Thoma Pesha
Thoma Pesha (1938 – 2014) aktor shqiptar, ishte një nga figurat përfaqësuese të teatrit profesionist në Gjirokastër dhe më gjerë, me një kontribut mbi 25-vjeçar në skenën shqiptare [1].
Lindi në fshatin Labovë e Madhe (e Zhapës). Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen teknike në Vlorë. Pas kthimit në Gjirokastër nisi aktivitetin si aktor amator në estradën e qytetit.
Më 28 nëntor 1968, ishte një ndër gjashtë aktorët amatorë të përzgjedhur për krijimin e teatrit profesionist të Gjirokastrës.
Më pas përfundoi me sukses kursin 1-vjeçar në Studion pranë Teatrit Popullor në Tiranë (sot Teatri Kombëtar i Shqipërisë), ku pati pedagog aktorin e madh Kadri Roshi. Për diplomim interpretoi rolin e Leninit, duke punuar me regjisorin Lazër Filipi.
Gjatë 25 viteve në skenën e teatrit të Gjirokastrës realizoi rreth 60 role, prej të cilave 30 kryesore. Ndër interpretimet më të vlerësuara përmenden rolet në dramat “Kurbeti” nga Andon Zako Çajupi, “Vatra e huaj” nga Ndrek Luca, “Fundi i sinoreve” nga Maku Pone, si edhe në veprat nga Dritëro Agolli, Jakov Xoxa dhe Kolë Jakova.
Ka bashkëpunuar me regjisorin Bernard Kokalari dhe me artistë të njohur si Pjetër Gjoka, Dhimitër Pecani dhe Piro Mani. Përveç aktrimit, kontribuoi edhe si asistent regjisor në disa premiera të Teatrit Profesionist “Zihni Sako” [2].
Thoma Pesha mbetet një nga aktorët që ndihmuan në konsolidimin e jetës teatrore në Gjirokastër [3] dhe në pasurimin e repertorit dramatik shqiptar.
Ndër dhjetëra role të interpretuara me mjeshtëri veçohen:
“Një krismë në errësirë” (Doktori)
“Ushtari Hiks” (Gjykatësi)
“Një dimër i shkurtër” (Xha Gaqo)
“Lagjia e varfër” (Adnani)
“Udha e Zavalinajve” (Isuf Zavalina)
“Njerëz mbi shkëmb” (Xha Aliu)
“Shqiptarët kanë gjunjë por nuk dorëzohen” (Rapo)
“Historia e një nate” (Myrteza Shkëmbi)
“Për pak tokë dhe një grua” (Prenga)
“Kufiri i gjakut” (Hate Nurja)
“Aeroporti” (Oficeri Italian)
“Operacioni” (Hamdiu)
“Shqetësimet e Anës” (Bahçevani)
“E fejuara” (Kryetari)
“Kërkoj shtëpinë time” (Besimi)
“Kjo nuk duhet harruar” (Rustemi)
“Dashuri e vërtetë” (Pensionisti)
“Shtëpia me dy porta” (Harrilla)
“Fjala e dhënë” (Marku)
“Burrat e lirisë” (Kryetar i komitetit) etj.