Graham Grin

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Graham Greene (lexohet Graham Grin, 2 tetor 1904 – 3 prill 1991), ka qenë një prej prozatorëve më të rëndësishëm anglezë të shekullit XX. Shkrimtar po aq i vlerësuar nga kritika sa ç'ishte dhe popullor, Grini u pat cilësuar nga shkrimtari tjetër i njohur anglez, Kingsley Amis: "deri në momentin kur vdiq, ai ishte shkrimtari ynë më i madh."[1]

Grini pati shkruar romane, novela, tregime, drama, ese, shënime udhëtimi si dhe shumë skenarë filmash. Filmi me skenar të tijin origjinal, The Third Man ("I treti"), me regji të Carol Reed-it, konsiderohet sot një klasik i kinematografisë. Një pjesë e madhe e romaneve të tij janë kthyer në filma, përfshirë "Amerikanin e qetë," "Komedianët," "Shkëmbi i Brajtonit".[2]

Grini e ndau krijimtarinë e tij në letërsi fiksionale në dy grupe, në romane serioze dhe në të ashtuquajturat zbavitje, "entertainments", romane kryesisht të zhanrit thriller, një pjesë e të cilave kishin dhe aspekte komike.

Grini cilësohet si shkrimtar largpamës. Në fakt, tema që trajtoi në vitin 1956 në romanin e tij "Amerikani i qetë", mbi ndërhyrjen amerikane në Azinë juglindore dhe në Vietnam, u kthye në profeci me përshkallëzimin e rolit që amerikanët morën në Vietnam gjatë gjysmës së parë të Luftës së Ftohtë dhe luftën e Vietnamit në vitet 60. Romani "Konsulli i nderit" u mor me lëvizjet guerrilje në Amerikë të Jugut, ai "Pushteti dhe Lavdia" me gjendjen e krahinës së Chiapas-it në Meksikë, "Thelbi i Çështjes," me intrigat politike në Afrikën nën Sahara. Por përveç tyre, ai është marrë dhe me krizat e brendshme të njeriut, si me dashurinë dhe besnikërinë tek "Fundi i aferës," roli i prindit tiran tek "Doktor Fisheri i Gjenevës," apo egërsia e fëmijëve tek një cikël i tij me tregime.

Udhëtar i regjur, ai pati mbuluar konfliktet në shumë vende të botës, përfshirë kryengritjen Maui-Maui në Kenia dhe ato në Ameriken Latine. Vepra e tij karakterizohet nga dy komponente të rëndësishme, nga një majtizëm postkolonial dhe nga një besim i fortë katolik. Por aspekti thriller i romaneve të tij i dedikohet edhe një të kaluare si agjent i shërbimeve të fshehta angleze, ku pati njohur personalisht Kim Philby-n.


Referime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]