Ulqini: Dallime mes rishikimesh

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
[redaktim i pashqyrtuar][Redaktim i kontrolluar]
Content deleted Content added
v Bot: Migrating 38 interwiki links, now provided by Wikidata on d:q189969 (translate me)
Rreshti 334: Rreshti 334:
[[Kategoria:Qytete në Mal të Zi]]
[[Kategoria:Qytete në Mal të Zi]]
[[Kategoria:Ulqini]]
[[Kategoria:Ulqini]]

[[bg:Улцин]]
[[bs:Ulcinj]]
[[ca:Ulcinj]]
[[cs:Ulcinj]]
[[da:Ulcinj]]
[[de:Ulcinj]]
[[en:Ulcinj]]
[[es:Ulcinj]]
[[et:Ulcinj]]
[[eu:Ulcinj]]
[[fa:اولتسینی]]
[[fi:Ulcinj]]
[[fr:Ulcinj]]
[[he:אולצין]]
[[hr:Ulcinj]]
[[hu:Ulcinj]]
[[id:Ulcinj]]
[[it:Dulcigno]]
[[ja:ウルツィニ]]
[[ko:울치니]]
[[la:Ulcinium]]
[[lt:Ulcinis]]
[[mk:Улцињ]]
[[nl:Ulcinj]]
[[no:Ulcinj]]
[[oc:Ulcinj]]
[[pl:Ulcinj]]
[[pt:Ulcinj]]
[[ro:Ulcinj]]
[[ru:Улцинь]]
[[sh:Ulcinj]]
[[sk:Ulcinj]]
[[sl:Ulcinj]]
[[sr:Улцињ]]
[[sv:Ulcinj]]
[[tr:Ulcinj]]
[[uk:Улцинь]]
[[zh:烏爾齊尼]]

Versioni i datës 30 mars 2013 10:05

Ulqini

Qyteti i Ulqinit (Malazezisht: Улцињ/Ulcinj; italisht: Dulcigno; Ilirisht: Ulkin; Latinisht: Olcinium) ndodhet në pjesën jugore të Malit të Zi pranë Detit Adriatik, banorët e qytetit quhen Ulqinakë.

Historia

Ulqini është njëri ndër qytetet më të vjetra në bregdetin e Adriatikut. Treva e Ulqinit deshmohet si vendbanim qe nga periudha parahistorike. Në të ndeshen gjurma të jetës dhe të vendbanimeve ilire që nga epoka e bronzit,siç janë dyshemetë e dheut,tumullat dhe sëpatat të ashtuquajtura të tipit Shkodran-Dalmatin. Në rrugëtimin e jetës urbane mbi dymijëvjeçare, janë ndërruar stinë e mote të panumërta, të shoqëruara me bukuri joshëse të ”kohëve të arta legjendare” por edhe me furtuna e rrëbeshe të kohëpaskohshme që kanë kanosur egzistencën dhe jetën e këtij qyteti.[1] Që në kohët e lashta e deri në fund të shekullit XIX, për shkak të pozitës së vet gjeografike, ishte në shënjestër të pushtuesve të popujve të ndryshëm. Disa qëndruan më gjatë në këtë gytet, disa më shkurt, por të gjithë edhe kanë lënë nga diçka në të. Qytet me histori të bujshme dhe traditë të shkëlqyer. I ngritur mbi shkrepa, i përngjanë anijes që është duke u hyrë në det, qyteti i vjetër që më shumë se dy mijë e gjysmë vjet sfidon valët e detit. Askush nuk mundi ta pushtojë nga deti, edhe pse valët e detit e rrahin atë nga tri anë. Qytetin e vjetër e kanë sulmuar shumë pushtues, të cilët me të shkuar pas vehtes kanë lënë gjurmët e civilizimit të tyre. Qyteti, muret e të cilit janë të "thurura" nga gurët iliro-ciklopik, pas çdo pushtimi bëhej gjthnjë e më i pasur nga ana shpirtërore dhe kulturore, duke mos humbur asgjë nga origjinaliteti dhe papërsëritshmërija e tij.

