Shko te përmbajtja

Unioni i Pavarur i Studentëve të Universitetit të Prishtinës

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Unioni i Pavarur i Studentëve të Universitetit të Prishtinës është një organizatë studentore e cila lindi në maj të vitit 1990, në një kohë kthese të madhe politike e shoqërore. Me pikëpamje demokratike dhe jashtë ndikimeve partiake, unioni u krijua për të përfaqësuar zërin e studentëve kosovarë në një periudhë kur hapësira publike po ngushtohej me shpejtësi.[1]

Gjatë viteve të nëntëdhjeta, pasi studentët dhe profesorët shqiptarë u dëbuan nga objektet zyrtare të universitetit, Unioni u bë një nga shtyllat kryesore të mbajtjes gjallë të arsimit nëpër shtëpi-shkolla. Përveç kujdesit për ecurinë e mësimit në kushte të jashtëzakonshme, unioni mori përsipër edhe organizimin e rezistencës qytetare.

Kapitulli më i njohur i këtij angazhimi mbetet Protesta e 1 tetorit 1997, e udhëhequr nga rinia studentore dhe e mbështetur nga rektori Ejup Statovci, kjo lëvizje paqësore doli në rrugë me kërkesën e qartë për kthimin e objekteve universitare, duke i dhënë një jehonë të fuqishme ndërkombëtare çështjes së arsimit dhe të drejtave të njeriut në Kosovë.[2]

Pas përfundimit të Luftës së Kosovës, me rikthimin e jetës akademike në objektet universitare, Unioni iu përshtat rrethanave të reja. Sot ai vazhdon veprimtarinë e tij si organizatë studentore brenda Universitetit të Prishtinës, ku përmes pjesëmarrjes në zgjedhjet studentore dhe në organet e universitetit, angazhohet për të drejtat e studentëve, cilësinë e studimeve dhe përmirësimin e kushteve akademike.[3]

  1. ↑ Hetemi, Atdhe (2020-10-06). Student Movements for the Republic of Kosovo: 1968, 1981 and 1997 (në anglisht). Springer Nature. ISBN 978-3-030-54952-7.
  2. ↑ "HULUMTIM: UNIVERSITETI I KOSOVËS, TEPËR I POLITIZUAR | Institute for War and Peace Reporting". iwpr.net. Marrë më 2026-09-30.
  3. ↑ Dedinca, Dea (2022-10-01). "Ndryshimi që erdhi nga protestat e studentëve këmishëbardhë të UP-së - Dukagjini". Marrë më 2026-09-30.