Berisha (Malishevë)

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Berisha
Fshat
ShtetiKosova Kosova
KomunaMalishevë
RajoniPrizren
Sipërfaqja
 • Gjithsej1,8 km2 (7 sq mi)
Lartësia mbidetare
1.020 m (3,350 ft)
Popullsia
 • Gjithsej205 banorë
Targat04

Berisha është një vendbanim në komunën e Malishevës, Kosovë. Shtrihet në shpatet e maleve të Berishës, në pjesën perëndimore të territorit të komunës së Malishevës, 15 kilometra larg qendrës dhe gjendet në anën e djathtë të rrugës rajonale Malishevë-Prishtinë. Është fshat tipik malor, me kushte të përshtatshme për zhvillimin e blegtorisë, turizmit dhe gjuetisë.

Fshati ka shkollën fillore nëntëvjeçare, të përbashkët me fshatin Zogaj (Novosellë) dhe me një paralele të ndarë në fshatin Altar (Kleçkë), një dyqan dhe muzeun "Radio Kosova e Lirë".[1]

Historia[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Afër fshatit Berishë ka gjurmë të vendbanimeve të moçme ilire. Vetë fshati Berishë është një ngulmim i hershëm autokton. Për këtë flasin edhe gjurmët materiale të ndërtimeve të lashta dardane.

Fshati i sotëm berishë është rithemeluar në shekullin e 17-të. Familja e Berishajve ishin vendosur në malet e Tropojës, pasi u vendos Dinastia e Nemanjidëve. Pas vdekjes së Skënderbeut, kjo familje u kthye në vendbanimet e mëhershme. në fillim, si duket, kjo familje u vendos afër Deçanit. Prej aty, ajo u vendos në Tërpezë të Malishevës. Pas vitit 1912, ushtria serbe është vendosur në Berishë, e cila, atë herë i kishte 3 kulla të njohura. Ata nuk mund të qëndronin gjatë aty. Edhe ushtria bullgare që erdhi aty, pësoi humbje të mëdha.

Mikrotoponimet[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Mikrotoponimet më karakteristike në Berishë janë: Bregu i Kërqelëve, Ahishta, Kodra e Mullamahmutit, Ara e Korubës, Gropishta, Bleshmarku, Roga e Vogël, Roga e Timarit, Ara e Madhe, Zguruluqi, Livadhet e Mëdha, Vrella e Mutune, Mrizet, Ara e Odës, Kroni Shpisë, Bunari në Arat mi Kru, Sumullari, Pajata e Sallahi, Rrahi, Kroni Maxhupit, Zabeli Vorreve, Vorret, Arat e Vorreve, Lluburi, Kroni Sylës, Bregi i Hollë, Livadhet e Lugit të Arushës, Ara Ledinë, Ara n'Skaj, Ara e Vjosës, Kranaja, Bungaja e Madhe, Ballishta, etj..

Demografia[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Popullsia sipas viteve
Viti i regjistrimit Numri i popullsisë Numri i shtëpive
1921 68 6
1935 - 12
1948 102 14
1953 111 15
1961 107 14
1971 322 34
1981 337 34
1999 205 21

Koha e Luftës së Kosovës[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Gjatë kohës së operacioneve ushtarake të UÇK-së, Berisha ishte qendër e njohur. Ajo granatohej përherë. Në këtë fshat, themelohet radiostacioni "Radio Kosova e Lirë" dhe agjencia e lajmeve "KosovaPress". Aty ishte edhe kazerma e Shtabit të Batalionit 121. Fshati është bombarduar disa herë. Nga pasojat e granatimeve është vrarë një nxënës. Janë granatuar dhe dëmtuar 5 shtëpi.

Referime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  1. ^ Osmani, Jusuf (2006). Vendbanimet e Kosovës - Malisheva. Vëll. 19. Prishtinë: Shkrola. fq. 89. ISBN 9951-8658-3-6.

Lidhje të jashtme[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]