Ulqini, Olciniumi antik, Dulcigno i mesjetës është qytet i historisë së bujshme dhe të tashmes së qetë, i stolisur me arkitekturë rromake, gotike dhe orientale.

Në breg të liqenit të Zogajve, në lokalitetin Qerret, janë zbuluar gjurmët e jetës më të vjetër të Ulqinit. Me rastin e sanimit të truallit për ndërtimin e Kripores, u gjetën dysheme dheu të vendbanimeve ilire që nga koha e bronzit. Nga kjo periudhë janë edhe dy tumulla të dheut (varre) - mënyra e varrimit të ilirëve derisa jetonin në rrafshe, të cilat u zbuluan në fshatin Zogaj, në lokalitetin Kodra e Kuqe. Nga koha kur, për shkak të rrezikut nga armiku, ilirët u larguan nga rrafshi dhe kaluan në bjeshkë, janë zbuluar dy grumbuj gurësh (gjithashtu objekte për varrim) mbi grykën e Megjureçit dhe në lokalitetin Gjat në shpatin verilindor të Malit të Brisë. Nga epoka e bronzit në fshatin Katërkollë (malazezisht: Vladimir) dhe në Ulqin janë gjetur sëpata të të ashtuquajturit tipit shkodrano-dalmatin.

Në shekullin V para erës së re mendohet se aty kanë jetuar kolonistët grekë nga Kolhida, të cilët i dhanë emrin Kolhinium. Në shekullin e II para erës së re vëndbanimet e tyre i kanë pushtuar rromakët. Pastaj qyteti hyri në kuadër të Bizantit, e me vonë u bë pjesë e shtetit të Zetës.

Aty mund të shihni gërmallat e qytetit të vjetër të Svaçit, qëndrës mesjetare të mbretërisë së Gentës, qytetit në të cilin, simbas gojdhënave, kishte aq kisha, sa ditë ka viti!

Dinastia feudale e Balshajve, e cila sundonte Gentën, ekonomikisht u ngrit me zhvillimin e krypores, e cila gjindej ne rajonin e Shkodrës dhe Ulqinit. Rreth vitit 1360 Balshajt ishin feudalët më të mëdhenjë të Gentës, furnizonin me kripë edhe pallatin mbretëror të Nemanjiqëve. Në vitin 1403 Gjergji i II-të Stracimiroviq, pasardhësi i themeluesit të dinastisë, Balsha i I, vdiq nga plagët e marra në betejën kundër turqëve në Graçanicë, ku i kishte dërguar trupat e veta në ndihmë Stefan Lazareviqit. Gjergji i II u vorros në kishën e Shën Katrinës në Ulqin, të cilin ai e konsideronte si kryeqytet të shtetit të vet.

Në vitin 1405 e pushton Republika e Venedikut.

Pamje e Albaniæ Veneta

Një pjesë e banorëve të bregdetit merrej me pirateri. Ky "zanat" posaçërisht lulëzoi pasi që në Ulqin në shek. 14. u vëndosën afër 400 kusarë - arap nga Malta, Tinisi dhe Algjeri. Sulmonin anijet tregëtare të qyteteve dalmatine, Rrepublikës së Venedikut dhe shteteve të tjera bregdetare. Në kohën e sundimit të Perandorisë Osmane, Ulqini ishte "kryeqendër" e kusarëve të Adriatikut dhe njëri nga tregjet më të medha të robërve në këtë pjesë të botës. Pas betejës pran Lepantit (në vitin 1571.) kapedani i kusarëve Uruç Ali fitoi nga sulltani lejen të vëndoset në Ulqin me 40 kusarë. Plaçkitësit e detit kanë rrebeluar prej Cavtatit deri në Peloponez deri në fillim të shek. 19. Kusarët binin nga Afrika djem zezakë dhe i ushtronin ata për shërbim në sofër. Të rriturit i veshnin në rroba me ngjyra të theksuara dhe gjatë sulmeve plaçkitëse i detyronin që të parët të kercejnë në bash të anijes-viktimë, gjë që shkaktonte panikë tek ekuipazhi.

