Sura LII

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

1. Betohem për malin Tur (Sina)

2. dhe Librin e shkruar në rreshta,

3. në pergamenë të shpalosur

4. dhe Shtëpinë plot vizitorë

5. dhe kupën e ngritur (të qiellit)

6. dhe detin e mbushur,

7. se, me të vërtetë, dënimi i Zotit tënd do të ndodhë

8. dhe askush nuk mund ta pengojë.

9. Atë Ditë qielli do të lëkundet fuqishëm

10. e malet do të lëkunden me të madhe nga vendi!

11. Atë Ditë, mjerë për jobesimtarët,

12. që, të zhytur në gënjeshtra, argëtoheshin!

13. Atë Ditë, ata do të hidhen me forcë në zjarrin e Xhehenemit.

14. (Do t’u thuhet): “Ky është zjarri që e keni mohuar!

15. A është kjo magji apo nuk shihni?

16. Përcëllohuni në të! E duroni apo nuk e duroni, njësoj është për ju. Në të vërtetë, ky është “shpërblimi” i vetëm për atë që keni bërë”.

17. Vërtet, besimtarët e devotshëm do të gjenden në kopshtet e Xhenetit dhe në lumturi,

18. duke u kënaqur me atë që u ka dhënë Zoti i tyre, sepse Ai i ka ruajtur prej dënimit të Zjarrit flakërues.

19. (Do t’u thuhet): “Hani e pini me kënaqësi, si shpërblim për atë që keni bërë!”

20. Të mbështetur në divane të renditura, ata do të martohen me hyri sybukura.

21. Ne do t’i bashkojmë besimtarët e vërtetë me ata pasardhës të tyre që i ndjekin në besim dhe nuk do t’u pakësojmë asgjë nga shpërblimi për veprat e tyre. Çdo njeri është peng i veprave të veta.

22. Dhe do t’ua zgjerojmë dhuntitë atyre me fruta dhe mish, si ua ka ënda.

23. Atje do t’ia kalojnë njëri-tjetrit gotat e mbushura e nuk do të ketë biseda të kota e as gjynahe.

24. Rreth tyre do të sillen shërbyes, djelmosha si margaritarë të fshehur.

25. Ata do të afrohen, duke biseduar me njëri-tjetrin

26. e duke thënë: “Më parë, Ne kemi pasur frikë në familjet tona (nga gjykimi i Allahut),

27. por, Allahu na ka dhuruar mëshirë dhe na ka ruajtur nga era përcëlluese (e Zjarrit).

28. Ne qysh më parë i jemi falur Atij. Ai është vërtet Bamirës dhe Mëshirëplotë”.

29. Pra, paralajmëro (o Muhamed), sepse ti, për dhuntinë e Zotit tënd, nuk je as fallxhi, as i çmendur!

30. Vërtet thonë ata: “Ai është vjershëtar, të presim derisa ta zhdukë vdekja”?!

31. Thuaju: “Prisni, se edhe unë po pres bashkë me ju!”

32. A mos u vjen kjo nga mendja e tyre apo ata janë popull i ndërkryer?

33. Vërtet thonë ata: “Ai e ka trilluar atë”?! Nuk është kështu, por ata nuk besojnë.

34. Atëherë le të sjellin një libër të ngjashëm me të, nëse ajo që thonë është e vërtetë !

35. A mos vallë, ata janë krijuar nga hiçi apo mos janë ata krijues të vetvetes?!

36. A mos vallë ata kanë krijuar qiejt dhe Tokën?! Nuk është kështu, por ata nuk janë aspak të bindur.

37. A mos zotërojnë thesaret e Zotit tënd?! Apo mos janë ata sunduesit (e gjithçkaje)?!

38. A mos kanë ndonjë shkallë (për në qiell) e përgjojnë Atë?! Atëherë, le të sjellë përgjuesi i tyre dëshmi të qartë!

39. Vallë, për Atë janë vajzat e për ju djemtë?!

40. A mos po kërkon ti shpërblim prej tyre, që të kenë frikë se mos po ngarkohen me detyrim?!

41. A mos zotërojnë të padukshmen, kështu që mund ta përshkruajnë?!

42. A mos duan të ngrenë kurthe kundër teje? Ta dinë se vetëm mohuesit do të bien në kurthe!

43. A mos ata kanë zot tjetër, veç Allahut?! Allahu është i Lartësuar mbi gjithçka që ia veshin Atij!

44. Edhe sikur të shihnin se po bie një copë nga qielli, ata do të thoshin: “Është veç një grumbull resh”!

45. Prandaj, lëri ata të vazhdojnë kështu, derisa të takohen me Ditën, në të cilën, do të zalisen (nga frika),

46. me Ditën, në të cilën, dinakëritë tyre nuk do t’u bëjnë asnjë dobi dhe kur ata nuk do t’i ndihmojë askush.

47. Në të vërtetë, për keqbërësit ka edhe një dënim tjetër para këtij; por shumica e tyre nuk e dinë.

48. Prandaj, duro për gjykimin e Zotit tënd se, me të vërtetë, ti je nën Sytë Tanë! Lavdëroje duke e falënderuar Zotin tënd kur të ngrihesh;

49. edhe gjatë natës lavdëroje Atë, si dhe pas perëndimit të yjeve!