Sali Rama

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Sali Rama

Sali Rama lindi në BogëRugovës me 1892. Komandant (major), strateg ushtarak dhe udhëheqës i shquar i Rugovës që luftoi për mbrojtjen e kufirit shqiptar kundër forcave malazeze të Knjaz Nikollës dhe Mark Milanit. Rrjedh nga një familje e njohur Rugovase për bujari e trimëri dhe është i njohur si prijës i kryekrerëve rugovas, siç u thonë në këtë anë luftëtarëve të radhëve të para. Terë jetën, deri ne vitin 1946 kur edhe u burgos, luftoi për mbrojtjen e atdheut duke u bërë simbol i qëndreses rugovase.

Periudha e kohës se Lidhjes Shqiptare të Prizrenit[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Ekzistenca rugovase qe e madhe vazhdimisht. Çdo periudhë historike nxirrte njerëz të denjë që me përkushtim qëndonin në kry të masave dhe i udhëhiqnin ato në luftëra për mbrojtjen e tërësisë tokësore dhe të dinjitetit kombëtar.

Koha e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit nxori njerëzit e vet në Rugovë. Rexhë Avdia, Çelë Shabani, Sali Jaha, Hysen e Kadri Bajri, Balë Alija e të tjerë, u bënë legjendë e rezistencës. Në luftën e madhe Nokshiqit ky brez rugovasish luftuan krah përkrah me Jakup Ferin, Ali Ibrën, Mic Sokolin etj ku korrën fitore në fushën e betejës.

Periudha 1900-1946[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Koha tjetër që përfshin periudhën 1900-1946, në të cilën u bë një rezistencë gjithnjë e madhe, qe e përmbushur me luftëra e beteja të shumta, prapë nxori në shesh kryetrimat e luftrave të radhëve të para. Sali Rama, Ker Sadrija, Sak Fazlija, Jashar Haxha, Zhuk Haxhija, Rizë Zymeri, Tahir Coli e të tjerë tani udhëheqnin masat në luftëra e beteja gjithnjë për të mbrojtur tërësinë tokësore dhe dhanë jetën ose u burgosën për një Shqipëri etnike. Rugovasit mbajnë mend edhe shumë njerëz të tjerë të dalluar si Bardh Balia e Cuf Sokoli si pleqnarë dhe Avdi Rama e Sali Rama si paria e Rugovës.

Në këtë periudhë të përpjekjeve të mëdha Sali Rama, Zhukë Haxhia, Ker Sadrija e Sak Fazlija janë ata që u bënë sinonim i fitores dhe i rezistencës. Ker Sadrija tani ishte tribun popullor, Sak Fazlija trim i betejave e Sali Rama strateg luftarak.

Duhet përmendur një pjesë nga libri "MUNDËSITE POLITIKE, EKONOMIKE DHE KULTURORE NË KOSOVË DHE METOHI 1929-1941" nga autori Bozica Slavkovic, i cili i'a kushton kapitullin 5.3.1 të këtij libri Lëvizjes Kaçake në Kosovë ku ndër të tjera thuhet:

"Një nga drejtuesit kryesorë të veprimeve ilegale ishte Azem Bejta, vendi i tij kryesor ishte në rajonin e Vushtrrisë. Ai përhapte idenë për Shqipërinë e Madhe, në mes të vitit 1919 ai vizitoi pjesë të Kosovës me një hartë që tregon zonat që do t'i përkasin Shqipërisë së Madhe. Përkrahë Bejtes, udhëheqësit ishin Sali Rama në rajonin e Pejës e Rugovës, Jusuf Meha në rrethin e Novopazarit, pastaj Beqir dhe Zeqir Rexha, që vepronin në rajonin e Istogut bashke më Ramë Berisha e Sokol Rama."

Biografia[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Gurra e Sali Rames në Rugove

Sali Rama i Bogëve është njëri prej kryekrenëve rugovas, si u thonë në këtë anë luftëtarëve të radhëve të para, i cili tërë jetën, derisa ra në burg, luftoi për mbrojtjen e atdheut.

Rugova nxori shumë kryekrenë, kaçakë. Prijësi kryesor i kryekrenëve të Rugovës ishte Sali Rama. Ai u bë legjendë për rugovasit, kurse tmerr për armiqtë. Këtij kaçaku të parë të Rugovës i doli zëri anembanë dhe kudo, ndër shqiptarë, gëzonte respekt. Ishte një mesoburrë mustaqezi, i patrembur edhe pse i qetë, i urtë, bujar dhe me virtyte të shumta.

Rezultatet e të gjitha betejave, e të luftërave që u zhvilluan në këto anë, që nga lufta e Beranës, lufta e Pazarit, lufta e Moknës të cilat janë luftërat më të mëdha, rezultojnë falë strategjisë luftarake të Sali Rames. Sali Rama mori pjesë në të gjitha ngjarjet e rëndësishme dhe u dallua si personalitet i rëndësishëm.

Në vitin 1910, Sali Rama e Hysë Selimi ishin në krye të forcave në Prevar gjatë betejës kundër Sevket Turgut Pashës.