Simbas gojdhaneve, këtu kaloi plotë pesë vite në robëri, spanjolli Miguel de Servantes, që më vonë u bë shkrimtar i famshëm. Ai këtu gjeti modelin e të dashurës së Don Kishotit të cilës në roman i dha emrin Dolçinea, simbas emrit të atëhershëm të qytetit. Në kullën e Blashajve në Kala, kah mesi i shek. XVII ka jetuar prijësi i njohur i lëvizjes së hebrenjëve në Perandorinë Osmane, reformatori dhe komentuesi i Talmudit, Sabatai Cevi, i cili pasi që pranoi islamin në vitin 1676. në të njëjtin vit edhe vdiq me emrin Mehmed Efendija.

Skeda:Provincia di albania.jpg
Arbëria, hartë venedikase e vitit 1572, Ulqini shquhet në të majtë

Në Kalanë e Ulqinit mund të hyhet nga veri-lindja ose nga gjiri nëpër portën kryesore. Këtu gjindet Tregu i robërve, ku dominon Kulla e Balshajve (shek. XII), në të cilën është e vëndosur galerija e arteve. Përballë galerisë gjindet Muzeu Etnologjik. Kah jugu, afër detit, përballë njëra tjetrës, gjinden dy ndërtesa madhështore: Pallati i Ballshajve dhe Pallati e Venedikut. Në anën përëndimore të qytetit të vjetër gjindet kisha ortodokse e Shen Nikollës. Në periudhën e sundimit osman, kisha ishte e shëndrruar në xhami, por në vitin 1890 përsëri u shëndrrua në kishë, në kujtim të dëshmorëve të luftës së vitit 1878.

Xhamija e Pashës, e ndërtuar në vitin 1719. Në afërsi të xhamisë gjinden hamamet turke, i vetmi objekt i këtij lloji në Mal të Zi. Në pjesën veriore të qytetit gjinden dy kisha. Njëra prej tyre, sikurse edhe ajo në qytetin e vjetër, mban emrin e Shën Nikollës dhe është e ndërtuar në kujtim të përfundimit të administratës turke në Ulqin.

Prejardhja e emrit

Sa i takon emrit të Ulqinit antic, dëshmia e parë në formë të shkruar ndeshet te Plini i Vjetër i cili në veprën e tij Naturali Historiae, pohon se Ulqini Antik (Olcinium) më parë është quajtur Col-Chinium, pra, Kolkin ose Kolhin, sipas kolkasve apo kolheve, themeluesve të parë të tij, thënë kjo në bazë të një hipoteze që ka të bëjë me kolhet nga Azia.

Lufta në mbrojtje të Ulqinit

Ulqini, nga një hartë e Universitetit hebre të Jeruzalemit

Nikolla shqetësohet shumë nga gjendja e paparashikuar dhe nxiton të sigurojë shqiptarët se nuk dëshiron aspak të sulmojë më Shqipërinë. Por Lidhja tejkalon tashmë vetveten dhe jep urdhër të sulmohet Mali i Zi. Vetëm ndërhyrja e Fuqive të Mëdha do të jetë agjenti i jashtëm që do të shpëtojë Malin e Zi nga mësymja shqiptare.[2]

Kishin kaluar dy vjet nga Kongresi famëkeq i Berlinit dhe çështja e kufirit midis Portës dhe Malit të Zi nuk ishte zgjidhur. Shqiptarët ndodheshin në pozicione të sigurta dhe nuk lëshonin troje. Me propozim të Austro-Hungarisë hidhet ideja që Malit të Zi t'i jepet qyteti i Ulqinit me rrethinat, sepse edhe pozita e tij gjeografike ishte më e favorshme se krahinat e mëparshme, të cilat ishin malore.[3]

Pasi merr miratimin e fuqive të mëdha, ushtria e Malit të Zi lëviz drejt qytetit të Ulqinit, e organizuar në 22 batalione.[4] Lidhja, nga ana e saj, ngarkon degën e Shkodrës për organizimin e mbrojtjes së qytetit. Thirrjes i përgjigjen menjëherë 270 shkodranë dhe pas tyre niset dhe komandanti i përgjithshëm i caktuar nga Lidhja për mbrojtjen e Ulqinit, Jusuf agë Sokoli me 500 shkodranë të tjerë. Këtij i bashkohen edhe 300 shqiptarë të tjerë nën komandën e Haxhi Mehmet Becit e Mehmet Gjylit.[5]

