Simë Dobreci

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Jump to navigation Jump to search
Dr. Simë Dobreci
Simë Dobreci.jpg
Lindur më 1934
Lindur në Braticë, Ulqin, Jugosllavi
Profesioni Mjek, Dermatolog
Kombësia Shqiptar
Shtetësia Malazeze
Feja Katolik

Simë Dobreci është është mjek shqiptar nga Mali i Zi.

Lindi më 27 mars 1934 në Braticë, Ulqin, shkollën tetëvjeçare e kreu në Braticë (1953), gjimnazin klasik në Tivar (1957), Fakultetin e mjekësisë në Beograd (1963). Punoi në Tivar e Ulqin si mjek nga viti 1964 deri 1967. Në vitin 1967 filloi punën në Spitalin e Prishtinës, ku edhe filloi specializimin për dermatologji, ndërsa e kreu në Zagreb në vitin 1970. Me 1973 zgjidhet asistent i dermatologjisë në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë. Më 1974, ai qëndroi një vit në Klinikën dermatologjike të Vankuverit, Kanada. Në Klinikën e Prishtinës u mor me veprimtari shëndetësore, edukative dhe shkencore. Një kohë ishte drejtor i Klinikës. U zgjodh docent i dermatologjisë (1984), profesor inordiner (1989) dhe profesor ordiner (1994). Për studentët e mjekësisë botoi tekstin Dermatologjia më 1980, i cili u ribotua i përmirësuar më 1984, si dhe botimi i tretë i ripunuar më 1998, kurse ribotimi i katërt i plotësuar më 2009. Për studentët e stomatologjisë botoi tekstin Sëmundjet e Lëkurës më 1989.

Më 1990/91, regjimi serb e përjashtoi prej klinikave kuadrin arsimor shqiptar. Fakulteti i Mjekësisë e vazhdoi punën nëpër shtëpia private. Sa i takon veprimtarisë shkencore, Dobreci kryesisht u mor me mikozat e lëkurës. Temën e doktoraturës Dermatomikozat endemike në Kosovë e mbrojti më 1980 dhe u zgjodh doktor shkencash në mjekësi. Botoi 25 punime shkencore në revista profesionale (kryesisht në Acta dermatologica jugoslavica dhe në Praxis Medica). Me paraqitje të punimeve shkencore mori pjesë në Kongresin e Dermatologëve Botëror në Berlin më 1987, në Kongresin e Dermatologëve Europianë në Bari të Italisë më 1987 dhe në Konferencën Internacionale të Dermatologëve në Atinë më 1994. Prej 1994-1999 ishte kryeredaktor i Praxis Medica, revistës profesionale-shkencore e Shoqatës së Mjekëve të Kosovës. I pensionuar, tash jeton në Braticë, Ulqin, ku redakton revistën kulturore Buzuku, si dhe nga pak ende merret me profesionin e vet.