Drenoci (Rahovec)

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Drenoc
Thanishte
Fshat

Drenoci (ndryshe Drenoci i Zatriqit) është një fshat në komunën e Rahovecit, në Kosovë, me një sipërfaqe prej 8.1 km².

Drenoci është një fshat i tipit të grumbulluar.

Emri Drenoc e ka kuptimin e një ,,Thanishte’’. Dikur ka pasur edhe një rrugë fushore me emrin ,,Rruga e Drenave’’, ndryshe ,,Rruga e Thanave’’.

Drenoci njihet si vend i rrushit (fshati me më së shumti vreshta në Kosovë, në vitin 2014 kanë qenë të mbjellura 115,69 hektarë me vreshta), i dardhave, arrave, vojsave, thanave, i njerëzve të punës, lapsit e pushkës, i harmonisë njerëzore etj.

Në përbërjen e relievit të Drenocit dallohen dy forma: relievi malor (që përfshihet nga Bjeshka e Drenocit, që është pjesë e Maleve të Zatriqit) dhe relievi fushoro - kodrinor (që është pjesë e Anadrinisë në Rrafshin e Dukagjinit).

Pika më e lartë sa i përket lartësisë mbidetare në relievin e Drenocit arrin në 985 metra, më e ulëta është 394 metra, kurse në qendër të fshatit lartësia mbidetare është 569 metra.

Dominante janë tiparet e klimës së ndryshueshme mesdhetare.

Edhepse nëpër territorin e Drenocit nuk kalojnë lumenj, megjithatë ky fshat dallohet me një hidrografi të pasur, me përrenj, kroje, me një liqen të vogël etj. Përrenjtë më të mëdhenj janë: Përroi i Madh, i Ramisadit, i Kroit të Demirit, i Beluhut, i Maqinave, i Pucalkës, i Anrevcit etj. Krojet më të njohura janë: Kroi i Madh, i Gjorëve, i Rrahmanit, dy krojet e Berishës, Kroi i Demirit etj. Në bjeshkë, konkretisht në Lesnicë gjendet edhe një liqen i vogël periodik.

Drenoci dallohet me një botë bimore dhe shtazore të pasur, të shtrira në katin e pyjeve gjetherënëse apo të përziera, në formacionin biogjeografik të Evropës së Mesme.

Në periudhën 17 janar - 15 shkurt 2016, Drenoci i kishte 278 ekonomi familjare, ndërsa një popullsi prej 2,173 banorësh (268 b/km²).

Prej 2,173 banorëve të Drenocit, 1,170 janë rezidentë, 83 janë banorë që jetojnë dhe punojnë në vende të tjera të Kosovës, por që fundjavën dhe pushimet i kalojnë në Drenoc, kurse 920 banorë jetojnë, punojnë dhe studiojnë në gurbet, kuptohet që pushimet kthehen dhe i kalojnë në Drenoc.

Në Drenoc jetojnë familje të fiseve Gashi, Berisha, Krasniqi, Kastrati dhe Morina.  

Popullsia e Drenocit është tërësisht homogjene sa i përket etnisë, pasi që 100 %  përbëhet vetëm prej popullsisë shqiptare, kurse sa i përket fesë, banorët e fshatit Drenoc janë besimtarë të fesë islame.

Vjetërsinë e hershme të këtij fshati e dëshmojnë gjurmët e një vendbanimi në Renzina, në Seishte, varrezat që gjenden tek Lëndina e Qarreve (varre të krishtere ortodokse), pastaj gjurmë të një vendbanimi të hershëm gjenden edhe tek pjesa e epërme e Maqinave, si dhe varrezat që gjenden aty etj.

