Shoqata e Bashkive të Shqipërisë

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Shoqata e Bashkive të Shqipërisë është një shoqatë jopolitike, jofetare dhe jofitimprurëse. Shoqata e Bashkive të Shqipërisë është një bashkim vullnetar dhe i pavarur i bashkive të Shqipërisë. SHBSH u themelua më 12 tetor 1993, me kërkesë të një grupi prej 10 kryetarë bashkish. Fillimi i punës së shoqatës nuk ishte shumë i lehtë për arsyen se për herë të parë në ambjentin shqiptar krijohej një organizatë e tillë e cila do të mbronte interesat e përbashkëta të bashkive shqiptare për zhvillimin dhe demokratizimin e tyre.

Sot shoqata numëron si anëtarë vullnetarë të saj, të gjitha bashkitë e Shqipërisë. SHBSH mban statusin e një organizate jofitimprurëse (OJF) me një shtrirje gjeografike në të gjithë territorin e vendit. Përpjekjet e saj të vazhdueshme kanë synuar sensibilizimin e strukturave dhe institucioneve të pushtetit qendror për përshpejtimin e proçesit të decentralizimit, si dhe konsolidimi i rolit të bashkive në ushtrim të rolit të tyre qeverisës, duke dhënë në vazhdimësi rezultate konkrete. Roli dhe kontributi i shoqatës sot është mjaft i vlerësuar dhe i njohur jo vetëm nga anëtarët e saj por edhe nga institucionet në pushtetin qendror, donatorët, shoqatat ndërkombëtare të autoriteteve vendore.