Sotir Peci

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Përcjellë nga Sotir Peçi)
Shko te: navigacion, kërko
Sotir Peci
Sotir Peçi.jpg
Ministër i Arsimit
30 janar, 1920 – 14 nëntor, 1920
Paraardhësi: Luigj Gurakuqi
Pasardhësi: Kristo Floqi
Min. i Arsimit
11 korrik, 1921 – 16 tetor, 1921
Paraardhësi: K. Floqi
Pasardhësi: Hilë Mosi
Të dhënat personale
Lindi më: 5 maj, 1873
Lindi në: Dardhë, Perandoria Osmane
Vdiq më: 9 prill, 1932
Vdiq në: Follorinë, Greqi
Kombësia: Shqiptar
Profesioni: mësues, botues, nëpunës
Fëmijë Gaqo (Korçë, 1920)


Sotir Peci (Dardhë, 5 maj 1873 - Follorinë, 8 prill 1932) ishte botues, publicist, nëpunës dhe ministër shqiptar. Hartoi dhe botoi një gramatikë të gjuhës shqipe, e cila qarkulloi në vitet 1901-1912. Sipas një artikulli shkruar nga i biri, Gaqo Peci, më 1974, kishte nisur hartimin e një fjalori me mbi 24 mijë fjalë[1].

Jeta[redakto | redakto tekstin burimor]

Lindi në Dardhë në familjen e pronarit të qerestesë Jovanit, e ëma rridhte nga familja e Themelinjve. Dajat kishin marrë pjesë në lëvizjet e Greqisë pë t'i shkëputur toka Perandorisë Osmane, mbreti Otho iu fali një çiflig në Gavrolimbi. I ngelur jetim qysh i vogël, familjarët e shkollojnë në Korçë, ku kreu nxënjet fillore e të mesme.

Dërgohet në Athinë 17 vjeç për studime të larta në Fakultetin e Matematikës dhe Shkencave Natyrore, përpiqet me shqiptarët dhe barbaçët e atjeshëm në përhapjen e gjuhës. Pas studimeve të larta në Athinë, më 1905 Peçin e gjejmë në SHBA[2].

Më 9-15 qershor 1906 botoi dyjavoren “Kombi”[3]BostonSHBA, duke pajtuar Nolin si kryeredaktor. Më 6 janar 1907[4] qe iniciator për formimin e shoqërisë “Besa-Besë” me F. Nolin e K. Tromarën, dhe në St. Louis «Lidhja Orthodokse» që dhanë shumë për ndezjen e shqiptarizmit ndër shqiptarët e Amerikës[5]. Përcolli mikun e tij Noli kur u shugurua prift më 8 mars 1908[6].

Me shpalljen e Hyrrijetit në atdhe, kolonitë shqiptare të Amerikes u mblodhën me dt. 13 shtator 1908, në "Phoenix Hall” të Bostonit, ku vendosën që Sotiri të dërgohej si përfaqësues i tyre në Kongresin e Manastirit. U nis më 30 shtator dhe në fillim të tetorit qe në Bukuresht kur edhe kolonia e atjeshme i jep tagër Sotirit t'i përfaqësojë. Më 1908 është në Athinë, ku grekërit i propozuan t’ia jepnin çifligun me vlerë 30.000 napolona flori, me kusht që të hiqte dorë nga lufta kombëtare, por Sotiri e refuzoi me përbuzje propozimin e tyre.

Sotir Peci kthehet në Korçë, me vendimin për t'u bërë mësues në shkollën qytetëse. Mori pjesë në hapjen e shkollës normaleElbasanit ku u caktua mësues për shkencat e natyrës e matematikë[3]. Në vitet 1911-1912 ai ishte drejtori i Mësonjëtores të Korçës, pas Shpalljes së Pavarësisë do i vyente shumë Gurakuqit si këshilltar kur ky i fundit ishte min. i Arsimit në qeverinë Qemali. Më 1915 do të zgjidhet anëtar i Komitetit të Fshehtë në Shkodër, burgoset në Mal të Zi nga trupat malaziase deri kur lirohet prej ushtrive austro-hungare që liruan qytetin veriak. Më 1916 nga Administrata Shqiptare e formuar nën ushtritë austro-hungare u caktua si anëtar i KLSH dhe drejtor arsimi në Shkodër. Deri në këtë kohë kishte botuar edhe disa tekste mësimore si "Abetarja" e Ndue Palucës, "Gramatika" e Xhuvanit.

Me formimin e qeverisë Përmeti emërohet në shkurt të 1919 drejtor të arsimit në Tiranë dhe pas dy muajve u emërua këshilltar i përkohshëm i Ministrisë së Arsimit. Më vonë me bindjen se duhej mbajtur një kongres thjesht kombëtar u bë nënkryetar i Kongresit të Lushnjes, prej ku doli qeveria Delvina ku ai qe Ministër Arsimi[2].

Pas zgjedhjeve të mbajtura më 5 prill 1921 zgjedhet deputet i pref. së Korçës[7] dhe ndër themeluesit e Partisë Popullore[2]. Nga fundi i 1921 zuri vendin e dr. Mihal Turtullit që kishte liruar vendin e përfaqësisë së ortodoksëve shqiptarë në Këshillin e Naltë të Regjencës - post për të cilin pat për mëkëmbës Nolin mbasi Peci ishte jashtë shteti pas 2 korrikut 1924[8]. Gjatë mërgimit qëndron i palëkundur prej parimeve dhe formon partinë "Bashkimi Kombëtar".

Pasi jetesa në Itali i vështirësohet kalon në Korfuz dhe Follorina megjithëse me amnistinë e dytë u fal nga Tirana zyrtare. Vdiq më 9 prill të vitit 1932 në Follorinë, trupi u suall në Korçë ku u varros të nesërmen[3][5].

Burime[redakto | redakto tekstin burimor]

  1. ^ Osmani T., I përgjigjet dhespotit grek: Sotir Peci botoi një gramatikë shqip, 55. - Nr. 320, 19 nëntor, 2012, f. 18 - 19.
  2. ^ a b c Dervishi K., Kryeministrat dhe ministrat e shtetit shqiptar në 100 vjet, Tiranë: "55", 2012. fq. 1110. ISBN 978 9943 56 22 5
  3. ^ a b c Asllani U., Në qindvjetorin e atdhetarit Sotir Peci, Standard. - Nr. 1267, 7 qershor, 2009, f. 18 - 19.
  4. ^ Alibali A., Faik Konica më 1911-1912 Vitet e Harvardit dhe të “Vatrës”, Gazeta shqiptare ("Milosao", suplement). - Nr. 5142, 19 dhjetor, 2010, f. II - V.
  5. ^ a b Vllamasi S., Ballafaqime politike në Shqipëri (1897-1942), Neraida, 2000
  6. ^ Noli F., “Fiftieth Anniversary of the Albanian Orthodox Church in America 1908-1958., Albanian Orthodox Church in America, 1960.
  7. ^ Estrefi, D., Ligjvënësit shqiptarë 1920-2005 - Kuvendi i Shqipërisë, Tiranë 2005 fq. 15-17.
  8. ^ Sipas sitit archontology.org, krerët e Shtetit Shqiptar 1918-1925.