Karel Čapek

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Karel Čapek

Karel Čapek (shq. Karel Çapek) lindi më 9 janar 1890 në një fshat me emrin Male Svatonjovice, që ndodhet në Boheminë veri-lindore. Ishte një shkrimtar i rëndësishëm çek si edhe gazetar, përkthyes, dramaturg dhe intelektual. Gjithashtu merrej me fotografi. Ishte vëllai i vogël i Josef Çapekut (1887-1945), piktorit dhe shkrimtarit të famshëm çek. Karel Çapek vdiq më 25 dhjetor 1938 në Pragë.

Ndoqi shkollën fillore në qytetin Upice dhe pastaj vazhdoi shkollën e mesme në qytetin Hradec Kralove në Boheminë lindore. Atje nuk arriti të mbaronte studimet, sepse u përjashtua nga shkolla për shkak se mori pjesë në organizimin e një shoqate studentore kundër-austriake. Prandaj provimet e maturës i bëri në Brno, metropolin e Moravisë, dhe më vonë shkoi në Pragë, ku nisi studimet në fakultetin filozofik në Universitetin e Karlit. Në vitin 1905 fitoi titullin e doktorit në këtë fakultet dhe në vitet vijuese qëndroi për një kohë të shkurtër në Berlin dhe Paris. Që nga viti 1917 Karel Çapek filloi t´i kushtohej gazetarisë. U bë redaktor në disa revista e gazeta, si për shembull në Narodni listy, ku punoi mes viteve 1917 dhe 1921, dhe në Lidove noviny. Mori pjesë në jetën intelektuale të Pragës së atëhershme dhe rregullisht takohej me personalitete të tjera të jetës politike dhe kulturore në Çekosllovaki. Zakonisht këto takime intelektualësh mbaheshin të premten, kështu që pjesëmarrësit shpesh emërohen si “të premtistët”. Mes tyre bënin pjesë, ndër të tjerë, presidenti i parë i Çekosllovakisë Tomash Garrigue Masarik, gazetari Ferdinand Peroutka si edhe ministri i parë i punëve të jashtme dhe presidenti i dytë Edvard Benesh.

Nënshkrimi i marrëveshjes së Mynihut dhe aneksimi i rajoneve kufitare nga Rajhu i Tretë qe një goditje për Karel Çapekun, idetë e të cilit ndaj botës, në kohën e të ashtuquajturës Republikë të Parë të Çekosllovakisë, midis dy luftërave botërore, u shembën. Në veprimtarinë e Karel Çapekut vërehet një ndikim i dukshëm nga pragmatizmi, ekspresionizmi dhe zhvillimi teknologjik dhe shkencor. Në disa vepra të tij mbizotëron shqetësimi për sa i përket rolit të teknologjisë në shoqërinë moderne dhe abuzimit të saj. Madje, në dramën e tij R.U.R, që mund të konsiderohet dramë sci-fi, shpiku dhe përdori për herë të parë fjalën “robot”. Veprimtaria letrare e Karel Çapekut ndahet në dy pjesë. Pjesa e parë merret me jetën e brendshme të njeriut si jetë e individit. Në këtë pjesë Karel Çapek u fokusua te kufijtë e njohurive njerëzore ose pikëpamjet e ndryshme ndaj realitetit. Pjesa e dytë e veprimtarisë së tij konsiderohet si utopike ose anti-utopike. Këtu radhiten romanet dhe dramat, në të cilat Karel Çapek kritikoi fenomene të ndryshme të shoqërisë moderne. Gjithashtu shprehu shqetësimin e tij ndaj totalitarizmit dhe shpërdorimit të teknologjisë. Në këtë pjesë është e qartë se koha, kur Karel Çapek shkruante, d.m.th. periudha e hyrjes së fashizmit dhe nazizmit në fuqi, pati ndikim të fortë në veprimtarinë e tij.