Dallime mes rishikimeve të "Ilirët"

Jump to navigation Jump to search
12.228 bytes added ,  10 vjet më parë
v
 
Ilirët besonin edhe në ekzistencën e fuqive mistike, që rronin midis tyre dhe u shkaktonin njerëzve sëmundjet dhe fatkeqësitë e tjera shoqërore. Për t’i larguar këto të këqija, ilirët sajuan forma të ndryshme varësesh (amuleta), me karakter apotropeik etj.
 
==KOLONITË HELENE TË BREGDETIT ILIR==
 
===Themelimi i kolonive helene dhe marrëdhëniet me botën ilire===
 
Vendosja e kolonive helene në bregdetin ilir është pjesë e drejtimit të lëvizjes
kolonizuese helene, në të cilën më aktiv u tregua Korinthi. Kjo dukuri u zhvillua, nga
njëra anë, me shtytjen e faktorëve ekonomikë e shoqërorë të metropoleve dhe, nga
ana tjetër, qe një hap i mëtejshëm në përfshirjen e zonave ilire në sferën e
ekonomisë së Mesdheut. Kolonitë më të hershme u vendosën në tokat e Ilirisë së
Jugut. Këto zona të banuara nga ilirët kishin marrëdhënie tregtare me vendet e
Greqisë që nga epoka kreto-mikene. Kjo tregti fitoi një bazë më të gjerë në kushtet e
shthurjes së rendit fisnor tek ilirët. Vendosja dhe zhvillimi i mëtejshëm i kolonive ka
qenë pasojë e këtij procesi. Në fillim u vendosën pranë vendbanimeve ilire pikat
tregtare, të cilat me zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve me brendatokën ilire u
populluan nga grupe kolonistësh helenë dhe u kthyen në qendra të shpërngulurish
(apoike) të metropoleve greke.
Kolonia më e hershme u vendos në vitin 737 në ishullin e Korkyrës, që banohej
atëhere nga liburnët. Nga këtej një valë kolonistësh u vendosën në Dyrrah (627
p.e.sonë, ka shumë gjasë edhe më herët). Apolonia, e cila u themelua në vitin 588,
ngjan të ketë qenë populluar nga kolonistë të ardhur nga Dyrrahu. Për gjithë kohën
antike midis dy qyteteve u mbajtën lidhje të ngushta ekonomike dhe politike, që
janë karakteristike për marrëdhëniet midis metropoleve dhe apoikeve. Në të njëjtën
kohë me Apoloninë u formua nga banorët të ardhur nga Eubea edhe kolonia helene
në Orik, e cila për vetë mundësitë e kufizuara të kontakteve me prapatokën ilire nuk
arriti kurrë rëndësinë ekonomike, as edhe famën e dy kolonive të tjera. Kaluan edhe
dy shekuj të tjerë derisa kolonistët helenë të ardhur nga Parosi, Sirakuza e Sicilisë
dhe Knidi të vendoseshin në ishujt e Ilirisë së Veriut, ku themeluan Faron (sot Hvar),
Isën (sot Vish) dhe Korkyrën e Zezë (sot Korculla).
Në fillimet e veprimtarisë së kolonive peshën kryesore në ekonomi e zinte tregtia
tranzite. Nga tokat ilire merreshin prodhime bujqësore, lëndë druri dhe minerale për
nevojat e metropoleve, kundrejt shkëmbimit mall me mall me prodhime të zejtarisë.
Por në shek.V p.e.sonë kolonitë e bregdetit ilir nuk janë më shtojca të ekonomisë e
furnizuese të thjeshta lëndësh të para të qyteteve mëma. Prodhimi lokal, i
mbështetur kryesisht në shfrytëzimin e punës së skllevërve, arrin në këtë periudhë
një shkallë të tillë zhvillimi saqë ishte në gjendje të mbulonte jo vetëm kërkesat e
popullsisë së këtyre qyteteve, por edhe të botës ilire përreth, gjallëruese dhe nxitëse
e drejtpërdrejtë e këtij zhvillimi. Importimet nga qytetet mëma dhe Greqia u
kufizuan kryesisht në sendet e luksit dhe në veprat e artit. Dyrrahu dhe Apolonia
vepronin tani si njësi ekonomike krejt të pavarura, duke e shprehur këtë edhe në
prerjen e monedhave të tyre të veçanta.
Zejtaria u orientua nga prodhimi i sendeve të konsumit të gjerë: qeramika, veglat e
punës, armët që hidheshin në tregun e brendshëm dhe në atë të prapatokës.
Punishtet e prodhimit të gjerë të enëve prej balte, të tjegullave e të tullave, të
punimit të gurit etj., ishin prona të skllavopronarëve dhe kishin karakterin e
ergasterive antike.
Në marrëdhëniet tregtare me botën ilire, veç prodhimeve bujqësore e blegtorale,
lëndës së drurit për ndërtimin e anijeve dhe skllevërve, për të cilat tregu grek kishte
mungesë, vëmendja e kolonistëve u përqendrua në pasuritë minerale të Ilirisë së
Jugut. Në shkrirjen dhe në përpunimin e hekurit, të bakrit dhe të argjendit, ilirët
kishin një përvojë shekullore, nga e cila përfituan edhe kolonistët. Veçanërisht
eksportimi i argjendit që nxirrej nga minierat e pirustëve dhe të Dardanisë, u bë një
nga burimet kryesore të pasurimit e të lulëzimit të dy kolonive të mëdha, Dyrrahut
dhe Apolonisë. Ai eksportohej kryesisht në formën e monedhave, të cilat gjetën një
përkrahje të gjerë në krahinat e afërta dhe të largëta ilire.
Për të nxjerrë fitime sa më të mëdha nga marrëdhëniet tregtare me ilirët, sidomos
nga tregtia me shumicë e lëndëve të para, e gjithë kjo veprimtari kryhej nëpërmjet
një përfaqësuesi të veçantë të kolonive, të quajtur poleti.
Duke qenë se Dyrrahu dhe Apolonia ishin qendra zejtare e tregtare, bujqësia e
blegtoria zinte në to një vend të dorës së dytë. Në rrethet e afërta të qytetit pronarët
e pasur kishin tokat e kullotat e tyre me sipërfaqe e prodhim të kufizuar, sepse kufiri
me ilirët nuk shtrihej shumë larg mureve të qytetit.
 
