Enrico Tellini

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Enrico Tellini (25 gusht 1871 - 27 gusht 1923), gjenerali italian lindi në Castelnuovo të Garfanjànos, krahinë në lindje të Gjirit të Genova-së, Itali. Mësimet e para i mori në shkollën e vendlindjes, kurse studimet ushtarake i kreu gjatë viteve 1884-1900 në kolegjin e Firénces, në Akademinë Ushtarake, në Torino dhe në Shkollën e Lùftës. Gjithnjë me nota “shkëlqyeshëm”, në vitin 1890 fitoi gradën nëntoger artilerìe. Në vitet 1914-1915 e dërguan atashe ushtarak në ambasadën italiane në Vjenë. Në qershor të vitit 1918 iu dha grada gjeneral brigade; iu besuan detyra në shtabe divizioni, truparmate, në Komandën e Përgjithshme të ushtrisë dhe në Ministrinë e Luftës; komandoi artileri divizionale dhe njërën pas tjetrës, brigadat “Lombardia” e “Piacenca”. Shembullor në kryerjen e detyrave të ngarkuara, e nderuan me Urdhrin “Kryqi i Kalorësit të Urdhrit Ushtarak të Savojës”, me “Medalja e Argjend me Vlerë Ushtarake” dhe me “Kryqi i Oficerit të Urdhrit Ushtarak të Savójës”. Në përshtatje me aftësitë ushtarake e politike, si dhe me vlerat dhe cilësitë e veçanta njerëzore, më 9 nëntor 1922, Konferenca e Ambasadorëve e zgjodhi kryetar të Komisionit Ndërkombëtar Kufipërcaktues ndërmjet shtetit shqiptar dhe atij grek.

Misioni për kufirin[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Komisioni i emëruar nga Konferenca e Ambasadorëve për caktimin e kufirit ndërmjet shtetit shqiptar e shteteve fqinje Ballkanike e kishte lënë për gjysmë punën që nga viti 1914, kur shpërtheu Lufta e Parë Botërore; rrjedhimisht në kufirin shtetëror shqiptaro-grek, të njohura kishin mbetur vetëm pika e fillimit, në Gjirin e Ftelês (Ftelésë) dhe ajo fundore, në Liqenin e Préspës. Kjo gjendje u kishte dhënë dorë shteteve fqinje që ta shndërronin shtetin shqiptar në përcëllìmë dhe në det gjaku shqiptarësh. Kësaj gjendjeje iu dha fund më 17 dhjetor 1920, kur Lidhja e Kombeve e pranoi shtetin shqiptar anëtar të saj. Duke përfituar nga ai rast, përfaqësia qeveritare shqiptare që ndodhej pranë Konferencës së Paqes në Paris, kërkoi nxitimthi “daljen e ushtrive të huaja jashtë viseve të brenda shtetit shqiptar”. Mbështetur në qenien tanimë anëtar të Lidhjes së Kombeve, Konferenca e Ambasadorëve ripohoi vendimet e saj të 12 dhjetorit 1912, të 22 marsit të vitit 1913 dhe të 17 dhjetorit të vitit.1913 mbi kurrizin e këtij shteti dhe menjëherë ngriti edhe komisionin përkatës, me gjeneral Enriko Telinin dhe anëtarë përfaqësitë e qeverive angleze, franceze e italiane. Pranë tij, me votë jo vendimmarrëse u njohën përfaqësitë e shtetit shqiptar dhe të atij grek.

Ndarja e kufirit[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Në 10-ditshin e tretë të nëntorit të vitit 1922 anëtarët e Komisionit arritën në Korçë, po nuk filluan dot punën, ngase, – siç shkruhej në fletoren “Near East”, - “ka hasur në pengesa të drejtpërdrejta, jo vetëm nga Greqia, por edhe nga Serbia”. Për pasojë, Komisioni e ndërpreu punën dhe u rigrupua në Korçë në 10-ditëshin tretë të prillit të vitit 1923, por, përsëri, që në krye, ndeshi në vickat e kryepërfaqësuesit grek, Kli Bóçari. Këta shkelma penguan fillimin e punës për plot një muaj; madje, edhe kjo (fillimi) falë këmbënguljes vendimtare të gjeneral Telinit “që përpiqej me mish e me shpirt t’i jepte fund punës një orë e më parë”. Pikërisht për këtë, shtypi grek i qe vërsulur që në fillim me egërsi; Në fletoren “Tomorri” thuhet se e quanin “armik të Greqisë”.(VKSH fq. 57). Ndërsa, në gazetën “Dielli” shkruhej se 50 ushtarë grekë të lënë ende qëllimisht në Korçë, hynë përdhunshëm në ndërtesën e Komisionit, për të trembur gjeneral E. Telinin dhe ta detyronin që Korçën ta kalonte brenda shtetit grek.(I. D. Hoxha “VKSH në SH. Gr”., fq. 57). Më 26 korrik 1923, kur Gjeneral Telini vendosi që fshatrat Pobìckë e Radat, në lindje të Leskovikut, si edhe burimet e ujërave të nxehta poshtë Radatit të mbeteshin brenda shtetit shqiptar, tërbimi i nënkolonel Bóçarit arriti kulmin. Por, gjeneral Telini qëndroi i patundur në vendimin e vet. Gurgulénë vijuese Kli Boçari e shkaktoi kur sheh se Enriko Telini vendosi që fshatrat Peshkëpì e Radat në Rrëzë të Zezë të Libohovës dhe Kakavjeja të mbeteshin brenda kufirit të shtetit shqiptar. Lënia e Kakavjesë këndej kufirit linte të kuptohej haptazi se gjeneral E. Telini vijën kufitare do ta shtrinte deri në Kalama dhe, duke ecur nëpër rrjedhën e tij, do ta përfundonte në ngushticën detare ndërmjet Korfuzit e anëdetit shqiptar çamo-lab. Me këtë vijë kufiri, të kërkuar në vitin 1912 edhe nga vetë përfaqësia greke e kryesuar nga Xhavella, brenda shtetit shqiptar mbetej tërë Çamëria Veriore, në malësinë në lindje të së cilës gjenden malet Murganë, Shtrungarë e Vigël, që mbizotërojnë vendin, jo vetëm deri përtej Janinës, por edhe ujëdhesat jonike, sidomos atë të Korfuzit. Në kushte të tilla qeverisë greke i mbeteshin dy rrugë: ja t’i linte këto vende në mëshirën e artilerisë që qeveria shqiptare mund të vendoste në malet e sapopërmendura, ja të kërkonte ndërrimin e malësisë së Çamërisë Veriore Lindore me Çamërinë e Mesme deri edhe atë Jugore. Këtë të vërtetë e vë në dukje edhe diplomati dhe historiani italian, Renco Falaski; ai thotë se gjeneral E. Telini që e njihte fare mirë mjedisin, “nuk nguroi të pranonte kërkesat e drejta të shqiptarëve, që sipas bindjes së tij brenda shtetit shqiptar duhej të mbetej edhe Janina e më përtej saj”.(I,.D.Hoxha, “VKSH në Sh. Gr., 59).

