Salih Gashi
Salih T. Gashi (1944, Baran, Pejë) është kimist dhe profesor universitar.
Biografia
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Salih Gashi u lind më 1944 në fshatin Baran, Pejë. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa gjimnazin në Pejë. Në vitin shkollor 1962/63 u regjistrua në FSHMN, Departamenti i Kimisë, në Universitetin e Prishtinës dhe pas vitit të dytë vazhdoi studimet në Universitetin e Beogradit, ku u diplomua në vitin 1966. Pas përfundimit të studimeve punoi në Kombinatin Trepça, Minierat dhe Flotacioni, në Kishnicë dhe Novo Bërdë (Artanë), si udhëheqës i laboratorit të kimisë. Në vitin 1969/70 u regjistrua në studimet pasuniversitare në Fakultetin Teknologjik të Universitetit të Zagrebit ku magjistroi në vitin 1971 me temën ”Studimi i fraksionimit të polistirenit” dhe mori titullin magjistër i shkencave të kimisë. Në vitin 1972 u zgjodh asistent i kimisë fizike në Departamentin e Kimisë në FSHMN të Universitetit të Prishtinës, ndërsa një vit më vonë, ligjërues i po asaj lënde. Në vitin 1978 mbrojti tezën e doktoratës me titull ”Hulumtimi i strukturës poroze të membranave të osmozës së kundërt dhe përdorimi i tyre për pastrimin e ujërave të ndotura” në Universitetin e Zagrebit. Po këtë vit u zgjodh docent për lëndën Kimia fizike në FSHMN. Gjatë kësaj periudhe ka qenë në specializim në Universitetin e Bërnos dhe në Institutin ”Hidroprojekt“, Bërno, (ish Çekosllovaki).Në vitin 1979/80 ka vazhduar studimet e postdoktoratës në Departmentin e Kimisë të Universitetit të Aberdeenit (Britani e Madhe). Po këte vit ka marrë mirënjohje për punën e suksesshme në FSHMN. Në vitin 1984 është zgjedhur profesor inordinar për lëndën Kimia Fizike në këtë fakultet. Në vitin 1985 është ftuar visiting professor në Universitetin e Jenës dhe në Institutin e makromolekulave të Akademisë së Shkencave të Berlinit dhe ka mbajtur dy ligjërata nga lëmi i osmozës së kundërt (reverse).S.Gashi përgatiti për herë të parë membranat heterogjene të osmozës së kundërt në Universitetin e Prishtinës. Në vitin 1988 u zgjodh anëtar i “European Society of Membrane Science and Technology”, ndërsa në vitin 1993 profesor ordinar në Departamentin e Kimisë në FSHMN. Po këte vit u zgjodh kryeredaktor për botimin e teksteve të shkencave të natyrës në UP.Ka dhenë kontribut në zhvillimin e Katedrave të Kimisë fizike në Universitetin e Prishtinës. Në vitet 2000-2002 u zgjodh kryetar i Kuvendit Komunal të Prishtinës. Më 2012 mori mirënjohje nga FSHMN me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shtetit Shqiptar.Në vitin 2012 u zgjodh anëtar korrespodent i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.Nga viti 2013 është anëtar i” ALLEA’s working group on Science Education”. Është anëtar korrespondent i “Euro Science Open Forum”. Në vitin 2017 është zgjedhë Kryeredaktor i Revistës Shkencore të ASHAK “Research-Kërkime.” ndërsa në vitin 2020 është rizgjedhë në detyrë të njejtë.[1]