 
===Rendi shoqëror dhe organizimi politik===
 
Që në fillim në kolonitë helene të bregdetit ilir u vendos mënyra antike e prodhimit.
Në ndarjen e shoqërisë në kolonitë rol të veçantë luante prejardhja shoqërore dhe
etnike e njerëzve. Në kushte më të privilegjuara ishte shtresa me prejardhje
aristokrate, që kishte qenë shpesh përkrahëse e themelimit të kolonive. Përbërja
shoqërore e shtresave të lira ishte e larmishme. Krahas të mërguarve, për arsye
politike gjatë luftërave të demosit me aristokracinë në metropole, kishte fisnikë të
varfëruar, zejtarë të zhveshur nga mjetet e prodhimit, fshatarë të shpronësuar,
tregtarë e detarë. Kjo masë e popullsisë shtohej vazhdimisht si rrjedhim i dyndjeve
të herëpashershme nga metropolet. Në Dyrrah një kontingjent i madh njerëzish të
tillë erdhi në gjysmën e dytë të shek.V.
Në Dyrrah e në Apoloni shtresa e skllevërve përbënte forcën kryesore të fuqisë
punëtore. Ajo ndahej në tri kategori: në skllevër të qytet-shtetit skllavopronar, të
cilët punonin në punishtet e tjegullave dhe të tullave, në thyerjen, transportimin dhe
në skalitjen e gurëve, në përpunimin e metaleve e në prerjen e monedhave, pra në
punët më të rënda. Të shumtë ishin edhe skllevërit privatë që përbënin kategorinë e
dytë, të cilët përveç ergasterive shërbenin edhe në ekonomitë shtëpiake.
Një pjesë të popullsisë, gjithmonë në rritje, e përbënin “të huajt”, kategoria e tretë
ose banorët me origjinë ilire. Këta në dhjetëvjeçarët e parë ishin të privuar nga të
drejtat shoqërore dhe politike.
Në përputhje me këtë përbërje shoqërore të popullsisë, rendi politik në Apoloni e
Dyrrah kishte në fillim karakter oligarkik. Pushteti i takonte një pakice me prejardhje
aristokrate. Shumica dërrmuese e popullsisë, ashtu edhe ilirët, duke mos bërë fjalë
për skllevërit, nuk gëzonte të drejta në qeverisjen e qytetit.
Zhvillimi i vrullshëm ekonomik i Dyrrahut dhe i Apolonisë në shek.VI-V shoqërohet
me ndryshime në rendin shoqëror e politik të dy kolonive, si rrjedhim i një lufte të
ashpër sociale e politike. Me zgjerimin e prodhimit zejtar dhe të shkëmbimit të
mallrave me ilirët dhe me Greqinë, u pasuruan dhe u forcuan ekonomikisht shtresat
tregtare e zejtare të kolonive. Këto shtresa dolën tani si forca të pavarura në arenën
politike kundër grupit oligarkik, me synimin për të marrë pushtetin dhe për ta
përdorur atë në dobi të interesave të tyre. Si rrjedhim i kësaj, në vitin 437 shpërtheu
në Dyrrah një kryengritje e demosit, e njohur në historinë antike për rolin që luajti
në prag të luftës së Peloponezit. Në arenën e kësaj lufte përveç forcave të demosit
dhe aristokracisë, u duk edhe ndeshja e interesave të Korkyrës, prapa së cilës
qëndronte Athina dhe Korinthi. Të dyja fuqitë synonin të përfitonin mundësi më të
gjera në tregun ilir. Gjithashtu në këtë ndeshje morën pjesë aktive edhe ilirët fqinjë,
të cilët duke ndihmuar aristokratët e dëbuar nga qyteti, u radhitën me forcat që
përkahnin Athinën në luftën kundër lidhjes së Peloponezit.
Rrjedhimi kryesor i luftës civile në Dyrrah ishte triumfi i plotë i parimit të ndarjes
klasore të shoqërisë, forcimi i polisit skllavopronar. Pushteti tani kalon nga rrethi i
kufizuar i aristokracisë skllavopronare në duart e gjithë skllavopronarëve si klasë.
Baza shoqërore e tij u zgjerua me pjesëmarrjen e shtresave më të gjera
skllavopronare, të pronarëve të punishteve, të tregtarëve etj., duke bërë kështu më
të theksuar mënyrën antike të prodhimit. Që nga kjo kohë u forcua edhe pozita