Shtabi i Lidhjes e kishte organizuar mbrojtjen dhe kishte ndarë forcat e saj në katër pika strategjike nga ku mund të vinin ushtritë malazeze, por edhe trupat osmane. Në pikën e parë, në bregun verior të Bunës, ishin vendosur qindra shqiptarë nën komandën e Hysen Shasit. Në pikën e dytë, të quajtur Kodra e Kuqe, në afërsi të kufirit me Malin e Zi, ishin vendosur rreth 1'000 luftëtarë nën komandën e vetë Shtabit të Lidhjes. Pika tjetër ishte mali i Mozhurit në verilindje të Ulqinit, ku ishte pozicionuar Mehmet Gjyli. Në Ulqin qëndronte kontigjenti i fundit shqiptar që duhej të zhvillonte dhe qëndresën e fundit. [6] Brenda në qytet ndodheshin gjithashtu edhe forca osmane, rreth 7 batalione të ushtrisë së rregullt perandorake, por që 3 prej të cilave ishin të përbëra nga shqiptarë.[7]

Përballja e parë e forcave shqiptare ishte me ushtrinë osmane, e cila kërkonte që shqiptarët të lëshonin pozicionet. Një batalion osman u vu në lëvizje për "pastrimin" e kampit të Bardhokut.22 Forcat shqiptare ishin më të pakta në numër dhe me armatim modest në krahasim me pajimin e ushtrisë osmane.[8]

Dervish Pasha, komandanti i operacionit osman për mundjen e kryengritësve shqiptarë, kishte mundur të merrte pozicionin e Bardhokut dhe tanimë kishte hyrë në Ulqin dhe bëhej gati t'ia dorëzonte këtë Malit të Zi. Forcat shqiptare ndodheshin pothuajse të rrethuara, nga deti ishin anijet e flotës ndërkombëtare, në Tivar ushtria malazeze, në Ulqin Dervish Pasha me trupat osmane, dhe dy anije luftarake osmane në grykën e Bunës.[9]

Ndeshja kryesore e osmanëve dhe shqiptarëve u bë në grykën e Mozhurës. Edhe pse të pakët në numër, shqiptarët të komanduar nga Jusuf Sokoli ishin pozicionuar mirë dhe mundën t'i zbrapsin disa herë sulmet e osmanëve. Por komanda ushtarake shqiptare ishte pëçarë: Hodo bej Sokoli kishte kaluar në shtabin osman të Dervish Pashës. Forcat osmane do ta çajnë përfundimisht vijën shqiptare dhe do të hyjnë në qytet duke ia dorëzuar mandje qytetin malazezëve, të cilët nuk do të mund ta merrnin në asnjë rast pa ndihmën e ushtrisë osmane.[10]

Gjeografia

Ulqini është qyteti i vetëm në Mal të Zi i cili është i rrethuar me fusha pjellore në të cilat kultivohen pemët dhe perimet e kualitetit më të lartë. Aty gjindet edhe liqeni egzotik i Shasit, të cilin ornitologët e quajnë "miniatura e liqenit të Shkodrës", i pasur me peshq dhe zogj uji, si dhe Shtoji, tërheqje i veçantë në bregdetin Adriatik për gjahtarët.

Legjenda thotë se në mesjetë asnjë beqarë nuk mund të martohej, përderisa nuk i mbjellte së paku dhjetë fidane ulliri. Ulqini është qytet i ullinjëve, bimëve ekzotike të Adreatikut jugorë dhe specijalistë për kultivimin e ullinjëve. Në periferinë e tij gjindet ullishta më e madhe në vend, ku ka trungje të vjetër edhe me qindra vite. Të gjitha që i kemi përmëndur janë vetëm një reflektim i zbehtë i pasurive të begatshme natyrore të këtij vendi, ajri i të cilit është përplot me erë të mendrës, lavandës së egër, luleve për kullotjen e bletëve. Dashuria në shikim të parë për rajonin me natyrë madhështore të paprekur, për detin e pastër dhe të kthjellët të Adriatikut, ka lënë gjurmë të thella në zemrat e shumë poetëve dhe mëndimtarëve, siç janë Lord Bajroni, Xhorxh Bernard Shou, laureatit të çmimit Nobel për letërsi Ivo Andriqi dhe i ka inspiruar të thurin vargje për bukurinë e këtyre viseve.