Vrasja e Gjeneral Talinit[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Të marrosur nga vendimet e gjen. E. Telinit, pushtetarët grekë vendosën t’i shkurtonin jetën dhe veprimtarinë. Një çetë e organizuar nga komanda ushtarake, asfalia dhe horofillaqia, e mbështetur edhe nga një njësi ushtarësh, më 27 gusht në vendin e quajtur Zhépë, – tetë kilometra përtej Kakavjesë, - ngritën pritën, ku vranë gjeneral E. Telinin dhe shoqëruesit që ndodheshin me të. Komisioni Hetimor Ndërkombëtar i ngritur posaçërisht me atë rast, vërtetoi se organizatore e vrasjes dhe vrasëse ishte vet qeveria greke. Rrjedhimisht ajo u ndëshkua, - veç të tjerave, - me pagimin e një shume tejet të madhe që iu ngarkua si dëmshpërblim.

Vlerësimet për Gjeneralin[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Cilësitë e gjeneral Enriko Telinit nga dëshmitarë në takimet me të: Tieli në shkrimin “Një fytyrë Historike” vëren: “Telini ishte një ndër gjeneralët më të shquar të ushtrisë italiane. Zotësia e tij teknike e organizative dallohej në shenjë, sikur dallohej edhe drejtësia e paanësia në detyrën delikate, në të cilën ai me një kthjelltësi të patundur qëndronte e zbatonte veprimet që i përkisnin. Më 1922 pata një bashkëfjalim të gjatë mbi shumë çështje që kishin të bënin me caktimin e kufijve. Nga dituria, rritja dhe gjykimi i kthjelltë që kishte, më bëri përshtypjen më të madhe. Ishte i ëmbël, i qetë e i çiltër në shpirt dhe i paanshëm“.(I.D.Hoxha, “VKSH në SH.Gr.”, fq. 72). Bashkëpunëtori i vet në caktimin e kufirit, Dhimitër Berati, - asokohe edhe prefekt i Korçës, - shkruan: “Ushtarak i vërtetë në sjellje e në fjalë. Burrë pa frikë e pa léqe (lak, kurth, çark –I. D. Hoxha); njeri me kuptim të thellë, me mendime të kthjellëta e zemër bujare; njeri me kuptim të thellë, që dinte të shikonte larg dhe ta ndante menjëherë të mirën nga e liga...Ishte shtënë me gjithë zemër pas punës së caktimit të kufirit; e kryente këtë si një detyrë të çmuar...Në ka të huaj që të ketë derdhur gjakun për të mirën e kombit shqiptar, gjeneral E. Telini ishte dhe mbetet në rreshtin e parë... Thoshte: “E dua kombin tuaj, se kam përshtypjen që në çdo fshatar shoh jo vetëm një ushtar të vërtetë, por edhe një kumandar në kuptimin më të mirë të fjalës”“.(I.D.Hoxha, “VKSH në SH. G.”, fq. Për të nderuar e përjetësuar emrin e gjen. E. Telinit dhe veprimtarinë e tij në dobi të shtetit shqiptar, në qendër të Tiranës u çel posaçërisht një rrugë e re, e cila u quajt Shëtitorja “Gjeneral Telini”; u përurua më 27 gusht, 10 vjet pas rënies së dëshmorit të lavdishëm në fushën e nderit. Në krye të shëtitores u vendos edhe gjysmëtruporja e tij. Këto do të shërbenin –si u shkrua asokohe në fletoren “Vullneti i Popullit”- edhe për të “na ngacmuar plagën e pashërueshme që pësuan zemrat tona, kur humbëm fatosin e çempionin e të drejtave tona”.(I.D.Hoxha, “VKSH në SH. Gr,”, fq. 73). Mjerisht, pushtetarët e Partisë së Punës e hoqën gjysmëtruporen dhe emrin e të ndjerit gjeneral Enriko Telinit. Megjithatë ato mbetën të gjalla dhe të pashlyeshme në ndërgjegjen e shqiptarëve që çmojnë dhe falënderojnë mikun dhe urrejnë e përbuzin armikun.

Shih edhe[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Thanas Leskoviku

Referime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

[1]