Më 1911 merr pjesë në luftën e Beranës, ku rugovasit kishin shkuar të ndihmojnë popullatën e asaj ane.

Më 1912 merr pjesë në betejën e pare të Moknës.

Në fillim të vitit 1919 ndalon çarmatimin e popullatës rugovase nga pushtuesi serb që e bënte në gjithë Kosovën, nën të drejtën e mbretërisë së porsaformuar SKS. Këtë vit ushtria serbe me forca të shumta ishte nisur drejtë Rugovës nga qyteti i Pejës ndërsa forcat malazeze nga Moknat e Qakorri për ta pushtuar Rugovën. Sali Rama ishte ai i cili në krye të luftëtarëve të Rugovës e udhëheq rezistencën tek Tuneli i pare në Grykë të Rugovës. Ata kishin zënë grykën dhe nuk lejuan armikun të depërtoi në Rugovë. Aty rugovasit, me në krye Sali Ramën, qëndruar për tri javë të pathyer.

Po këtë vit kalon në Shqipëri nëpër Junik, i cili ishte bërë vendqëndrim i burrave dhe trimave më të njohur kosovar, ku kalojnë dimrin më së 4000 forca të armatosura. Në këtë vit, në Junik gjindeshin ideologet e Lëvizjes Kombëtare: Hasan Prishtina, Bajram Curri e Sadik Gjurgjeviku. Duhet veçuar roli i Rugovasve ne Junik ku përveç heroizmit të treguar ndaj armikut, kishin edhe rolin pajtues në krye me Sali Ramën për luftëtarët e Qendresës Kombëtare në rast të ndonjë mosmarrëveshje.

Më 25 Korrik 1920 kthehet në Rugovë, bën mobilizimin e masave dhe organizon një tubim popullor, ku marrin pjesë përfaqësuesit e Rrafshit të Dukagjinit dhe të Plavës. Në këtë tubim u njoftuan rreth qëndrimeve të udhëheqjës së Lëvizjs Kombëtare për mbrojtjen e atdheut. Takimi u mbajt ne Dukaj (Dugajevë).

Po këtë vit, serbomalazezet sulmojnë Shkodrën. Nga Rugova në mbrojtjen e Shkodrës morën pjesë: Ker Sadria, Sali Rama, Sak Faslia, Tahir Coli, Zhukë Haxhia, Jashar Haxha e shumë të tjerë.

Më 1921 Lëvizja për çlirimin e Kosovës është në vlug, ku Sali Rama dhe Ker Sadrija raportojnë së kanë më shumë se 100 luftëtarë të rregullt në dispozicion për këtë çështje.

Më 1923 Sali Rama gjindet në Krumë, ku kishte shkruar për të pare mundësinë e marrëveshjes me qeverinë shqiptare për rezistencë të përbashkët.

Më 1941, Sali Rama gjindet në mesin e luftëtarëve që kishin vendosur çlirimin e Kosovës dhe bashkimin me Shqipërinë. Ai është në krye të ushtrisë vullnetare për Rugovë dhe udhëheqës i njësive ushtarake që vepronin në vijen Mokna-Qafë e Dasmorëve.

Sali Rama, si anëtar i shtabit komandues luftarak merr pjesë edhe në luftën e Pazarit të Ri (Novi Pazar) e cila u zhvillua në nëntor të vitit 1941. Me 14 nëntor 1941, afro 100 luftëtar Rugovas në krye me Sali Ramën dhe Sak Fazlinë arrijnë në Pazar të Ri. Vesha karakteristike e Rugovasve bëri që ata të pritën më nderimet më të mëdha nga të gjithë banoret e Pazat - rrëfente Ramadan Zotriti, banor i Pazarit të Ri. Ai tregonte se disa nga luftëtaret rugovas bashkë me Sak Fazlinë ishin vendosur tek Ejup Lajçi, ndërsa në shtëpine e Ramadan Zotritit gjindej prijësi Sali Rama me 14 ushtarë. Ky shtab udhëhiqte, pos njësive vullnetare edhe batalionin "GRAMOS", që kishte ardhur nga Shqipëria e Jugut.

Sali Rama ishte anëtar i shtabit komandues edhe në vijën e luftës Zhanicë-Morinë. Këtu mori pjesë në luftime edhe batalioni ushtarak shqiptar "KORATA".

Në vitin 1942 udhëhoqi betejat ne Shekullar e Kalludër. Sali Rama merr pjesë gjithnjë në cilësine e një udhëheqësi ushtarak, në të gjitha betejat që u zhvilluan pas kësaj kohë, si në Murgash, Smilovicë e Mokna.

Në ditën e 31 majit të 1944-ës, forcat e bashkuara komuniste serbo-malazeze e forca tjera të JugosllavisëTitos në krye më një batalion partizan nga Bosnja që udhëhiqej nga kapedan Hajria, kishin sulmuar Smilovicën me qellim të pushtohej Rugova. Si gjithnjë, ndër të parët dhe me të guximshmit për luftëra ishin Sali Rama, Sak Fazlia, Tahir Coli, Balë e Shaban Alia.

