukses të dalluar. Prej vitit 1948 e deri në vitin 1952 ishte edukatore në Kopshtin parashkollor, në Institutin për fëmijët e smuet në Durrës. Prej viti 1955 e lëshoi arsimin dhe e ushtroi punën e rrobaqepëses në Tiranë. E ka vetëm një djalë, Fatmir Carra, artist në Teatrin e Operës dhe Baletit në Tiranë.

Shkolla fillore "Bogdani" në Gjilan, në vitin shkollor 1943/44 ishte shkollë V-vjeçare me mbi 300 nxënës.

Referime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

[1]

  1. ^ Shkollat dhe Arsimi Shqip. Abdylaziz Veseli. fq. 188–190. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)