Pamje nga rruginat e qytetit të vjetër

Qyteti i vjetër, në njëfarë mënyre mund të ndahet në dy tërësi: qyteti i epërm, citadella, i ndërtuar në platon më të lartë të gadishullit shkëmbor dhe pjesa tjetër e banuar e qytetit e cila ulet kah jugu.

Klima

Ulqini i takon zonës së skajshme subtropikeMesdheut evropian me variantin adriatik të klimës mesdhetare dhe me vegjetacion subtropik. Kjo zonë shquhet për pasurinë e dritës e të nxehtësisë me 2700 orë me diell në vit, me dimër të butë ku temperatura mesatare e ajrit në muajin më të ftohtë - në shkurt, është 7,1 °C, kurse dëbora është fenomen shumë i rrallë dhe paraqet ngjarje të vërtët për vendasit; me pranverë të hershme, të ngrohtë dhe të bujshme, me vjeshtë të gjatë, të ngrohtë e të pasur dhe me verë të zjarrtë e të thatë kur zhiva në termometër ngritet edhe deri në 38 °C në muajin më të nxehtë - në korrik (me temperaturë mesatare 25,2 °C), ndërsa dielli nxeh pa pushim edhe deri 11,5 h në ditë.

Demografia

Qyteti ka rreth 12,200 banorë, Ndërsa qëndra administrative e së cilës është qendër ka rreth 27,000 banorë.

Sipas rezultateve preliminare të regjistrimit të popullsisë së vitit 2011 Ulqini i ka 10828 banorë me 3245 ekonomi familjare dhe 6669 banesa( shtëpi banimi).[11]


Përkatësia etnike (numeruar me 2003)

  • Shqiptarë (73.14%)
  • Malazezë (11.93%)
  • Serbë (7.44%)
  • Myslimanë (3.36%)
  • Boshnjakë (1.46%)


Religjionet (numeruar me 2003):


Myslimanë (70%)

Ortodoksë (10%)

Katolikë (20%)

Statistikat

Lëvizja e popullsisë gjat shekullit të XX-të

Viti Banorë Grafiku
1948 4385
1953 4919
1961 5705
1971 7459
1981 9149
1991 11144
2003 12827
2011 10828

Kultura

Muzeu i Ulqinit është themeluar në vitin 1975. Muzeu ndodhet brenda kalasë. Muzeut kryen detyren e: Evidentimit, hulumtimet sistematike, mbledhja e eksponateve të ndryshme, mbrojtja e specializuar dhe përpunimi i materialit të gjetur, eksponimi i ekspozitave me vlera kulturore, shkencore dhe artistike.

Pranë Muzeut punon reparti arkeologjik dhe reparti etnologjik si dhe Galeria e Arteve.

  1. Ndërmarrja Publike Qendra për Kulturë, Qendra për Kulturë Ulqin
  2. Shtëpia e Kulturës Ulqin

Në kuadër të Qëndres për kulturë veprojnë këto njësi organizative:

  1. Biblioteka
  2. Muzeu i qytetit (Ulqin)
  3. Kinemaja

Në Qytet gjenden 6 xhami dhe shumë të tjera në rrethin, xhamitë janë e Pashës, e Bregut, e Kryepazarit (Majapazarit), e Lamit, e Sahat-Kullës dhe e Detarve (Marinarve), 3 tyrbe.

shiko: Lista e xhamive në Ulqin

Arsimi

Gjimnazet e qytetit janë: Me vendimin e KK të Ulqinit, në qershor të vitit 1965 u themelua Gjimnazi në Ulqin me mësim në të dyja gjuhët në atë serbokroate dhe shqipe. Duke iu falënderuar solidaritetit të popullit të Bosnjës dhe Hercegovinës, u ndërtua ndërtesa e re e Gjimnazit 'Vëllazërim-bashkim' e cila solemnisht u hap me 16.11.1969 me emrin Gjimnazi 'Vëllazërim-bashkim' Ulqin me 360 nxënës.

