Kërceni tek përmbajtja

Tereza Bianku

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë


Biznismenja e parë e suksesshme shkodrane e shekullit XIX. Tereza ishte nga familjet më të vjetra dhe me traditë të qytetit të Shkodrës - familjes së Muzhanëve. Ajo ishte shumë e zgjuar dhe dinte disa gjuhë. U martua me tregtarin shkodran në Venedik, Stefano Biankun. Familja Bianku (Bojaxhiu) ishte e njohur si pronare e shumë pasurive, si toka, livadhe, ullishta e vreshta.[1]

Në fundshekullin XVIII dhe gjatë shekullit XIX, ishte e njohur si familje tregtare, Jaku ishte më i njohuri, por pas vdekjes së tij i biri Stefano, me vëllezërit Çoba formojnë firmë të përbashkët "Çoba - Bianki", që ishte e njohur për tregti jo vetëm në Shkodër e rajon, por krijoi lidhje me tregjet evropiane, por edhe të Azisë.

Pas vdekjes së Stefanos, pasuria dhe tregtia e kësaj familjeje filloi të udhëhiqej e të administrohej nga shoqja e tij, Tereza, e cila për 24 vjet rresht pas vdekjes së të shoqit, e udhëhoqi me sukses. Bashkëpunonte me të nipin e të shoqit, Engjëll Çobën, ajo në gjuhën shqipe mbante letërkëmbimin tregtar me firmat shqiptare të Kosovës, Italisë jugore, të Korfuzit etj.

Znj. Tereza kishte në shtëpi sekretare dhe noterin e vet dhe 4 (katër) gra, që e ndihmonin në punët e shtëpisë dhe në administratë.

Tereza në Shkodër ndërtoi disa shkolla, bëri ndërtimin e rrugëve lidhëse të Shkodrës me zonat e tjera, rrugën Shkodër - Shëngjin, ndërtimi i disa kishave dhe i një spitali u kryen me financimin e firmës "Çoba - Bianki".

Kjo biznesmene e zonja shkodrane e shekullit XIX, u bë edhe kryetare e përfaqësimit të tregtisë shqiptare në Dhomën e Tregtisë së Venedikut.

Ajo nuk qe vetëm një tregtare e shquar e qarkut të Venedikut dhe të Shkodrës, por një grua bujare dhe humaniste që kontribuoi në vepra të shumta bamirësie.

Tereza Bianku ishte e bija e Gjok Muzhanit dhe kishte tre motra dhe një vëlla. Njëra motër e Terezës ishte e shoqja e Ndrek Sumës, tjetra gjyshja e Luigj Gurakuqit, dhe tjetra gjyshja e Aurel Ashikut, kurse vëllai i Terezës, Gjoni vdiq në moshën 27 vjeç në Elesino të Italisë.

Tereza[2] martohet me Stefano Biankun, një tregtar i madh shkodran në Venedik. Në atë kohë, në shërbim të tregtisë brenda dhe jashtë vendit, në krahinat e ndryshme të Rumelisë, të Dalmacisë, në Serbi, Trieste, Venedik dhe më poshtë në Bari, Brindizi, Korfuz etj., tregtarët shqiptarë e sidomos ato shkodranë, që në shek. XVIII kishin krijuar edhe agjensitë apo shtëpitë e tyre tregtare. Veç kësaj ato kishin edhe agjentët tregtarë të shpërndarë në këto vise me të cilët komunikonin rregullisht në fillim me gjuhë të huaja dhe më vonë sidomos nga mesi i shekullit të kaluar edhe në gjuhën amtare të shkruar. Duke folur për tregtarët shkodranë, piktori anglez Lir më 1848 shkruan: ”Shumë prej tyre janë me pasuri të mëdha dhe bëjnë tregti të madhe me viset e Italisë e sidomos me Venedikun, banorët e të cilit pothuajse flasin greqisht, shqip, sllavisht dhe turqisht.”.

Mbas vdekjes së Stefanos më 1892 pasuria dhe tregëtia e kësaj familje filloi të administrohej nga e shoqja e tij, Tereza Bianku (halla e gjyshes së Terezina Sumës). Ajo trashëgoi shumë pasuri në Shkodër dhe Venedik e Merano të Italisë. Në Venedik ajo kishte një shtëpi tre katëshe ku brenda kishte edhe kishën. Në letrat e saj që ruhen akoma edhe sot në shtëpinë e Sumejve, nga korespondenca që kishte me hallën, ajo tregonte që shkonte shpesh në Merano sidomos çdo vjeshtë ku kontrollonte përgatitjet për prodhimin e verës.

  1. ^ Ilazi, Hanëmshahe (2015). Gra të njohura të trojeve shqiptare (bot. 1st). Prishtinë: Koha. fq. 671. ISBN 9789951685252.
  2. ^ Bianku, Tereza (2024-03-27). "TEREZA BIANKU, BIZNESMENIA E PARË SHKODRANE..." Realiteti Post. Arkivuar nga origjinali më 2024-04-17. Marrë më 2025-03-11.

Lidhjet e jashtme

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]