Asklepiu

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Asklepi

Asklepi (greqisht: Ἀσκληπιός) - i biri i zotit Apolon dhe i të dashurës së tij Koronidës, ishte mjek i famshëm dhe zoti i mëvonshëm i mjekësisë.

Nga epet e Homerit e njohim vetëm si mjek të dalluar. Si zot grekët filluan ta adhurojnë prej shek. VII-VI para e.s., së pari në Thesali dhe në Epidaur. Në Athinë kultin e tij e sollën gjatë murtajës së vitit 429 para e.s. Deri në këtë kohë aty si zot të mjekësisë kanë adhuruar Aminin, prift i të cilit ishte edhe Sofokliu. Në Romë kulti i Asklepit u soll me rastin e murtajës epidemike në vitin 293 para e.s., e pastaj u përhap në tërë botën greko-romake. Sipas mitit Asklepi artin e mjekësisë e mësoi prej kentaurit Kiron, në malin Peli, aq mirë sa që ka ditur të shërojë të gjitha sëmundjet dhe lëndimet, madje edhe t'i ringjallë të vdekurit. Mirëpo, praktika e tillë mjaft e përhapur nuk i sillte dobi: pasi që askush nuk vdiste, u ankua kundër tij Tanati, zoti i vdekjes te zoti suprem, Zeusi dhe ai si rrënues i rendit botëror e mbyt me rrufe. Asklepi pas vetes la dy djem, Mahaonin dhe Podaleriun, të cilët poashtu u bënë mjekët të famshëm dhe në këtë funksion morën pjesë në luftën e Trojës. Veç këtyre Asklepi e ka pasur edhe djalin Teleforin dhe vajzën Higien, shëndet i mishnuar.

Shndërrimi i Asklepit në zot është shumë interesant. Sipas burimeve antike njerëzit këtu paraqiten si, "krijues të zotërave". Nuk është më pak interesante edhe analogjia e përparimit të Asklepiut në zot me rastin e mitologjisë egjiptiane: zoti Imhotep, shpikës i shkrimit, i ndërtimtarisë dhe mbrojtës i shkencës, të cilën grekët e identifikuan me Asklepin, poashtu është zhvilluar nga njeriu i vdekshëm për ekzistencën fizike të të cilit nuk dyshohet (ka jetuar në shek. XXVII para e.s. dhe ishte ndërtues i dy piramideve të para: piramidës shkallëzore të Gjoserit te Satara dhe piramidës së pakryer të Sahemhetit).

Në antikë janë krijuar shumë vepra arkitektonike dhe skulpturale për nderë të Asklepit. Tempujt e tij rëndom kanë qenë të lidhur me spitale. Tempulli më i famshëm i tij ishte në Epidaur ku çdo katër vjet organizoheshin lojërat atletike dhe dramaturgjike "Asklepiadet". Amfiteatri i Epidaurit është vepra më e ruajtur e llojit të tillë në Greqi dhe për interpretimin e sotëm të tragjedive antike nuk është dashur që të ripërtirihet shumë. (Shënimi i Pauzanit mbi "Mrekullinë e Epidaurit" nuk ka të bëjë me rezultatet e shërimit të spitalit të atjeshëm të Asklepiut, por pikërisht ka të bëjë me këtë amfiteatër. Akustika e tij, pozita dhe panorama piktoreske e rrethinës ishte unike). Asklepi e ka pasur tempullin e madh me spital edhe në ujëdhesën Kojos. Në Pergam dhe në Athinë i ka pasur shenjëtoret, kjo e dyta ishte - në shpatin jugor të Akropolit (prej vitit 420 para e.s.) Romakët ia kanë dedikuar tempullin dhe spitalin në ujëdhesën e Tibrit, i cili gjendet edhe sot, kuptohet i modernizuar, por edhe kishën (kushtuar shën Bartolomeut).

Statuja më e njohur e Asklepit është e ashtuquajtura Asklepi i Napolit, kopja romake e origjinalit grek nga shek. V para e.s. Nga truporja e tij vigane e kultit në ujëdhesën Delos nga mbarimi i shek. IV para e.s. është ruajtur vetëm koka (sot gjendet në Muzeun Britanik në Londër). Statuja e tij shumë e bukur e shek. IV para e.s. gjendet në Muzeun Nacional të Palermos; një kopje romake e shek. II para e.s. është bërë sipas origjinalit grek dhe gjendet në Muzeun e Berlinit; relievi Asklepi i ulur në gërmadhat e shenjtërores së tij gjendet në Muzeun e Epidaurit. Mirëpo, të gjitha këto vepra me popullaritet i tejkalon truporja e tij në Tempullin e Asklepiut jo aq të madh mbi liqenin e vogël në Villa Borghese të Romes. Statuja është kopje romake e origjinalit grek e shek. V, para e.s., kurse tempulli është i kohës së re. Asklepin autorët antikë e paraqitnin si plak bujar me shkop rreth të cilit përdredhej gjarpëri, simbol i jetës që ripërtërihet pandërprerë. Ky simbol deri më sot ka mbetur si shenjë e punëtorëve shëndetësorë.

Në Butrint ndodhet një tempull grek i Asklepit, i cili te romakët njihet si Asculapius.