Sot në këtë ndërtesë e cila është ndërtuar për ti plotësuar nevojat për 350 - 400 nxënës, mësimin ndjekin 1306 nxënës të ndarë në 44 paralele (18 në gjuhën Serbe dhe 26 në gjuhën Shqipe). Mësimi zhvillohet në dy turne : turni i parë prej orës 7.30 - 13.30 dhe turni i dytë prej orës 14.00 - 20.00).

Mësimi zhvillohet në gjuhën malazisht dhe shqipe. Shkolla sot ka 94 të punësuar prej të cilëve 79 janë drejtpërsëdrejti të përfshirë në mësim dhe 14 janë punëtorë ndihmës dhe të punësuar jashtë proçesit mësimor. Në të arsimohen kuadro për nëntë profile arsimore prej të cilëve dy profile arsimore të shkallës së katërt profesionale: Gjimnazi – Tipi i përgjithshëm dhe Teknik i turizmit, dhe shtatë profile arsimore të shkallës së tretë profesionale: Kamarier - Gjellëbërës - Shitës - Elektromekanik i makinave dhe paisjes - Automekanik - Autollamarier dhe Frizer. Me rritjen e numrit të nxënësve në këtë shkollë, kushtet për punë po vështirësohen dhe gjithnjë e më tepër po komplikohen. Për çdo vit për shkak të numrit të madh të nxënësve, kabinetet ekzistuese janë shndërruar në klasë klasike kështuqë sot në shkollë funksionon vetëm një kabinet - kabineti për llogaritari e informatikë.

Gjatë katër viteve të fundit në këtë shkollë janë investuar mjete të konsiderueshme materiale nga ana e organizatave humanitare, Ministrive dhe donatorëve. Në masë të konsiderueshme janë përmirësuar kushtet higjieniko-sanitare, në shkollë janë rregulluar të gjitha nyjet sanitare dhe hapësirat përcjellëse, salla e edukatës fizike, dhomat e xhveshjes dhe banjot. Organizata humanitare HELP ka ndërtuar aneksin prej dy dhomash ku janë vendosur zyrja e arsimtarëve dhe biblioteka e shkollës. Paralelet së bashku mbajnë orën e edukatës fizike. Ndjehet nevoja urgjente per ngritjen e nje shkolle te mesme qofte si vazhdim per shkolle profesionale turizmi por edhe nje gjimnaz i gjuheve te huaja. Në Ulqin gjenden 4 shkolla sh.f. Boshko Strugar , sh.f. Marshal Tito , sh.f. Bedri Elezaga dhe sh.f.Marko Nucoloviq

Politika

Koalicioni udhëheqës përbëhet nga partia Forca e Re Demokratike dhe Partia Demokratike i udhëhequr nga Nazif Cungu. Partia e dytë më e fortë është Unioni Demokratik i Shqiptarëve, përndryshe kjo partia e dytë e formuar për shqiptarët në Mal të Zi me në krye z. Mehmet Zenkan Partitë tjera janë Lidhja Demokratike në Mal të Zi, Perspektiva dhe Partia e Prosperitetit.

Gjendja e përfaqësimit në politikë le ende shumë për të dëshiruar. Figurave politike nga brezat e rinj u mungojnë shpesh shkollimet politike. Shto këtu edhe përçarjen politike që karakterizohet në shumë parti politike apo në mungesen e konsensuve për pika të caktuara.