Gjatë luftës së fundit në vitet 1998 - 1999, më datë 3 shtator 1998 Drenoci ishtë djegur pothuajse i tëri nga paramilitarët serbë, ndërsa në vitet në fjalë janë vrarë 16 banorë të Drenocit, prej tyre 6 ushtarë të UÇK - së, të cilët edhe janë dëshmorë kombi. Prej 6 ushtarëve të UÇK - së të rënë në luftën e viteve 1998 - 1999, janë: Bedrush Avdi Gashi, Feim Avdi Gashi, Esherefedin Rexhep Kastrati, Isuf Reshit Berisha, Mensur Sefer Zyberaj dhe Tafil Nuhi Zyberaj. Përndryshe, Bedrush Avdi Gashi, Feim Avdi Gashi dhe Mensur Sefer Zyberaj, janë shpallur me titullin ,,Hero’’ nga Presidenca e Kosovës.

Në Drenoc, shkolla e parë kishte filluar punën në vitin 1935 (po më 1935 ishte ndërtuar edhe objekti i vjetër i shkollës sonë). Ndërsa, objekti shkollor në të cilën tani mbahet mësimi prej Shkollës Fillore dhe të Mesme të Ulët ,,Vëllezërit Frashëri’’, është ndërtuar në vitin 1984, kur edhe filloi puna në këtë shkollë të re. Për vitin shkollor 2015/ 2016, shkolla ,,Vëllezërit Frashëri’’ në Drenoc i kishte gjithsej 239 nxënës, 215 ishin nga Drenoci, kurse 24 nga Senoci.

Në disa të dhëna të Bashkësisë Islame të Kosovës, konkretisht në veprën Barbaria serbe ndaj monumenteve islame në Kosovë (Shkurt ’98 - Qershor ’99), thuhet se xhamia e parë në Drenoc është ndërtuar në vitin 1710. Por, në bazë të gojëdhënave të disa pleqve, të cilët përmendin disa prej banorëve që kanë jetuar në kohën e ndërtimit të xhamisë së vjetër dhe të minares pastaj, bën të kuptohet se ato janë ndërtuar diku në gjysmën e dytë të shekullit XIX. Kurse, në gusht të vitit 2009 u ndërtua xhamia e re, e minareja është ndërtuar në shtator të vitit 2010.

Në Drenoc funksionon Zyra e Gjendjes Civile, Qendra e Mjekësisë Familjare e tani ka filluar të funksionojë edhe Shtëpia e Kulturës.

Nga Drenoci kanë dalur edhe figura apo personalitete të shquara nga lëmi të ndryshme shoqërore: nga lëmia e ligjvënies dhe qeverisjes, mjekë, ekonomistë, inxhinierë, nga lëmia e shkencave politike dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, gazetarë, juristë, shkrimtarë, aktorë, piktorë, këngëtarë, policë, ushtarakë etj.

Drenoci shquhet edhe për kullat dhe odat që kishte dikur. Prej kullave më të njohura ishin ajo e Makshanëve (ishte ndër kullat më të njohura në Rrafshin e Dukagjinit) dhe e Xhaferëve, e para tyre ishin edhe kulla e Malë Hamzës dhe e Xhemë Sinanit.

Në Drenoc, dega kryesore ekonomike është bujqësia (kultivohen hardhia e rrushit, drithrat, pemët e zonës së mesme, perimet etj.).

Drenoci ofron mundësi për zhvillimin e turizmit natyror dhe atij kulturor.

Sa i përket turizmit natyror - lokal, mundësi për zhvillimin e tij paraqesin Lisi i Madh, lisat e mëdhenj që gjenden tek Kroi i Demirit, Lisi i Pojatës (këta janë monumente natyrore nën mbrojtjen e MMPH - së), Mrizet në Ramisad, gryka e Përroit të Madh, në përgjithësi bjeshka, Mrizet etj. 

Sa i përket turizmit kulturor, mundësi për zhvillimin e tij paraqesin: minareja e xhamisë së vjetër, objekti i vjetër i shkollës, disa kroje - qezme që janë të ndërtuara në Drenoc, si: Kroi i Madh, Kroi i Rrahmanit (ndryshe njihet edhe si Kroi i Xhamisë), Kroi i Gjorëve, dy krojet e Berishës, Kroi i Demirit, muzeu i një arsimtari të Gjeografisë (i formuar nga Nazmi Sejdi Berisha) etj.

Lidhje të jashtme[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]