Treviso
Treviso është një bashki italiane me 85 793 banorë që gjendet në rajonin e Venetos. Është gjithashtu kryeqendra e provincës që mbart të njëjtin emër. Treviso është qyteti i pestë më i populluar në rajonin e Venetos.
Etimologjia
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Etimologjia e emrit “Trevizo” lidhet me dy interpretime të mundshme. Sipas të parit, emri vjen nga fjala kelte tarvos (që do të thotë dem) me prapashtesën latine -isium, nga të cilat Tarvisium. Interpretimi i dytë, përkundrazi, e lidh toponimin me emrin e fisit protovenecian me origjinë ilire që për herë të parë u zhvendos në atë zonë.
Historia
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Qyteti, i cili ka origjinë romake (Tarvisium), qe i pavarur prej vitit 1183 deri në vitin 1339, duke kaluar pastaj nën sundimin e Venedikut. E pushtuar nga francezët në vitin 1797 dhe e shpallur kryeqendra e departamentit të Taljamentos gjatë kohës së Napoleonit, Treviso bie në dorën e Austrisë më 1814, për t’u bërë në fund pjesë e Mbretërisë së Italisë më 1866.
Treviso pësoi një bombardim të rëndë nga fundi i Luftës së Dytë Botërore. Më 7 prill 1944, shumë ndërtesa mesjetare në qendrën e qytetit u shkatërruan, midis të cilave edhe një pjesë e Pallatit të Treqindve (Palazzo dei Trecento) dhe afro 1 000 veta humbën jetën.
Gjeografia
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Qyteti i Trevizos shtrihet në vendin ku bashkohen lumenjtë e Botenigës dhe të Siles, 28 km në veri të Venedikut, 50 km larg Padovës dhe afër kodrave të Azolos dhe të Koneljanos. Qyteti qendron midis Gjirit të Venedikut dhe Alpeve, në mes të Luginës Veneciane.
Politika
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Kryebashkiaku i sotëm i Trevizos është Mario Kontja [Mario Conte], eksponent i Ligës, në detyrë nga 13 qershori 2018.
Demografia
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Qyteti ka 85 793 banorë.
Ekonomia
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Qyteti i Trevizos përbën një nga qendrat ekonomiko-tregtare më të rëndësishme në zonën veri-lindore të Italisë.
Treviso është e mirënjohur anembanë botës për industrinë e tekstilit dhe të luksit. Shoqëri si “Benetton”-i, “Geox”-i, “Stefanel”-i dhe “Sisley” e kanë selinë e tyre në këtë provincë.
Në Trevizo, prodhimi zejtar i qeramikës dhe i porcelanit është mjaft i përhapur. Gjithashtu, në qytet dhe në provincën e tij, prodhohen disa nga verërat italiane më të famshme, si p.sh. prosekoja, kaberneti, tokaji, merloti, rabozoja, etj.
Transporti
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Transporti hekurudhor
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Stacioni i trenit “Trevizo Qendër” (Treviso Centrale) ka lidhje me trena të “Trenitalia”-s me Romën, Milanon, Venedikun, Padovën dhe Triesten. Stacioni po ashtu ka trena austriakë që e ndërlidhin atë me Vjenën, Klagenfurtin dhe Vilahun.
Transporti ajror
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Pesë kilometra nga qendra e qytetit, në drejtimin jug-perëndimor, ndodhet Aeroporti i Trevizos, i cili përdoret si aeroporti i dytë i Venecias me përgjithësisht fluturime me çmime të lira. Terminali është hapur më 2007 dhe i është dedikuar skulptorit të famshëm italian Antonio Kanova.
Transporti urban
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]“MOM”-i është shoqëria kryesore e autobusëve të qytetit, e cila ofron shërbimet e transportit qytetas dhe ndërqytetas.