Turizmi

Plazhi (ranishtja) i madh

Ajo që dallon Ulqinin nga qytetet tjera bregdetare, është sigurisht, pazari i cili gjindet në rrugën kryesore të qytetit. Këtu, sidomos të martëve dhe të premteve, ditëve të pazarit, mund të bleni prodhimet autentike vendase. Në çdo kohë mund të gjeni qumështin e freskët vendas, djathin, vezët, pemët dhe perimet, ullinjët, vajin e udhinjëve, kurse duhanxhinjët e apasionuar, aty mund të gjejnë duhanin e Ostrosit, prodhimin më të mirë të këti lloji në Mal të Zi.

Dëshmia më e mirë se në pazarin e Ulqinit dominojnë prodhimet vendase, është, sigurisht, sfilata e veshjeve kombëtare nga rrethina e Ulqinit, me të cilat janë të veshura shumica e shitseve. Duke ofruar prodhimet e veta, ato me veshjen e tyre na e bëjnë të ditur se prej cilit rajon vijnë dhe vetë ky fakt paraqet garancionin më të sigurtë për kualitetin e mallit.

Në Ranë, nga ku shfaqet pamja magjepse në Kala, posaçërisht natën, ndërmjet gadishullit Ratislav dhe bedemeve të vjetra të kalasë, gjindet Plazhi i Madh, më i njohuri Plazh i Qytetit në bregdetin e Malit të Zi.

Transporti

Regjistracionet e automobilave.


Rrugët kryesore janë: Nënë Tereza, Gjergj Kastrioti Skenderbeu, Vllezërit Frashëri, Hafiz Ali Ulqinaku, Budo Tomoviq. Aeroportet më të afërt janë Podgoricës 70 km, Tivatit 90 km, Dubrovnikut 125 km,Tiranës 135 km. Porti më i afërt është i Tivarit 25 km. Stacioni i trenave më i afërt është në Tivar 25 km. Stacioni i autobusave në Ulqin gjendet në Totosh të Ulqinit. Pompat e benzinit ka dy Jugopetrol, Braticë dhe Delz Petrol, rr. Nënë Tereza.

Regjistrimet e tabelave ne Komunën e Ulqinit janë të shenuara me UL.

Detaria

Detaria në qytetin e Ulqinit ka qenë gjithmonë prezente duke filluar që nga kohrat e Ilirisë e deri në ditët e sotme. Ky qytet 2 mijëvjeçar e gjysëm i vjetër ka dhënë, është duke dhënë dhe do të jap detarë të shkathtë. Sot në Ulqin nuk mund të shihen anije të mëdha me vela-velanije për shkak se historia e ka vendosur këtë por ka shumë anije të madhësive të vogla dhe të mesme. Nën Kala (Qytetin e Vjetër) gjendet mini-marina e quajtur "Kacema" e ndërtuar në vitin 2011 që nuk është plotësisht funksionale dhe praktike. Ka propozime tek qeveria malaziase dhe qeveria lokale për hapjen e shkollës së mesme të detaris në Ulqin dhe ndërtimin e një marine plotësisht funksionale në Gjirin e Valdanosit.

Sporti

Ulqina ka shumë klube sportive nga lloj të ndryshme sportesh :

  • Klubet e futbolit  : FK-KF Otrant , OFK-KFR Otrant , OFK-KFR Federall ...
  • Klubet e basketbolit  : KK-KB Ulcinj , KK-KB Jadran , KK-BK Ada Bojana ...
  • Klubet e karatesë  : Albulena , Champions , Ulqini ...
  • Klubet e tenisit  : TK-KT Bellevue ...
  • Klubet e tekfandosë  : Ulcinj ...

Ulqini ka shumë fusha , salla e të tjera për sporte të ndryshme :

  • Stadiumi futbolistik "Olimpic"
  • Terenet e tenisit "Belevue"
  • Salla e Gjimnazit për basketboll,futboll...
  • Fusha artificiale për futbol pran Gjimnazit
  • Sallat e klubeve te karatesë që janë private
  • Sallat e shkollave të Ulqinit për basketbol,futbol,handbol,vollejbol...

Më shumë suksese nga klubet kanë klubet e karatesë dhe tekvandos, gjithëashtu edhe të tenisit. Këto klube kanë fituar shumë suksese në Mal të Zi e jashtë tij.

