Sherif Ahmeti

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Sherif Ahmeti

Haxhì Hafëz Sherif Ahmeti (Gumnasellë, 1920 - 14 prill 1998) ka qenë mësues, myderris, imam, komentues dhe përkthyes i Kuranitgjuhën shqipe.

Biografia[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

U lind më 1920 në Gunmasellë, i biri i Bahtirit dhe Aishes. Familja e tij kishin ardhur muhaxhirë nga viset e Toplicës të Sanxhakut të Nishit.

Nisi mësimet e para në mejtepin e fshatit Banullë tek Mulla Azizi, më pas shkoi në medresen e Ferizajt te Ahmet ef. Gremja, ku mësoi morfologjinë e gjuhës arabe (Sarf). Më pas vazhdoi mësimet në medresen e Prizrenit, ku nxuri sintaksën e gjuhës arabe (auam); më tej vazhdoi mësimet në medresen e Prishtinës deri në maj të vitit 1944, kur e kreu dhe mori Ixhazetnamenë nga myderrizi Ahmet ef. Mardoqi.

Pas Luftës së Dytë Botërore u angazhua në hapjen e shkollave shqipe në rrethinat e Lipjanit, ku më 19 dhjetor 1949 u emërua mësues në shkollën fillore të Banullës. Më 1950 nisi të ndjekte kursin pedagogjik në Pejë, pas të cilit u emërua drejtor i shkollës tetëvjeçare në Sllovi ku shërbeu deri më 1955.

Më 1956 la detyrën e mësuesit për të shërbyer si imam në xhaminë e Gllogocit, po në Lipjan, ku dhe u zgjodh kryetar i bashkësisë islame lokale. Në fillim të 1965 kaloi mësimdhënës në medresen e mesme "Alauddin" në Prishtinë.[1]

Jeta dhe veprat e tij[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Sherif Ahmeti, përkthyesi në shqip i Kur’anit, jetoi e punoi kur Kosova me të gjitha trevat e saj me shqipe të kulluar, për vetë rrethanat e veçanta të krijuara që pas dekadës së parë të këtij shekulli, në përpjekje për të mbijetuar nga sundimi kompleks serb, pati shumë raste, kur hoxhallarë të niveleve të ndryshme, u bashkuan në një çështje të madhe. Përveç veprimtarisë fetare, ata angazhohen edhe në zhvillimin e arsimit në gjuhën shqipe, madje shumë herë edhe duke i zhvilluar paralelisht të dy detyrat. Fillimisht kjo e ka burimin në moslejimin e mësimit në gjuhën amtare nga organet pushtuese dhe, në periudhën e mëvonshme, edhe në frenimin e ushtrimit të fesë për arsye indoktrinuese, ateiste. Duke pasur edhe formim në gjuhën amtare, ai punoi si mësues në fshatrat Banullë, Gadime, Sllovijë, duke vazhduar paralelisht edhe shkollën normale, të cilën e përfundon me sukses. Veprimtaria e tij arsimore la mbresa në nxënësit e atyre fshatrave dhe në prindërit e tyre.

Në vitin 1965 e ngarkojnë si mësimdhënës në medresenë "Alauddin" të Prishtinës, ndërsa në vitin 1970 e deri në vitin 1984 ishte drejtor i saj. Më 1985 u ngarkua me detyrën e Myftiut të Prishtinës, të cilën e kreu deri në vitin 1990, kur kishte mbushur moshën 70 vjeç dhe e nxjerrin në pension. Por, që me hapjen e Fakultetit Teologjik në Prishtinë, Sherif Ahmeti angazhohet edhe si mësimdhënës i "Akaidit".

Veprimtaria e tij shumë me vlerë është edhe në fushën e studimeve dhe të botimeve që bëri. Që në vitin 1968 ai ishte kryeredaktor i revistës fetare "Buletini", që i parapriu "Edukatës Islame", në të cilën qe njëkohësisht si drejtues deri në vitin 1983.

Ai bëri emër të nderuar edhe në fushën e përkthimeve. Në vitin 1987, pasi kishte përkthyer më parë nga arabishtja suren "Jasin", dorëzoi në shtyp përkthimin e Kur’anit me komentim, i cili u ribotua në Tripoli në 50 mijë kopje, në Kairo në 30 mijë dhe në Medinë në një milion kopje.

Sherif Ahmeti është edhe autor i veprës dinjitoze "Komente dhe mendime islame", prej afër 400 faqesh, botuar në Prishtinë, më 1995, e cila është një ndihmesë e çmuar për ngritjen e vetëdijes islame të popullit shqiptar, ku përmblidhen punime, një pjesë e të cilave të shkruara në kohën e censurës ateiste[2][3].

Referime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  1. ^ Shkodra, Ramadan (2010). "Sherif Ahmeti (1920 - 1998)". islamgjakova.net. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  2. ^ Dokumentar per Mulla Sherif Ahmetin on Vimeo
  3. ^ "Faqe Islame | Web Direktori Shqip". Arkivuar nga origjinali më 21 prill 2009. Marrë më 28 shkurt 2010. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)