Shko te përmbajtja

Shtatë mëkatet vdekjeprurëse

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Shtatë mëkatet vdekjeprurëse (të njohura gjithashtu si veset kapitale ose mëkatet kryesore) përbëjnë një grupim të veseve madhore brenda mësimeve të krishterimit. Ato nuk renditen shprehimisht në Bibël, por u zhvilluan brenda traditës së hershme teologjike të krishterë, duke u mbështetur në pasazhe të ndryshme biblike. Në listën standarde, shtatë mëkatet vdekjeprurëse sipas Kishës Katolike janë: zemërimi, lakmia, krenaria, zilia, përtacia, epshi dhe grykësia.

Në katolicizëm, klasifikimi i mëkateve vdekjeprurëse në një grup prej shtatë sosh e ka zanafillën te Tertuliani dhe vazhdoi me Evagrin e Pontit. Këto koncepte bazoheshin pjesërisht në modele të mëparshme greko-romake dhe biblike. Më vonë, koncepti i shtatë mëkateve vdekjeprurëse evoluoi më tej, siç dëshmohet nga konteksti historik i lidhur me gjuhën latine të Kishës Romake Katolike, ndonëse me ndikim të konsiderueshëm nga gjuha greke dhe traditat fetare përkatëse. Njohja e këtij koncepti pasqyrohet në traktate të ndryshme, në pikturë e skulpturë (për shembull, në dekorimet arkitekturore të kishave në disa famulli katolike) dhe në disa tekste mësimore të vjetra. Njohuri të mëtejshme janë përftuar edhe nga praktikat e rrëfimit.

Gjatë shekujve të mëvonshëm dhe në kohët moderne, ideja e këtyre mëkateve (veçanërisht e atyre shtatë) ka ndikuar ose frymëzuar rryma të ndryshme të mendimit fetar e filozofik, artet pamore, si dhe mediat moderne popullore, përfshirë letërsinë, kinemanë dhe televizionin.