Institucionet

  • Policia
  • Zjarrëfikësat
  • Ndihma e Parë (Uregjenca)
  • Komuna
  • Elekrodistribucioni
  • Spitali (Shtëpia e Shëndetit)
  • Posta
  • Shtëpia e Kulturës
  • Muzeu i Qytetit
  • Arikivi i Qytetit
  • Shërbimi i Kumunaljeve
  • Biblioteka

Pikat interesante

Një karakterstikë tjetër e Ulqinit është se është ndër qytetet e rralla në Evropë ku mund të gjendet uji i njelmët (deti) dhe uji i ëmbël (liqe dhe lumenj). Ekzistojnë shumë pika interesante të cilat ia vlen të shikohen në Ulqin. Spikasin plazhet e shumta me rërë të hollë por nuk mungojnë as ata me shkëmbinj. Në rajonin e plazhit të madh "siparin" e hap plazhi Otrant, për të vazhduar pastaj me plazhin Lido, Bellvi, Evropa etj.

Nëse jeni në kërkim të plazheve me gurë atëherë edhe atë mund ta gjeni. Plazhet në pjesën e teritorit nga plazhi i madh tek plazhi i vogël përbëjnë perla të plazheve me gurë. Adhuruesit e hedhjeve nga shkëmbijtë e lartë kanë mundësi që të testojnë adrenalinën e tyre në këtë pjesë.

Për ata që preferojnë ujin e ëmbël atëherë si alternativë vjen Liqeni i Shasit. Xhiro me varkë, restaurant i mirë peshku dhe gjelbërim pa kufi, kjo është më e pakta që mund të gjesh afër Liqenit të Shasit. Afër liqenit për ata që e kanë qef historinë, mund të vizitohet kalaja e dikur Qytetit të Shasit. Përveç kësaj aty janë të vendosura edhe disa kisha që datojnë mjaft herët.

Ulqini sot

Ulqini sot përbën një nga qytetet me investimet më të vogla në Republikën e Malit të Zi. Megjithatë turizmi po përjeton rritje lineare falë resurseve të papërshkrueshme dhe unike të cilat i posedon. Sektori privat mundëson strehimin e mijëra turistëve në të njëjtën kohë. Kualiteti i strehimit çdo vit e më shumë po rritet duke e rritur edhe perspetivën. Ajo çka vërehet lehtë është edhe interesimi i biznesmenëve botërorë për investime kapitale në Ulqin.

Lidhjet e Jashtme

Qytetet Binjake

Njerëzit me famë me prejardhje nga Ulqini

Vizitorët e famshëm


Burim i të dhënave

  1. ^ Prof. doc. Ruzhdi Ushaku, Ulqini në përmasë kërkimi dhe frymëzimi, Lika foundation Ulqin 2010, ISBN 978-86-908739-2-0
  2. ^ Xhafer Belegu, "Lidhja e Prizrenit", (Tiranë, 1939). fq. 98.
  3. ^ Riza Rexha, "Ulqini në vitet e Lidhjes Shqiptarë të Prizrenit 1878-1881", (Ulqin 1998), fq. 82-83.
  4. ^ Xhafer Belegu, "Lidhja e Prizrenit", (Tiranë, 1939), fq 113.
  5. ^ Xhafer Belegu, "Lidhja e Prizrenit", (Tiranë, 1939), fq. 110-111.
  6. ^ Riza Rexha, "Ulqini në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit 1878-1881", (Ulqin 1998), cit, fq. 183.
  7. ^ Xhafer Belegu, "Lidhja e Prizrenit", (Tiranë, 1939), fq. 115.
  8. ^ "Ulqini në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit 1878-1881", (Ulqin 1998), fq. 189.
  9. ^ "Ulqini në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit 1878-1881", (Ulqin 1998), fq. 195.
  10. ^ Aleks Buda, Shkrime Historike 2, (Tiranë 1986), fq. 172.
  11. ^ Zavod za statistiku Crne Gore - MONSTAT
  12. ^ Ushaku, Ruzhdi, "Ulqini në përmasa kërkimi dhe frymëzimi", Fondacioni Lika, Ulqin, 2010

Lidhje të jashtme