Kristo Kirka

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Kristo Kirka (Korçë, 17 janar 1883 - Burgu i Burrelit, 28 prill 1955) ka qenë patriot dhe nëpunës shqiptar.

Biografia[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Lindi në Korçë, asokohe nën sundimin e Perandorisë Osmane. Kreu mësimet fillore në shkollën e gjuhës greke në vendlindje. U zhvendos nër rini të tij në Boston, MA më 1905.

Emigrant në ShBA[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Në Boston Kirka u mor me organizatën Besa-Besën, themeluar më 1907. Më 1908 shkoi në New York, ku mori pjesë në ceremoninë e shugurimit të Fan Nolit së bashku me Sotir Pecin dhe të tjerë. Duke ndjekur angazhimin e Fan Nolit në Kishën Ortodokse Shqiptare në SHBA, Kirka u bë kryetar i organizatës Besa-Besën. Pas shkrirjes së shoqatave patriotike dhe formimin e Vatrës, Kirka u bë drejtues i së përkohshmes Dielli dhe kryetar i degës së Vatrës në Boston[1][2]. Më 1913 u dërgua të takonte koloninë shqiptare në Rumani si përfaqësues i Vatrës, prej aty Kirka vajti në Durrës që të mirëpriste të porsa zgjedhurin monark të Shqipërisë, Princ Vidin[3].

Më 1914 iu bashkua çetës së Themistokli Gërmenjit. Më 1915 u largua sërish drejt Amerikës dhe më 4 korrik 1915 u emërua zv/president i Kongresit të Vatrës, ku u caktua që të caktohej një dërgatë për në Evropë për lobimin e çështjes shqiptare dhe të mblidheshin fonde për të[2].

Përfshirja në politikën shqiptare[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Më 1921, shoqëroi Nolin në udhëtimin e tij drejt Shqipërisë si përfaqësues i Vatrës. U zgjodh si përfaqësues i prefekturës së Korçës në zgjedhjet e para shqiptare. Iu bashkua Partisë Popullore dhe qe ndër kontributorët e parë të statutit të saj. Ishte një nga pjesëmarrësit dhe mbështetësisht e Kongresit të Beratit, ku u shpall autoqefalia e Kishës Ortodokse Shqiptare më 1922. Më 1924 u caktua në krye të Këshillit të Përgjithshëm Shqiptar në Boston, dhe më pas në NY[4]. Ndërkohë, nga viti 1925 e deir më 1929 shërbeu si president i Federatës Vatra.

Kirka la Amerikën më 1933 për t'u vendosur në Shqipëri së bashku me familjen. Më 1935 emërohet zv/prefekt i Himarës, ku u ndesh me elementët grekomanë që përpiqeshin të vendosnin shkollat greke në krahinë. Më 1937 u transferua si zv/prefekt në Bilisht[5].

Lufta e Dytë Botërore dhe më tej[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Me zotërimin e Korçës nga grekët pas Luftës italo-greke më 1940, u arrestua nga grekët dhe u fut në një burg afër Athinës. U lirua pasi gjermanët pushtuan Greqinë dhe u kthye në vendlindje, ku shërbeu si kryebashkiak nga 1942 deri më 1944. U anëtarësua në anët e Ballit Kombëtar dhe shërbeu si anëtar i Ballit në Komitetin krahinor, duke refuzuar çdo përpjekje për ta anëtarësuar me Frontin Nacional Çlirimtar. Me marrjen e pushtetit nga komunistët, Kirka u arrestua nga fundi i 1944, duke u liruar me urdhër të Beqir Ballukut pas 12 ditësh. Më pas u arrestua për herë të dytë më 12 qershor 1946, e kësaj radhe njëherë e mirë, duke u dënua me 20 vite burgim. Kirka ndërroi jetë në Burgun e Burrelit më 28 prill 1955. Jo shumë kohë më vonë u burgos edhe i biri, e shoqja dhe të bijat kaluan përndjekjet nga regjimi komunist[6].

Nderime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Si patriot dhe kontributor i çështjes kombëtare shqiptare, u rehabilitua më vonë, por u la si në harresë edhe pas 1990. Në shtator të vitit 2014, Presidenti Bujar Nishani nderoi me Titullin "Nderi i Kombit" shumë personalitete të Vatrës, përfshi Kristo Kirkën[7].

Referime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  1. ^ Boston Register and Business Directory, Sampson&Murdock, 1921, fq. 49 {{citation}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  2. ^ a b Fan Noli (1918), Kalendari i Vatrës i motit 1918, Boston, MA: Vatra Press, fq. 58–59 {{citation}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  3. ^ Uran Butka (2013-06-27), Kristo Kirka, Kryetar i shoqërisë "Besa-Besën", Dielli, marrë më 2014-12-13 {{citation}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  4. ^ Departamenti i Shtetit Amerikan (1925), Regjistri i departamentit të shtetit, fq. 273 {{citation}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  5. ^ Sami Repishti (2013-05-18), Kristo Kirka, "patrioti i dy Shqipërive!", Dielli, marrë më 2014-12-13 {{citation}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  6. ^ Reshat Kripa, Një libër për një martir, Kristo Kirka, zemrashqiptare.net, marrë më 2014-12-13 {{citation}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  7. ^ Presidenti Nishani nderon federatën Vatra dhe veprimtarët e dalluar amerikano-shqiptarë, President.al, 2014-09-29, arkivuar nga origjinali më 4 mars 2016, marrë më 2 mars 2018 {{citation}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)