Besim Bokshi

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Besim Bokshi
U lind më12 nëntor, 1930
Gjakovë
Vdiq më16 gusht, 2014
Gjakovë
KombësiaShqiptar

Besim Bokshi (Gjakovë, 12 nëntor 1930 - 16 gusht 2014) ka qenë poet, gjuhëtar dhe filolog shqiptar. Ka qenë kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës në vitet 2008-2011.[1]

Biografia[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Gjashtë klasë të mësimit fillor i kreu në Tiranë,[2] ndërsa dy të tjerat - në Gjakovë. Maturoi në Gjimnazin e Prishtinës. Ndoqi studimet në Katedrën e Albanologjisë në Universitetin e Beogradit dhe, me ndërprerje, i përfundoi më 1959. Vijoi studimet pasuniversitare në Drejtimin e gjuhësisë në Beograd. Tema e tezës së doktoratës iu dha në bazë të punimit Zhvillimi i strukturës së temave emërore të shqipes (Gjurmime albanologjike, 1, 1971). Mbrojti tezën e doktoratës me temë Rruga e formimit të fleksionit të sotëm nominal të shqipes në Fakultetin Filozofik të Prishtinës më 1977. Ka ligjëruar lëndën e gjuhës shqipe në Gjimnazin e Gjakovës dhe në vitet 1961-63 ka ushtruar edhe detyrën e drejtorit të kësaj shkolle. Ka qenë profesor në Shkollën e Lartë Pedagogjike të Gjakovës në vitet 1967-73 për Morfologji të gjuhës së sotme shqipe e për Hyrje në gjuhësi dhe në katër vjetët e parë e ka drejtuar punën e kësaj shkolle. Brenda kësaj kohe për tetë muaj ka punuar në Institutin Albanologjik të Prishtinës. Nga viti 1974 është zgjedhur ligjërues i Morfologjisë historike në Degën e Gjuhës e të Letërsisë Shqipe në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës dhe, pas doktorimit, është zgjedhur profesor inordinar e pastaj edhe ordinar deri kur u përjashtua nga Fakulteti më 1991 bashkë me mësimdhënës të tjerë shqiptarë nga dekanati i dhunshëm.

Në vitet 1992-2001 ka ligjëruar lëndën Hyrje në studimin krahasues të gjuhëve indoevropiane në Shkallën e tretë të studimeve - Drejtimi i gjuhësisë në Fakultetin Filologjik të Prishtinës. Ka qenë anëtar i komisionit për konkluzione të Konsultës Gjuhësore të Prishtinës më 1968 dhe delegat në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe në Tiranë më 1973. Ka marrë pjesë në Kongresin e Studimeve të Evropës Juglindore në Ankara1978 me kumtesën për prapavendosjen e nyjës në gjuhët ballkanike. Në Universitetin e Jenës ka mbajtur ligjëratën për origjinën e mbaresave rasore të shqipes. Para ligjëruesve të Katedrës së Gjuhës e të Letërsisë Shqipe të Fakultetit Filologjik të Tiranës dhe bashkëpunëtorëve shkencorë të Institutit të Gjuhësisë e të Letërsisë ka mbajtur ligjëratën për zhvillimin e sistemit emëror të shqipes (1979). Ka qenë deputet në Dhomën për Arsim në Kuvendin Federativ më 1967-69. Në zgjedhjet e organizuara nga subjektet tona politike më 1992 është zgjedhur deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës. Në vitet 1993-96 ka qenë kryetar i Partisë Socialdemokrate të Kosovës. Për veprën Rruga e formimit të fleksionit të sotëm nominal të shqipes ka marrë Shpërblimin e dhjetorit të Kuvendit të Kosovës më 1980. Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës. Anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës është zgjedhur më 1991, ndërsa nga viti 1996 është anëtar i rregullt i kësaj akademie. Më 2002 u zgjodh nënkryetar i Akademisë.[nevojitet citimi]

Vdiq më 16 gusht 2014.[3]

Vepra[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Poezi[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  • Në Pritje, Prishtinë, 1966
  • Hije të këputura, Pejë, 1996

Gjuhësi[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  • Rruga e formimit të sotëm nominal të shqipes, Prishtinë, 1980
  • Prapavendosja e nyjes në gjuhët ballkanike, Prishtinë, 1984
  • Pjesorja e shqipes: vështrim diakronik, Prishtinë, 1998
  • Për vetorët e shqipes, Prishtinë, 2004.

Referime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  1. ^ "Academy of Sciences and Arts of Kosovo". Arkivuar nga origjinali më 13 dhjetor 2010. Marrë më 4 maj 2010.
  2. ^ Elsie, Robert (2004). Historical dictionary of Kosova (në anglisht). Scarecrow Press. fq. 29. ISBN 0-8108-5309-4.
  3. ^ Ndërron jetë akademik Besim Bokshi, varrimi të dielën në orën 17, Koha, 2014-08-16, arkivuar nga origjinali më 2016-02-06, marrë më 2016-01-28