Shko te përmbajtja

Sadik Kaceli

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Sadik Kaceli
(1914-2000)
Lindi14 mars 1914
Vdiq24 dhjetor 2000 (86 vjeç)

Sadik Kaceli (Tiranë, 14 mars 1914 - 24 dhjetor 2000) ka qenë arsimtar dhe piktor shqiptar, i nderuar me titullin "Artist i Merituar".Qe autori i kartëmonedhës se pare shqiptare të stampuar në vitet e para të çlirimit, i stemës së Republikës së Shqipërisë (1946) dhe i dizajnit të flamurit kombëtar shqiptar.

Ka qenë piktor realist, nuk u përshtat kurrë me realizmin socialist dhe prandaj u mënjanua nga diktatura. Mbahet mend për portretet dhe peisazhet.[1]

U lind më 1914 në gjirin e një familjeje qytetare zanatlinjsh tiranas, i biri i Osman Kacelit dhe Zyhrasë nga familja e Saldajve.[2] I ngelur jetim herët, i ati ndërroi jetë nga një e ftohur që kishte marrë në mbrojtjen e Shkodrës.[3] Ekonominë e shtëpisë e mbarështuan të vëllezërit, Ismaili (vd. 1932), Aliu, Ramazani dhe Jonuz Kaceli, i të cilëve ishte më i vogli.[4] Në pazarin e vjetër të Tiranë, pas sahatit pranë xhamisë së Et'hem Beut kishin dyqanin e kartolerisë në godinën e ngritur në vitet '30 së bashku me Gjon Lacën, që nga një anë kishte të shkruar "Vllazën Kaceli".[5]

Më 1929 nisi arsimin e mesëm në shkollën vokacionale amerikane.[1] Në vitet 1932-1936 ndoqi "Shkollën e Vizatimit", ku kishte mësues Andrea Kushin, Mario Ridolan dhe Abdurrahim Buzën. Më 1934 u zgjodh ndër nxënësit e shkëlqyer të “Shkollës së Vizatimit” dhe sëbashku me një grup nxënësish të Gjimnazit të Shtetit u shpërblyen me një udhëtim në Stokholm, ku u pritën nga Konsullata Shqiptare atje.[6]

Më 12 prill 1936 pasi i kishte shkruar një letër Henri Matisse, për ta ndihmuar që të fillonte akademinë në Paris, piktori i moshuar e orientoi tek një shkollë private e drejtuar nga miku i tij André Lhote.[6] Kaceli shkoi në Paris me mbështetjen e familjes, por nuk shkoi tek akademia e Lhote, por u regjistrua në “Ecole Superieure des Beaux Arts” në Paris.[3]

U kthye në Tiranë më 1941,[7] me disa metodika për mësimdhënien dhe pasi u hap Liceu Artistik "Jordan Misja", dha mësim aty deri në pension.[3]

Autor i stemës së Republikës, një nga themeluesit e Galerisë së Arteve, me studime të kryera jashtë vendit, Sadik Kaceli është një nga piktorët më të njohur të familjes Kaceli. Por në faza rudimentare artistët e parë të pikturës në këtë familje kanë qenë dekoruesit e mureve të banesave, apo ata që pikturonin arkat e sëndukët në të shkuarën. Ndërkaq edhe vetë Buroni ka ndjekur udhën e të atit dhe merret me pikturë vazhdimisht. Autor i një sërë ekspozitash kombëtare jashtë vendit para ‘90, ai vazhdon të merret me pikturë dhe të çelë ekspozita ndonëse më rrallë. Ndër pinjollët e tjerë të familjes Gëzim Kaceli është gjithashtu Artist i Popullit dhe figurë e njohur e koreografisë shqiptare, profesionin e të cilit e ka trashëguar i biri, Renis Kaceli i cili është pedagog koreografie në Itali ndërsa e motra studion po aty për kanto. Te katërt fëmijët e Sadikut: Ermali, Buroni, Heroina e Lumnika jane marre me art ne një mase a tjetër qofte kjo ne drejtim te artit figurativ apo letërsi. Omeri, një tjetër pinjoll i familjes ka përfunduar shkëlqyeshëm për pikturë në Artet e Bukura në Tiranë. Ndërsa Buroni preferon peizazhin, Sadiku, i ati ka preferuar edhe portretin. Në studion e tij të vjetër të cilën e gjetëm në rikonstruksion gjenden veç pikturave me temë nga dasmat tiranase edhe portrete të mrekullueshme pleqsh me mustaqe dhe qeleshe si edhe ndonjë skulpturë e vogël në mur ashtu si edhe një autoportret i piktorit.

  1. 1 2 Robert Elsie (2010). Historical Dictionary of Albania (në anglisht). Rowman & Littlefield. fq. 219–220. ISBN 9780810861886.
  2. Butka, Uran (2004). Bombë në ambasadën sovjetike. Tiranë: Booktique.al.
  3. 1 2 3 Buron Kaceli (8 shkurt 2021). "Familja Kaceli, një institucion arti më vete". Gazeta shqiptare. Intervistuar nga Fatmir Terziu.
  4. Marsida T. Najdeni (10 shkurt 2020). "Familja tironase Kaceli". radiandradi.com.
  5. Eli Xoxa, Kaceli : 1914 - 2000 : monografi / red. Arben Xoxa. - Tiranë : Botimet Enciklopedike, 2008. - 138 f : me il ; 28 cm
  6. 1 2 Julia Vrapi (16 tetor 2014). ""Sadik Kaceli- Retrospektivë", GKA ekspozon krijimtarinë 70 vjeçare të artistit". Sot. Arkivuar nga origjinali më 17 prill 2021. Marrë më 9 shkurt 2021.
  7. Dhurata Hamzai (31 janar 2019). "I biri, Buroni: një rrëfim për veprat e panjohura të Sadik Kacelit". shqiptarja.com (Intervistë).