shoqërore e ilirëve që banonin në qytet. Një dukuri e tillë e ngjashme u zhvillua edhe
në Apoloni.
Këto ndryshime u pasqyruan edhe në përbërjen dhe në funksionet shtetërore. Vendin
e krerëve (fylarkëve) aristokratë, në duart e të cilëve qe përqendruar pushteti gjatë
regjimit oligarkik, e zuri tani një organ kolegjial, buleja (këshilli). Anëtarët e saj
mund të ishin jo vetëm nga fisnikët, por edhe nga shtresat e tjera të
skllavopronarëve. U krijua edhe organi i mbledhjes së përgjithshme te popullit,
helieja. Detyrat kryesore të saj ishin miratimi i ligjeve, marrja e vendimeve me
rëndësi dhe zgjedhja e kontrollimi i veprimtarisë së organeve ekzekutive të qytetit.
Me gjithë pjesëmarrjen e popullit të lirë, edhe ky organ ishte në duart e
skllavopronarëve, pa praninë e të cilëve helieja nuk kishte të drejtë të zgjidhte
organet e larta ekzekutive të qytetit. Nga anëtarët e bulesë në krye të çdo viti
zgjidhej prytani, i cili ishte funksionari më i lartë civil i qytetit. Me emrin e tij
lidheshin të gjitha ligjet, dekretet e vendimet me rëndësi të shpallura gjatë vitit. Me
çështjet që kishin të bënin me mbrojtjen ushtarake dhe me luftën merrej toksarku,
që ishte komandanti i shigjetarëve. Sekretarit i binte për detyrë kryesore të kujdesej
për ngulitjen mbi gur ose mbi tabela bakri të ligjeve, të dekreteve e vendimeve të
marra nga helieja apo organet e larta ekzekutive dhe t’i shpallte ato publikisht. Të
tre hieramnamonët, merreshin jo vetëm me çështjet e kultit, me organizimin e
lojërave e të festave, por me sa duket edhe me çështjet financiare të qytetit. Veç
këtyre kishte edhe nëpunës të tjerë, të një rangu më të ulët, por që në të vërtetë
luanin një rol me rëndësi në jetën ekonomike. I tillë ishte nëpunësi i ngarkuar me
prerjen e monedhave, i cili kishte për detyrë të kujdesej si për sigurimin e lëndës së
parë, ashtu edhe për prerjen dhe shpërndarjen e monedhave. Mbi drahmet e
argjendta emri i tij vendosej krahas atij të prytanit. Një funksionar tjetër ishte poleti
që merrej me rregullimin e tregtisë me ilirët.
Kulti fetar ishte në harmoni me institucionet shoqërore e politike të qytetit. Kjo duket
edhe nga shkrirja e funksioneve fetare me ato shtetërore (hieramnamonët). Hyjnitë
më të adhuruara në Apoloni ishin Apoloni, që i dha emrin qytetit, hyjnesha ilire e
brigjeve u unjisua nga kolonistët me Artemisin; Dionizi ishte hyu i vreshtave etj.
Perënditë kryesore, të cilëve u faleshin më shumë dyrrahasit, ishin Zeusi, Dielli dhe
bashkëthemeluesi legjendar i qytetit Herakliu.
Kolonitë helene u vendosën në Iliri në rrethanat e marrëdhënieve të ngushta
ekonomike me ilirët, që kushtëzoheshin nga interesat reciproke. Fuqizimi i
mëtejshëm i kolonive përkon me lindjen e qyteteve ilire dhe me formimin e shtetit
ilir. Tek këta kolonitë do të gjejnë një bazë për t’u mbështetur në synimet e tyre për
çlirimin e plotë ekonomik dhe politik nga metropolet. Nuk kanë munguar edhe
konfliktet midis ilirëve dhe kolonive, me sa duket, si rrjedhim i shpërdorimeve të
kolonistëve në marrëdhëniet me ilirët dhe për kufijtë midis tyre. Këto morën forma
të armatosura në luftën e Apolonisë me qytetin ilir Thronion rreth mesit të shek.V
dhe në luftën e ilirëve kundër Isës më 385 p.e.sonë.
Që nga gjysma e dytë e shek. IV p.e.sonë historia e kolonive helene të bregdetit të
Ilirisë zhvillohet në marrëdhënie të ngushta me historinë politike të shtetit ilir dhe në
kornizën e saj.
 
 
== Referenca ==

Menyja e lëvizjeve