Në vitin 1945 merr pjesë në luftën e Shtedimit bashkë më vëllaun Avdi Ramë Kelmendin dhe djalin Azemin, luftë në të cilën u dëshmua se nuk pranohet regjimi sllavokomunist nga shqiptarët.

Në vitin 1946, për të i'u shmangur likuidimit të tërë të familjes se tije nga forcat serbo-malazeze, vetëdorezohet. Me 1947 Sali Rama dhe Zhukë Haxhija dënohen me vdekje - pushkatim sikur armiq të ish Jugosllavisë, të cilëve pastaj ky dënim iu kthye në 20 vjet burg të rënde (në Nish dhe në Goliotok). Prokuror kishte Ali Shukriun. U lirua nga burgu ne vitin 1960 dhe bëri edhe tri vite burg shtëpiak. Vdiq ne vitin 1963 ne Treboviq.

Në vitin 1946 dënohet i biri Azemi me 3 vite burg në Smederevë të Serbisë.

Në nëntor të vitit 1956 maltretohen rënde dhe burgosen të bijtë Azemi dhe Beka si dhe vellau Avdiu i cili pas lirimit nga burg vdes.

Me 26.01.1993 Republika e Shqipërisë, Presidenti i Republikës i jep zotit Sali Rama urdhrin për veprimtarie patriotike të klasit të I (parë).

„Udhëheqës, propagandues, e luftëtar për mbrojtjen e trojeve nga pushtuesit e ripushtuesit, duke qene shembull për pasuesit në luftën për pavarësi e çlirim.“[nevojitet citimi]

Komiteti "Mbrojtja Kombëtare e Kosovës"[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Komiteti Mbrojtja Kometare e Kosoves, 1.Sali Rama, 2.Bajram Curri, Kadri Prishtina, Hasan Prishtina, Bedri Pejani, etj
1.Sak Faslia, 2.Kolë Bibë Mirakaj, 3.Bajram Gashi, 4.Shaban Basha, 5.Sali Rama

Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” u themelua në ilegalitet të plotë më 1 maj 1918 dhe më 7 nëntor 1918 u vendos përfundimisht në Shkodër nga figurat të shquara atdhetare si: Bajram Curri, Hoxha Kadri Prishtina, Niman Ferizi, Hasan Prishtina, Bedri Pejani, Qamil Bala, Sali Rama. Qëllimi parësor i kësaj organizate politike kombëtare ishte mbrojtja e shtetit të pavarur shqiptar, për demokratizimin e tij, për çlirimin e Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare të Jugosllavisë, që ishin të shkëputura padrejtësisht më 1913 dhe për bashkimin e tyre me Shqipërinë.

Duhet theksuar se ishin dy grupe te armatosura nga rajoni i Pejës, njëri që udhëhiqej nga Keri i Sadri Bardhit dhe tjetri grup i armatosur që kishte edhe rolin pajtues për luftëtarët e Qendresës Kombëtare në rast të ndonjë mosmarrëveshje, e që udhëhiqej nga Sali Rama.

Komiteti "Mbrojtja Kombëtare e Kosovës" njihet ndryshe si Qeveria e Kosovës 1918 - 1924.

Lidhja e Dytë e Prizrenit[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Sali Rama ishte përfaqësuesi i Rugovës në Lidhja e Dytë të Prizrenit në shtator të vitit 1943.
Duhet të theksohet se në mbështetje të kërkesave të Aqif Blutës do të ngrihej fuqimisht përfaqësuesi i Rugovës, patrioti Sali Rama, i cili do të theksonte:

„Edhe un, si malësuer, due me fol në kët Kuvend, me folë për të mirën e Vendit, me fol, poh, për t’i u lutun Qeverisë s’onë në Tiranë qi të mundohet me na i shpëtue qato tokë krejt shqyptare qi janë andej ç’prej Mitrovicet, në Pazar e në Senicë. Ato janë toka t’ona pse atje populli asht shqyptar, me zemër e me adete, si na kësaj ane. Un i njof njato vend, pse kam konë me luftue, bashkë me shok‘t e mij, kundra shkjevet, qi dojshin me hie atje me vra e me therë gjinden, veç se janë e duen me metë shqyptarë sikur na këndejna.“[nevojitet citimi]

Konfiskim pasurie[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Me 27.10.1946 merret vendimi për konfiskimin e pronave të luajtshme dhe të paluajtshme për vëllezërit Avdi e Sali Rama dhe ky vendim hyn në fuqi me 20.11.1946 ku ju konfiskohet e tërë pasuria si armiq të Jugosllavisë/Serbisë. Në Bogë konfiskohen 8 hektar e 29 ari. Në fshatin Treboviq të Pejës konfiskohen 4 hektar e 98 ari. Po ashtu konfiskohen 200 copë dele, 32 lopë, 32 dhi dhe 2 kuaj.[nevojitet citimi]