Sateliti artificial

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Jump to navigation Jump to search
Sateliti artificial Skylab.

Satelitët artificialë janë paisje të cilat shërbejnë për transferim të të dhënave anembanë rruzullit tokësor.

Është e qartë se njerëzit janë shumë pak të informuar lidhur me këtë lloj teknologjie që ka bërë revolucion në jetët tona. Nëpërmjet satelitëve sot mund të parashikohet moti, mund të flasim në celular, futemi në internet, shikojmë zonat me minerale, shikojmë ku ka ujë nën tokë e shumë e shumë të tjera. Të gjitha këto janë realizuar pas lëshimit në orbitë të 4000 satelitëve artificialë, secili prej tyre me një mision të caktuar.

Satelitët artificialë janë objekte të ndërtuara nga njeriu, të cilat janë të vendosura në orbitë nga largësia 2.000 deri në 35.000 km nga sipërfaqja e Tokës. Në orbitë ata rrotullohen rreth tokës.

Sateliti i parë i dërguar në orbitë ishte Sputnik 1 në 4 tetor 1957. Pas tij u dërguan dhe shumë satelitë të tjerë. Sot në orbitë ndodhen rreth 4000 satelitë të dërguar nga njeriu. Pasi e mbarojnë misionin e tyre ata fillojnë të zvogëlojnë lartësinë duke u futur në atmosferën e tokës dhe duke u shpërbërë, por ka dhe raste kur ata arrijnë deri në sipërfaqen e tokës, këto hyrje në atmosferën e tokës shpesh herë janë të kontrolluara nga njeriu, i cili komandon momentin në të cilin sateliti do të “bjerë”. Më pak se 10 % e satelitëve që rrotullohen në orbitën e tokës janë funksionalë, të tjerët janë mbeturina që enden në orbitë. Masat e këtyre satelitëve variojnë nga disa ton deri ne disa kg.

Tipet e satelitëve[redakto | përpunoni burim]

Satelitët artificialë janë klasifikuar në disa kategori sipas misionit të tyre. Kështu ka 6 tipe satelitësh të cilët përdoren për 1. studime shkencore, 2 Parashikimin e motit, 3. telekomunikacioni, 4. internetin, 5 navigimin si dhe 6. për qëllime ushtarake.

Satelitët e shkencës mbledhin të dhëna për analiza të ndryshe. Disa mbledhin të dhëna rreth përbërjes dhe efektit të hapësirës afër tokës. Disa të tjerë regjistrojnë të dhëna rreth ndryshimeve atmosferike në tokë. Të tjerë vëzhgojnë planetët, hënën dhe diellin.

Sateliti i motit, vëzhgon kushtet atmosferike në një zonë të gjerë dhe ndihmon shkencëtarët të studiojnë dhe parashikojnë motin. Këto satelitë ndihmojnë shumë edhe drejtuesit e avionëve, anijeve etj për të parë ndryshimet atmosferike në pika të ndryshme të tokës.

Satelitët e telekomunikacionit, japin sinjale për radion, televizionin, internetin, etj në pika të ndryshme të hapësirës drejt tokës. Një satelit komunikacioni mund të japë dhe të marrë sinjale televizive dhe mijra thirrje telefonike në të njëjtën kohë. Këta satelitë janë të vendosur në një lartësi të madhe afër ndonjë stacioni hapësinor. Televizionet dhe kompanitë e telefonit i përdorin këto satelitë gjithmonë kundrejt një pagese.

Satelitët e navigimit ndihmojnë pilotët dhe drejtuesit e automjeteve dhe anijeve të gjejnë pozicionin e tyre në tokë me shumë saktësi. Ato përdoren edhe nga turistët kur shkojnë ekskursione në vende të panjohura apo male. Këta satelitë dërgojnë sinjale në të gjitha aparatet që mbahen në avionë, anije apo orën e dorës.

Satelitët që vëzhgojnë tokën përdoren për të monitoruar planetin tonë dhe ndryshimet e tij në kohë. Këto satelitë marrin pamje në momente të ndryshme me ndriçim të ndryshëm. Kompjuterët e vendosur në tokë, analizojnë këto foto për të parë ndryshimet si dhe për të lokalizuar depozitat me minerale, burimet ujore nën tokë, për të vëzhguar sëmundjet që mund të bien në pyje ose xhungla etj.

Një satelit tjetër i quajtur Aqua studion oqeanet dhe lëvizjet që bëjnë ata në drejtim të tokës.

Satelitët ushtarakë përfshijnë motin, komunikacionin, navigimin dhe përdoren për qëllime ushtarake. Disa satelitë ushtarakë të ashtuquajtur “satelitë spiunë” janë të aftë të dallojnë raketat, trajektoren e anijeve nën ujë e mbi ujë dhe lëvizjet e paijseve ushtarake në çdo cep të tokës.

Çdo satelit ka veçoritë e tij në bazë të misionit që është lëshuar. Për shembull një satelit që studion universin ka një teleskop. Sateliti që parashikon kohën ka kamera që fotografojnë lëvizjen e reve.

Satelitët hidhen në hapësirë me ndihmën e raketave të cilat pasi i lëshojnë ata në orbitë bien në oqean. Pasi hidhet në hapësirë, sateliti mund të qëndrojë aty për një kohë të gjatë pa pasur nevojën për ndërhyrje dhe rregullime.

Shumica e satelitëve janë të kontrolluar direkt nga një qendër në Tokë. Qendra komunikon me satelitin nëpërmjet radiove.

Satelitët kanë panele diellore të cilat drejtohen gjithmonë andej nga është dielli nga të cilat marrin energji ndërkohë që mbajnë edhe antenat gati për të marrë sinjale nga toka.

Në shumicën e rasteve satelitët mund të riparohen dhe të riprogramohen nga toka. Nëse sateliti prishet apo jep sinjale të gabuara, nga toka ai mund të marrë komanda për tu fikur.

Satelitët kanë drejtime të ndryshme në rrotullimin rreth tokës duke formuar kënde të ndryshme me ekuatorin deri në këndin 90 gradë duke kaluar mbi polet e tokës.

Forma e orbitës së tyre mund të jetë rrethore, eliptike në varësi të misionit ose e ndryshueshme.

Shpejtësia e rrotullimit të tyre është e ndryshme, por ka dhe satelitë të cilët kanë shpejtësi të barabartë me shpejtësinë e rrotullimit të Tokës rreth vetes. Ata duke u rrotulluar në drejtimin e rrotullimit të Tokës rreth vetes qëndrojnë mbi të njëjtin pozicion në lidhje me sipërfaqen e Tokës. Mijëra sinjale dërgojnë këta satelitë në tokë, duke lehtësuar jetesën e çdo njërit prej nesh.