Tančící dům

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Jump to navigation Jump to search

Shtëpia Vallëzuese (Çek: Tančící dům) është ndërtesë moderne e dizajnuar në vitin 1992 dhe e projektuar në vitin 1996 nga arkitekti kroat-çek Vllado Miluniç në bashkëpunim me arkitektin kanadez-amerikan Frank Gehry. Ndodhet në Pragë dhe ka pamjen e dy kërcimtarëve. Zakonisht populli e quan atë si “Fred dhe Ginger”.

Dizajni i saj jo-tradicional ishte i diskutueshëm në atë kohë, sepse ndërtesa qëndron në mes të artit barok, gotik dhe atij të lirë, e sipas mendimit të disa njerëzve, stili i ndërtesave të Pragës nuk përputhet me këto stile arkitekturore. Mirëpo, presidenti çek, Václav Havel, e kishte përkrahur këtë projekt, duke shpresuar që ndërtesa do të bëhej një qendër e aktivitetit kulturor.

Arkitekti Gehry fillimisht e quajti ndërtesën “Fred dhe Ginger” sipas kërcimtarëve të famshëm Fred Astaire dhe Ginger Rogers, por ky pseudonim tani përdoret rrallë.

Shtëpia Vallëzuese është e vendosur në një pronë me rëndësi të madhe historike. Lokacioni i saj ishte vendi i një shtëpie të shkatërruar nga bombardimet amerikane në Pragë në vitin 1945. E gjithë hapësira ishte e rrënuar deri në vitin 1960, kur ajo u pastrua e tëra.

Që nga takimi i parë i dy arkitektëve, në vitin 1992 në Gjenevë, Gehry dhe Miluniç filluan të elaboronin idenë origjinale të Miluniçit për një ndërtesë që përbëhej nga dy pjesë, statikja dhe dinamikja ("yin dhe yang"), të cilat simbolizonin tranzicionin e Çekosllovakisë nga regjimi komunist në një demokraci parlamentare.

Sot, Shtëpia Vallëzuese konsiderohet si një nga vendet më atraktive e të njohura të Pragës, që vizitohet nga qindra turistë për çdo ditë.